Avokati i mendimtarit Fethullah Gylen reagon pas akuzave të ngritura nga Revista “Mapo” për lobime në politikën shqiptare
Pas publikimit të artikullit “Aleanca Kuqezi dhe lidhjet turke” në Revistën “Mapo” të muajit Mars, ku mendimtari i njohur Fethullah Gylen paraqitej si sponsor i Partisë Aleanca Kuqezi dhe promotor i Neo-Ototmanizmit, reagon avokati i Fethullah Gylenit, Orhan Erdemli.
Në një sqarim të dërguar Revistës “Mapo” të muajit Prill, Avokati i Gylenit e konsideron të hipotezën e ngritur nga Revista “Mapo” si të pabazë dhe rrjedhojë e mosnjohjes së Gylenit.
Reagimi i plotë
Në revistën Mapo të datës 26.03.2012, në artikullin e Alfred Lelës “Aleanca Kuqezi dhe lidhjet turke”, shtrohej pyetja se cilat ishin burimet financiare të Aleancës Kuqezi. Artikulli në fjalë bënte aludime të pavërteta dhe të pabaza rreth klientit tim, z. Fethullah Gylen.
Teza të tilla si “Nuh Tokçelik është përfaqësuesi i Fethullah Gylenit në Shqipëri”, “ekzistenca e interesave financiarë-politikë mes trekëndëshit Spahiu-Tokçelik-Gylen dhe Amerikës”, “veprimtaria e këtij trekëndëshi në Ballkan për rritjen e ndikimit turk, si pjesë e doktrinës politike të Neo-otomanizmit”, e të tjera si këto, janë tërësisht të pabaza.
Mendojmë se hipoteza të tilla të ngritura në revistën Mapo vijnë si rezultat i mungesës së studimeve ose pamjaftueshmërisë së saj rreth z. Fethullah Gylen. Për këtë arsye, po ju dërgoj sqarimin e mëposhtëm për të shmangur keqkuptimet dhe për të informuar saktë publikun.
Z. Gylen është një mendimtar që i ka kaluar të shtatëdhjetat. Gjatë gjithë jetës së tij është marrë me veprimtari intelektuale, ka botuar me qindra artikuj dhe mbi 50 libra; vepra e tij është përkthyer në mbi 30 gjuhë të ndryshme. Në tërë veprën e tij, z. Gylen ka nxitur vazhdimisht njerëzit drejt moralit dhe vlerave universale. Z. Gylen është një personalitet që vlerësohet, respektohet dhe vepra e tij ndiqet me vëmendje nga miliona njerëz jo vetëm në Turqi, por në mbarë botën.
Idetë e Gylenit kanë tërhequr vëmendjen e shumë akademikëve në botë dhe universitete të shumta kudo në botë kanë kryer studime akademike; janë përgatitur teza, artikuj dhe libra; një sërë universitetesh kanë organizuar konferenca, simpoziume dhe panele për të diskutuar mbi idetë e tij.[1]
Z. Gylen e vendos njeriun, vlerat njerëzore dhe shërbimin ndaj njerëzimit në qendër të botëkuptimit të tij. Ai i fton njerëzit të bashkëjetojnë pavarësisht dallimeve fetare, etnike, kulturore e ideore, të pranojnë gjithsecilin në pozitat e tyre, të jenë të hapur për dialog e ndërveprim kulturor. Dallimet fetare, etnike dhe ideore ai nuk i shikon si shkak përplasjeje dhe lufte, por si pasuri e botës. Ndaj, ai është kundër tezës së përplasjes së qytetërimeve, duke marrë si bazë dialogun ndërqytetërimor e ndërkulturor. Veprimtaria e tij intelektuale është një kontribut i çmuar për bashkëjetesën me mirëkuptim, paqe dhe vëllazëri. Madje intelektualët ia kanë borxh njerëzimit përpjekjen për vendosjen e paqes dhe përgatitjen e një bote më të mirë për brezat e ardhshëm.
Studimi i veprave dhe i veprimtarisë së Gylenit në 70 vjet tregon se ai nuk ka patur asnjëherë ndonjë synim politik apo ekonomik. Nuk bëhet fjalë që me idetë e tij të ketë përkrahur apo kundërshtuar ndonjë parti politike. Z. Gylen nuk ka asnjë synim Neo-Otoman, apo të ndikimit turk në Ballkan. Simpoziumet ndërkombëtare të organizuar në Shqipëri dhe në shumë vende të ndryshme të botës vërtetojnë se teza të tilla janë të pavërteta.
Veprimtaria e z. Fethullah Gylenit është larg çdolloj përfitimi politik e ekonomik, duke pasur si synim vetëm interesin e mbarë njerëzimit. Përpjekja e shpjegimit të veprimtarisë së një personaliteti të tillë me përqasje politike është tepër e gabuar. Analistë dhe akademikë të ndryshëm kanë vërejtur se “Idetë e z. Gylen nuk kanë lidhje me synime politike, ideologjike e konfliktuale, por i mëshojnë të drejtave të njeriut, demokracisë dhe vlerave universale; idetë e tij janë të mbrujtura me dashuri dhe mirëkuptim dhe se ide të tilla mbartin rëndësi përsa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve e popujve si dhe për paqen botërore.[2]
Është mëse normale dhe e natyrshme që si çdo mendimtar dhe personalitet, z. Gylen ka dashamirës, përkrahës të ideve të tij dhe njerëz që frymëzohen prej tyre. Është gjithashtu normale që persona të frymëzuar nga idetë e tij humane dhe në shërbim të njerëzimit, të organizojnë aktivitete në mënyrë vullnetare. Por, nuk ka as edhe një person apo institucion që të përfaqësojë z. Gylen.
Si përfundim, pranojeni këtë tekst si një e drejtë universale e replikës dhe lutem ta botoni.
Avokat i Fethullah Gylen
Av. Orhan Erdemli
[1] Disa shembuj:
* 25-27 Tetor, në Dhomën e Lordëve, në simpoziumin rreth Gylenit organizuar nga Universiteti i Londrës, 150 akademikë të ndryshëm dërguan artikuj.
* 28 Tetor 2008, në simpoziumin “Erasmus dhe Gylen: dy burime frymëzimi të Paqes dhe Dialogut” organizuar nga Universiteti Erasmus në Roterdam, 170 akademikë të ndryshëm dërguan artikuj.
* 15 Shtator 2008, në Parlamentin Rus, Duma, u krahasuan idetë e Gylenit me ato të Mahatma Gandit.
14-15 Nëntor 2008 në simpoziumin “Islami në Epokën e Sfidave Globale: Perspektivat alternative të Lëvizjes Gylen” organizuar nga Universiteti Xhorxhtaun, në Uashington, morën pjesë mbi 40 akademikë.
[2]Për më tepër shiko: http://al.fgulen.com; http://en.fgulen.com
- Publikuar më .