Radio BBC reportazh të gjerë rreth Lëvizjes Gylen
Kanali 4 i Radio BBC transmetoi para disa ditësh një reportazh të gjerë rreth Lëvizjes Gylen. Në të u paraqitën opinione të ndryshme rreth Lëvizjes nga shumë emra, vendas dhe të huaj, si dhe u konstatua ndikimi pozitiv i Lëvizjes në zhvillimin e Turqisë.
Programi nisi me pyetjen “Aspekti modern i Islamit apo një organizim me axhendë të fshehtë?” dhe u theksua se lëvizja ka një shtrirje të gjerë simpatie nga Kenia në Kazakistan. “Të frymëzuar nga një predikues xhamie, u ndërtuan mbi një mijë shkolla në më shumë se 130 shtete, institute të ndryshme, gazeta, TV, radio, universitet dhe një bankë”, tha gazetari Eduard Stourton pa fshehur habinë e tij, ndërkohë shtoi se “ky rrjet jashtëzakonisht i madh që s’ka të ngjashëm, nuk ka një organizim të dukshëm, as edhe një strukturë zyrtare. Madje nuk ka as edhe sistem anëtarësimi zyrtar”.
Stourton e prezantoi Gylenin si një lider karizmatik që thekson se Islami është fe e paqes dhe e vëllazërisë, duke i dhënë rëndësi të madhe arsimit, dialogut dhe punës së palodhur. Stourton vuri në dukje se ndjekësit e Gylenit hapën shkolla në vend të xhamive dhe zhvillojnë kudo në botë aktivitete të dialogut me njerëz nga kultura dhe fe të ndryshme. Ai përmendi se shkollat e frymëzuara nga Gyleni janë shumë moderne dhe të pajisur me teknologji të lartë. Pavarësisht se shkollat janë laike, mësuesit e këtyre shkollave nuk kanë vese si alkooli dhe duhani, duke luajtur rolin e “modelit” për nxënësit.
Në reportazhin që zgjati rreth 40 minuta, u fol edhe rreth TUSKON-it, Konfederatës së Biznesmenëve që u themelua nga dashamirës të Gylenit, mbi rolin e saj në ngritjen e urave tregtare bashkëpunuese në botë dhe për mbështetjen financiare që këta biznesmenë, anëtarë të TUSKON, i japin aktivitetit arsimor të Lëvizjes. Sipas gazetarit, Gyleni ka nxitur biznesmenët të zgjerojnë vizionin e tyre tregtar duke i shtyrë të hapen edhe me botën, madje “pretendohet se Gyleni ka ndikuar që biznesmenët përkrahës të Lëvizjes të rrisin eksportin e Turqisë”.
Në reportazh u diskutua rreth hipotezave të afrimitetit të medieve të afërta me Gylenin me partinë në pushtet, si dhe roli i lëvizjes në politikë, burokraci dhe në jetën sociale. Stourton theksoi se gazetarët Hanefi Avci dhe Ahmet Sik u arrestuan për mbështetjen e tyre ndaj grushteve ushtarake dhe jo rreth librave kundra Gylenit sikundër supozohet.
“Pika e vetme e përbashkët ku dashamirësit dhe kundërshtarët ndajnë të njëjtin mendim është se Lëvizja vazhdon rrugëtimin e saj brenda dhe jashtë Turqisë duke u rritur dhe forcuar”, thuhet në fund të reportazhit.
- Publikuar më .