Fethullah Gylen merr Çmimin e Paqes për Vitin 2011
Instituti Lindje- Perëndim (East-West Institute) me qendër në Nju Jork, i akordoi me datë 10 maj të nderuarit Fethullah Gylen Çmimin e Paqes për vitin 2011. Duke vlerësuar personalitetin e një myslimani të sinqertë, përpjekjet për realizimin e vlerave të besuara, Edwin Mroz, drejtuesi i EWI, vlerësoi gjithashtu qëndrimin e qartë të Fethullah Gylen ndaj terrorizmit.
Fethullah Gylen fitoi Çmimin e Paqes për vitin 2011 nga instituti EWI në emër të kontributit të dhënë në paqen botërore. Çmimi iu dorëzua drejtorit të Fondacionit të Gazetarëve dhe Shkrimtarëve me qendër në Stamboll, z. Mustafa Jeshil. Në një mesazh të shkruar për ceremoninë e organizuar në Nju Jork, Fethullah Gylen pohoi se e pranon këtë çmim jo në emër të tij por në emër të ‘Vullnetarëve ‘ të pafund të përhapur në të gjithë botën, duke e pranuar veten si pjesë e tyre . Në mesin e anëtarëve të grupit drejtues të EWI i cili feston 30 vjetorin e themelimit ishin dhe gjenerali Xhejms L. Xhons, ish këshilltar i sigurisë kombëtare të presidentit Obama, Kondolesa Rajs ish ministre e Jashtme e SHBA.
“Jemi të nderuar t’i japim këtë çmim të nderuarit Fethullah Gylen” u shpreh drejtuesi i EWI në fjalën e mbajtur. Në ceremoni u prezantua një video rreth arsyeve përse EWI i akordoi këtë çmim Gylenit. Në videoprezantim ndër të tjera shpreheshin edhe mendimet e personaliteteve të shquar botërore rreth Gylenit, si ish sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan, ish presidenti i SHBA Bill Klinton, ish ministri i punëve të Jashtme Xhejms Bekër Baker dhe Medlin Ollbrajt. Duke vlerësuar qëndrimin e qartë të Fethullah Gylenit kundër terrorit, u shfaq edhe titulli i gazetës Washington Post e cila nënvizonte fjalët e Gylenit: “Myslimani nuk mund të bëhet terrorist dhe një terrorist nuk mund të quhet mysliman.”
“Ky çmim dhurohet një herë në vit. Për këtë arsye është shumë i rëndësishëm për ne”, u shpreh drejtuesi Mroz me origjinë gjermane. Ai theksoi se Instituti Lindje-Perëndim mbështetet mbi vlerat themelore si respekti, përgjegjësia, toleranca dhe disiplina. Mroz pohoi se i nderuari Fethullah Gylen është një person i cili mbart përgjegjësi të mëdha dhe realizon vlerat e besuara. Duke e cilësuar si një mysliman të sinqertë i cili praktikon vlerat e besuara, Mroz shtoi se “në videon që do të shihni do ta kuptoni më mirë arsyen e dhënies së çmimit këtij njeriu.”
Ndërsa i nderuari Fethullah Gylen u shpreh kështu në mesazhin dërguar institutit në fjalë: “Jam shumë i nderuar dhe i impresionuar për shkak të vlerësimit me çmimin e paqes nga ana e Institutit Lindje-Perëndim. Por unë nuk e marr këtë çmim në emrin tim, por e pranoj në emër të një numri të pafund vullnetarësh, të kombësive dhe besimeve të ndryshme të cilët duke mos pasur asnjë qëllim tjetër, janë bashkuar vetëm për të punuar dhe për t’i shërbyer njerëzimit.”
Duke nënvizuar shtimin e paragjykimeve të shoqërive ndaj njëra-tjetrës si rrjedhojë e ngjarjeve të dhunshme të përjetuara në të gjithë botën gjatë dekadës së fundit, Gylen pohoi se shumë persona kanë realizuar akte terroriste në emër të fesë. “Disa përdorën dhunën dhe vranë persona të pafajshëm në emër të fesë. Të vrasësh njerëz të pafajshëm në emër të fesë, është diçka që s’mund të ekzistojë në Islam. Shpresojmë që kjo periudhë e errët të ketë mbaruar dhe të mos përsëritet më” deklaroi Gylen në mesazhin e tij.
- Publikuar më .