Ideja e aksionit te Fethullah Gyleni

Gyleni e trajton aksionin si të pandarë nga mendimi, por ndryshe nga shumica, përparësinë ia jep aksionit. Sipas tij: “Ekzistenca e vërtetë kalon nga aksioni e mendimi; nga një aksion e mendim që është në gjendje të ndryshojë edhe vetveten, edhe të tjerët.”

“Ngjarja më e rëndësishme dhe më e domosdoshme në jetesën tonë është aksioni. Duhet të jemi në një gjendje aksioni të përhershëm, mendimi të përhershëm dhe në lëvizje të përhershme, duke marrë mbi vete përgjegjësitë që na takojnë. Nëse nuk veprojmë si vetvetja, do të hyjmë nën ndikimin e vorbullave të lëvizjeve, planeve e mendimeve të të tjerëve dhe do të detyrohemi të përfaqësojmë episod pas episodi aksionet e tyre”, thotë Gyleni.

Ky mendim i tij ka një rëndësi të veçantë, sepse në ditët tona, gjithë rrymat që i janë afruar ideologjikisht Islamit, në shumicën e rasteve i kanë bazuar lëvizjet e tyre në këtë themel dhe nuk i kanë shpëtuar të qenurit reaksionarë. Ata i kanë konceptuar problemet e aktualitetit si probleme të përhershme e të përgjithshme dhe janë detyruar të sillen sipas tyre, duke performuar kështu një Islam që vepron sipas kushteve që dikton aktualiteti. Disfata dhe dështimi i këtij reaksionizmi, nga njëra anë ka sjellë revizione të vazhdueshme të teorive të tyre, nga ana tjetër është bërë shkak që Islami të keqkuptohet e të mos njihet si duhet. Kurse në mendimin e Gylenit, aksioni është themelor dhe i pavarur nga ideologjitë e jashtme dhe politikat aktuale. Rruga e tij përcaktohet si “vetvetja” dhe mendimi i tij bazohet në shtylla solide.

Gyleni shkon dhe një hap më tej dhe e cilëson aksionin si veprimtari për të përmbushur qëllimin e krijimit. Në këtë sens, aksioni, sipas tij, është sikur e tërë jeta e njeriut, kurse mendimi, si një aksion i brendshëm, është një dimension i rëndësishëm i kësaj jete.

“Me një përcaktim më të këndshëm, aksioni është një përqafim i brendshëm, i sinqertë e i përzemërt i gjithë ekzistencës, duke i dëshmuar asaj një kujdes të veçantë e duke përparuar nëpër korridoret e saj drejt eternitetit. Gjithashtu, është edhe vendosja e botës individuale në orbitën që krijimi ka për qëllim, duke përdorur gjithë vullnetin, forcën, si dhe sekretin e marrë nga Pushteti Pafund. Për sa i përket mendimit, edhe ai është një aksion i brendshëm. Një mendim sistematik dhe i përqendruar në qëllimin e tij, mundëson zgjidhjen e çdo enigme që hasim gjatë ekzistencës, duke e kërkuar përgjigjen sërish te ekzistenca... Shpirti i njeriut gërshetohet aq shumë me botën gjatë mendimit, sa fiton thellësi në vetvete... Mendimi është zbrazja në vetvete e njeriut për t’i hapur vend eksperiencave metafizike në botën e tij të brendshme. Nëse shkalla e parë e mendimit është kjo, shkalla e fundit e tij është të menduarit me veprim.”

Gyleni e sheh aksionin si një arritje të njeriut në thelbin e tij dhe si përpjekje për të përcjellë edhe të tjerët në këtë arritje dhe thekson se ky funksion i mendimit mund të arrihet vetëm duke e bazuar atë në Islam. Sepse Islami, duke qenë një rrugë që lartëson jetën materiale e trupore të njeriut në nivelin e jetës shpirtërore, arrin ta lartësojë edhe aksionin në orbitën e tij të vërtetë. Në këtë sens, aksioni mund të shprehet edhe si emërtimi i të përjetuarit të Islamit. Një sens i tillë dhe një shkrirje e tillë me shpirtëroren, duke zbuluar talentet e aftësitë që ka njeriu në thelb, arrin të garantojë edhe ekzistencën edhe përjetësinë e tij.

Gyleni beson se aksioni, i cili duhet të përparojë në aspektin shoqëror, i mbështetur nga krahët e fesë, shkencës, filozofisë e artit, është në gjendje të shpëtojë brezat nga kotësia e pasiviteti dhe të realizojë mendimtarët, shkencëtarët, artistët e filozofët e së nesërmes. Sipas tij: “në këtë mënyrë, të gjitha rrugët do të gumëzhijnë nga dituritë si korridoret e universiteteve... burgjet do të shndërrohen në fole mësimi... Shtëpitë do të blerojnë si kopshtet e parajsës. Në çdo aspekt, feja dhe shkenca do të jenë krah për krah. Besimi dhe mendja do të shpërndajnë anembanë frytet e tyre të shumëpritura... e ardhmja do të çojë kryet e do të zhvillohet në gjirin e shpresës, të vullnetit dhe mirësisë shumë më e pasur, shumë më e larmishme se në gjithë utopitë... televizionet, gazetat e revistat do të përçojnë ngado dritë, urtësi e bekim... dhe kushdo, përveç ca mjeranëve të braktisur nga historia, do të shëtisë në këtë pranverë që i ngjan parajsës duke shijuar ujin e burimit të shenjtë. (Statuja e Shpirtrave Tanë, 52-9)

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.