• Home
  • Nga Media
  • Lajmet
  • Mesazhi i dënimit dhe ngushëllimit i Fethullah Gylenit për vrasjet në Francë
Mesazhi i dënimit dhe ngushëllimit i Fethullah Gylenit për vrasjet në Francë

Mesazhi i dënimit dhe ngushëllimit i Fethullah Gylenit për vrasjet në Francë

Lajmi për vrasjen makabre të Samuel Paty në një nga lagjet e Parisit pak ditë më parë më pati hidhëruar thellësisht shumë. Fatkeqësisht, lajmi tjetër, se në një qytet tjetër francez ishin goditur për vdekje me thika pamëshirshëm tre persona të tjerë gjatë adhurimit në një hapësirë adhurimi të Zotit më ka lënë të tronditur. Dua ta shpreh haptas, se u mërzita edhe më shumë kur mësova se ata që i kishin kryer këto krime përdornin Islamin si argument duke lëshuar slogane fetare.

Është e kuptueshme se myslimanët, të cilët i besojnë dhe i respektojnë të gjithë profetët, që nga profeti Adem, presin që edhe të tjerët të tregojnë respekt ndaj Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi Të) dhe ndihen të ofenduar nga çdo shprehje apo paraqitje që tregon mungesë respekti ndaj Tij. Megjithatë ka shumë mënyra, si humanitare, ashtu edhe diplomatike dhe ligjore me të cilat mund t’i shprehin shqetësimet e tyre. Dhuna është e patolerueshme dhe e pajustifikueshme.

Cilidoqoftë besimi i saj, çdo qenie njerëzore është krijuar si diçka shumë e çmuar dhe çdo jetë njerëzore është e shenjtë. Një nënvlerësim kaq i madh i jetës njerëzore nuk mund të pajtohet dot kurrsesi as me njerëzoren, as me Islamin!

Jo vetëm kaq, por, pavarësisht qëllimit për të cilin përdoren, dhuna dhe ashpërsia nuk bëjnë pjesë në sjelljen e Profetit; edhe nëse një dhunë e tillë është ushtruar në emër të fesë, ajo bie ndesh me vlerat themelore të Islamit. Profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi Të) u është përgjigjur përherë me dashuri dhe butësi të gjithë atyre që e fyenin dhe i bënin padrejtësi, duke u përpjekur gjithmonë për zhdukjen e armiqësive.

Atëherë, kryerja e këtyre lloj monstruoziteteve në emër të Profetit është një shenjë e pastër se ata që i kanë kryer nuk kanë përfituar dot nga mesazhi i Profetit, që përqafon mbarë njerëzimin me dashuri. Në të njëjtën kohë, veprime të tilla janë edhe shfaqja më e madhe e mungesës së theksuar të respektit ndaj trashëgimisë së Tij.

Edhe në rastin e kësaj ndodhie të dhimbshme, unë i dënoj edhe njëherë të gjitha format e terrorizmit, pavarësisht se kush janë ata që e kryejnë, apo cili është qëllimi i tyre.

Këto lloj sulmesh provojnë edhe njëherë se ne kemi nevojë për ato ditë kur të gjithë të përqafojnë njëri-tjetrin, pavarësisht dallimeve që mund të kenë në besim, gjuhë, apo ngjyrë, dhe kur të gjithë i afrohen njëri-tjetrit me respekt dhe dashuri. Unë u shpreh ngushëllime njerëzve të dashur të atyre që humbën jetën si pasojë e këtyre sulmeve dhe dua të shpreh se ndaj dhimbjen me mbarë popullin e Francës dhe këdo që e konsideron veten një pjesëtar të familjes njerëzore.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.