Lëreni Erdoganin të përballet vetë me sfidat e tij
Jo shumë kohë më parë, kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Fethullah Gylen, një predikues turk në Pensilvania ishin aleatët më të mirë. Erdogan kryeson një qeveri myslimane, ndërsa Gylen nxit një lloj të moderuar dhe properëndimor të Islamit Suni, i cili tërheq shumë turq të mirëarsimuar dhe profesinistë në fushat e tyre. Të dy kishin një synim të përbashkët në përballjen dhe dobësimin e lidershipit laik politiko-ushtarak, dikur dominues në vend.
Por bashkëpunimi është kthyer tashmë në një luftë të hidhur për pushtet, ku nga njëra anë kryeministri Erdogan po përpiqet të tërheqë edhe SHBA-të në diskutim, duke kërcënuar se do të kërkojë ekstradimin e Gylenit në Turqi. Qeveria amerikane është e detyruar ta shqyrtojë mirë kërkesën, nëse Erdogan vazhdon më tej dhe bën një të tillë. Por për momentin kërcënimi duket të jetë asgjë më shumë se një përpjekje e pagdhendur dhe cinike për të shfrytëzuar ligjin dhe aleancën e Turqisë me Shtetet e Bashkuara për larje hesapesh politike.
Lufta për pushtet, e cila shpërtheu vitin e shkuar, është ushqyer nga një skandal korrupsioni që ka zënë në kurth qeverinë Erdogan, shumë prej miqve të tij, e madje edhe djalin e tij. Regjistrime të bisedave telefonike që u publikuan në muajt e fundit shfaqin korrupsionin e përhapur në qeveri. Erdogani, dikur një lider premtues, është kthyer tashmë në gjithnjë e më autoritar, derisa ka arritur edhe të akuzojë se pas ndjekjes së një skandali të këtillë fshihet pikërisht rrjeti i ndjekësve të mendimtarit.
Në një intervistë që ai ka dhënë për PBS, në programin talk-show të Charlie Rose këtë javë, Erdogan tha se përgjimet e telefonatave ishin qartësisht ilegale dhe se ai priste që Shtetet e Bashkuara t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës së tij. Duhet theksuar se diçka e këtillë nuk është ende e mirëqenë.
Disa ekspertë thonë se nuk ka baza ligjore për një kërkesë ekstradimi, pasi në të vërtetë nuk ka as akuza apo çështje ligjore të hapura kundër Gylen-it në Turqi, i cili ka status të përhershëm rezidenti, dhe ka jetuar në Pensilvaninë rurale që prej vitit 1997. Ai u largua nga Turqia në vitet 1990, pasi u akuzua se kërkoi rrëzimin e një qeverie sekulare; ai i mohoi akuzat, të cilat u rrëzuan kur në pushtet erdhi kryeministri Erdogan. Fethullah Gylen ka një ndikim të gjerë në Turqi, ku përfshihen simpatizantë dhe aktivistë, të cilët kanë pozita në gjyqësor, polici dhe media. Por, ai ka mohuar t’i ketë inkurajuar ata për t’iu qepur nga pas hetimeve për aferat korruptive kundër kryeministrit Erdogan dhe aleatëve të tij.
Që SHBA-të të miratojnë një kërkesë ekstradimi, personi në fjalë të paktën duhet të akuzohet për një krim të njohur nga të dy juridiksionet, si dhe duhet të ketë një besim të arsyeshëm e të ndërsjellë, se është pikërisht personi në fjalë, ai që e ka shkelur ligjin. Duket e pamundur që ndonjë prej këtyre kushteve të ekzistojë. Uashingtoni nuk e ka konsideruar asnjëherë si kërcënim teologun dhe mendimtarin turk, në të kundërt ai nuk do ta kishte pasur mundësinë për të qëndruar në vend.
Deri më tani, administrata Obama ka refuzuar të komentojë publikisht mbi këtë çështje, e cila ka potencialin të shkaktojë tensione të reja serioze dhe të panevojshme me Turqinë. Do të ishte abuzim me ligjin e ekstradimit, që ta përdorësh atë për arsye politike. Erdogani duhet ta luftojë vetë betejën e tij politike.
- Publikuar më .