Shpirti i besimit dhe Islamit

Feja është ekoli më i bekuar, më i frytshëm, e hapur në emër të moralit dhe virtyteve. Dhe pasues i këtij ekoli është pa dallim i gjithë njerëzimi. Ata që ndjekin këtë ekol janë të destinuar të gjejnë qetësinë, lumturinë e paqen shpirtërore. Kurse ata që parapëlqejnë të rrinë jashtë saj, janë ata që humbin gjithçka, madje edhe karakterin e tyre.

Feja është tërësia e parimeve hyjnore që me vullnetin dhe lirinë shpirtërore udhëheq njerëzit drejt mirësisë dhe përsosmërisë. Feja është titulli i Njohjes dhe njësimit të Zotit, përftimit të dëlirësisë shpirtërore në rrugën e Tij, rregullimit të marrëdhënieve me njerëzit dhe shoqërinë në emrin e Tij dhe nën urdhrat e Tij, si dhe dashurisë, lidhjes e interesimit me gjithë ekzistencën, në emër të Tij.

Feja është ajo që përcakton vlerat e larta si nderi, virtyti e kombi. Feja është ai burim i bekuar nga ku gurgullojnë principet e qytetërimit. Në sajë të besimit njerëzit arrijnë përsosjen morale e shpirtërore, përmes saj vështrimet perceptojnë botët metafizike dhe përmes saj mbërrijnë në burimet kryesore të mirësisë, bukurisë, përsosmërisë e virtytit. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 29-31)

Në një tjetër artikull në lidhje me fenë, Fethullah Gylen e trajton këtë temë nga këndvështrimi i mentaliteteve të gabuara, duke bërë edhe një krahasim të fesë me dijen. Sipas autorit, njëri aspekt i pasionit ndaj të vërtetës është dija, tjetri është feja. Në relacionet e njeriut me ekzistencën, nëpërmjet perceptimit dhe ndërgjegjësimit të tij, nga njëra anë qëndron përcaktimi dhe zbulimi i së vërtetës, nga ana tjetër qëndrimi që do të manifestohet përballë tyre. Aspektin e parë e përcakton dija dhe burimet e fesë. Kurse e dyta përcaktohet tërësisht nga besimi fetar. Feja është një tërësi dijesh, me gjithë burimet e diturisë që përfshin në tërësinë e saj. Kështu që me përkufizimet e saj të qarta, ajo është njëkohësisht edhe një udhëheqëse e pagabueshme në temat që e tejkalojnë kufirin e shkencës, por edhe një dinamikë e rëndësishme dhe një faktor parësor në kërkimin e të vërtetës. Vetëm se, sikurse është i mundur shterpëzimi dhe kufizimi i mendimit, duke e futur shkencën në kallëpet e rrymave, doktrinave e teorive të ndryshme, të cilat janë të afta të hedhin sipare mbi të vërtetën, të gjenerojnë konflikte e të largohen kështu nga ideali i dijes, ashtu edhe feja, e cila është një e vërtetë qiellore, mund të kthehet në një vegël urrejtjeje, dhune e hakmarrjeje në duart e fanatikëve, larg nga e vërteta e nga qëllimi i saj.

Fethullah Gylen beson kështu: “Sado që të ndryshojë formë bota, sado që të zhvillohet shkenca e dija, sado që të ndryshojë perceptimi e mendimi njerëzor, ndjenja fetare gjithmonë ka për të qenë faktori kryesor në metodën shkencore dhe ideore të botës, në lindjen e zhvillimin e qytetërimeve të reja dhe në rrugën e njerëzimit drejt së përsosurës. Si sot, ashtu edhe në të ardhmen, ndikimi i besimit fetar dhe i forcës së tij magjepsëse në pjesën më të madhe të globit, është i padiskutueshëm.” (Günler Baharı Soluklarken. 88-89)

Gyleni e cilëson një gabim të madh atë që ndodh sot, përpjekjen e gjithanshme për të përmbushur dëshirat materiale, duke mos marrë parasysh se ajo që pret njerëzimi dhe gjërat për të cilat ai ka nevojë janë të lidhura me urinë shpirtërore dhe morale. Sipas tij, përpjekjet tona për të shuar urinë morale e për të plotësuar nevojat shpirtërore me gjëra materiale, janë të njëjta me përpjekjen për të shuar etjen me ujë deti. Kurse ajo që qëndron në themelin e urisë dhe etjes shpirtërore të gjithë njerëzimit, është largimi i tij nga shpirti i besimit të vërtetë, nga shpirti i Islamit. Ajo që nënkupton Gyleni me shpirtin islam, “nuk është shpirti i Islamit sot, të cilit ia kemi mjegulluar shkëlqimin hyjnor, ia kemi humbur magjepsjen me vlerësimet, këndvështrimet dhe idetë tona, por ai shpirt islam i Epokës së Lumturisë, të cilin ende disa shpirtra të pastër e ndiejnë më së miri. Pikat në të cilat e përshkruan Gyleni këtë shpirt Islam, i cili shkrin cilësitë individuale e sociale në enën e vet duke u dhënë atyre formën ideale, mund t’i rendisim si më poshtë:

  • Një manifestim i të drejtës, drejtësisë, barazisë e sigurisë mbarëbotërore, i lidhur drejtpërsëdrejti me Zotin.
  • Qëndrimi pranë të drejtës, ruajtja e të drejtës dhe respektimi i saj, pa e bërë atë vegël të dëshirave e interesave materiale.
  • Mospranimi i dhunës dhe mospërkulja para dhunës e krimit.
  • Pranimi dhe manifestimi i drejtësisë si një mënyrë jete sociale, familjare e individuale. Veprim me drejtësi, mendim me drejtësi dhe përpjekje për të qëndruar gjithmonë brenda kornizave të drejtësisë dhe ndershmërisë.
  • Një mënyrë jetese e lidhur fort me kriteret e drejtësisë, ruajtjes të së drejtës së tjetrit me po atë ndjeshmëri, ndoshta edhe më tepër, me të cilin ruan e respekton të drejtën tënde.
  • Një qëndrim i hapur ndaj dallimeve racore, fetare, familjare e shoqërore.
  • Refuzim i strukturave nepotike dhe i pushtetit të një klase të vetme në çdo unitet shoqëror e jetësor.
  • Mbështetje e aftësive individuale dhe e sukseseve të ndryshme, krahas këtyre edhe refuzimi i çdo monarkizmi në aspekte të ndryshme.
  • Përqafimi me të njëjtën ngrohtësi e dashamirësi i çdo individi të shoqërisë.
  • Vlerësim i barabartë i nevojave dhe aspiratave të secilit dhe mbrojtja e barazisë së secilit në çdo kusht.
  • Pranimi si burim i çdo të keqeje si dobësi e mjerim i shpirtit dhe forcimi i vullnetit individual dhe pastrimi nga ligësitë me besim, njohje të Zotit dhe mirësi.
  • Një vullnet i jashtëzakonshëm për të dhënë jetë e konceptim të lumturisë personale vetëm nëpërmjet lumturisë të të tjerëve.
  • Rezistenca ndaj mungesave, padrejtësive dhe mosdorëzimi përballë vështirësive.
  • Dashuri e mirësi për këdo e në çdo kohë.
  • Respektim e tolerancë ndaj çdo mendimi.
  • Një jetë e përkushtuar në rrugën e përsosmërisë dhe çdo çast e çdo hap i hedhur në përputhje me këtë ideal.
  • Pranimi i të qenurit rob i Zotit, duke mohuar kështu çdo lloj robërie; robërisë ndaj dëshirave, ndaj pushtetit, ndaj famës e çdo lloj robërie tjetër që e poshtëron dhe e mjeron karakterin njerëzor. (İslam Ruhu, Yeni Ümit, Prill-Maj-Qershor 2000)
Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.