Avokati i Fethullah Gylen apelon vendimin për urdhër-arrestin

Avokati i Fethullah Gylen apelon vendimin për urdhër-arrestin

Avokati i dijetarit M. Fethullah Gylen, z. Nurullah Allbayrak, është shprehur se e ka apeluar vendimin e Gjykatës së Parë Penale të Paqes në Stamboll, e cila ka lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për z. Gylen. Në një deklaratë për shtyp, z. Allbajrak e cilësoi vendimin në fjalë si të paligjshëm. Ndër argumentet e tija të përmbledhura në 13 pika, avokati i z. Gylen argumenton arsyet se përse rruga e ndjekur dhe vendimi për të lëshuar një urdhër-arresti janë në kundërshtim të plotë me ligjin. Ai nënvizon faktin se urdhri në fjalë është lëshuar përkundër faktit se z. Gylen nuk është thirrur në asnjë rast për të dhënë dëshminë dhe se në asnjë rast nuk i është kërkuar dëshmia e tij për pretendimet në fjalë, ndonëse adresa e vendbanimit të tij dihet botërisht.

Në muajin dhjetor të vitit të shkuar, Gjykata e Parë Penale e Paqes në Stamoll, në një vendim të saj lëshoi një urdhër-arresti për z. Gylen dhe kërkoi ekstradimin e dijetarit turk nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një veprim i cili është konsideruar si një hap i ndërmarrë nga autoritetet turke për të siguruar që emri i tij të përfshihet në “listën e kuqe” të Interpolit dhe për rrjedhojë të ekstradohet nga SHBA-të. Megjithatë, ligjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kanë të sanksionuar, që “krimi për të cilin akuzohet një person, duhet të jetë i njohur dhe i pranuar nga ligjet e të dyja vendeve, si dhe të mos jetë i natyrës politike”.

Qeveria në pushtet e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, që pas hetimeve të bujshme për afera korruptive të rrethit të ngushtë të bashkëpunëtorëve të kryeministrit të atëhershëm, Presidenti i sotëm i Republikës, Rexhep Tajip Erdogan dhe familjarëve të tij, në 17-25 dhjetor 2013, në mënyrë të përsëritur ka kërkuar ekstradimin e z. Gylen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria turke në të gjitha rastet ka marrë përgjigje negative nga autoritetet amerikane, përgjigje të cilat kanë qenë të argumentuara me mungesën e fakteve për akuzat e drejtuara ndaj tij. Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, para disa kohësh arriti sa t'ia kërkonte "deportimin" e Fethullah Gylenit personalisht Presidentit të SHBA-ve, z. Barak Obama.

Allbajrak në ankimimin e çështjës në fjalë thekson se rasti i vendimit të gjykatës, që përmbyllej me vendimin për lëshimin e një urdhër-arresti për z. Gylen, duke e lidhur atë me çështjen e njohur si çështja e "Tahshijexhilerëve”, është ende në vazhdim. "Të nisësh një proces të ri, bazuar në provat e një tjetër çështjeje që është në gjykim e sipër, është një fenomen dhe precedent i pavërejtur më parë dhe që nuk besoj se ka për të ndodhur ndonjëherë në sferën ligjore.” Ndërkaq, z. Allbajrak thotë se Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Turqisë përcakton qartë rastet kur kërkohet lëshimi i një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj një personi; në rastet kur ndaj një personi duhet të ketë "një dyshim të fortë kriminal dhe argumente të pakundërshtueshme për arrestimin e tij”. Ai gjithashtu vë theksin në faktin se është krejtësisht e paqartë se cilat janë akuzat që bëhen ndaj z. Gylen.

Në apelimin e vendimit të gjykatës, z. Allbajrak citon nenin 98 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Turqisë, i cili thotë se urdhër-arrestet mund të lëshohen për ata të dyshuar, të cilët nuk pranojnë të japin deklaratat e tyre, si dhe ndaj atyre që nuk u dihet adresa. Allbajrak gjithashtu thekson se z. Gylen nuk i është kërkuar në asnjë rast që ai të dëshmojë, ndonëse adresa e tij dihet mjaft mirë nga autoritetet turke. Ai thotë se në bazë të marrëveshjeve dypalëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në rast të një thirrjeje për të dëshmuar, autoritetet amerikane në çdo rast mund të marrin dëshminë e z. Fethullah Gylenit në adresën e tij, sikundër është vepruar dhe në një rast të mëparshëm.

Z. Allbajrak nënvizoi gjithashtu faktin, se z. Gylen gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij, nuk ka qenë në asnjë rast ithtar i dhunës, dhe se predikimet e z. Fethullah Gylen apo librat e tij, nuk përmbajnë asnjë fjali që do të përbënte rrezikshmëri të një vepre penale. Akuzat se Fethullah Gylen ka formuar një organizatë duke u përpjekur që të ndryshojë regjimin e shtetit, sipas tij, janë tërësisht të pabaza.

Kërkesa për ekstradim e z. Gylen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është artikuluar gjithnjë nga vetë Presidenti Erdogan, dhe pavarësisht kësaj, rezultati deri më tani ka qenë përherë negativ. Megjithatë, në përpjekjen më të fundit për të ekstraduar z. Gylen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet operacioneve policore mbi median e lirë dhe të pavarur, të 14 dhjetorit të vitit të kaluar, u arrestua kryeredaktori të përditshmes më të madhe “Zaman”, z. Ekrem Dumanllë sëbashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Grupit Mediatik “Samanjollu” dhe shumë gazetarë, producentë, madje dhe skenaristë, me akuza të pabaza për përfshirje në një grup kriminal. Akuzat e gjykatës kundër këtyre personeliteteve të shquar të medies, u përmbyllën me lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar nga Gjykata e Parë Penale e Paqes në Stamboll për z. Fethullah Gylen, i cili qysh prej vitit 1999 banon në një nga zonat rurale të Pensilvanisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mërgim të vetëimponuar.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.