Pa Duar Kunder Atyre qe ju Qellojne, pa Fjale Kunder Atyre qe ju Mallkojne

Nga dita që Fondacioni i Gazetarëve dhe Shkrimtarëve është krijuar e deri më sot, edhe nëse gjërat nuk kanë shkuar gjithmonë ashtu siç duam ne, mund të themi që Fondacioni ka organizuar gjithmonë veprimtari të rëndësishme. Por për disa shkaqe unë nuk kam qenë në gjendje të marr pjesë në ndonjë prej tyre. Për këtë arsye, unë nuk pretendoj të kem pjesë në këtë sukses.

Për shembull, Fondacioni ka sjellë futbollistët më të mirë të botës këtu dhe të ardhurat e mbledhura prej tyre kanë shërbyer si ndihmë për Bosnjën. Për çdo vit ka mbledhur së bashku grupe të ndryshme, siç jemi mbledhur këtu sonte, për të diskutuar për tema të larmishme, që më së paku i shërbejnë shkëmbimit të ideve. Fondacioni ka sugjeruar për temat që do të diskutohen, pa u përqëndruar në idetë dhe opinionet personale. Dhe si rezultat, ne e kemi parë me sytë tanë që këtu nuk ka asnjë motiv për të frikësuar njëri-tjetrin, dhe gjithsecili mund të takohet me këdo që dëshiron. Nëse ne nuk kemi qenë të aftë të mblidhemi më parë si këtu sonte, kjo ka ndodhur vetëm për shkak të hipotezave tona të gabuara, dhe si rezultat, kemi lënë pas dore këtë përgjegjësi të rëndësishme ndaj njëri-tjetrit.

Fondacioni i Gazetarëve dhe Shkrimtarëve është i njohur në Turqi më së shumti si një përfaqësues i tolerancës. Në fakt, ai e ka identifikuar veten me tolerancën. Kur Fondacioni është zënë në gojë, toleranca është fjala që e ka pasuar atë. Në të vërtetë, imazhi i Fondacionit ka krijuar shumë xhelozi tek grupimet e tjera që janë formuar. Tani, për fat, gjithsecili është duke kënduar të njëjtën këngë. Për këtë arsye, unë besoj që toleranca do të përhapet shumë shpejt në masat e gjera, do të shpërndahet në të gjithë vendin dhe, siç tha një artist, ne do të jemi të aftë të ecim së bashku krah për krah, me zemrat dhe duart të bashkuara drejt "një të ardhmeje të lumtur" me dëshirën e Zotit.

Kur Profeti po vdiste dhe ishte nisur për në botën tjetër, tha:

Unë po e lë në besën tuaj Popullin e Librit, Krishterët dhe Çifutët.[1]

Kur Omeri u qëllua me thikë dhe gjendej në shtratin e vdekjes, njoftoi:

Unë po e lë Popullin e librit që gjendet midis nesh, në besën tuaj. Frikësojuni Zotit në lidhje me ta dhe silluni me drejtësi ndaj tyre.[2]

Pasi shpartalloi armiqtë në Malazgirt,[3] komandanti turk Sulltan Alparsllani[4] priti drejtuesit ushtarakë dhe udhëheqësit e kampit kundërshtar në tendën e tij. Ai atëherë i përcolli ata duke u siguruar jetën për në kryeqytetin e tyre, Konstandinopojë (tani Stamboll), shoqëruar nga disa prej ushtarakëve të tij. Në Jerusalem, komandanti dhe udhëheqësi, Sulltan Salahaddin Ejubi, vajti një natë në çadrën e Riçardit, udhëheqësit të kryqëzatës, të shprehte dhimbjen e tij, pavarësisht se trupat e Riçardit kishin vrarë mijëra muslimanë.

Ne jemi fëmijët e një kulture që ka lindur me njerëz të tillë. Ne jemi trashëgimtarët e një kulture që ka përfshirë botën, që është më e plota dhe më universalja tolerancë. Ky koncept është përhapur sot si valët e detit, duke u shtrirë në të katër anët e botës. Unë jam plotësisht i bindur që vitet e ardhshme do të jenë vitet e tolerancës dhe dashurisë. Ne dëshirojmë ta sjellim botën në këto struktura dhe do ta realizojmë atë. Ne jo vetëm që nuk do të luftojmë kundër njerëzve tanë, por as kundër popujve të tjerë me kulturë, qytetërim, besim dhe botëkuptim të ndryshëm. Burimet dhe argumentet e konflikteve nuk do të kenë asnjë hapësirë dhe duke kuptuar edhe njëherë forcën e dashurisë, ne do të jemi në gjendje të hapim zemrat tona për të gjithë me dashuri dhe dhembshuri. Me ndihmën e Zotit, ne do të jemi në gjendje të koncentrohemi në çështjet e rëndësishme me dialog dhe tolerancë, çështje për të cilat bota e sotme ka shumë nevojë.

Kur e vështrova z. Izetin Do¤an[5], m'u kujtua një ngjarje e rëndësishme në historinë islame. Duke përmendur harixhitët,[6] grupimin që u rebelua kundër regjimit të ligjshëm dhe u tubua në Nahravan për ta sulmuar atë, kalifi Ali tha: "Do të jetë e padrejtë nëse ne i sulmojmë përpara se ata të na sulmojnë ne!"

Ne jemi një shoqëri e edukuar me kulturën e udhëheqësve të tillë. Në një kohë që ne kemi nevojë më tepër se kurrë për tolerancë, me dëshirën e Zotit, çdo pjesë e shoqërisë duhet të hapë krahët për tolerancën dhe dashurinë, dhe çdo gjë e mirë që vjen prej tyre do të përhapet më shpejt se shpresat që ne kemi ushqyer në të gjitha drejtimet.

Ndoshta unë jam duke marrë shumë nga koha juaj, por nuk mund të qëndroj pa shprehur të gjitha shqetësimet që kam. Shoqëria turke, e cila ndjehet e pikëlluar nga konfliktet e brendshme në këto kohë, është duke pritur tolerancë. Pasi ta ketë gjetur atë, kur të jetë bërë një hap drejt saj, shoqëria do t'i përgjigjet duke hedhur tre hapa përpara. Por gjithashtu është e kuptueshme që ca persona të dobët dhe të parëndësishëm, me fjalët boshe dhe me tërbimin e shfaqur, kanë treguar paqëndrueshmërinë dhe karakterin e tyre si krijesa që synojnë vetëm shkatërrimin, mashtrues në pritë për të sulmuar tolerancën, duke u orvatur të hedhin në erë urat që na lidhin me dialogun. Ne dëshirojmë një faqe të re në historinë tonë tani. Shoqëria jonë, e cila ka kaluar përmes shumë sfidave, do ta përballojë këtë provë të së ardhmes me solidaritet mes individëve dhe do të kapërcejë çdo pengesë në udhën e harmonisë sociale.

Ajo që ne po kërkojmë është shumë e çmueshme. Synimi ynë për tolerancë dhe dialog që dëshirojmë të arrijmë, do të jetë shumë i kushtueshëm. Ashtu siç nuk është e lehtë të sigurosh gjërat e çmuara e të veçanta, gjithashtu është e vështirë t'i mbrosh ato kur sapo ia ke arritur qëllimit. Arritja e harmonisë shoqërore përmes dialogut dhe tolerancës është një çështje për finalizimin e dy gjërave të çmueshme në radhë për të përmbushur një të tretë. Zoti po na vë në provë në rrugë të ndryshme me qëllim që vlerësimi ynë të jetë maksimal për to dhe, në përputhje me qëndrimin tonë, të na nxisë për të qenë në shërbim të tyre. Ne do t'u qëndrojmë të gjitha provave duke qenë në të njëjtin mendim me poetin Junus Emre që thoshte:

Nëse ashpërsia vjen nga Zoti i Madhërishëm
ose bujaria nga Hiri i Tij,
të dyja janë gëzime për shpirtin.
Bekimi i Tij dhe zemërimi i Tij janë kënaqësi.

Ne duhet të jemi si qenie "pa duar kundër atyre që na qëllojnë dhe pa gjuhë kundër atyre që na mallkojnë." Edhe sikur ata të na e bëjnë trupin copa-copa, ne përsëri do të qëndrojmë të pathyer dhe do ta shtrëngojmë gjithsecilin me dashuri dhe dhembshuri. Dhe, me dashuri për njëri-tjetrin, ne do të ecim drejt së ardhmes.

Unë dëshiroj që kjo mbrëmje e gëzuar të jetë një mundësi për të gjallëruar mëshirën dhe mirëkuptimin. Ju përshëndes të gjithëve me respektin tim më të thellë.


* Kjo bisedë është mbajtur nga autori me rastin e ramazanit më 11 shkurt 1995 në një mbledhje organizuar nga Fondacioni i Gazetarëve dhe Shkrimtarëve.

[1] Ebu Davud, Imarat, 33; Muttaki el-Hindi, Kenzu'l-Ummal, IV, 362.

[2] Jahja bin Adem, Kitabu'l-Haraxh, 54.

[3] Eshtë fjala për betejën e Malazgirtit (Manzikert) në vitin 1071 mes perandorit bizantin Diogjeni IV dhe sulltanit selçuk Alparsllan.

[4] Sulltan Alparsllan (1032-1072), sulltan i famshëm selçuk.

[5] Dr. Izettin Do¤an (lindur më 1940), pedagog i drejtësisë dhe president aktual i Cem Vakf›, fondacion i qytetarëve alevitë turq.

[6] Grup minoritar që vrau kalifin Ali.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.