Shtjellimi i ndryshëm i Islamit dhe mënyrat e ndryshme të zbatimit të myslimanëve

Një tjetër shkak që vështirëson të kuptuarit e të vlerësuarit drejt të Fethullah Gylenit dhe të konceptit të tij islam, është paraqitja e ndryshme e Islamit nga Perëndimi, i cili kishte formuar pushtet ushtarak, ekonomik e kulturor mbi botën e shekujve IXX e XX. Herë me anë të rrymave të Orientalizmit e misionarëve të ndryshëm, herë me refleksione historike, Perëndimi ka prezantuar një Islam të ndryshëm në botë dhe kjo gjë ka ndikuar shumë edhe mbi intelektualët e botës islame, duke zhvilluar kështu edhe komente të ndryshme të mendimtarëve myslimanë.

Bota islame e nisi shekullin e XX si botë e vendeve të kolonizuara, ndërsa mbrojtësja më e madhe por edhe përfaqësuesja më e rëndësishme e kësaj bote, Perandoria Osmane, nuk mbeti vetëm se pjesë e historisë në fund të Luftës së Parë Botërore. Pas kësaj, thuajse deri në gjysmën e dytë të atij shekulli, në çdo cep të kësaj bote vazhduan luftërat për pavarësi. Fulleri dhe Lessleri (fq. 41-42) theksojnë në punimin e tyre se vetëm numri i myslimanëve, vdekja e të cilëve është shkaktuar nga Perëndimi shekullin e kaluar, është më i madh se numri i gjithë perëndimorëve që kanë vdekur për shkak të myslimanëve gjatë gjithë historisë. Shumë myslimanë në ditët tona nxjerrin konkluzione të gjera nga këto ngjarje të planifikuara ndaj tyre por edhe nga sulmet që i bëhen myslimanëve në botë dhe besojnë se politikat perëndimore janë përqendruar kundër myslimanëve, duke synuar dobësimin e tyre të gjithanshëm. Veçanërisht, lançimi i Islamit si fe e terrorit, shpallja e tij si poli i kundërt që me rënien e Perdes së Hekurt, nga 1991 e këtej, komentimi i disa krimeve e ngjarjeve terroriste të ndodhura në Turqi e Algjeri si derivate të myslimanëve e të Islamit, bashkë me këta edhe përcaktimi i kufijve të botës islame si kufij të luftës me perëndimin nga Hantingtoni dhe komenti i gjerë i kësaj teorie në sfera të ndryshme duke sjellë në diskutim konfliktin e qytetërimeve dhe së fundi sulmet e organizuara ndaj tokave islame, po thellojnë çdo ditë e më tepër kontradiktat mes Islamit, perëndimit e pushteteve vendore në vendet islame.

Të gjithë shkaqet e lartpërmendura, si dhe përpjekjet e luftërat ndaj fuqive kolonizatore në vendet Islame, rënia në konflikt për arsye të ndryshme e pushtetit me Islamin në këta vende, veprimtaria e disa intelektualëve pseudo-perëndimorë kundër Islamit e myslimanëve, përçarjet e kontradiktat e nisura në Turqi në vitet 1950 me bazë DP e CHP, të cilat përcillen ende në sferat politike, shkurtimisht, kushtet në të cilat u gjend bota islame gjatë shekullit të XX, bashkë me lëvizjet islamike, apo me bazë islamike për shpëtim nëpër botë, u bënë shkak për lindjen e konceptimeve e komentimeve të ndryshme ndërmjet myslimanëve. Diferenca ndërmjet botëkuptimeve, padyshim që nuk ekziston vetëm rreth Islamit dhe principeve të tij kryesore, rreth kushteve themelore të besimit, parimeve islame, adhurimit, normave morale e koncepteve haram-hallall, madje nuk haset as në bazat juridike të Islamit, por kjo diferencë vihet re në manifestimin e një sjelljeje islame përballë kushteve aktuale dhe në perspektivën e përcjelljes së Islamit në jetën sociale. Duke lënë mënjanë rrymat “moderniste”, të cilat janë shkëputur ndjeshëm nga shpirti i Islamit, botëkuptimet e ndryshme mund t’i kategorizojmë pak a shumë në dy grupe kryesore:

  • Lëvizjet dhe mentalitetet islame ideologjiko-politike
  • Lëvizjet dhe mentalitetet islame-fetare.

Lëvizjet Islame ideologjiko-politike, edhe pse e pranojnë padyshim dhe sinqerisht Islamin si një besim të bazuar në revelacion hyjnor dhe e marrin atë si referencë themelore në çdo sjellje e veprim, e konceptojnë atë si një fe të karakterit ideologjik e politik përballë kushteve aktuale dhe përpiqen ta zbatojnë atë në pajtim të këtij mentaliteti. Në këtë sens, kauzat e këtyre lëvizjeve janë përqendruar më tepër në triumfin politik të Islamit dhe në problemet sociale, ekonomike e politike të shoqërisë myslimane, duke anashkaluar disi, ose duke i pranuar si pjesë e pandashme e natyrës së myslimanit çështjet me të cilat identifikohet feja, siç janë besimi, morali e përkushtimi. Me një fjalë, duke i dhënë përparësi përmasave ekonomike, sociale e politike të Islamit, këto lëvizje janë përqendruar në këto aspekte të tij, duke e zbatuar dhe manifestuar edhe besimin në këtë aspekt.

Ndërsa lëvizjet fetare islame, megjithëse nuk e trajtojnë Islamin pjesërisht, janë lëvizje që mbrojnë progresin e Islamit bashkë me kohën dhe elasticitetin e tij përballë ngjarjeve të ndryshme, prandaj edhe i japin rëndësi parësore trajtimit të anëve morale, fetare e rituale të Islamit, si çështje që ndikojnë drejtpërsëdrejti jetën e individit, si dhe vendosjen në plan të parë të besimit të bazuar në dije e ndërgjegje. Nëse do të nevojitej një klasifikim i lëvizjes së Gylenit në ditët tona, ajo lëvizje i afrohet më tepër grupit të dytë të lartpërmendur.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.