Hapat e parë drejt dialogut dhe pajtimit

Gyleni e nisi projektin e tij të gjerë civil të dialogut duke mbledhur njerëz të cilët përfaqësonin stade të ndryshme jetese dhe pikëpamje të ndryshme intelektuale në Turqi. Shumë prej këtyre u ishin bashkangjitur grupeve të ndryshme intelektuale dhe shoqërore që e kishin luftuar njëri-tjetrin fizikisht në kuptimin e vërtetë të fjalës, gjatë viteve 60’ dhe 70’ dhe përplasur sërish ideologjikisht dhe shoqërisht në vitet 80’. Gyleni nisi t’i ftonte këta njerëz në takime të ndryshme gjatë viteve 90’, duke u dhënë mundësinë të bashkohen. Gjatë këtyre takimeve, shumë nga këta njerëz takoheshin me njëri-tjetrin për të parën herë. Njerëzit të cilët i kishin drejtuar armët njëri-tjetrit si dhe njerëzit të cilët i kishin orientuar grupimet e tyre politike, të përbërë kryesisht nga të rinj, drejt objektivit të vetëm që ishte vdekja e të tjerëve, patën një mundësi të rrinë së bashku, të hanë në të njëjtën tryezë dhe të shkëmbejnë mirëdashje. Mbledhjet e para të këtij lloji ishin diç më tepër se sa takime të thjeshta kortezie. Megjithatë, padyshim që të gjithë pjesëmarrësit e këtyre takimeve përjetonin një ndjenjë ekzaltimi kur shihnin se po hidheshin themelet e një bashkësie të re intelektuale, filozofike dhe sociale. Shumë shpejt kjo valë kënaqësie çoi në themelimin e “Platformës së Dialogut” që e pati pikënisjen në vitin 1998[1]. Një grup dijetarësh nga fusha të ndryshme akademike u bashkuan për të çuar përpara një plan të ri veprimi shkencor dhe intelektual në të ardhmen. Këta njerëz vinin nga eksperienca të ndryshme kulturore, ideologjike dhe politike, duke u bashkuar kështu në një projekt të madh intelektual: të krijonin një hapësirë bashkëjetese në Turqi. Iniciativa që nisi me Gylenin dhe ekipin e tij u zhvillua sipas një platforme që bashkonte njerëzit e shkencës, të mendimit, ligjit dhe politikës dhe të cilët që nga ajo kohë drejtojnë politikat e kësaj platforme. Gylen nuk është i përfshirë aktivisht në këto takime, por mbetet presidenti i nderit i Fondacionit të Gazetarëve dhe Shkrimtarëve. Ajo ka organizuar dhe financuar këtë platformë dhe mbledhjet e saj. Përpjekjet për dialog dhe pajtim, u institucionalizuan në iniciativat e këtyre intelektualëve duke marrë kështu një karakter domethënës.


[1] Seminari i parë në fushën e Platformës së Dialogut u mbajt më 23 mars 1998 dhe tema kryesore e tij ishte “Islami dhe Laicizmi.” Temat e takimeve të mëpasme ishin “Feja, Shteti dhe Shoqëria” (1999),” “Shteti Ligjor Demokratik (2000),” “Pluralizmi dhe Pajtimi Shoqëror (2001),” “Globalizmi (2002),” “Lufta dhe Demokracia (2003),” “Islami, Laicizmi dhe Demokracia: Përvoja Turke (2004),” “Kultura, Identiteti dhe Feja Gjatë Procesit të Anëtarësimit të Turqisë në BE (2004),” “Kërkesat e Reja në Edukim (2005),” “Republika, Pluralizmi Kulturor dhe Europa (2006),” “Politikat Globale dhe e Ardhmja e Lindjes së Mesme (2006),” “Biseda Turko-Egjiptiane: Islami, Perëndimi dhe Modernizmi (2007),” dhe “ Alevizmi në Dimensionet Historike, Kulturore, Folklorike dhe Aktuale (2007).”

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.