• Home
  • Nga Media
  • Lajmet
  • Deklaratë e Fethullah Gylenit lidhur me shpifjet dhe përpjekjet për t’i lidhur vrasjet dhe sulmet terroriste të kohëve të fundit në Turqi me lëvizjen “Hizmet”

Deklaratë e Fethullah Gylenit lidhur me shpifjet dhe përpjekjet për t’i lidhur vrasjet dhe sulmet terroriste të kohëve të fundit në Turqi me lëvizjen “Hizmet”

Deklaratë e Fethullah Gylenit lidhur me shpifjet dhe përpjekjet për t’i lidhur vrasjet dhe sulmet terroriste të kohëve të fundit në Turqi me lëvizjen “Hizmet”

Veçanërisht gjatë këtyre ditëve të fundit po përhapet sa vjen e më shumë një shpifje se disa qeliza të fjetura të Lëvizja “Hizmet”, së bashku me ISIS-in dhe PKK-në do të ndërmarrin një varg sulmesh me qëllim vrasjen e përfaqësuesve të lartë të shtetit dhe liderëve të opozitës. Ndihem shumë i shqetësuar se nëpërmjet këtyre shpifjeve kaq të urryera, për të cilat besoj se po përhapen me qëllim nga qarqe të caktuara për të përgatitur njëfarësoj terrenin për realizimin e planeve të tyre të pista, vullnetarët e kësaj lëvizjeje po vihen në shënjestër të një tjetër kurthi.

Gjithandej është duke u bërë ç’është e mundur që të përforcohet edhe më fushata e shpifjeve ndaj lëvizjes “Hizmet”, duke u orvatur që ta lidhin atë medoemos me vrasjet dhe sulmet terroriste që kanë ndodhur kohët e fundit në vendin tonë. Sidomos pas vrasjes së ambasadorit rus në Turqi, z. Karlov, i cili humbi jetën pas sulmit që u organizua prej një militanti të organizatës al-Nusra, të gjitha qarqet që duan ta largojnë vëmendjen nga vetja, po bëjnë të pamundurën për t’u dhënë edhe më shumë zë këtyre shpifjeve; tragjedia e Reinas dhe akti terrorist i Izmirit ishin po ashtu shembuj të këtij keqpërdorimi të ngjarjeve.

Veç kësaj, pas çdo orvatjeje për t’i lidhur vrasësit me lëvizjen “Hizmet” me çdo sulm në vend, ndërmerren operacione të njëpasnjëshme ndaj njerëzve të pafajshëm, duke përhapur edhe shpifjen se “qelizat e fjetura” të lëvizjes do të hidhen në veprim.

Prirja për t’i hedhur mbi vullnetarët e lëvizjes “Hizmet” edhe ato ngjarje të errëta apo çështje të pazgjidhura të vrasjeve që janë kryer në periudhën 2000-2013, gënjeshtra e “vrasjes së Sumejes” dhe kulisat e 15 korrikut dhe, po të mendojmë se si po baltoset kjo lëvizje, nuk është shumë larg mendjes që të mendosh se po të njëjtat qarqe po përpiqen që të akuzojnë vullnetarët e lëvizjes edhe për sulmet terroriste apo vrasjet që mund të ndërmerren në të ardhmen. Sidomos, nuk është fare i pavend shqetësimi se do të thurnin gjithfarë intrigash dhe do të ndërmerrnin gjithfarë sulmi për t’ia arritur qëllimit që ta bëjnë botën të pranojë se lëvizja “Hizmet” është një organizatë terroriste në arenën ndërkombëtare.

Fakti që opozitës i thuhet se ISIS-i do të ndërmarrë sulme ndaj tyre, andaj ata do të pajisen me mjete të blinduara dhe do t’u shtohen masat mbrojtëse, dhe menjëherë pas kësaj shfaqen qarqet pranë qeverisë, së bashku me borizanët e tyre në shtyp, për të përhapur shpifjen se këto sulme do të realizohen nga pjesëtarë të lëvizjes, është shumë domethënës. Jo vetëm kaq, por përhapja e këtyre gjerësisht pikërisht në ditën kur kanë nisur diskutimet për kërkesën për ndryshime kushtetuese, nuk duhet të kalojë pa tërhequr vëmendjen.

Nëse lajmet “për rrezik sulmesh ndaj politikanëve” mbështeten në të dhëna informative të shëndosha, është detyra e personave të autorizuar që të marrin çdo lloj mase për të parandaluar këto veprime të urryera, çka është edhe pritshmëria jonë e natyrshme. Përmendja e lëvizjes “Hizmet”, e cila nuk ka pasur lidhjen as më të vogël me dhunën, me terrorin dhe vrasjet, nuk është tjetër, veçse një shpifje.

Andaj, me këto mendime, dua t’i deklaroj edhe njëherë mbarë botës se; njerëzit që ia kanë dhënë zemrën kësaj lëvizjeje nuk do të largohen për asnjë çast prej besnikërisë ndaj demokracisë dhe mbizotërimit të së drejtës, pavarësisht çdo padrejtësie, trysnie, paragjykimi, torture apo shpifjesh që mund të ushtrohen mbi ta; ata do të mbrojnë të drejtat e tyre të mbrojtura dhe të parashikuara në ligje – gjithnjë brenda mundësive, – por pa dalë asnjëherë prej asaj çfarë parashikojnë ligjet dhe besimi i tyre. Përparësia e këtyre njerëzve, të cilët janë më se të distancuar prej çdo lloj shfaqjeje të dhunës, do të jenë përherë sfidat me injorancën, varfërinë dhe përçarjet, në mënyrë që në botë të mbizotërojë paqja, duke pasur veti të tyren të pandarë veçse “veprimin pozitiv”. 

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.