Qëllimi në aksionin e Gylenit

Sado që brenda e jashtë Turqisë prodhohen spekullime të qëllimta në këtë temë, sipas shkrimeve e shprehjeve të tij të vazhdueshme, qëllimi, synimi dhe perspektiva e Gylenit është vetëm adhurimi i Zotit dhe përpjekja për të fituar kënaqësinë e Tij. Sepse sipas tij: “Njeriu është një udhëtar, kurse botët janë vendndalime të larmishme të shpalosura para tij dhe gjithësia një libër i pasur dhe i detajuar. Ky udhëtar është dërguar në këtë botë për të lexuar këto libra, për të përsosur dijet e tij dhe për t’u lartësuar në nivelin njerëzor” Ndaj edhe qëllimi i Gylenit, është ai që duhet të jetë edhe i çdo njeriu: Udhëtimi. Një “udhëtim në rrugën e Atij që nuk shihet me sy, por që na e paraqet Veten me veprat e Tij. Një udhëtim që ka për qëllim të arrijë te Ai”, “sepse -vazhdon Gyleni-, të gjithë jemi këtu për të njohur Atë e për të treguar e bërë të njohur Atë. Dhe unë nuk di të ketë një mision më të shenjtë se ky. Ne të gjithë nuk jemi veçse hija e ekzistencës së Tij, kurse Ai është qendra dhe burimi i gjithçkaje. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 17-8) Sipas Fethullah Gylenit, emërtimi i këtij udhëtimi është adhurim. Edhe dërgimi i profetëve, pra, qëllimi i besimeve fetare, është që njerëzit të arrijnë ta njohin Zotin e ta adhurojnë Atë. Allahu, në Kuranin e Madhëruar, thotë: “I krijova njerëzit e xhindët vetëm që të më adhurojnë Mua” (Dharijat, 56), duke e theksuar dukshëm këtë të vërtetë.

Bota ideale që dëshiron Gyleni, si dhe e nesërmja e ëndrrave të tij, mund të na japin një imazh më të qartë rreth qëllimit të aksionit të tij. Ai shkruan kështu në lidhje me këtë temë:

“Mbyll sytë dhe ndiej se si në kornizën e përshkruar nga besimi, në shpresat dhe ëndrrat e mia thellohet e ardhmja, rriten vlerat njerëzore, ndjenjat arrijnë të përtejmen dhe trupi gëzon të njëjtat vlera me shpirtin. Një pjesë e artë e kohës, që tejkalon edhe imagjinatat e “parajsës së humbur”, të cilën ka kohë që e kërkojmë pareshtur në botën tonë të ndjenjave, cik sytë e shpirtit tim dhe unë ndiej se si rrjedh ajo në ëndrrat e mirazhet e mia…”

“Ashtu, dhe në këtë pranverë që ravijëzohet në botën time të shpresës e të besimit, përqafohem me çdo krijesë, përshëndes me ëmbëlsi çdo gjallesë, i hap shpirtin me dashuri gjithë njerëzimit dhe i them vetes: “Ky duhet të jetë synimi i Krijuesit që krijoi botën”. Në këtë botë nuk ka armiqësi, vrazhdësi, smirë, dashakeqësi, grindje, luftë, dhunë, gënjeshtër, tradhti, tirani, hile e dinakëri. Në këtë botë ka besë, delikatesë, dëshirë për ringjallje, dashuri për jetën, butësi, dialog, respekt për të drejtën, shpirt ndershmërie e virtyti, drejtësi, besnikëri. Njerëzit e kësaj bote i kanë shporrur me të vërtetë nga fjalorët e tyre fjalët urrejtje, inat e grindje dhe e kanë bazuar jetën e tyre në dashuri, butësi e mirësi mes njerëzve. (Yeşeren Düşünceler, 88-9)