Fet'hullah Gylen merr Çmimin e Paqes për Vitin 2011
Para pak kohësh Instituti Lindje-Perëndim (East-West Institute) me qendër në Nju Jork, i akordoi Çmimin e Paqes për vitin 2011 Fet'hullah Gylenit, një personalitet i njohur turk për nxitjen e dialogut, tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërfetar dhe ndërqytetërimor në shkallë globale. Duke vlerësuar figurën e Gylenit për ruajtjen dhe konsolidimin e vlerave të larta që bashkojnë njerëzit e besimeve të ndryshme, drejtori i EWI-së, Edwin Mroz, vuri në dukje gjithashtu qëndrimin e qartë dhe të vendosur të këtij veprimtari të shquar të paqës kundër terrorizmit.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin pjesëmarrës senatorë, njerëz të shquar nga bota akademike dhe e biznesit. Në një mesazh të veçantë dërguar pjesëmarrësve të kësaj ceremonie, Fet'hullah Gylen theksonte midis të tjerash: “Jam shumë i nderuar dhe i impresionuar për shkak të vlerësimit me Çmimin e Paqes nga ana e Institutit Lindje-Perëndim. Por unë nuk e marr këtë çmim në emrin tim, por e pranoj atë në emër të një numri të pafund vullnetarësh, të kombësive dhe besimeve të ndryshme të cilët duke mos pasur asnjë qëllim tjetër, janë bashkuar vetëm për të punuar dhe për t’i shërbyer njerëzimit.” Duke nënvizuar shtimin e paragjykimeve të shoqërive ndaj njëra-tjetrës si rrjedhojë e ngjarjeve të dhunshme të përjetuara në të gjithë botën gjatë dekadës së fundit, Gylen pohonte se shumë persona kanë kryer akte terroriste në emër të fesë. "Disa përdorën dhunën dhe vranë persona të pafajshëm në emër të fesë. Të vrasësh njerëz të pafajshëm në emër të fesë, është diçka që s’mund të ekzistojë në Islam. Shpresojmë që kjo periudhë e errët të ketë mbaruar dhe të mos përsëritet më", deklaronte Gyleni në mesazhin e tij.
Në videoprezantimin e bërë me këtë rast, ndër të tjera shpreheshin edhe vlerësimet dhe konsideratat e larta të personaliteteve të shquara botërore për rolin dhe kontributin e madh të Gylenit, si ish-sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan, ish- presidenti i SHBA-ve Bill Clinton, ish-sekretarët e Shtetit, James Baker dhe Madelein Albright. Duke vlerësuar qëndrimin e qartë të Fet'hullah Gylenit kundër terrorit, u shfaq edhe titulli i një shkrimi të gazetës "Washington Post" e cila nënvizonte fjalët e tij aq domethënëse: “një mysliman nuk mund të jetë terrorist, sikundër dhe një terrorist nuk mund të quhet mysliman”.
Instituti Lindje-Perëndim (East West Institute) me qendër në Nju Jork, është një organizatë politike e paanshme, jo-fitimprurëse, e fokusuar në përballjen me sfidat e rëndësishme globale që rrezikojnë paqen. Në mesin e anëtarëve të bordit drejtues të EWI-së, i cili festoi 30 vjetorin e themelimit të tij, janë emra të tillë të tillë të njohur si gjenerali James L. Johns, ish këshilltar i sigurisë kombëtare të presidentit Obama, ish-sekretarja e Shtetit e SHBA-ve Condoleezza Rice, ish-presidenti i Finlandës dhe nobelisti për paqën Marti Ahtisaari, etj.
Më parë ky institucion prestigjioz u ka akorduar Çmimin e Paqes personaliteteve me famë botërore si: Tony Blair, Vaclav Havel, George H.W. Bush, Helmut Kohl, Nursultan Nazarbajev, Mohamed El-Baradei, etj.
Është e udhës të theksohet se kjo veprimtari kaq e rëndësishme e zhvilluar në Nju Jork, u parapri nga një simpozium ndërkombëtar i organizuar në Tiranë në fundmars të këtij viti nga Universiteti i Tiranës, Universiteti Fatih (Turqi), si dhe Qendra e Dialogut "Prizmi", me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Në këtë tubim shkencor u vlerësua eksperienca globale e Fet'hullah Gylenit në fushën e dialogut, duke u vështruar në përqasje edhe me rastin shqiptar të harmonisë ndërfetare.
- Publikuar më .