Lotët e zemrave të pikëlluara

Fethullah Gylen: Lotët e zemrave të pikëlluara

Pyetje: “Nganjëherë, vetëm prej të qarit të një zemre të pikëlluar, Allahu i fal mëshirë gjithë një universi.” Në ditët e sotme, e ndjejmë thellë në ndërgjegjet tona se nuk shqetësohemi dhe nuk vuajmë aq sa duhet. Cilat mund të jenë shkaqet e këtyre?

Përgjigje: Në themel të të gjitha problemeve njerëzore, që nga koha e Ademit të nderuar e gjer më sot, qofshin ato individuale, familjare apo shoqërore, qëndron njeriu. Edhe në themel të anarkive, padrejtësive, ngatërresave dhe vuajtjeve të epokës sonë qëndron sërish elementi njeri. Nëse të gjitha problemet vijnë e mblidhen te njeriu, atëherë edhe zgjidhjet, mund të gjenden po prej njeriut, patjetër që me një dimension revelativ, e nëpërmjet boshtit të ndërgjegjes. Përndryshe, asnjë çudhëzim, mohim a mjerim nuk mund të parandalohet.

Të mund të dallosh që gjendesh në fund të pusit

Problemi më i madh që ka njeriu në ditët e sotme është lënia pas dore. Sepse, në të vërtetë, sa prej nesh e ndjejnë thellë-thellë si problem këtë fakt, duke edhe vuajtur madje për këtë? Fatkeqësisht, ne, ngase ndajmë të njëjtin ambient, nuk e kemi kuptuar ende rrezen dhe madhësinë e kësaj rënieje, mjerimi dhe çmeritjeje që ka filluar të përcëllojë tërë rruzullin.

Për t’jua qartësuar më mirë qëllimin tim, le t’ju jap një shembull: Njëherë, pasi kisha ndenjur për një periudhë të gjatë në qytet, vendosa të shkoja në fshat te dajat e mi. Me të futur kohën brenda në shtëpi ndjeva një erë bajgash të djegura, dhe thashë: “Ç’erë e keqe ardhka!”. Nga pas më erdhën nipërit e dajës, dhe filluan të qeshnin me mua. Unë kisha ndenjur afro një muaj në shtëpinë e tyre, mirëpo nuk kisha ndjerë asnjë shqetësim.

Edhe Mevlana në Mesnevinë e tij, flet për atë njeriun që qe mësuar veç me erën e keqe të dyqanit të lëkurëshitësit, e kur shkoi pranë dyqaneve të parfumeve në qytet, i ra të fikët. Në të vërtetë, ky i nderuar na përçon pikturën e një njeriu të denatyruar. Andaj, edhe ne si përfaqësuesit e këtij brezi, jemi mësuar asisoj me vendin ku kemi jetuar, duke u përshtatur aq shumë, saqë nuk ndjejmë neveritje edhe përballë tablove më turpëruese dhe rrëqethëse, të cilat do ta turpëronin njeriut nga njerëzorja e tij, nuk ndjejmë as turpin dhe hidhërimin më të vogël. I shohim të gjitha prapësitë dhe gabimet si krejt normale. Ashtu siç e thotë edhe një poet:

E tërë bota e ngopur, mendon se të ngopur janë të gjithë,
Çdo i uritur, mendon se të uritur janë të gjithë!

Po ashtu, edhe ne kur nuk e kuptojmë të keqen ashtu siç është, nuk mund të orvatemi që t’i themi “mjaft”, e mandej të vijmë drejt. Sepse ambienti dhe kushtet ku jeton njeriu kanë njëfarë lidhjeje organike me njëri-tjetrin. Kjo lidhje ndikon në tërë shqisat e tij, në vesh, në hundë, duke e marrë të tërin nën kontroll. Kësodore, ai njeri fillon t’i ndjejë gjërat njëfarësoj, kësisoj i vlerëson, duke mos dalë dot prej kornizave të ndërtuara. Megjithëse qëndron brenda atij pusit të vet, i duket sikur jeton në një klimë tejet të gjerë dhe të shëndoshë. Andaj edhe nuk mund të përpiqet për të dalë së andejmi.

Po, njeriu, për nga natyra, fillon të ambientohet me vendin ku jeton pas njëfarë kohe. Për shembull, një njeri që jeton në një vend ku flitet veç me zë të lartë, fillon t’i mësohen veshët pikërisht me ato zhurma. Këtë herë ai vesh, fillon të mos i dëgjojë frekuencat më të ulëta të zërit që i vijnë. Po kështu, edhe ne, që nga koha kur hapëm sytë, pamë vetëm njerëz të kënaqur prej gjendjes në të cilën jetonin, e që e bënin këtë të fundit për sot për nesër.

Mirëpo, vuajtja është një burim i mirë frymëzimi. Ajo mund t’i falë shumë rrugë dhe mënyra të ndryshme për të shpëtuar prej gjendjes së shqetësuar prej të cilës mund të jetë kapluar. Bie fjala, nëse një person i rënë në një pus është i vetëdijshëm për këtë fakt, madje edhe vuan për këtë, atëherë kërkon pesëdhjetë rrugë për të dalë së andejmi, derisa me lejen dhe ndihmesën e Allahut e gjen rrugëdaljen. Megjithëse në dorë mund të mos ketë kazmë apo lopatë, i përdor duart si kthetra dhe del prej andej. Mandej vendos këmbët në vendet e mihura, dhe me duart hap dy të tjera më sipër për të futur sërish këmbët, derisa pas njëfarë kohe arrin të dalë shëndoshë e mirë. Mirëpo, prej atij që nuk e di që gjendet në thellësitë e një pusi, që është përherë i kënaqur me gjendjen ku ndodhet, nuk mund të presësh kurrfarë përpjekje a mundimi.

Hidhërimi i të keqtrajtuarit thërret mëshirën

Veç kësaj, njeriu përballë rënies dhe futjes së tij në një qorrsokak, fillon ta ndjejë pikëllimin thellë në zemrën e tij, dhe nëse i drejtohet Allahut ashtu siç duhet, ashtu siç e shpreh edhe Said Nursiu në veprën e tij “Shkreptimat”, në një çast të tillë kur bien të gjitha mundësitë, mund të vërejë se si, në dritën e njëshmërisë së Allahut, shfaqet sekreti i njësisë së Tij. Siç e dini, kur ra Junus bin Meta në barkun e balenës, të cilën e kishin rrethuar dallgët dhe errësira e natës. Mirëpo ai profet fisnik, edhe në errësirat më të shtresëzuara, thoshte pa reshtur:

“Nuk ka zot tjetër veç Teje. Ti je i pastër prej çdo cilësie të mangët. Unë vetëm i bëra keq vetes sime (pres faljen Tënde).” (Enbija, 21/87), thërriste kësimënyre mëshirën e Allahut, derisa e kishte arritur atë, duke dalë prej barkut të balenës. Ju po të doni mund të sillni ndërmend ato vargjet e Ibrahim Hakiut:

Kur i pamundur të ngelesh,
Papritmas hapet ajo portë
Zgjidhje çdo problemi i gjendet,
Zot të shohim se ç’bën,
Se ç’bën, mirë e bën.

Pa shiheni njëherë gjendjen tonë të mjerueshme të këtyre kohëve! Për hir të Allahut, a nuk jemi ne në një gjendje më të keqe se ajo e Junus ibni Meta-së, që kishte rënë në barkun e balenës? Kur e trajton Said Nursiu këtë çështje, thotë se “peshku është egoja juaj.” Domethënë ne, sot gjendemi të kullufitur prej vetë egove tona. Të jetë, të mos jetë kjo botë, ne kemi rënë pre e egove tona. Por ç’është më e keqja, nuk jemi në dijeni të kësaj. Andaj edhe veprojmë pa ndjenja dhe hidhërim ndaj gjithë atyre padrejtësive dhe keqtrajtimeve që ndodhin në vende të ndryshe të botës së sotme. Në fillim ne duhet të pyesim veten: “Çfarë ishim? Çfarë jemi?”. Mandej, të lidhim fije me periudhën e Profetit tonë të dashur dhe të bëjmë një lexim krahasues mes këtyre dy periudhave. Madje të vizitojmë edhe kohët e Ejubëve, Zengive, Selçukëve dhe Osmanëve, të shohim njëherë Selahadin Ejubin, Nuredin Zengiun, Alparsllanin, Melik Shahun, Këllëç Arsllanin, Fatih Sulltan Mehmetin, e të shohim pak se si qëndronin ata në këmbë përballë sulmeve dhe vërsuljeve të një bote të egër dhe të pamëshirshme, duke u gjetur recetat edhe problemeve më të vështira. Duhet të mundohemi të kuptojmë se sa e kobshme është situata. Kam përshtypjen, se një përpjekje e tillë në mendim ka për të na çuar që të trokasim në portën e Allahut, dhe Ai do të na tregojë neve rrugët alternative për të dalë prej andej. Por, për aq kohë që ne e shohim si krejt normale gjendjen në të cilën jetojmë, as rrugëzgjidhje alternative nuk na shfaqen, e as nuk mund të zbulojmë ndonjë mënyrë për të shpëtuar.

Farat e vuajtjes të hedhura nëpër zemra

Po, në themel të vuajtjes dhe pikëllimit, duhet kuptuar mirë periudha kur Islami ishte kthyer në jetë nga të gjithë njerëzit, dhe periudhën në të cilën jetojmë ne, ku myslimanët janë viktima të çdo lloj padrejtësie dhe meskiniteti. Nursiu i nderuar, ndërsa binte në një situatë të ngjashme thoshte: “Nuk kam kohë as sa për të menduar vuajtjet dhe mundimet e mia. Ah sikur të kisha edhe njëmijë herë kaq vuajtje, vetëm kështjella e Islamit të jetë sa më mirë!” Sepse për aq kohë sa i shihte myslimanët në të mirë, nuk ishte kundër edhe djegies në flakët e nxehta të Xhehenemit. Ja, këto janë shprehjet e një njeriu të vërtetë. Sepse ndërsa njerëzimi i është futur rrugëtimit që përfundon në Xhehenem, ti, nëse je njeri, duhet të dridhesh përballë një tabloje të tillë. Por edhe kjo është një e vërtetë, që jo çdokush mund t’i përkapë çështjet me një ndërgjegje kaq të thellë.

Për shembull, nuk është e drejtë që ta dijë çdokush çdo problem dhe çdo shqetësim. Sepse njerëzit mund të vdesin edhe përballë një virusi të thjeshtë gripi. Vetëm se njerëzit me sistem të shëndoshë imuniteti, kur sulmohen përherë nga i njëjti virus, atëherë kjo gjendje bëhet vetëm një tronditje kalimtare për të. Ndoshta jo të gjithë ata që rendin në shërbimin e Kuranit dhe të besimit kanë të njëjtin sistem mbrojtës. Disa prej tyre, sado probleme t’u japësh, prapë nuk i fusni dot në pesimizëm. Le të ndaj me ju disa ndjenja të miat: Nëse një ditë do t’i kisha në jetë babanë, nënën, gjyshin dhe gjyshen, dhe sikur të vdisnin të gjithë në të njëjtën kohë, ju betohem, që i gjithë hidhërimi nuk do të ishte as sa gjysma e hidhërimit të një dite për të këqijat që po i ndodhin botës së Islamit. Asisoj që ndonjëherë dal nga dhoma i rrënuar prej dhimbjeve dhe shëtis si i çmendur nëpër korridore, megjithatë mundohem të mos i përmend emrat e atyre qëllimpisëve që qëndrojnë si lubi në çdo anë, në krye të çdo komploti dhe kurthi të ngritur. Pasi kjo mund t’u thyejë sistemin mbrojtës njerëzve, duke i shpënë në pesimizëm. Andaj edhe mundohem të mos e shfaq, të mos flas për shqetësimet e mia duke u qarë përherë.

Vetëm se nëse do ta dija se do të duronin, do të vendosja shkëndija të vuajtjes dhe fara të shqetësimit në zemrat e të gjithëve. Aq sa edhe gjumi t’u ikte, e të shëtisnin sa majtas, djathtas, si të çmendurit. Zaten, për aq kohë që për një njeri nuk thuhet se është i çmendur, pikërisht për fenë, nuk mund të thuhet se ka besuar përsosmërisht. Të tjerët do të shohin gjendjen tuaj dhe do të thonë: “Për aq kohë që kemi mundësi t’ia shijojmë të gjitha kësaj jete, me bahçet dhe kopshtet e saj marramendëse, lulet shumëngjyrëshe, po këta njerëz, me ç’merren?”. Ja kjo, me gjuhën e Junusit do të thotë t’i derdhësh të gjitha në rrugën e Allahut, me ato që i ke, me ato që nuk i ke. A kanë perënduar dhe kanë mbaruar këta njerëz? Hasha ue kel’la! Kurrsesi! Sepse Zotëruesi i Ligjit Suprem thotë se ai që ecën në drejtim të ahiretit me besim ka për të shkuar në Xhenet. Andaj kjo është një çështje tjetër. Mirëpo, në emër të gjetjes së një zgjidhjeje për vuajtjet e njerëzve, të përpëlitesh gjer sa të ndahesh më dysh prej vuajtjeve shkatërruese, si një sjellje profetike që përfshin mbarë njerëzimin, është një çështje krejt tjetër.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.