Periudha çmendurie dhe krime kinse në emër të fesë

Fethullah Gylen: Periudha çmendurie dhe krime kinse në emër të fesë

Pas vrasjes së një ushtari britanik para pak ditësh në Londër, si dhe trazirat dhe debatet e shumta që pasuan këtë akt makabër, ka reaguar mendimtari i njohur Fethullah Gylen, i cili gjatë një bisede e ka cilësuar si të patolerueshme vrasjen e të pafajshmëve në emër të fesë, duke ritheksuar se aktet terroriste nuk mund të kenë kurrë lidhje me Islamin.

I nderuari Fethullah Gylen në bisedën e tij të publikuar në faqen fgulen.com, tregon se përgjatë historisë njerëzimi herë pas here ka përjetuar periudha çmendurie, dhe tërheq vëmendjen mbi arsyet dhe prapaskenat e këtyre çmendurive. Duke theksuar se të gjitha aktet e vetëvrasjeve dhe të vrasjeve të të pafajshmëve, pavarësisht autorit apo qëllimit, janë krime shumëdimensionale, më poshtë po paraqesim disa nga pikat më interesante të kësaj bisede. Të interesuarit mund ta ndjekin të plotë bisedën në gjuhën turke në faqen fgulen.com:

* Rrugët dhe metodat për të arritur një synim të drejtë dhe legjitim, duhet të jenë të drejta dhe legjitime. Të gjithë ata që i thonë vetes myslimanë, duhet të kenë synime të drejta, dhe të gjitha metodat dhe mënyrat që do tentojnë për të arritur synimin e tyre, duhet të jenë po të drejta e legjitime. Ashtu siç nuk mund të arrihet pëlqimi i Zotit dhe arritja te Zoti pa sinqeritet dhe principialitet, po ashtu, edhe shërbimi në emër të fesë dhe orientimi i myslimanëve në synime të vërteta, nuk mund të realizohet nëpërmjet mënyrave djallëzore. E gjithë bota mund të veprojë egërsisht, por besimtarët nuk mund/duhet të heqin dorë kurrë nga rruga e drejtë.

* Madje kur një krim konsiderohet si “i shenjtë” dhe kryhet në emër të fesë, kjo është akoma edhe më e rrezikshme dhe -nëse nuk realizohet qëllimshëm ose me kontrollin e ilaçeve apo të mendjes- autorët e tyre nuk do të shpëtojnë kurrsesi në botën e përtejme. Bombat e gjalla, edhe pse mund të supozojnë se gjithçka e kryejnë në emër të fesë, dhe i japin fund jetës duke thënë “Lâ ilahe il’lallah”, në radhë të parë janë ata që do të zbresin në zgrip të Xhehenemit. Sepse, qoftë në kohë lufte, qoftë në kohë paqe, Islami i ka parashikuar shumë qartazi dhe me rregulla të gjitha hapat që mund të ndërmerren. Ashtu sikurse në periudhë paqeje askush nuk mund të shpallë i vetëm luftë duke vrarë njerëz, po ashtu, edhe në çastet e nxehta të luftës, askush nuk ka të drejtë të vrasë nga radhët armike fëmijë, gra e pleq. Thënë kjo, pavarësisht çdo këndvështrimi, sulmet vetëvrasëse, vetëshpërthimet me bomba dhe aktet të ngjashme terroriste, nuk mund të kenë kurrfarë lidhje me të qenit mysliman.

* Koha e afërme me kiametin është një periudhë çmendurie, e mbushur me fitne. Njerëzit me mend në kokë e që besojnë vërtetë në Zot, duhet që në periudha të këtilla të ruajnë ekuilibrat dhe për të mos i dhënë shkas çmendurive të turmave.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.