Trekëmbëshi

Në shkrimet dhe bisedat e tij, Fethullah Gylen e përqendron konceptin e tij islam në një “trekëmbësh”, njëra këmbë e të cilit është vendi ku mësohet e përftohet morali islam. Këto vende, bashkë me medresetë, të cilat janë shkollat ku mësohen disiplinat islame, ai i paraqet si dy gjysmat e një të tëre. Në fakt, medresetë nuk kanë qenë institucione ku është dhënë vetëm mësim feje. Kuptimin terminologjik fjala “medrese” e ka “vend ku bëhet mësim” dhe në medrese, bashkë me mësimet fetare janë zhvilluar edhe mësimet e shkencave të tjera. Mirëpo në shekujt e fundit, shkencat pothuajse nuk jepen më në medrese dhe si rezultat i ndikimit nga perëndimi, lëndët fetare janë shkëputur krejtësisht nga lëndët shkencore. Kështu që lindi nevoja e shkollave ku jepeshin vetëm lëndë shkencore-mektepet. Porse sikurse njeriu, që është një i tërë me organet e tij trupore, qelizat, mendjen, zemrën e ndërgjegjen, ashtu edhe Islami është një i tërë, që nuk mund të trajtohet pjesërisht apo i ndarë në vetvete. Si medresetë, vendet ku studioheshin lëndët fetare dhe morali islam, ashtu edhe vendi ku lexohej libri i gjithësisë dhe studioheshin lëndët shkencore, duhet të ishin nën të njëjtën strehë dhe duhej të formonin një tërësi në vetvete. Sepse këta janë të pandara nga njëra tjetra në konceptin e Islamit të Fethullah Gylenit. Këtë temë ai e shpjegon në mënyrën e vet karakteristike gjatë një fjalimi në Adapazar, në maj të 1980.

“Të tillë, që kanë arritur paqen e Shokëve të Profetit e Pasuesve të tyre... Që në emër të dijes e moralit, përjetojnë nëpër institucionet shkollore pasionin, emocionin e thellësinë e ndjenjave të Shah Gejlanit e Ahmet Bedeviut... Të ngopur me dituri Islame... Të plotësuar me njohuri shkencore, jo më pak se ajo e niveleve enciklopedike... Jo prej atyre që e shohin Islamin vetëm me një sy dhe jetojnë një jetë të njëanshme, po të gjithanshëm... Të ditur e të logjikshëm, me mendje nën urdhrin e zemrës, e me ndjenja të mbushura me pasion, emocion e njohje... Natën e zbukurojnë me adhurim, buzën me përmendje e falënderim... Zemrën e mbushin me dëshirën e pasionin e vrullshëm që i jep mirësia, drejtësia e ndershmëria dhe me bukuritë që i jep humanizmi e natyra e tyre pozitive... Të devotshëm e altruistë, me mprehtësinë e pagabueshme që i jep mendimi kuranor e me vlera të jashtëzakonshme në trajtimin e botës, jetës, sendeve e ngjarjeve... Që jetojnë duke u dhënë jetë të tjerëve... Që arrijnë të jenë pasqyrues të Kuranit me fjalët e veprat e tyre brenda kushteve të mentalitetit aktual... Që njohin shumë mirë qarkun social, ekonomik e politik të kohës që jetojnë, të aftë të parashikojnë e të gjykojnë si një besimtar i vërtetë gjithë ç’ndodh rreth e përqark...”

Në një tjetër shkrim të tijin, teksa përshkruan besimtarin e vërtetë, Fethullah Gylen thekson vetitë e tij morale e intelektuale duke i renditur në këtë mënyrë: “Një dashuri e pakufi, që rrjedh nga besimi dhe njohja e Zotit, e cila përshkon shkallë-shkallë gjithë ekzistencën. Okupim me dije e shkencë, me kriteret e mendjes, logjikës e ndërgjegjes. I aftë të rishikojë përvojat e vëzhgimet e veta humane e t’i perceptojë ato në tërësinë e Kuranit dhe të arrijë të kritikojë me objektivizëm për të dalluar të saktën nga e gabuara. Posedues i një karakteri të formuar dhe i ndërgjegjshëm që thellësitë e vërteta humane janë ato që duhen kërkuar e gjetur në vetitë pozitive të mendjes dhe ndjenjës. I lirë në mendim dhe i aftë të mbështesë mendimin e lirë. I ndërgjegjësuar për rëndësinë e mendimit kolektiv dhe i aftë të mendojë në kolektiv, i zoti të analizojë ngjarjet e idetë dhe i formuar si nga ana estetike, ashtu edhe nga ajo artistike e të menduarit.” (Ruhumuzun Heykelini Dikerken, 27-8)