Mirekuptimi

MirekuptimiNjerëzit janë krijesa të lindura me atributet dhe dobësitë e tyre. Deri sa u shfaq njeriu i parë, nuk gjallonin krijesa që mbartnin kundërshti të tilla brenda natyrës së tyre. Në të njëjtën kohë që qeniet njerëzore përplasin flatrat në qiellin e parajsës, ata mund, me një shmangie të papritur, të bëhen përbindësha që lëshohen në guvën e ferrit. Eshtë e kotë të vështrosh për ndonjë marrëdhënie midis këtyre ulje ngritjeve të frikshme, ato janë ekstreme sepse shkaku dhe efekti i tyre zënë vend në një plan shumë të ndryshëm.

Shpesh njerëzit janë si një fushë me grurë përulur nga era, në momente të tjera, ndonëse paraqiten plot dinjitet si një rrap i moçëm, ata mund të shemben përdhe, pa mundur të ngrihen përsëri. Ashtu siç nuk janë të pakta momentet kur engjëjt i kanë zili, po ashtu nuk janë të pakta dhe çastet kur djajtë shokohen nga sjellja e tyre.

Për njerëzit, natyra e të cilëve pëson shumë ulje e ngritje, kjo është e pashmangshme edhe nëse angazhimi i së keqes nuk është në natyrën e tyre. Edhe po qe se jeta e tyre njolloset aksidentalisht, është e papëlqyer. Për një krijesë e cila është nisur për të prishur emrin e mirë të saj, mirëkuptimi është diçka e pamundur.

Ndonëse është e çmueshme të kërkosh dhe të presësh mirëkuptim dhe të vajtosh për gjërat që na janë përvjedhur, të jesh i mëshirshëm është më shumë se një atribut dhe virtyt. Eshtë e gabuar të mendosh se mirëkuptimi shfaqet tek njerëzit pa virtyte, po ashtu siç është e gabuar të mendosh që virtytet bashkëjetojnë tek njerëzit pa mirëkuptim. Siç dihet fjala e urtë thotë: “Të gabosh, është njerëzore, të falësh është hyjnore!” Dhe si mund të shprehej më bukur se kaq! Krijesa që fal, synon krijesën e korrigjuar, përmbahet në kthimin në esencën tonë dhe rigjetjen e vetes sonë përsëri. Për këtë arsye, veprimi më i pëlqyeshëm në sytë e Mëshirës së Pafund është çdo aktivitet i ndjekur në mes të drithërimave për këtë kthim dhe kërkim.

Gjithçka për krijesat, në jetë ose jo, është paraqitur me anë të mirëkuptimit përmes humanitetit. Pikërisht siç Zoti shfaq atributet e Tij me anë të mirëkuptimit përmes humanitetit, Ai gjithashtu ngulit bukurinë e mirëkuptimit në zemrat e njerëzve. Ndërsa njeriu i parë lëshoi një goditje në esencën e tij nga gabimi i kryer, diçka pothuajse e pashmangshme për natyrën e tij humane, mirëkuptimi i erdhi nga qiejt sepse ai e ndjeu pendimin në ndërgjegjen e tij dhe sepse lutjet e tij ishin të sinqerta.

Njerëzit kanë dhunti të ruajtura, të tilla si shpresa dhe ngushëllimi që i kanë trashëguar prej paraardhësve nëpër shekuj. Sa herë që njerëzit gabojnë, nga ngjitja në transportuesin magjik në kërkim të mirëkuptimit dhe prej mposhtjes së turpit të shkaktuar nga mëkatet e tyre dhe të dëshpërimit si pasojë e veprimeve të tyre, ata janë të aftë të fitojnë mëshirë pa kufi dhe kanë treguar fisnikërinë që është ngatërruar në perden e syve të tyre me mëkatet e të tjerëve.

Në sajë të shpresës së tyre për mirëkuptim, njerëzit mund të ngrihen mbi retë e errëta që kërcënojnë horizontin e tyre dhe të gjuajnë mundësinë për të parë me lehtësi botën e tyre. Këta fatbardhë që janë të vetëdijshëm për krahët e ngritura për mirëkuptim, kalojnë jetën në mes melodive që gëzojnë shpirtrat e tyre.

Për njerëzit që kanë dhënë zemrat e tyre në kërkim të mirëkuptimit është e pamundur të mos mendojnë për faljen e të tjerëve. Pikërisht siç dëshirojnë të jenë falur, ata gjithashtu dëshirojnë të falin. A është e mundur që dikush të mos falë nëse e di që shpëtimi prej zjarrit të vuajtjeve shkaktuar prej gabimeve të tij ose asaj është i mundur duke pirë thellë në lumin e mirëkuptimit? Eshtë e mundur për njerëzit të mos falin nëse ata e dinë që rruga për të qenë i falur kalon përmes aktit të faljes?

Ata që falin janë nderuar me mirëkuptim. Një njeri që nuk di të falë, nuk mund të shpresojë të jetë i falur. Ata që mbyllin rrugën e tolerancës, janë përbindësha që kanë humbur humanizmin e tyre. Këto monstra që nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë të prirur të largojnë vetveten nga mëkatet e tyre, kurrë nuk do të ndjehen të lehtësuar për mirëkuptim.

Jezus Krishti tregon për një turmë njerëzish që po prisnin duke mbajtur gurë në duar për të qëlluar një mëkatar. Ai u tha: "Nëse ndonjëri nga ju është i papërlyer me mëkat, le të qëllojë ai i pari me gurë."[1] A mundet që ndokush që ka një mëkat në ndërgjegjen e tij, të jetë akoma i prirur të qëllojë tjetrin nëse e ka kuptuar me të vërtetë këtë ide? Në qoftë se sot këta fatkeqë e kalojnë jetën e tyre duke goditur jetën e të tjerëve, testi i lakmuesit nuk ka për ta kuptuar këtë! Në fakt, nëse arsyeja për të qëlluar një person është urrejtja dhe ligësia jonë, nëse është ky shkaku pse ne kemi dhënë gjykimin për të tjerët, atëherë është e pamundur ta japim këtë dënim për ta. E vërteta është se, po qe se nuk shkatërrojmë idhujt në egon tonë me të njëjtën kurajo si Abrahami, ne nuk do të jemi kurrë në gjendje të marrim një vendim të drejtë në emër të vetes sonë ose në emër të të tjerëve.

Mirëkuptimi ngrihet dhe arrin përsosjen përmes natyrës njerëzore. Në këtë këndvështrim, ne mund të dëshmojmë mirëkuptimin më të madh dhe tolerancën më të paqortueshme në shembujt më të rëndësishëm të humanitetit.

Urrejtja dhe ligësia janë farërat për ferrin që janë hedhur midis njerëzve nga shpirtrat e këqij. Ndryshe nga ata që nxisin urrejtjen dhe ligësinë dhe e kthejnë botën në një gropë ferri, ne duhet ta gjejmë këtë mirëkuptim dhe të nxitojmë të shpëtojmë njerëzit tanë që janë përballur me vështirësi të panumërta dhe që janë shtyrë vazhdimisht në drejtim të humnerës. Shekujt që sapo kemi kaluar, kanë qënë më të vështirët prej ekseseve të atyre që nuk njohin mirëkuptim dhe as pranojnë tolerancën. Eshtë e pamundur të mos jesh ftohur nga mendimi që këta fatkeqë mund të drejtojnë të ardhmen.

Për këtë arsye, dhurata më e madhe që gjenerata e sotme mund t'u japë fëmijëve, nipërve e mbesave të tyre është t'u mësojë se si të falin, të falin edhe kur përballen me sjelljen më të keqe ose në rrethanat më shqetësuese. Ndonëse, duke menduar për faljen e monstrave, njerëzve të ligj që gëzohen me vuajtjet e të tjerëve, mund të mos respektohet vetë ideja e mirëkuptimit. Ne nuk kemi të drejtë t'i falim ata, falja e tyre mund të jetë mosrespekt për njerëzimin. Unë nuk besoj që ekziston mundësia që ndokush mund ta kuptojë aktin që është mosrespekt për mirëkuptimin si një zhvillim të pranueshëm.

Një gjeneratë e cila është rritur me një të kaluar kryesisht nën një ndikim armiqësor të vazhdueshëm, vështron pa ndërprerje tmerr dhe brutalitet në botën e errët në të cilën ajo gjendet. Ata shohin gjak dhe qelb jo vetëm në natën e errët, por dhe gjatë ditës me diell. Çfarë mund të jetë mësuar prej një shoqërie së cilës zëri, fryma, mendja, dhe buzëqeshja i janë molepsur prej gjakut? Gjithçka i është dhënë kësaj gjenerate është në kundërshtim të plotë me çfarë ne kemi nevojë dhe çfarë ne dëshirojmë. Ky brez jeton në një botë tjetër, nxitur prej vitesh nga mospërfillja dhe prej mendimeve të gabuara, pështjellimi dhe rebelimi shkaktuar prej tyre krijon një përmbytje. Nëse vetëm tani ne mund t'i kemi kuptuar ata. Sa keq! Ku ka qenë më parë mendjemprehtësia jonë?

Ne besojmë që mirëkuptimi dhe toleranca do të shërojnë shumë prej plagëve tona, vetëm nëse ky instrument hyjnor do të jetë në duart e atyre që e kuptojnë gjuhën e tij. Në të kundërt, metodat e gabuara të sjelljes dhe trajtimit, siç ka ndodhur deri tani, do të shkaktojnë shumë ndërlikime dhe vetëm do të na e ngatërrojnë punën që tani.

Diagnostikoni sëmundjen, atëherë filloni ta trajtoni atë;
A keni menduar ndonjë melhem që do të jetë shërim për çdo plagë?
Zija Pasha[2]


[*] Ky artikull është shkruar në vitin 1980 dhe origjinali i tij përmbahet në vëllimin Çag ve Nesil (Koha dhe brezi), Kaynak, Izmir, 2003, botimi i parë, f. 57-60.

[1] Ungjilli i shën Gjonit, kapitulli 8, sentenca 7.

[2] Zija Pasha (vd. 1880), figurë letrare me influencë e shek. XIX, anëtar dhe mbrojtës i Turqve të Rinj, organizatë e fshehtë e formuar në Stamboll në vitin 1865.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.