Të ndalosh të keqen dhe përshkrimi i së kotës

Të ndalosh të keqen dhe përshkrimi i së kotës

Pyetje: Thuhet se përshkrimi i gjërave të kota i bllokon mendjet e qashtra. Mirëpo, në mënyrë që njerëzit të mbahen larg prej kësaj, atyre u duhet shpjeguar fillimisht për të këqijat që e karakterizojnë atë. Si duhet ruajtur ekuilibri ndërmjet këtyre dy çështjeve?

Përgjigje: Së parë, do ditur mirë, se që të thuash se diçka është “e keqe”, dhe të fillosh mandej ta përshkruash atë me të gjitha imtësitë e saj, janë dy gjëra krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Patjetër, që në mënyrë që njerëzit të largohen, të ftohen apo edhe të fillojnë të ndjejnë neveri prej të gjitha sjelljeve apo reagimeve që dëmtojnë individin apo shoqërinë, duhen dhënë këshilla vazhdimisht. Mirëpo, ndërsa bëhet diçka e këtillë, nuk duhet bërë medoemos që ai veprim të shfaqet përpara shikimit të tij si të ishte fotografi, fill e për pe, pa lënë kurrgjë mangët. Sepse, është pikërisht kjo shfaqje kësimënyre që tek disa njerëz të tjerë mund të ndjellë dëshirat dhe prirjet kah ai veprim i papëlqyer.

Kësisoj, në mënyrë që të gjitha përpjekjet të mos përfundojnë duke u goditur me të kundërtën e tyre, këto veprime jo të mira veç duhen dhënë thjesht si shembuj, pa u shpërfaqur përpara të tjerëve në trajtat e përshkrimit të të gjitha mëkateve dhe gabimeve, më tepër duke u treguar për dëmet që ato sjellin në këtë botë dhe në botën e përtejme, për fundin e hidhur që do t’u sjellë njerëzve. Për shembull, një njeriu që rend vazhdimisht, pa reshtur, nga njëri mëkat në tjetrin, i duhet treguar se me këtë ecuri mund të humbë të gjitha ndjesitë shpirtërore, derisa të vijë një kohë që të mos marrë kënaqësi më prej adhurimeve të tij, largpamësia do t’i erret, nuk do t’i vërë dot më në lëvizje parandjenjat e tij, nuk do të shpëtojë dot nga të qenët mysliman formal, që do ta dijë Allahun thjesht si një informacion i thatë, deri te fakti që nuk do të ketë mundësinë që të mbërrijë ta kuptojë kur të gjitha lëvizjet kryhen nën ndërgjegjen se je duke u parë nga Allahu. Domethënë, më tepër se sa përshkrim i mëkatit, do treguar fundi i kobshëm që e pret përsëritjen e atij mëkati.

Ndikimi shkatërrues i thirrjeve të brendshme të këqija

Siç dihet nga të gjithë, djalli i përdor më së miri disa prej ndjenjave të njeriut, në mënyrë që ta shtyjë atë nëpër rrugët e ndryshme të mëkatit. Nga ky këndvështrim, është shumë e rëndësishme që këto ndjenja të mos zgjohen assesi. E për sa i përket përshkrimit të gjërave të kota, ai është një prej thirrjeve më të qarta që i bëhen mëkatit. Ai i vendos këto ndjenja të njeriut në lëvizje. Kësisoj, çdokush e sheh si një rast të përshtatshëm këtë, dhe menjëherë duke përdorur të gjitha mundësitë e tërheqjes negative, derisa ta marrë nën kontroll, për ta shtyrë mandej kah çdo lloj mëkati.

Ndërsa përmendim përshkrimin e gjërave të kota, në mendje na vijnë ato çfarë kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me instinktet më kryesore të njeriut. Mirëpo çështja nuk duhet lidhur kurrsesi vetëm me ndjenjat epshore. Kjo është e vlefshme për çdo përmendje të atillë që mund ta shtyjë dikë, apo ndjellë dëshirën tek ai, për ta kryer vetë atë veprim. Për shembull, ju doni të tregoni se ç’gjë e keqe është dyfytyrësia. Nëse ju, ndërsa e detajoni çështjen në një mënyrë të atillë që të duket sikur është ndonjë talent i veçantë i njeriut, atëherë do të shkaktoni që në disa prej mendjeve të atyre njerëzve përreth do të keni ndjellë njëfarë simpatie për të. Kësodore, duket se si në të gjitha veprimet, gjatë gjithë ditës, duhet ndjekur një stil i veçantë sjelljeje, duke e shpjeguar me kujdes, edhe se çfarë dënimesh i presin këta njerëz në botën tjetër.

Madje, edhe ndërsa jeni duke përshkruar idhujtarinë, do treguar mjaft kujdes. Për shembull, nuk është e nevojshme fare përmendja e vazhdueshme e emrit të një sendi apo diçkaje tjetër, e cila tregohet si bashkëpjesëmarrëse e Zotit në krijim, - hasha ue kel’la -, sikur të ishte ndonjë qëllim dhe i adhuruar në vetvete, e akoma më keq përshkrimi i imtësishëm i saj pasur kurrfarë nevoje. Këto lloj temash duhen përmbledhur, dhe së pari do shpjeguar se ai që i rendit bashkëpjesëmarrës në krijim Zotit do të humbë jetën e tij të përjetshme, madje edhe do të përfundojë drejt një jete të përjetshme Xhehenemi.

Po njësoj, edhe kur përmenden kundërvënia ndaj prindërve, dëshmimi i rremë, hajdutëria, shpifja apo përgojimi, duhet gjetur një stil i atillë të foluri, që të mos ndjellë dëshirë për t’u kryer prej atij që po ju dëgjon, por me një mënyrë sa më të përmbledhur, duke renditur fatkeqësitë që i pret fundi i tyre, gjë kjo që ka për të ndërtuar një mur mbrojtës brenda këtyre njerëzve.

Në fakt, kjo metodë është metoda profetike. Për shembull, Profeti ynë i dashur (s.a.s.) e ka treguar në këtë mënyrë përfitimin e madh që të përfton largimi prej fatkeqësisë së gjuhës dhe imoralitetit: “Më jepni siguri se do t’i ruani atë që keni ndër këmbë, dhe atë që keni ndër buzë, që unë t’ju siguroj se do të shkoni në Xhenet.” (Buhari, rikak, 23) Siç e vëreni, këtu çështja është përshkruar me një stil mjaft të thukët, duke u treguar vetëm e mira që përfitohet në fund, nëse një kusht do të plotësohet.

Veç kësaj, duhet ditur, se ndotja e mendjes së atij që ngelet i detyruar që të përshkruajë gjëra të kota mund të zgjasë me ditë të tëra. Madje, mund të ndodhë që një sërë mendimesh jo të bukura t’i pushtojnë atij gjendjen shpirtërore ndërsa është duke adhuruar Allahun. Kështu që, çdokush të mund të shpëtojë prej rënies në këtë batak, duhet të tregohet i fortë dhe i vendosur për t’i qëndruar sa më larg këtyre gjërave të papëlqyera. Krahas largimit dhe qëndrimit larg, ai duhet të përpiqet që t’i mbushë, si mendjen ashtu edhe shpirtin me gjërat më të bukura. Asisoj që, çfarëdo dosjeje që t’i hedhë dorë ai brenda trurit të vet, përpara syve t’i dalin veç fjalë, mendime dhe tablo të bukura. Ta zëmë se i hyri në sy, në vesh apo në mendje diçka e papëlqyer, gjithsecili duhet të mos i njohë të drejtën e jetëgjatësisë, e pa humbur kohë duhet të rendë për te sixhadeja e tij për t’u pastruar prej të gjitha njollave që mund të ketë zënë.

Një mendje e pastër dhe një fund i lumtur

Është një e vërtetë, që sidomos në këto kohë që po jetojmë, mendjet tona janë të prirura të bien pre e shumë ndotjeve serioze, madje edhe në vendet më të sigurta dhe të mbrojtura që janë shtëpitë tona. Dhe të gjitha këto, me kalimin e kohës, fillojnë t’ia marrin nën kontroll të gjitha, si mendjen ashtu edhe kujtesën. Këto informacione të ndotura që zënë vend atje, fillojnë ta ngacmojnë mjaft seriozisht njeriun, derisa brenda tij fillon të nxiten disa ndjenja të caktuara. Këto piktura të shfaqura përpara shikimit të këtij njeriu, pasi e marrin nën kontroll gjithë botën e tij të ndjenjave dhe mendimeve, fillojnë t’i parashtrojnë atij kërkesat dhe dëshirat e veta. Madje, po gjetën rastin, ia paralizojnë atij vullnetin, derisa e rrokullisin drejt mëkatesh që do t’ia rrënonin atij jetën e përtejme.

Po, me kalimin e kohës, këto mëkate formësojnë një nënvetëdije që fillon të ndotë deri edhe ëndrrat e tij. Kur, në fakt, njeriu, edhe kur është duke fjetur duhet të mundohet si e si për ta ruajtur pastërtinë e tij. Ne, kur i marrim lutjet e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) si prijës për jetën tonë, në lutjet që bëjmë në agim dhe në mbrëmje, themi: “O Zot, që je i besueshëm në fjalën Tënde! Unë po t’i lë Ty në dorë ndjenjat, mendimet dhe imagjinatën time. Mos i lejo ato që të ndoten, në mënyrë që, kur të zgjohem, të mos zgjohem me ndjenja të ndotura.” Pikërisht, kësimënyre ne mbështetemi tek Allahu, duke ia lënë Atij në dorë mbrojtjen tonë. Lëvizja me kaq kujdes e një njeriu, padyshim që është shumë e rëndësishme për ahiretin e atij personi. Duhet ditur, se çdo qëllim, lutje apo përpjekje e tij regjistrohet në fletoren e tij të veprimeve. Madje, sipas rasteve, përpjekja për mosndotjen e imagjinatës, për të mos të rënë në trysninë e një shtrese të nënndërgjegjes, mund të jetë më e rëndësishme edhe se falja e njëqind rekateve namaz. Mirëpo, ç’e do se, shëtitja e njeriut nëpër botë të pastra edhe në ëndrrat e tij, duke shëtitur ndër kopshte të pafundme jaseminësh, është e lidhur ngushtë me një përdorim sa më të frytshëm të vullnetit.

Në të vërtetë, sa më larg që të qëndrojë njeriu prej shkaqeve ose arsyeve që mund ta shtyjnë në gabim, aq më afër sigurisë për të mos rënë në mëkat është. Profeti ynë i nderuar (s.a.s.) në një hadith të Tijin, shprehet: “O Zot, ashtu siç mban të ndarë Lindjen nga Perëndimi, ashtu mbamë mua të largët prej gabimeve.” (Buhari, daauat, 44), duke treguar rëndësinë e të qëndruarit larg prej mëkateve. Sepse një njeri, që e fut veten brenda atij rrethi, qoftë kjo edhe për fare pak, pas njëfarë kohe do të ngërthehet nga rryma, derisa të mos gjejë dot më mundësi për t’i shpëtuar asaj. Po, nëse njeriu del njëherë hapur në detin e kundërvënies, ka mundësi që të mos dalë më në bregun e shpëtimit. Kështu që, ai duhet të jetë përherë duke u përpjekur që t’i ruajë në gjendje sa më të pastër mendjen, ndjenjat dhe zemrën, e të jetë në kontroll të vazhdueshëm se mos sulmohet nga ndonjë kurth i egos apo djallit.