Vepra e Fethullah Gylenit si poet e shkrimtar

Fethullah Gylen është njëkohësisht një shkrimtar që shkruan rregullisht e pa ndërprerje. Ndonëse shumica e librave të tij është hedhja në letër e predikimeve, bisedave e pyetjeve që i janë drejtuar, në veprën e tij nuk mungojnë aspak veprat e shkruara drejtpërsëdrejti nga ai. Gyleni është ndër autorët më të lexuar dhe më të përkthyer në Turqi. Shumica e shkrimeve të tij janë në formë artikujsh, mes të cilëve vend të veçantë zë “Majat e Smeraldta të Zemrës”, një vepër kjo në të cilën shtjellohet çështja e jetës shpirtërore në Islam dhe dallohet qartë lidhja e tematikës mes artikujve. Shumica e artikujve të shkruar nga Gyleni, të cilët spikasin për origjinalitetin e metodikën individuale të trajtimit të tyre, që në Shkurt të 1979-s, janë botuar rregullisht në revistën shkencore-morale-letrare “Sizinti/Burimi”, më pas që nga 1988 në revistën fetare-shkencore-kulturore “Yeni Umit/Shpresa e Re” dhe që nga 1998 në revistën kulturore-artistike-letrare “Yagmur/Shi.”

Artikujt e tij të përkthyer në anglisht janë botuar që nga 1993 fillimisht nga Truestar në Angli e më vonë nga Light Inc. në ShBA, në revistën periodike The Fountain, kurse të përkthyer në gjermanisht janë botuar në periodiken Die Fontane, në rusisht Novije Grani dhe në arabisht vazhdojnë të botohen në periodiken Hira.

Mund të thuhet se figura intelektuale dhe karakteri aktiv i Gylenit dhe i lëvizjes së tij ka lënë në hije qenien e tij si shkrimtar, madje si një shkrimtar i kalibrit botëror që do të analizohej e do të tërhiqte vëmendjen e gjithë instancave letrare ndërkombëtare. Gyleni si shkrimtar shpreh origjinalitet e talent kryesisht në dy pika. E para është gjuha që ai u ngarkon fotografive. Që nga numri i parë i revistës së përmuajshme Sizinti, Gyleni vijon në çdo numër të shkruajë një artikull të tërë nën një fotografi, duke dhënë një mesazh të ndërthurur me atë foto, duke i dhënë gjuhë asaj dhe duke shprehur me këtë mënyrë origjinale, një mesazh të gjallë e ndikues, të pasuruar me vlera e kritere nga më efikaset. Një tjetër mënyrë origjinale e të shkruarit e Fethullah Gylenit është shprehja e mendimit dhe transmetimi i mesazhit me anë të paragrafëve ose fjalive të tij tipike, metodë kjo pothuajse e panjohur më parë në Turqi dhe shumë pak e zbatuar në botën e letrave. Këto “Shkëndija meditimi”, të cilat vijojnë të botohen në çdo numër të revistës Sizinti, janë përmbledhur në veprën e njohur të Gylenit, “Kriteret ose Dritat e Rrugës”.

Një tjetër temë me rëndësi që ia vlen të trajtohet është poezia e Fethullah Gylenit dhe poetika e veprës së tij. Ndonëse Fethullah Gylen personalisht nuk e sheh asnjëherë veten si poet, ai është një poet i kalibrit universal, i cili njeh mirë gjuhët Turke, Perse dhe Arabe, Osmanishten dhe gjithë pasurinë e saj letrare, poetët e shquar të Lindjes dhe të Perëndimit, njeh shumë mirë ekzistencialistët si Sartri dhe Kamy, të cilët i lexon në origjinalin e tyre në frëngjisht dhe ruan në memorien e tij mbi 1000 poezi në gjuhë të ndryshme. Ai asnjëherë nuk është nisur me moton “arti për artin” dhe as i ka dhënë parësi fjalës “arti për shoqërinë”. Poezitë e tij, të cilat ai i hedh në letër që në rininë e tij të hershme, janë kryesisht prodhime të një intelekti e zgjuarsie, një meditimi e ndjenje të pashoq, që nuk mund të bëhen lëndë për diskutime e kritika të rëndomta. Këto poezi janë botuar nën titullin “Penza e Thyer”.

Sipas Gylenit, poezia duhet të synojë që t’i japë jetë mendimit e meditimit që sheh ekzistencën e gjithçkaje të lidhur me ekzistencën e Zotit, që dallon Uniken brenda universales, vëren rregullshmërinë e sistematikën e çdo sendi e gjallese dhe mrekullinë që jeton brenda njeriut dhe ashtu sikur Gazaliu, pohon se kjo botë, me gjithë malet e fushat, luginat e humnerat, detet e kontinentet, pemët e lulet, ngazëllimet e trishtimet e saj, “Nuk mund të ekzistonte, brenda mundësive reale, në një formë më të bukur se në atë që ekziston”.

Personalisht ai shprehet: “Poezia nuk është tjetër veçse shprehja poetike e bukurisë dhe rimës që shpirti i ekzistencës posedon, por edhe i atraksionit e ngazëllimit që ajo përfshin. Poezia është rënkimi i mallit për të përtejmen dhe psherëtima e çliruar në ulje-ngritjet e kësaj rruge. Poezia ka për qëllim “Kërkimin e asaj Ekzistencës Misterioze” ndaj është një polifoni e vështirë për t’u kuptuar, një mendim i mbështjellë nga enigma dhe një atmosferë e muzgët e rrugëve nga ajo kalon. Megjithatë, në poezinë e vërtetë, sytë ndrisin nga ngazëllimi, distancat shkurtohen vetvetiu dhe shpirti ndizet me një vullnet e dëshirë të pashuar. (Penza e Thyer-Hyrje)

Sipas Gylenit, “Çdo mendim e ndjenjë e paraqitur në poezi, duhet të jetë e parafytyrueshme dhe këto parafytyrime duhet të arrijnë që të filtrohen tërësisht nga logjika, çdo mendim duhet ta ruajë gjallërinë që e karakterizon në momentin e parë, kur fjolla e frymëzimit është dukur në botën e brendshme të poetit, deri në çastin që konkretizohet në fjalë e vargje.”

Poezia vetë, nuk mund të jetë ideal, por metodë për të arritur idealin, ndaj edhe në poezi qëllimi kryesor duhet të jetë depërtimi në zemrat e njerëzve, në mënyrë të tillë, që çdo lexues të gjejë atje diçka nga vetja. Ndaj edhe poeti i vërtetë është ai personalitet universal që në kontakt moral me të Përtejmen e në marrëdhënie të gjalla me Pafundësinë, ka konceptuar më së miri misterin e ekzistencës dhe cilësitë e shpirtit dhe në çdo fjalë të tijën, sado modeste të jetë ajo në dukje, ka arritur t’i japë formës formë dhe kuptimit kuptim, në mënyrën më ideale, duke i veshur atyre origjinalitetin e vet dhe duke arritur të komunikojë me talentin e tij me çdo individ të çfarëdo shtrese. Ndaj edhe çdo varg i këtij poeti kundërmon blerim, e sado që dikush do ta gjejë të cekët poezinë e tij, sepse do ta vlerësojë me kriteret konkrete të një bote materiale, në të vërtetë ajo poezi është e pafund, si një oqean i qetë në dukje, por që thellë, në gjirin e tij, mbart perla e korale.

Në përgjithësi të gjitha veprat e Gylenit janë ndër librat më të lexuar në Turqi. Gjer në vitin 2005 Fethullah Gylen ka botuar 26 libra, disa nga të cilët janë disa vëllimshme. Këto libra janë shtypur gjithsej 463 herë dhe kanë shitur rreth 3.200.000 kopje. Në këtë numër nuk përfshihen librat e shtypur dhe shpërndarë me gazetën Zaman, të cilët janë mbi 1 milion kopje.

Mund të themi se Fethullah Gylen është një shkrimtar me një lexues të tillë, që pak kanë pasur shansin ta kenë në botë. Një pjesë e konsiderueshme e librave të Gylenit që përmendëm, janë përkthyer në afro 23 gjuhë, kryesisht në anglisht, pastaj në arabisht, gjermanisht, shqip, frëngjisht, rusisht, spanjisht, gjuhën kineze, indoneziane, japonisht, jordanisht, greqisht, rumanisht dhe vazhdojnë të përkthehen e të botohen në shumë vende të botës. Gjithashtu, edhe gazetarët që kanë realizuar intervista me Gylenin, i kanë botuar ato në format libri, mes të cilëve mund të përmendim “Udhëtim në Horizont” (origj. Ufuk Turu) i gazetarit Ejup Xhan, “Bisedat e New York-ut me Fethullah Gylenin” (origj. Fethullah Gylen ile New York Sohbetleri) i gazetares së njohur Nevval Sevindi dhe “11 Ditë me Fethullah Gylenin” (origj. Fethullah Gylen ile 11 Gun) i gazetarit Mehmet Gyndem. Gjithashtu, predikimet dhe bisedat e Gylenit gjatë viteve 1989-1990 në Stamboll, Ankara e Izmir, janë regjistruar e janë shpërndarë, po ashtu edhe bisedat e regjistruara në audio gjatë viteve 1973-1980, janë shpërndarë përmes kasetash.