Lëvizja Gylen dhe Islami

Është e rëndësishme të nënvizoj faktin se lëvizja Gylen nuk është një organizatë e orientuar ideologjikisht. Gyleni është kundër përdorimit të fesë si ideologji politike. Do të ishte e gabuar ta konceptonim lëvizjen Gylen si të lidhur ngushtë me islamizmin politik. Periudha koloniale qe faktori madhor që transformoi islamizmin në një problem ndërkombëtar. “Orientalizmi” ishte një produkt politik dhe ideologjik i kolonializmit dhe kishte të bënte jo vetëm me botën myslimane, por edhe me krejt botën e pazhvilluar në përgjithësi. Kjo lëvizje i konsideronte të gjitha kulturat dhe qytetërimet jashtë gjeografisë së qytetërimit perëndimor, si të prapambetura, barbare dhe ekzotike, duke i quajtur me përçmim “Bota e Tretë.” Orientalizmi ishte një ideologji e prodhuar si një përpjekje për të lehtësuar transformimin kulturor, i cili do të ndihmonte shtrirjen dhe zgjerimin politik, ushtarak dhe ekonomik të Perëndimit në botë. Prandaj, në thelb, orientalizmi ishte edhe shfrytëzues, edhe kolonial. Ideologjia islamiste lindi si një identitet politik që i kundërvihej shfrytëzimit dhe kolonializmit. Situatat dhe rrethanat e sotme sigurisht që nuk kanë të bëjnë fare më kohën kur u shfaqën fillimisht Orientalizmi dhe Islamizmi klasik.

Aksionet dhe veprimtaritë e organizatave të sotme janë të distancuara dukshëm prej shtyllave të orientalizmit klasik dhe kanë filluar të orientohen drejt vlerave etike, humane dhe universale. Këto zhvillime i kanë transformuar lëvizjet islamike nëpër botë. Padyshim ekzistojnë ende grupime periferike të cilat veprojnë me synime politike dhe ideologjike; megjithatë grupime të tilla nuk kanë vizion dhe shpesh janë të varfra përsa i përket fuqisë materiale, mbështetjes së përgjithshme dhe organizimit ideologjik. Prandaj, do të ishte e gabuar t’i etiketonim të gjitha formacionet në botën myslimane si lëvizje që veprojnë duke pasur qëllime politike dhe që paraqesin një rrezik të drejtpërdrejtë për marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo është veçanërisht e vërtetë për lëvizjen Gylen. Baza dinamike e kësaj lëvizjeje përmban një identitet fetar, social dhe kulturor që është krejtësisht e pavarur ndaj çdo strukture politike apo ideologjike.

Përgjatë gjithë jetës së tij, Gyleni i ka qëndruar larg përfshirjes në politikë dhe nuk ka pasur kurrë qëllime politike. Kurrë nuk e ka paraqitur Islamin si ideologji politike. Në fakt, e ka nënvizuar faktin se një veprim i tillë përbën një rrezik të madh për kumtimin e Islamit. Ai e ka shprehur këtë opinion si gjatë fjalimeve të tij publike ashtu edhe nëpër librat e tij.[1]

Në kundërshtim me keqkuptimet dhe keqinterpretimet e zakonshme, lëvizja Gylen nuk përbën vetëm një lëvizje thjesht fetare. Ajo zotëron njëherazi një identitet social dhe kulturor. Megjithatë, për ta kuptuar siç duhet mesazhin e lëvizjes Gylen, nevojitet të bashkojmë shumë më tepër sesa thjesht analizat sociale. Para së gjithash, lëvizja Gylen nuk është një lëvizje reaksionare dhe nuk ka lidhje me kundërveprimin e jashtëm. Individët që janë në qendër të kësaj lëvizjeje, vijnë nga qarqe të zgjedhura të shoqërisë turke. Këta individë që e kanë vënë veten në shërbim të lëvizjes, vijnë nga zonat qytetare dhe kanë një nivel të lartë shkollimi, duke qenë të tejmbushur me vlera moderne dhe bashkëkohore. Meqenëse synimet nuk orientohen drejt një ideologjie politike, individët të cilët përbëjnë lëvizjen Gylen nuk janë kundërshtarë të ideologjive zyrtare shtetërore. Ata nuk veprojnë duke pasur në kokë idenë e persekutimit siç ndodh në lëvizjet radikale apo reaksionare. Përkundrazi, marrëdhëniet e tyre bazohen mbi konsensusin, dialogun dhe tolerancën. Marrëdhëniet e tyre personale dhe shoqërore janë të rrënjosura mbi parimin e veprave të mira, gjatë kohës kur ata përpiqen të transformojnë marrëdhëniet shoqërore nëpërmjet prodhimit të alternativave, pa prishur rendin, pa shkatërruar me forcë apo pa përmbysur sistemin ekzistues. Në përpjekjet e tyre për të zgjeruar horizontin e ekzistencës së marrëdhënieve shoqërore, idealet e përgjithshme të lëvizjes Gylen janë të shërbyerit ndaj individit, shoqërisë dhe njerëzimit.


[1] Shih M. Fethullah Gylen, “Statuja e Shpirtrave Tanë”, Nj: The Light, Inc., 2005, f.122, 145, 159: Gündem Mehmet, “Intervistë me Fethullah Gylen,” Milliyet, 21.01.2005 (http://en.fgulen.com/content/view/1924/14/).