Universaliteti i filozofisë së Gylenit
Çdo kohë e mbrapshtë që kalon, lë pas edhe një varg paragjykimesh të cilat duhen mposhtur e davaritur për të zgjeruar hapësirën e demokracisë dhe qytetërimit. Njëri prej këtyre paragjykimeve, i shpërndarë intensivisht jo vetëm prej ideologjisë dhe politikës së totalitarizmit, por edhe nga disa drejtime të tjera, madje edhe në ditët tona, është ai që konsideron vetëm filozofinë perëndimore si vatrën e vetme ku ndizen e piqen të tilla mendime, duke mohuar ose venitur e zbehur gjithçka që kultivohet veçanërisht në vendet e lindjes dhe të lindjes së largme.
Mirëpo mjafton të shfletosh një histori të vërtetë të kulturës dhe qytetërimit botëror dhe, lehtësisht mund të bindesh përmes faktesh dhe emrash të shumtë se djepet fillestare ku u vendos dhe u përkund mendimi filozofik, kanë qenë pikërisht ato vende. Dhe ashtu si njeriu tashmë i rritur apo i moshuar që nuk e harron kurrë vendlindjen, ashtu edhe poezia dhe filozofia vazhdojnë të jenë pjellore edhe në ato vende, por edhe të frymëzuara më së shumti nga jeta, bota, besimet dhe traditat e hershme filozofike që gjenden në ato anë.
Lindja nuk është shumë e pasur vetëm me naftë, minerale, ar dhe gurë të çmuar. Është po kaq e pasur në traditën poetike, filozofike, në mitologji, fe, besime, të përhapura në të gjithë globin.
Fethullah Gylen është një fenomen tjetër, bashkëkohor, që dëshmon përmes një fuqie tronditëse përtëritjen filozofike që vjen nga këto tradita e komunitete dhe që në sajë të dimensioneve të gjera dhe thellësisë së tij interpretative dhe argumentuese, kthehet që për së gjalli, në një personalitet të shkallës së parë, në një mendimtar sa origjinal, aq edhe të guximshëm, në një dijetar që bashkon mendimin me aksionin konkret, që për hir të vlerave, fiton ditë për ditë një njohje më të madhe përmes një lumi botimesh dhe ribotimesh të librave, artikujve, fjalimeve dhe intervistave të tij.
Shtëpia Botuese “Prizmi” ka përkthyer deri më tash mëse 15 libra të Gylenit. Të tjerë libra po vazhdojnë të përkthehen intensivisht, sepse biblioteka e veprave origjinale të Gylenit, përmban më shumë se pesëdhjetë vëllime të botuara e të përkthyera në shumë gjuhë. Sigurisht, një mendimtar, filozof, apo shkrimtar, asnjëherë nuk bëhet i famshëm dhe universal ngaqë ka botuar shumë libra. Është cilësia e tyre, thellësia e gjykimit dhe e interpretimit që e bëjnë atë të shumëkërkuar, të shumëpërkthyer dhe të shumëdiskutuar. Dihet se shkencat dhe filozofia nuk kanë shtrirje të ngushtë kombëtare, ato ose kanë vlerë universale dhe kësisoji u interesojnë të gjithë njerëzve të globit, ose janë vetëm dukje të shkencave të mësipërme dhe siç lindin, shuhen.
Dukuritë që Gylen analizon, interpreton, argumenton në veprat e tij janë të interesueshme për çdo njeri të globit tokësor. Ai mediton për dukuri të tilla universale e të përjetshme siç janë ekzistenca dhe ndryshimet e saj të vazhdueshme, kontradiksionet dhe kundërtitë që përftohen në të, burimet zanafillore të ekzistimit dhe impulset dialektike, larmitë e llojllojshme të ekzistimit dhe thelbi i veçantë i çdo ekzistence. Një vend shumë i veçantë në këto libra i përket ekzistencës njerëzore dhe veçorive specifike që e karakterizojnë atë në vazhdimësi dhe në stade të veçanta.
Gyleni është edhe filozof i lëndës, materies dhe filozof i ekzistencës njerëzore. Kjo e dyta vendoset tek ai në fokus, ndaj mund edhe ta përcaktojmë më shumë si një filozof universal të historisë, sociologjisë dhe moralit njerëzor. Filozofia e tij ka në qendër, në ballë dhe gjithandej, njeriun dhe njerëzimin. Njeriun historik dhe njeriun bashkëkohor. Njeriun në metafizikën dhe dialektikën që ai përfton. Njeriun si individ i papërsëritshëm dhe si qelizë e trupit të madh të gjithë njerëzimit.
Gyleni e studion këtë njeri nga shumë aspekte të rëndësishme. Si produkt hereditar dhe gjenetik i të tjerëve dhe si një vetvete që synon të endë biografinë e tij brenda mjedisit gjithënjerëzor. Njeriu i Gylenit, cilidoqoftë ai, nuk dallohet as nga kontinenti ku ndodhet, as nga stadi institucional që i ka dhënë atij disa të drejta dhe detyrime. Njeriu i tij, është frymori i zhveshur nga grada, ofiqi, prosperiteti, reputacioni, lidhjet, etj. Është njeriu që para së gjithash ka për detyrë të kryejë sa më pastërtisht misionin ndaj Zotit, vetvetes, ekzistencës, udhëtimit që kryen.
Në këtë rrjedhë të pashtershme meditacioni filozofik e gjen veten shumëkush, lindori dhe perëndimori, intelektuali erudit dhe njeriu i zakonshëm që zotëron vetëm disa koncepte dhe njohuri, i kamuri dhe i varfri, i fuqishmi dhe i shtypuri. Ky auditor me dimensione sa vetë globi është i tillë, sepse Gyleni përqendrohet më së pari te koncepte të tilla filozofike, siç janë ekzistenca dhe vazhdimësia, vetëdija gjithënjerëzore dhe ndryshimi i saj nëpër udhëtimin historik, raportet shumë të ndërlikuara trup-shpirt, gjenetika, herediti dhe e reja e çdo brezi njerëzor, vendi i individit, cilidoqoftë ky, në shoqëri dhe kuptimi i shoqërisë brenda vetëdijes së tij, kontradiksioni i përhershëm si element thelbësor i dialektikës dhe konfliktualiteti historik njerëzor, i ardhur më së shumti nga vetëdijet anakronike, “modelet e arnuara”, “shkatërrimi i personit” dhe plot sindroma të tjera të ruajtura tepër gjatë.
Gyleni nuk flet me emra të përveçëm, por shumëkush që i lexon me vëmendje radhët e librave të tij, e ndjen mizën nën kësulë dhe të përfshirë në kategoritë e gjykimit të tij. Nuk i interesojnë të përveçmit, të nominuarit, të strehuarit nën kupola titujsh, ofiqesh, gradash. I intereson në radhë të parë njeriu, individi njerëzor brenda tyre. Kuptimi dhe dimensionet njerëzore të këtij individi janë gjithçka për filozofin. “Ti duaje njeriun, mahnitu pas njerëzores!” është kredo e përhershme e Gylenit.
Dashuria dhe përkushtimi për njeriun e kanë bërë filozofin e madh që me stilin e të gjitha librave të tij të jetë i thjeshtë, tërësisht i kuptueshëm dhe i ngrohtë. Sepse kush e do njeriun pafundësisht, nuk ka mundësi të jetë i paqartë.
Dashuria për njeriun dhe njerëzoren ka nevojë të kultivohet e mëkohet nga lindja në vdekje, ka nevojë të kthehet në një humanist genetik, sepse njerëzit janë gatuar të tillë që mund t'i ruajnë por edhe t'i trashëgojnë dhuntitë, përvojat e mbrapshta që shfaqen me aq shumë tepricë në histori, deri në kohët e sotme, e vënë filozofin në kërkim. Nga lindin kaq shumë konfliktualitete, përse ende, kaq shumë përplasje, antagonizëm, dhunë! Përse kaq e gjallë dhe mjerisht vitale, trashëgimia negative!
Ky kërkim ngulmues e bën filozofin të kthejë vështrimin pas, në thellësi të shekujve, jo për të mbetur aty, si njeriu që i skadon afati i pasaportës dhe i lejes së qarkullimit, por për të gjetur ato plagë që vazhdimisht kanë hapur plagë, kanë qenë përherë të mallkuara dhe i kanë shpërndarë dhimbje therëse nëpër tërë trupin e shoqërisë njerëzore. Në këtë kërkim me synime shumë të qarta, ai vëzhgon me shumë përqendrim edhe melhemet qetësues dhe shërues të përdorur nga njerëzimi. Në këtë kërkim shumë serioz arrin të zbulojë por edhe të përcaktojë rolin e besimit jo te individë rastësor që gllabërojnë administratat dhe institucionet e shtëpive të Zotit, por vazhdimisht te porositë e kumtuara prej tij në Kur'an.
Aspekti material dhe aspekti shpirtëror lipset të jenë në një ekuilibër, përndryshe udhëtari e humbet baraspeshimin dhe gremiset, ashtu si një kalë, që i ngarkuar rëndshëm vetëm në njërën anë nuk mund të bëjë asnjë qind hapa udhë. Mirëpo në shoqëritë e sotme, qoftë edhe në ato më të zhvilluarat, ky ekuilibër është prishur keq dhe kësisoji baraspeshimi mungon tërësisht dhe institucionet, sado të forta të duken janë të gërryera së brendshmi. Përse? Sepse vërtet institucionet kinse drejtohen nga paketat ligjore dhe statutet përkatëse. Por këto të fundit ndërvaren tërësisht nga individët, që duke anuar kryesisht te materialja, lëndorja, fiziologjikja, lënë pas dore shpirtëroren, aq të nevojshme për ekuilibrat socialë.
E gjithë filozofia e Fethullah Gylenit potencon me shumë forcë individin e gjithpërgjegjshëm, që duke i dalë për zot vetvetes, pra, duke ruajtur ekuilibret shpirtërore-materiale brenda tij, mund të ndikojë edhe në ekuilibret e mjediseve dhe gjithë hapësirave ku ai lëviz. A është e mundshme diçka e tillë? Pra, e shprehur në mënyrën më konkrete, a mundet që individi, te ruajë ekuilibret dhe të bëhet bartës idealesh, veprimesh dhe qëndrimesh pozitive?
Për Gylenin kjo përpjekje dhe ky afirmim i së mirës është i mundshëm, sepse individi, udhëtari i papërsëritshëm, në jetë dhe udhën që përshkon nuk është as i vetëm dhe as i paorientuar. Planeti tashmë i ka vendosur shumë drita dhe shumë piketa në udhën që duhet të përshkojë ai. “Kriteret ose Dritat e Rrugës” nuk është ngushtësisht vetëm titulli i njërit prej librave të tij, por në radhë të parë një sintezë filozofike orientative, përgjithësuese që ka të bëjë vetëm më udhën dhe udhëtarin. “Njeriu është një udhëtar”. Por ai ecën nëpër atë udhë ku kalojnë e do të kalojnë edhe të tjerë. Nëse ky udhëtar cilidoqoftë ai, respekton vetveten, kodin e udhëtimit dhe guidën që kanë krijuar të mëparshmit, ai, jo vetëm që mund të udhëtojë mirë, duke i shmangur rreziqet dhe duke mos i shtuar ato përmes ecjes së tij të keqe, por i bie për detyrë të kujdeset edhe për vetë udhën. Të shtojë në të disa metra kalldrëm, të mbjellë disa pemë anës rrugës dhe të vendosë edhe ca drita të tjera që udha të jetë edhe më e ndriçuar.
Të gjithë këtë proces filozofi ynë, nuk e thjeshtëzon dhe as nuk e utopizon. Aq më tepër kur e di fort mirë se udhëtari i jetës, udhëtarët e jetës, rrojnë e gjallojnë kur “manipulimi me ndërgjegjen” është praktikë e gjithanshme, kur ekziston një “ kornizë e ngushtë për çdo njeri”, kur ende “urdhrat jepen në përputhje me çmendurinë e pushtetit”, kur “njerëzit sot janë ose kreditorë ose debitorë”, kur rekuizita dhe inventari prehistorik dhe historik i dhunës, përçudnimit, urrejtjes shfaqet gjithandej, kur edhe institucionet, madje edhe ato të feve e të besimit, i ka përfshirë në një masë të ndjeshme sëmundja dhe praktika arkaike e burokratizmit, administrativizmit dhe parazitizmit vanitoz.
Filozofi Gylen nuk është vetëm një erudit që lexon një mal me libra. Ai e merr informacionin në radhë të parë prej realitetit të gjallë. Me dhimbje, ai vëren se ka në botë shumë forca që bëjnë sehir edhe pse shumë “trëndafilishte po shkatërrohen”. Por ai vëren, dallon dhe afron të shumtit, ata që e konsiderojnë “dashurinë një mbret”, ata që me te drejtë e konsiderojnë vrasjen e një njeriu- vrasje të gjithë njerëzimit. Dhe këta të fundit, vetëm me gjuhën e tolerancës dhe të dashurisë do të ngadhënjejnë.
Ky referat është mbajtur nga ana e Pr. Dr. Adriatik Kallulli me rastin e promovimit të librit Dashuri & Tolerancë, në ambientet e Hotel Tirana më datë 14 Qershor 2006.
- Publikuar më .