Statuja e shpirtrave tanë

Më sipër nënvizova shkurtimisht cilësitë e trashëgimtarëve të tokës. Tani, do t’i sqaroj më me hollësi këto cilësi.

Cilësia e parë e trashëgimtarëve të tokës është besimi i përkryer. Kurani thekson se qëllimi i krijimit të qenieve njerëzore është besimi tek Zoti, njëherazi të pajisur me horizontin e dijes, shpirtin e dashurisë, dimensionin e dashurisë së fuqishme dhe zellit të gëzueshëm si dhe ngjyrimin e kënaqësive shpirtërore. Qeniet njerëzore janë përgjegjëse për ndërtimin e botës së tyre të besimit dhe të mendimit, ose me anë të hapjes së shtigjeve që të çojnë nga thelbi i tyre i brendshëm, tek thellësitë e ekzistencës, ose duke ecur sipas udhëve të ndryshme që të shpien nga ekzistenca drejt depërtimit brenda këtij thelbi. Kjo sjell për pasojë gjithashtu të vërtetën e brishtë njerëzore brenda shpirtit të tyre. Vetëm me anë të dritës së besimit ne mund të kuptojmë thelbin tonë, thellësinë e tij, qëllimet dhe objektivat e ekzistencës, mund të bëhemi të vetëdijshëm për aspektet e brendshme të universit dhe të ngjarjeve, si dhe të arsyeve që qëndrojnë pas tyre. Vetëm atëherë mund ta kuptojmë siç duhet ekzistencën, me të gjitha përmasat e saj. Mosbesimi është një sistem errësues, bllokues dhe pengues. Në sytë e një jobesimtari, ekzistenca nisi nga kaosi, duke u zhvilluar nëpërmjet papërcaktueshmërive të frikshme të rastësisë, duke shkuar mandej me shpejtësi drejt një fundi të tmerrshëm. Brenda kësaj rrëmuje tronditëse, nuk ka vend për mëshirën e Zotit, në mënyrë që shpirti të lehtësohet, apo të gëzohet sadopak, nuk ekziston asnjë vend, sado i vogël, për aspiratat tona njerëzore, në mënyrë që të ngushëllojmë sadopak vetveten, e madje nuk ekziston asnjë rrugicë, sado e ngushtë, në të cilën ne mund të ecim.

Në të kundërt, një person me besim, i cili e njeh prejardhjen dhe destinacionin e vet, e gjithashtu njeh siç duhet edhe detyrat dhe përgjegjësitë e tij, e shikon gjithçka të ndritur dhe të shkëlqyeshme, hapat që hedh nuk shoqërohen me kurrfarë ankthi, duke e çuar atë drejt destinacionit përfundimtar, pa frikë, me siguri dhe besim. Në udhëtimin e tyre, njerëzit me besim e studiojnë ekzistencën dhe atë që ndodhet pas saj me mijëra herë. Ata i filtrojnë gjërat dhe ngjarjet pa pushim, ata përpiqen të hapin çdo derë dhe mundohen të vendosin marrëdhënie me çdo objekt. Aty ku dija, përvoja dhe zbulimet e tyre kanë rezultat, ata kënaqen me faktin se e kanë përligjur besimin e vetvetes dhe të të tjerëve, duke vazhduar më tej udhëtimin e ndërmarrë.

Me anë të këtyre kritereve, mund të vërehet se një udhëtar i besimit ka zbuluar një burim fuqie tepër të rëndësishëm. Armatimi dhe thesari që i përket të përtejmes e i shprehur me frazën “Nuk ka forcë e fuqi tjetër, përveç Zotit”, përbën një burim mjaft domethënës fuqie dhe drite, pas përfitimit të së cilës besimtari nuk ka nevojë për asgjë tjetër. Ky person më pas gjithmonë e shikon dhe e njeh Atë. Ai rend për t’iu bashkuar shoqërisë së Tij duke e orientuar jetën sipas urdhrave të Tij. Ky besimtar mund të ndeshet me të gjitha fuqitë e kësaj bote në përpjesëtim me dijet e veta duke besuar tek Zoti me shpresën që ai mund të tejkalojë çdo pengesë, edhe në rastet kur rrethanat janë krejtësisht të disfavorshme, duke jetuar i mbushur me kënaqësi dhe pa rënë kurrë në pesimizëm.

Meqenëse kjo pikë përbën një objekt trajtimi për shumë vepra si “Risale-i Nur” në radhë të parë, unë u rekomandoj lexuesve t’u hedhin një sy atyre, duke kaluar kështu tek cilësia e dytë.

Cilësia e dytë e trashëgimtarëve të tokës është “dashuria”, e cila konsiderohet si ilaçi më i rëndësishëm i rilindjes. Personi i cili e mbush dhe e përmirëson zemrën me besim tek Zoti dhe me pranimin e Tij, ndjen një dashuri të thellë dhe një afeksion të madh në përpjestim me besimin dhe dijet e veta për të gjitha qeniet njerëzore dhe për gjithë krijimin në përgjithësi, duke jetuar me këtë mënyrë gjithë jetën e vet nën tërheqjen dhe nxitjen e një dashurie gjithëpërfshirëse, duke qenë gjithmonë në një gjendje euforie, ndjenjash të fuqishme, tërheqjeje ndaj Zotit dhe kënaqësish shpirtërore. Si në çdo epokë, edhe tani, është e nevojshme që zemrat të mbushen me dashuri dhe të lulëzojnë prej entuziazmit, duke fituar kështu dimensione të reja ndërgjegjësimi në mënyrë që të aftësohen për të realizuar një rilindje të tillë të madhe. Pa dashuri nuk mund të konkretizohen përpjekjet, apo aktivitetet me kohëzgjatje dhe efektivitet të madh, prandaj, për të arritur këtë qëllim, duhet të fokusohemi drejt Botës së Përtejme. Ne mund ta kuptojmë dashurinë hyjnore si qenie të ndodhura nën vëzhgimin e Zotit, nën dritën e përcaktimit të vendit tonë brenda konturit të lidhjeve që japin ekzistencë, me qëllim që të ndjejmë kënaqësinë e të qenurit të krijuar prej Tij, duke e konsideruar veten gjurmë e dritës së Tij, duke pranuar faktin që kënaqësia e Tij përbën qëllimin kryesor të krijimit dhe arsyen e këtij krijimi, duke na bërë kështu të qëndrojmë gjithmonë nën gjurmët e dashurisë dhe kënaqësisë së Tij. Një dashuri e tillë për Zotin, përbën një burim të pafund dhe misterioz fuqie, prandaj trashëgimtarët e tokës nuk duhet ta nënvleftësojnë këtë burim, por ta përjetojnë atë plotësisht.

Perëndimi e mbushi vetveten me dashuri thjesht nga pikëpamja materiale, duke ndjekur idetë e filozofëve të ndryshëm në një klimë të mjegullt filozofie, të cilën mundi ta shijojë vetëm ai, por kjo bëri që të përjetohen kudo dyshime, hezitime dhe pasiguri. Ne do të shikojmë ekzistencën dhe burimin e saj, nëpërmjet dritës së Kuranit dhe Sunetit. Duke iu referuar dhe duke iu drejtuar parimeve balancuese të këtyre dy burimeve dhe duke shfrytëzuar këtë hapësirë të gjerë, të hapur për metafizikën, ne do ta kuptojmë dashurinë - dridhjen e dashurisë që na injektohet në zemrat tona - për Krijuesin dhe lidhjen që ndiejmë me Të, për arsye se falë Tij, është bërë e mundur krejt ekzistenca. Në këto dy burime (Kuran dhe Sunet), origjina e njeriut, pozita e tij në univers, qëllimi i ekzistencës së tij, rruga që ai ndjek dhe fundi i kësaj rruge, përputhen aq shumë me mënyrën e tij të të menduarit, ndjenjat, ndërgjegjen dhe aspiratat, saqë është e pamundur të mos mrekullohesh dhe ta admirosh këtë fenomen, pasi ke hyrë në rrugën e lartpërmendur.

Për njerëzit me zemër të madhe, këto dy burime të shndritshme janë një lulëzim pranveror i zellit dhe një burim tërheqës. Ata të cilët kthehen drejt tyre me pastërti dhe sinqeritet ndjenjash, duke e ndjerë veten nevojtarë për to, nuk do të kthehen kurrë duarbosh, ndërsa ata të cilët kërkojnë strehë në këto dy burime, nuk do të përjetojnë kurrë vdekje. Mjafton që ky kërkim strehe dhe ky sinqeritet të jenë në nivelin që e patën Imam Gazaliu, Imam Rabaniu, Shah Veliu apo Said Nursiu, meqenëse këta i përjetuan këto situata me entuziazmin dhe frymëzimin e Xhelaledin Rumit, Shejh Galipit apo Mehmed Akifit. Për sa kohë që ata e kthyen fytyrën drejt këtyre burimeve me anë të besimit dhe veprave të Halid ibn Velidit, Ukbe bin Nafiut, Salahadin Ejubit, Fatihut (Mehmeti II) apo Javuzit (Selimi I). Me anë të ndërthurjes së zellit të tyre, i cili lulëzon dhe përqafon çdo kohë dhe çdo vend dhe duke përdorur mjetet, mënyrat dhe stilet e epokës sonë për të arritur shpirtin e Kuranit, i cili nuk ka moshë dhe është i vlefshëm për çdo epokë, çka bën të mundur një nivel universal metafizik, do të bëhej e mundur hedhja e hapit tonë të dytë.

Cilësia e tretë e trashëgimtarëve të tokës është “kthimi drejt shkencës nëpërmjet trios: arsye, logjikë dhe vetëdije.” Në një epokë, kur mendja e njeriut po paralizohet nga fantazi të errëta, një rikthim i tillë drejt këtyre vlerave, do të ishte gjithashtu një përgjigje drejt tendencave të përgjithshme të qenieve njerëzore dhe do të përbënte një hap domethënës për shpëtimin e krejt qenies njerëzore. Siç ka theksuar Bediuzzamani, në epokën e fundit, njerëzimi do t’i rikthehet dijes dhe shkencës me të gjitha format, do t’i drejtojë krejt fuqitë e tij drejt të mësuarit dhe ndoshta do të kalojë edhe njëherë në duart e shkencës, pastërtisë së të folurit, elokuencës, si dhe shprehjeve, apo retorikës superiore e cila do të përbëjë një subjekt, ku do të drejtohen interesat e të gjithëve. Prandaj ne do të përjetojmë përsëri një epokë dijesh dhe pasurimi gjuhësor. Nëse duam të pastrojmë atmosferën e mjegullt të konjukturave rreth nesh dhe të arrijmë të vërtetën dhe të Vërtetën e të vërtetave, kjo është rruga e vetme. Kapërcimi i vështirësive të shekujve të fundit, arritja e përsosmërisë në etikë dhe informacion, si dhe sprova e vetvetes edhe njëherë me anë të riparimit të subkoshiencës së dëmtuar për shkak të gjendjes së rëndë që kemi përjetuar vit pas viti, varet krejtësisht prej përfaqësimit dhe shpalosjes së shkencës. Ajo duhet të jetë e tillë që të kalojë nëpërmjet prizmit të të menduarit islam. Në të shkuarën tonë të afërt, meqenëse drejtimi dhe objektivi i shkencës nuk ishte i përcaktuar dhe dija nganjëherë ishte e përzier me shkencat pozitive dhe me filozofinë materialiste, ne përjetuam një kaos të madh në drejtim të të menduarit shkencor, shkencëtarët po përjetonin një humbje të pariparueshme të vlerësimit. Ky vakum u përdor nga të huajt. Ata hapën shkolla në çdo cep të vendit tonë, duke injektuar tek njerëzit tanë ndjenjën e admirimit të thellë për të huajën. Disa pjesëtarë të bashkësisë sonë i vendosën fëmijët e tyre inteligjentë dhe të talentuar në këto institucione, duke poshtëruar vetveten dhe duke dëshmuar edhe më fort këtë ndjenjë admirimi të skajshëm për të huajt. Pas pak kohësh nuk mbeti asgjë, as fe, e as besim tek këta breza të rinj, pa përvojë dhe të tradhtuar. Feja dhe besimi u rrënuan dhe u flakën tutje. Mbarë kombi u bë subjekt i shpërdorimit, u shndërrua në vendin e egoizmit të mendimeve, ndjenjave, koncepteve dhe artit. Arsyeja përse ndodhi kjo është shumë e qartë. Brenda këtyre shkollave dhe institucioneve, pa përjashtim, të cilave u besuam mendjet e të rinjve tanë, pa u menduar dy herë, zuri vend kultura amerikane, morali francez, zakonet e traditat angleze e kështu me radhë, duke ia zënë vendin shkencës dhe ideve shkencore. Prandaj, rinia jonë, në vend që të përqafonte epokën në të cilën jetonte nëpërmjet shkencës, metodologjisë dhe teknologjisë, u grupua në kampe dhe fraksione të ndryshme dhe filloi të luante lojën e Marksizmit, Durkheimizmit, Leninizmit dhe Maoizmit. Disa e ngushëlluan veten me ëndrrat e komunizmit dhe diktaturën e proletariatit, disa të tjerë vajtën e u zhytën në komplekset frojdiane, të tjerë e humbën mendjen pas ekzistencializmit dhe u ngatërruan me Sartrin, disa të rinj pështynë mbi gjërat e shenjta duke cituar Markyzen, ndërsa shumë të tjerë nisën të humbnin jetën për shkak të delirit të Kamysë... Të gjitha këto u përjetuan në vendin tonë, prandaj, të ashtuquajturat shtëpi të shkencës, qenë përgjegjëse për kujdesjen dhe shpërndarjen e këtyre ideve dhe eksperiencave. Gjatë kësaj periudhe krize, disa zëra dhe gjuhë shpirtrash të errët, hodhën baltë dhe shpifën vazhdimisht mbi fenë dhe besimtarët, por njëkohësisht nxorën në pah marrëzitë dhe sëmundjet që e kishin origjinën nga Perëndimi. Doemos që, është e pamundur t’i harrojmë ato kohë dhe pengjet që na kanë ardhur prej tyre. Ata të cilët i përgatitën këto rrethana dëmtuese për njerëzit dhe vendin tonë, do të mbahen mend gjithmonë si fajtorë, të dënuar prej ndërgjegjes kolektive.

Tani, duke i lënë pas krahëve këto periudha të errëta, si dhe ideatorët e tyre, të cilët me anë të veprimeve djallëzore dhe fjalëve të tyre, ende na e përziejnë stomakun dhe na shkaktojnë dhimbje në zemrat tona, do të donim të flisnim rreth atyre punëtorëve të mendjes, të cilët do të ndërtojnë të ardhmen tonë.

Me anë të të menduarit dhe të kuptuarit shkencor, ashtu siç kemi bërë shumë kohë përpara, madje shumë më përpara se perëndimi, ne duhet t’i zhysim dhe t’i kredhim brezat tanë të rinj brenda botës së shkencës dhe të ideve, duke realizuar kështu rilindjen dhe rimëkëmbjen tonë. Sëmundjet dhe dhimbjet e fatit të keq të së shkuarës kanë mbetur të gjalla në ndërgjegjen kolektive, dëshpërimi dhe ethet që sollën përgjatë viteve fuqitë e huaja dhe pasojat e neglizhencës dhe shfrytëzimit të kohëve të fundit, të shkaktuara mbi popullin tonë, akoma sjellin lot si ato të Profetit Adem, rënkime si ato të Profetit Junus, vuajtje dhe ofshama si ato të Profetit Ejub. Pas psherëtimave dhe vajtimeve të tilla, të udhëhequr nga përvoja historike dhe nga rezultatet e përpjekjeve dhe ngjarjeve që ajo na tregon, ne ndjejmë se koha dhe distanca ka filluar të tkurret dhe ditët e pritura nuk janë aq larg, përkundrazi, janë vetëm disa hapa më pranë.

Cilësia e katërt e trashëgimtarëve të tokës është “veprimi i të rishikuarit të pikëpamjeve në lidhje me njeriun, jetën dhe universin, si dhe përcaktimi dhe kriticizmi i të drejtave dhe gabimeve të tyre.” Këtë aspekt do ta shohim në tre këndvështrime:

a) Universi është një libër i shfaqur nga Zoti përpara syve të njerëzve për t’iu referuar pareshtur. Njeriu është një lente e hapur që vëzhgon thellësitë e ekzistencës dhe një indeks transparent i të gjitha botëve. Jeta është një manifestim, një përvetësim i formave të kuptimeve, të cilat janë filtruar nga ky libër dhe ky indeks, prandaj, ajo përbën reflektimin e asaj çfarë pasqyrohet nga këndvështrimi hyjnor. Në qoftë se njeriu, jeta dhe universi konsiderohen si të ndryshme, përsa i përket formës së jashtme dhe ngjyrave, ato përbëjnë faqe të ndryshme të së njëjtës së vërtetë, prandaj ndarja e tyre nga njëri-tjetri, prish harmoninë e së vërtetës. Një ndarje e tillë do të përbënte një gabim, një përgjegjësi dhe mungesë respekti në drejtim të njeriut dhe ekzistencës.

Ashtu siç është detyrë të lexuarit, të kuptuarit, bindja dhe nënshtrimi ndaj Fjalës së Zotit, e cila buron prej cilësisë së Tij Hyjnore të Ligjëruesit, po kështu, është thelbësisht e domosdoshme të njihet dhe të kuptohet Zoti në tërësinë e gjërave dhe ngjarjeve. Ai i ka paracaktuar ato me anë të dijes së Tij, i ka krijuar me anë të Vullnetit dhe Fuqisë së Tij Hyjnore, dhe rrjedhimisht, kërkimi dhe vërtetimi i përputhjes dhe pajtimit me këtë vullnet të çdo sendi dhe ndodhie përbën një domosdoshmëri. Kurani erdhi gjithashtu nga atributi i Tij, i Ligjëruesit. Ai është shpirti i gjithë ekzistencës dhe burimi i vetëm i lumturisë. Libri i universit është libri i kësaj të vërtete dhe përbën një dinamikë mjaft të rëndësishme të kësaj bote, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të botës tjetër, në mënyrë të tërthortë, me anë të referimit të tij ndaj fushave të ndryshme të shkencës, të cilat ai i përfshin dhe i përfaqëson. Kjo është arsyeja përse të kuptuarit dhe zbatimi i këtyre dy librave në praktikë, si dhe organizimi i krejt jetës në përputhje me to, meriton shpërblim, ndërsa heqja dorë, injorimi, madje edhe të qenit i paaftë për t’i interpretuar dhe zbatuar ato në jetë, meriton ndëshkim.

b) Thellësia e vërtetë e njerëzve duhet të shihet në sensin, mendimet dhe karakterin e një personi. Po kështu, në të njëjtin prizëm, duhet të shihen edhe kredibiliteti, stima dhe vlerat e tij në sytë e njerëzve të tjerë dhe Zotit. Cilësitë e njeriut superior, thellësia e sensit dhe e mendimit, si dhe vendosmëria e karakterit të tij përbëjnë një fletë nderi, apo biletë me anë të së cilës ai pranohet kudo. Një njeri i cili e ndot besimin dhe mendjen e tij me anë të ideve dhe veseve, siç e bëjnë diçka të tillë ata që s’besojnë, shkaktojnë ankth dhe frikë rreth tij, për shkak të karakterit të tij të dobët. Kjo nuk mund të përbëjë një bazë të shëndoshë për të mundësuar ndihmën dhe lehtësitë e së Vërtetës dhe as ruajtjen e paprekur të kredibilitetit, stimës dhe besimit të tij në sytë e njerëzve, për arsye se Zoti i plotfuqishëm i gjykon njerëzit duke u bazuar në virtytet e tyre njerëzore dhe karakterin superior dhe i shpërblen në përputhje me to. Ja, përse ata të cilët janë të varfër në virtyte dhe të dobët në karakter e kanë shumë të vështirë të bëjnë gjëra të mëdha dhe të ruajnë arritjet e tyre, megjithëse në dukje ngjajnë me besimtarë të mirë. Nga ana tjetër, ata të cilët janë disa hapa përpara sa i përket vendosmërisë së karakterit dhe cilësisë të njerëzve superiorë, e kanë shumë të vështirë të dështojnë të gjithë së bashku, edhe kur mbase nuk duken si myslimanë të mirë. Meqenëse shpërblimi dhe vlerësimi i Zotit janë në përputhje me cilësitë e njerëzve, mirëseardhja, apo pranimi miqësor i qenieve njerëzore në njëfarë mënyre varet prej kësaj.

c) Mjetet për të arritur një objektiv të drejtë dhe të ligjshëm duhet të jenë gjithashtu të drejta dhe të ligjshme. Për ata të cilët ndjekin rrugën e Islamit, objekti i përpjekjeve në çdo sipërmarrje duhet të jetë i ligjshëm dhe i drejtë, ligjshmëria e mjeteve për arritjen e qëllimeve të tyre përbën një detyrim. Meqenëse kënaqësia e Zotit dhe bashkimi me të Vërtetën nuk mund të arrihen pa sinqeritet dhe pa vepruar për hir të Zotit, edhe shërbimi ndaj Islamit dhe fokusimi i myslimanëve drejt qëllimeve, apo objektivave të drejtë, nuk duhet të arrihet nëpërmjet mjeteve dhe rrugëve djallëzore. Mund të na japin përshtypjen sikur e vërteta është krejt e kundërta, ata të cilët kanë humbur ndihmën e Zotit dhe respektin e njerëzve ndaj tyre për shkak të vlerave të konsumuara, kredibilitetit të ulët dhe stimës boshe, paaftësisë dhe rrugëve të shtrembra. Kësisoji nuk mund të pretendohet të jesh i suksesshëm për një kohë të gjatë.

Cilësia e pestë e trashëgimtarëve të tokës është të qenit të aftë për të menduar lirisht dhe respekti për lirinë e mendimit. Të qenit i lirë dhe gëzimi i lirisë, përbëjnë një aspekt domethënës të vullnetit njerëzor dhe një portë misterioze nëpërmjet së cilës njeriu mund të depërtojë në sekretet e vetvetes. Një person i paaftë për të depërtuar drejt kësaj thellësie dhe për të kaluar përmes kësaj porte, është e vështirë të quhet njeri. Për një kohë të gjatë ne jemi përpëlitur nën prangat e tmerrshme të skllavërisë, të cilat i kemi përjetuar me anë të mendjeve dhe ndjenjave tona, për shkak të shtrembërimeve të ndryshme që kanë ardhur si nga brenda, ashtu dhe nga jashtë vendit. Në rrethana kur kufizime të mëdha na janë imponuar në lexim, mendim, ndjenja dhe jetë, është e pamundur të mbahen të pacënuara cilësitë njerëzore, le më pastaj të arrihet rilindja apo progresi. Në një situatë të tillë, është mjaft e vështirë të ruhet madje edhe niveli i njeriut të rëndomtë, le më pastaj të dalin në pah personalitete të mëdhenj, të cilët mund të ngrihen mbi të tjerët për nga shpirti i rinovimit dhe i reformimit dhe me sytë që shohin drejt pafundësisë. Në të tilla kushte gjallojnë vetëm karaktere të dobëta, të cilët përjetojnë lëkundje në personalitetin e tyre, si dhe njerëz me shpirtra përtacë dhe ndjenja të paralizuara. Në të shkuarën tonë të afërt, pikëpamje të shtrembra dhe të devijuara, si dhe kritere të cungëta u injektuan brenda shpirtrave tanë nëpërmjet shtëpive, rrugëve, institucioneve edukative dhe qarqeve artistike duke na sjellë dëmtimin e gjithçkaje, që nga materialja, tek jomaterialja, që nga fizika, deri tek metafizika. Gjatë këtyre viteve ne kemi shprehur obsesionet tona duke pretenduar se po shprehnim mendime, planifikonim çdo gjë në mënyrë egocentrike pa llogaritur asnjëherë se mund të ekzistonin edhe pikëpamje, besime dhe mendime të tjera përveç tonave. Sapo gjenim rast, ne i drejtoheshim forcës dhe me anë të saj ndërmerrnim masa ndëshkuese kundër njerëzve të drejtë dhe me vullnet të lirë, gjithmonë persekutonim dhe nëpërkëmbnim dikë. Është një mëkat i madh që edhe tani s’mund të mohojmë se këto gjëra nuk ndodhin dhe nuk do të ndodhin më në të ardhmen. Megjithatë, ndërsa ne ecim drejt rimëkëmbjes, është e domosdoshme që të rishikojmë dinamikat historike të njëqind viteve të fundit dhe të studiojmë arsyet e ndryshimeve dhe të transformimeve të njëqind e pesëdhjetë vjetëve të fundit të historisë sonë. Kjo përbën një domosdoshmëri për faktin se gjykimet dhe vendimet edhe sot merren në përputhje me disa tabu të caktuara, të pashtruara në diskutim. Pikëpamjet e caktuara që i udhëheqin të tilla vendime, i bëjnë ato të paafta dhe të cungëta, joproduktive. Madje ato nuk priren kurrë që të bëhen shkas për përgatitjen dhe shpresat për të ardhmen e ndritur. Nëse kjo e ardhme do të përgatitej brenda kornizës së pikëpamjeve aktuale do të kishim doemos përplasje ndërmjet grupeve të ndryshme të përfshira në rrjetën vdekjeprurëse të ambicieve, do të përjetonim konflikte ndërmjet partive politike, luftë midis popujve dhe përplasje ndërmjet fuqive të ndryshme. Kjo është arsyeja përse sot një sektor i caktuar i shoqërisë përplaset me një tjetër, përse dallimet shndërrohen në luftëra. Kjo është arsyeja e terrorit shkatërrues, brutalitetit dhe gjakderdhjes në botë. Nëse nuk do të kishte ekzistuar egoizmi, lakmia, ambicia dhe ashpërsia e njerëzve, bota sot do të ishte e ndryshme nga ajo ekzistuese.

Ne duhet të jemi më të lirë në mendim dhe në veprim që të ecim drejt botëve të ndryshme duke marrë në konsideratë sjelljen tonë ndaj të tjerëve dhe ambiciet tona personale. Ne kemi nevojë për ato zemra të gjera të cilat janë në gjendje të përqafojnë mendimin e lirë të paanshëm, të cilat janë të hapura ndaj dijes, shkencës dhe kërkimit shkencor, dhe të cilat mund të kuptojnë përputhjen ndërmjet Kuranit dhe Sunetullahut, me spektrin e gjerë të universit të jetës. Në të shkuarën, njerëz gjenialë i ndërmorën dhe i kryen këto detyra të mëdha. Kurse sot, ato mund të kryhen vetëm me anë të një bashkësie njerëzish e cila angazhohet ta marrë përsipër përmbushjen e misionit të këtyre njerëzve gjenialë. Në një kohë kur gjithçka është bërë kaq e detajuar, e ndarë në pjesë të veçanta, e specifikuar dhe e numëruar, këto detyra janë të tilla saqë edhe individët unikë dhe të dalluar prej të tjerëve, nuk mund t’i kryejnë duke qenë të vetëm. Kjo është arsyeja përse vendin e gjenive tani e kanë zënë ndërgjegjet kolektive të pajisura me vendimmarrje konsultative dhe kolektive dhe me ndërgjegje shoqërore. Një arritje e tillë përbën me pak fjalë, cilësinë e gjashtë të trashëgimtarëve të tokës.

Është e vërtetë që, në të shkuarën e afërt, bashkësia islame nuk i ka zotëruar këto ide. Në fakt, nuk ka qenë e mundur të arrihet ndërgjegjja kolektive, vendimmarrja kolektive e mbështetur tek konsultimi, mendësia dhe ndërgjegjja kolektive gjersa shkollat merreshin vetëm me shqiptimin e dogmave të veçanta, medresetë vetëm me ca aspekte sipërfaqësore të jetës, strehët e dervishëve totalisht të ngulitura në metafizikë dhe kazermat ushtarake ulërinin dhe pozicionoheshin për kah forca. Gjatë kësaj periudhe, shkollat ngelën nën ndikimin e skolasticizmit të errët, duke marrë e nxjerrë frymë nga ajri i kësaj rryme, kolegjet ishin të mbyllura ndaj shkencës dhe mendimit, të privuara nga aftësia e tyre për t’u zhvilluar dhe duke jetuar si të paralizuar, vendstrehimet e dervishëve ngushëlloheshin me anekdota të së shkuarës në vend që të bëheshin çerdhe zelli, ata të cilët përfaqësonin pushtetin ranë në falsitet, saqë u harruan, duke vuajtur vazhdimisht nevojën për t’u kujtuar nga të tjerët dhe për të provuar forcën e tyre. Në këtë mënyrë, çdo gjë u kthye përmbys dhe pema e kombit u lëkund dhe pothuajse u shkul nga toka. Fatkeqësisht, duket se mund të përjetojmë sërish lëkundje të tilla edhe në ditët tona, derisa të vijë një ditë kur ata njerëz me fat dhe të shumëpritur, të bëhen pjesë e dinamikave që kërkohen në vendin dhe kohën e duhur, duke hequr barrierat ndërmjet mendjes dhe zemrës dhe duke vendosur korridoret e mendimit dhe të frymëzimit tonë në kindat e fshehta të njerëzimit.

Cilësia e shtatë e trashëgimtarëve të tokës është “të menduarit matematik.” Në të shkuarën, popuj të Azisë Qendrore dhe më vonë ata të Perëndimit, e përjetuan rilindjen e tyre me anë të ligjeve të të menduarit matematik. Njeriu zbuloi dhe solli në dritë shumë gjëra të paqarta dhe të panjohura prej botës misterioze të numrave. Pa kaluar në ekstremet e hurufive[1], ajo që ne pohojmë është se pa matematikën është krejt e pamundur të kuptohen lidhjet ndërmjet njerëzimit dhe fenomeneve natyrore. Ajo është një fushë e cila ndriçon rrugën tonë si një fanar në vijën që shtrihet nga universi drejt jetës, na tregon çfarë ka përtej horizontit njerëzor, madje edhe thellësitë e botës së të papriturave për të cilën është mjaft e vështirë të mendohet, prandaj kjo shkencë na bën të takohemi me idealet tona.

Nga ana tjetër, të qenit matematicien nuk nënkupton njohjen e gjithçkaje që ka lidhje me matematikën, por do të thotë të mendojmë në mënyrë matematike, të mendojmë brenda ligjeve matematike dhe të jemi të vetëdijshëm se ajo lejon gjithçka që nga mendja njerëzore e deri tek thellësitë e ekzistencës, nga fizika, deri tek metafizika, nga lënda, deri tek energjia, nga trupi, deri tek shpirti, nga ligji, deri tek sufizmi. Nëse duam ta kuptojmë ekzistencën tërësisht, na duhet të pranojmë një metodë të dyfishtë të të menduarit sufist dhe të të menduarit shkencor. Perëndimit esencialisht i mungon thelbi dhe përpiqet fort ta kompensojë këtë mungesë duke kërkuar strehë tek misticizmi. Në botën tonë, e cila ka qenë e lidhur ngushtë gjithmonë me shpirtin e Islamit, nuk është e nevojshme të hidhen sytë drejt asgjëje të huaj dhe, as të kërkohet strehë tjetërkund. Ne e kemi të gjithë burimin tonë të fuqisë brenda sistemit të mendimit dhe besimit Islam. Kjo është e mjaftueshme për sa kohë që ne e kuptojmë këtë burim dhe shpirt me pasurinë e vet origjinale. Atëherë, ne do të shohim disa prej lidhjeve misterioze në ekzistencë se sa harmonike janë ato dhe do të zotërojmë një shkallë të ndryshme aftësie hulumtuese duke gjetur kënaqësi në gjithçka.

Kjo është vetëm një përmbledhje e shkurtër, apo hyrje në të menduarit matematik. Edhe nëse në ditët tona kjo mund të duket një gjë e paqartë dhe humbje kohe, unë mendoj se kjo ide do të ketë jehonë të madhe në të ardhmen. Cilësia e tetë është kuptimi ynë për artin. Megjithatë, për shkak të konsideratave të caktuara të së tashmes, unë do të thoja që disa qarqe, nuk janë ende të gatshme për të depërtuar brenda kriterit tonë dhe ia lënë shtjellimin e këtij koncepti të ardhmes.


[1] Sekt i vjetër i cili nxjerr konkluzione rreth krijimit dhe gjallesave në bazë të shkronjave.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.