Fethullah Gylen dhuron 10 mijë dollarë për Pakistanin
Në një kohë kur bota Islame përjeton emocionet e muajit të shenjtë të Ramazanit, miliona pakistanezë, si pasojë e përmbytjeve e presin ‘flladin e mëshirës’ pa shtëpi dhe në pritje të ndihmave.
Organizatat humanitare janë mobilizuar për t’i ardhur në ndihmë Pakistanit, i cili përballet me fatkeqësinë më të madhe natyrore në historinë e tij. Në vendin ku kanë humbur jetën 1600 persona, ka shtrirë dorën e ndihmës edhe Fondacioni "Kimse Yok Mu" (A ka njeri). Ky organizim është mbështetur dhe nga i nderuari Fethullah Gylen, i cili ka dhuruar 10 mijë dollarë Pakistanit, shumë kjo e përfituar nga shitja e veprave të tij.
Drejtuesi i Fondacionit "Kimse Yok Mu" Mehmet Ozkara, duke theksuar se në vendin e fatkeqësisë është shfaqur problemi i ujit, mungesa e ushqimit dhe strehës, pohoi se 14 milionë persona janë prekur nga përmbytjet. Ndërkohë që Pakistani pret ndihma urgjente nga ndërkombëtarët, Ozkara shprehet kështu: "në këto ditë të vështira, ne duhet të qëndrojmë pranë Pakistanit". Duke kujtuar edhe një herë faktin që Pakistani ka ndihmuar Turqinë gjatë Luftës çlirimtare, Ozkara tha: "tani është koha e solidaritetit". Ai shprehu dëshirën për të dhënë ndihmë jo vetëm në plotësimin e nevojave për ushqime, veshmbathje, apo strehë, por në të njëjtën kohë të ndihmojnë në ndërtime dhe kontributeve afatgjate, si spitale, komplekse banimi, etj. Ai gjithashtu pohoi se ndihmat e para të dhëna në shuma parash, do të shkojnë për të plotësuar nevojat urgjente të popullit.
Thirrja për ndihmë e OKB dhe OKI
Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata e Konferencës Islamike kanë bërë thirrje urgjente për të ndihmuar Pakistanin, ku si pasojë e përmbytjeve gjatë 15 ditëve kanë braktisur shtëpinë më shumë se 13 milionë persona. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun, kërkoi nga shtetet donatorë ‘të mbështesin bujarisht’ Pakistanin në këtë kohë të vështirë. Ai theksoi se së shpejti do të bëjë kërkesë zyrtare për të mbledhur disa qindra milionë dollarë për të përballuar nevojat urgjente. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKI-së Ekmeleddin İhsanoğlu, ftoi të gjithë botën Islame dhe organizatat ndërkombëtare të mobilizohen për të ndihmuar popullin e Pakistanit. Për të dhënë ndihmën tuaj numrat e telefonit të qendrës për ndihma të krijuar nga qeveria e Pakistanit dhe numrat e llogarive bankare të OKI mund t’i gjeni në adresën e internetit të organizatës www.oic-oci.org
- Publikuar më .