Roli i elitave fetare në tolerancën religjioze dhe kulturore

"Ti bujk, ruaje parmendën tënde,
Kurse ne vendosim, kur të qesë kalli"
Josif Brodskij

Ripërtëritja e besimeve fetare nga hiri, fill pas rënies së komunizmit, ka patur po aq vështirësi sakundër edhe ngritja e shtyllave të një shoqërie të lirë, civile e demokratike. Pas një përndjekjeje e gjenocidi të pashembullt që iu bë strukturës gjysëmpatriarkale të shoqërisë shqiptare me përçarjen, nënshtrimin dhe survjeimin e frikshëm totalitar, nëpërmjet luftës famëkeqe të klasave, për hir të kryeveprës së socializmit "njeriut të ri", u krijua përshtypja se besimi në Zot nuk kthen më në tokën e monstrave dhe se me "njeriun e ri" shplarja dukej një proces i përfunduar. Kështu kishte vendosur komunizmi. Por një sentencë popullore thotë: "njeriu vendos, Zoti zhvendos". Kështu dhe rimëkëmbja e ngrehinës së besimit nisi nga gërmadhat e saj, në një gjendje bankroti të theksuar teologjik e doktrinor dhe me një sfond psikologjik të paragjykuar e indiferent. Nëse sot ne mund të mburremi me fuqinë e madhe ndikuese të komuniteteve religjioze në shoqëri, kjo padiskutim është vepra e atyre prijësve shpirtëror që mbajtën një barrë të madhe e të vështirë në lidhjet e humbura të njeriut me Zotin. Dhe hapja e shtigjeve gjithmonë, dihet, është po aq e rëndësishme sa dhe e atyre që i ftillojnë këto shtigje.

Megjithatë diskursi që më intereson në këtë kumtesë nuk ka të bëjë me dilemën "të jesh/të mos jesh", pasi ajo është tejkaluar me rënien e komunizmit; tani ajo ka të bëjë me një dilemë tjetër: "Si të jesh, duke mbetur vetvetja". Në situatën shoqërore postkomuniste jo gjithçka i sqaron ligji dhe kushtetuta demokratike, sepse rregullat dhe kushtetuta nuk mund të jenë "sendi në vetvete" jashtë një horizonti mental, social, politik, ideologjik dhe kulturor. Aq më tepër kur kemi të bëjmë me një receptim të rolit të fesë nga po ajo klasë që përbënte njeriun e ushqyer me mosbesimin, frikën, ambivalencën e identiteteve, rrjedhimisht me kontigjentin stereotip dërrmues të burokracive komuniste dhe mentalitetit komunist, i cili mentalitet, i përkthyer në liritë e përditshmërisë demokratike shpalos ekuivoke dhe nihilizma paradoksalë. Vetëdija e "njeriut të ri socialist" që është mësuar të arsyetojë me kategori polare që asgjësojnë njëra-tjetrën, përbën sfondin më të rrezikshëm për misionin paqësor të fesë në shoqërinë tonë. Vazhdimisht, përkundër përsëritjes proverbiale se "tri besimet në Shqipëri janë faktorë të paqes dhe tolerancës", kemi patur keqkuptime, qoftë të pavetëdijshme e të pavullnetshme, qoftë strategji të tëra provokacioni, me qëllimin e mbrapshtë për të provokuar situata konfliktuale ndërmjet besimeve ortodokse, katolike e myslimane.

Meqenëse ligjërata ime nuk do të merret hollësisht dhe me referenca të cituara për në një gamë gjithpërfshirëse faktesh, do të mjaftohem duke përmendur vetëm disa tipologji, tendenca dhe gjeste publike që ia vështirësojnë fesë misionin e saj të paqes dhe tolerancës në shoqëri.

Kam dëshirë, më së pari, t'ia nis me një aspiratë ideologjike kuzale, të cilën njeriut tonë ia pëshpërit politika nga mëngjezi në darkë, pra një vektor drejt të cilit duhet të tentojë të përmbushet misioni historik i shqiptarëve, që është Europa e bashkuar, alias BE. Vetvetiu njeriu nuk është i qetë, ndihet inferior, gjithmonë synimi mbetet larg, detyrat e shtepisë që ngarkon BE përmbushen keq dhe pakënaqësia pushton shpirtrat e shqiptarëve, aq sa kjo sindromë kombëtare na jep një asi brengosje të atillë metafizike, mu si të ishte fjala për një vashë të pabukur, e cila me gjithë pispillosjet e saj, nuk po ia del dot të tërheqë vëmendjen e djelmve të rinj: ata kalojnë indiferentë pranë saj, pa ia varur asnjë fije. Komplekset rriten dhe s'do mend, duhet gjetur shkaku, alibia, tersllëku. Është një proces psikologjik analog me arsyetimin komunist – një gjenealogji mendimi, e njëjtë me devizën "përpara deri në triumfin e plotë të komunizmit!" Por, gjithmonë, gjithmonë, në turravrapin tonë të çmendur e krejt të pasuksseshëm, ferrë nëpër këmbë na bëheshin klasat e përmbysura, kulakët, armiqtë e popullit që na sabotonin... me syrin e keq. Dhe armiku s'pushoi së shpikuri si alibi e përjetshme. Çfarë ka ndodhur në realitetin tonë të stërzgjatur postkomunist? E njëjta gjë. Situata është shpërngulur: deviza "drejt komunizmit" si paradigmë ideologjike është zëvendësuar me devizën "para drejt BE". Dhe fakti që drejt BE po vonohemi, kjo do të thotë se ferrë nëpër këmbë na bëhem domosdo një armik sabotator, si ai i djeshmi në komunizëm (dhe po të ishte ndërrmarrë kjo devizë gjatë komunizmit, me siguri armiku do të kishte qenë po ai). Veçse tani armiku i restauruar është pak si tjetër: ai shkon në xhami! Atij i është caktuar roli në paradigmën e re ideologjike, në ideologjizmin e ri. Besimtarët myslimanë kanë zëvendësuar klasat e përmbysura dhe së këndejmi ata janë kontigjenti i deklasuar!

Kështu na janë shpikur principe të reja, institucione të tëra të shoqërisë politike e civile, shoqata e individë mediatikë, të cilët, me lupë në dorë bëjnë me zell punën e gjurmuesit, kontestuesit, interpretuesit, derisa të shpallin përfundimisht "syrin e keq", "armikun e përbashkët të integrimit tonë në Europë", pasi kanë zënë se, robi i Zotit ka marrë pjesë në një konferencë të vendeve islamike, shoqërohet me besimtarë myslimanë, përdor shprehje apo sentenca të profetit Muhamed a.s, apo thjesht, vishet me ndonjë rrobë jeshile. (Kjo e fundit më ka ngjarë personalisht gjatë një darke, për fat të keq, me njerëz të kulturës, duke u përqendruar gjatë gjithë darkës në aludimet e simbolikës së ngjyrës). Natyrisht niveli infantil i paragjykimit të habit; natyrisht, paragjykime të tilla nuk mund të shqiptohen në instanca zyrtare, por një gjë është e ndjeshme, edhepse e nëndheshme: shoqëria jonë i ndërton polet e perceptimit me të njëjtën teknologji të ideologjizuar komuniste si dje dhe kjo është një trysni që pavullnetshëm e bën njeriun të kompleksuar, të irrituar, jo të qetë, pasi në një mënyrë a në një tjetër, imazhi i tij duhet të përfshihet në një korrnizë. Është një ndjeshmëri dhe kurreshti perverse, me të cilën ose duhet të përballesh i kompleksuar, duke "zhdavaritur" mjegullat e paragjykimit dhe të demonstrosh se je "polit-korrekt", ose t'i hysh një operacioni delikat e të rrezikshëm, duke shpjeguar, fjala vjen, që po, jam besimtar mysliman, siç janë 2/3 e popullsisë, por kjo nuk ka lidhje me alarmin tënd hipotetik, se duke qenë i tillë, jam "armik" i supozuar i integrimit tonë të mundshëm në BE.

Sfondi që konturova gjer më tash na jep dorë të meditojmë mbi një gjë thelbësore, atë se sa e vështirë është sot për besimtarin rishtar mysliman të hyjë në lidhje me besimin e tij në një tokë paragjykimesh dhe se çfarë force i duhet atij të përballojë një faturë të paparashikuar në veprimtarinë e vet profesionale, që, gjithësesi, realizohet në një socium të tillë, aspak mikpritës.

Nuk mendoj se jam duke e ekzagjeruar tablonë, nëse e përdor përsëri kollaren time jeshile. E vërteta është se, ndërsa lexoja një raport mbi veprimtarinë vjetore të TVSH-së në parlamentin tonë, deputeti i PS-së Erion Braçe u ngrit dhe, duke dalë, u bëri thirrje të tjerëve: "Ç'e dëgjoni atë fundamentalist!". Natyrisht u interesova me ndërmjetësinë e një miku ta dija, se çfarë kishte parasysh deputeti me atë thirrje? Përgjigja e tij: "nuk e pe që kishte vënë kollare jeshile?"

Por në qoftëse realiteti ynë profan është i përshkuar nga paragjykime të tilla, atëherë gjithë besimi "i deklasuar" mysliman është i ekspozuar ndaj çdo lloj arbitrariteti dhe provokimi të mundshëm; atëherë çdo tentativë e sinqertë për të sqaruar lidhjet me thelbin e çdo keqkuptimi, do të jetë e keqkuptuar para se të nisë, për arsye se besimtari niset nga argumenta të natyrës sakrale, ndërsa ateisti – nga argumenta të natyrës profane. Kësisoj kekuptimi dhe mosmarrëveshja janë të sigurta, sukndër ndodh shpesh në polemikat mediatike (një model i saktë i kësaj mosdashjeje e moskuptimi ka qenë përshembull polemika e Milazim Krasniqit me Menduh Thaçin në gazetën "Shekulli", ku Krasniqit nuk iu dha as e drejta elementare e botimit të përgjigjies). Kultura e dialogut për çështjet ndërfetare duhet të zhvillohet midis intelektualeve të qarqeve tona fetare, kurrësesi me ateistë dhe militantë të ideve profane.

Perceptimi si i "deklasuar" për besimin islam në Shqipëri, përveç arrogancës dhe demagogjisë, fyen dhe komplekson sensibilitete të gjëra fetare. Institucionet shtetërore përdorin standarte të dyfishta karshi myslimanëve. Nga njëra anë retorika zyrtare përmbush në mënyrë protokollare nderimin e komunitetit mysliman nëpër festa e kalendarë festivë, duke theksuar paqen karakteristike islame, nga ana tjetër po këta besimtarë i fyen kur, mban me arrest shtëpie besimtarë të shteteve arabe, sa herë në aeroportin e rinasit vjen ndonjë politikan perëndimor, duke shkaktuar një gjest semiotik poshtërues për sivallain besimtar shqiptar.

Natyra e debatit apo dialogut religjioz në Shqipëri ka krijuar një traditë të shëmtuar, artificiale e të pasinqertë. Mbahen konferenca kombëtare e ndërkombëtare për tolerancën fetare në Shqipëri, por paradoksi ka të bëjë se institucionet, shoqatat dhe personat që i organizojnë dhe i drejtojnë janë ateistë të vetëshpallur me mburrje. Si mundet që shembulli më brutal i intolerancës fetare, ateisti, mohuesi i Zotit, të na bëhet tolerat, duke thirrur një konferencë, madje Ndërkombëtare? Si mundet që, ai që vazhdon ta quaj fenë me sentencën e Marksit "opium për popullin", t'i ofrojë popullit në një panair ndërkombëtar, pikërisht "opium"? Ndoshta antropoidi ynë ka bërë goxha evolucion duke u orientuar mirë në çmimet e larta të trafikut të narkotikëve...

Rrëzikshmëria e tërheqjes në debat publik nëpërmjet mediave të shkruara apo studiove televizive qëndron në intencën e precedenteve të krijuar enkas. Kështu, për shembull, do të keni vënë re një kontradiktë tepër të njohur në debatet televizive, sa herë ndodh precedenti. Për shembull, marrim dukurinë provokative të kryqeve majë kodrave, të cilët kanë veçse një qëllim: të provokojnë ndjenjat e besimtarëve myslimanë në formën më primitive, që është vizualja, e cila sundon hapësirën pamore të një besimi tjetër. Ftohen në studio përfaqësues nga komuniteti mysliman dhe ata duhet të përballojnë logjikën e gazetarit dhe oponentëve të tjerë që s'kanë lidhje me besimin. Kështu që përftohet një bisedë në gjuhë të ndryshme.

Një ndër mjetet e shpeshta të provokimit publik është mosrespektimi i të drejtës individuale të besimtarit për të mbajtur simbolet, e në rastet më të përsëritura janë ferexhetë e studenteve në auditoret e universiteteve tona, (duke llogariritur këtu edhe rastin më të freskët që ndodhi në fund të vitit të kaluar në Universitetin e Durrësit).

Natyrisht përplasja në studion televizive të besimtarëve me gazetarët ateistë, do ta absurdizojë në ekstrem problemin, duke shkaktuar gjithmonë palët pro dhe kundra tek shikuesi sipas binomit kundërvënës besimtar/ateistë dhe duke prodhuar gjithmonë të njëjtën situatë: Mustafa Nano nuk do ta kuptojë kurrë Ervin Hatibin (më sak, nuk do ta ndjejë), për rrjedhojë ata do të debatojnë në gjuhë krejt të ndryshme.

Në këto kushte kur teknologjia e manipulimit të imazhit, e fabrikimit të perceptimeve dhe mandej, intenca e hapët e provokimit mund të shkaktojë artificialisht përplasje konfliktuale midis feve në Shqipëri, atëherë do të dalë, shpresoj vetvetiut nevoja e madhe për të folur me një gjuhë të njëjtë, nëse do të duam që gjykimi të ruajë atë mirëkuptim e tolerancë, atë harmoni të shumëçmuar fetare që kemi, pra duhet që palët në debat të jenë elitat fetare intelektuale. Vetëm elitat e qarqeve tona fetare mund të diskutojnë, duke u nisur me përunjeje e përdëllim, me brishtësi e thellësi, me dije e argumenta në një gjuhë të kuptueshme e konstruktive, që është gjuha e Zotit Një.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.