Besimi: Nje Perspektive e Veçante

Fjala "besim," në arabisht "iman", në strukturën e përshkrimeve ose nga këndvështrimi i shkencës dhe epistemiologjisë, vjen nga rrënja "emn u eman," që nënkupton të jesh i pacënuar nga frika, të besosh, të premtosh, të shpresosh, të sigurosh sigurinë për të tjerët. Të qënit i sigurt dhe i fuqishëm është domethënia e kësaj fjale. Besimtarët në Zot dëshmojnë ekzistencën e Tij duke e ndjerë këtë me zemër dhe duke e deklaruar edhe me gojë. Këto janë disa nga kuptimet e kësaj fjale nga pikpamja e traditës linguistike.

Një person që beson në Zot është quajtur mumin, besimtar. Një mumin është dëshmuesi dhe përfaqësuesi, baraz me përsosmërinë, i të gjithë karakteristikave të mësipërme. Këtu gjithashtu ne mund të flasim rreth lidhjes që ekziston në mes veprave dhe besimit, dhe nëse veprat janë përfshirë brenda përshkrimit të besimit, por për momentin nuk do të ndalemi në këtë pikë. Besimtarët janë në të vërtetë heronjtë e dëshmisë, kumtimit dhe përfaqësimit, me gjykimin e shëndoshë të tyre, me aftësitë për të vështruar, parë dhe kuptuar, me mendjen e kthjellët të ndriçuar nga revelimet, me mirëkuptimin e gjerë dhe objektiv, me vizionin e sigurt dhe gjithëpërfshirës, me delikatesën dhe ndjeshmërinë në çështjet me përgjegjësi, me vendosmërinë dhe qëndrimin ndaj së keqes, me kërkimin e madhështisë gjatë gjithë jetës dhe mbrojtjen e këtyre idealeve të larta, me aftësinë për të mbajtur gjallë ndjenjat e tyre, me vetëdijen dhe dëshirat, me kuriozitetin që i udhëheq për të depërtuar në domethënien esenciale të gjërave dhe analizën e thellë në interpretimin e fenomeneve, me besimin dhe mbështetjen tek Zoti dhe duke qenë të njohur në mes të njerëzve si njerëz me besim, me vërtetimin e ekzistencës të të Vetmit dhe me aftësinë për të qëndruar gjithmonë të padyshimtë për Atë, me përshtypjet që kanë lënë si njerëz me kredibilitet ku mund të mbështetesh për gjithçka dhe ku çdokush mund të kërkojë ndihmë në çdo kohë, me aftësinë për t'u kujtuar dhe pranuar nga të gjithë në këtë model, me qenien e tyre si një mënyrë për të kujtuar Zotin dhe gjithashtu të nënkuptuar si njerëzit që drejtuan ata përreth tyre, drejt Atij. Ata, në kuptimin e vërtetë të fjalës, janë heronjtë e dëshmisë, kumtimit dhe përfaqësimit.

Edhe nëse çdo besimtar nuk është një hero i besimit dhe Islamit në të njëjtën shkallë, është e qartë se sa domethënëse është ndjenja e besimit tek çdo individ. Si fillim, kjo ndjenjë është virtyti më i lartë në natyrën e krijesës njerëzore, në lidhje me krijimin. Edhe nëse ata që nuk besojnë përpiqen të jenë të kënaqur, të sigurt, ose më të saktë, përpiqen të gjejnë argëtim, veten e ndjejnë të jetë në një vakum. E gjithë koha dhe hapësira është një vakum për ta, e sotshmja dhe e nesërmja janë e njëjta gjë. Njerëzit e tillë e ndjejnë këtë vakum thellë në shpirtrat e tyre, ata i shprehin ndjenjat mbytëse që kthehen në përçartje të pakuptimta në këtë mënyrë:

Gjithçka është zbrazëtirë; toka është një boshllëk,
qiejt janë një boshllëk, zemra, ndërgjegjja është një boshllëk;
Unë dua të mbahem, por nuk shoh ku të kapem.

Tevfik Fikret[1]

Dhe një shpirt besimtar, duke dhënë pamjen e natyrës së acartë të mohimit të së vërtetës dhe të çdo përpjekjeje për ta fshehur atë, dhe në të njëjtën kohë, duke treguar paqen që besimi premton, thjesht thërret kështu:

Një zemër e ndryshkur e cila nuk ka besim, është një barrë për kraharorin.
Akif[2]

Në anën tjetër, një adhurues i zemrës që është i vendosur të ndalojë gërryerjen e zemrave të ndryshkura, do të thoshte: "Kënaqësia e vërtetë, dëfrimi pa dhimbje, lumturia pa pikëllim është e mundur vetëm brenda sferës së besimit dhe vërtetësive të tij". Prandaj, ata që duan të shijojnë kënaqësitë e jetës, duhet ta gëzojnë atë me besim, duke e zbukuruar me veprat që Zoti ka urdhëruar për njerëzimin dhe duke e mbrojtur atë nga veprat e përjashtuara për të cilat Ai na ka njoftuar të mos angazhohemi sepse, kur ndokush arrin ta drejtojë veten drejt udhës së jetës së amshuar, ndonëse jeta e tij mund të jetë e mjerueshme dhe e vështirë, me që kjo botë konsiderohet të jetë sallon pritje për parajsën, e pranon çdo gjë me kënaqësi dhe shpreh mirënjohje. Njerëzit e tillë do të ndriçojnë horizontet tona me fjalët e tyre shëruese dhe do të nxisin zemrat tona për të ndjerë magjinë e besimit.

Në lidhje me përmbajtjen dhe esencën e tij, besimi është një fryt që ka qenë vjelur prej mbretërisë së jetës dhe dhuruar për shpirtrat tanë, është lumi parajsor i Keutherit, prej të cilit zemrat tona janë bërë për t'u pirë në një kuptim, njomur nga buzët për zemrat tona, një monument i dritës hyjnore në zemrat tona, modeluar nga metri dhe kompasi i kuptimit, ndjenjës, ndërgjegjes, dhe mirëkuptimit. Heronjtë e besimit që korrigjojnë dhe përtërijnë zemrat dhe ndjenjat e tyre me besim dhe mirëkuptim, kanë zbuluar tashmë sekretin për ta ndërruar në mendje botën e tyre me qiejt, ata kanë hyrë në rrugën e lumturisë së përjetshme dhe janë të lirë nga të gjitha gjurmimet e tjera. Meqenëse, "në jetë ka gjithmonë një parajsë shpirtërore që vjen nga besimi dhe një ferr shpirtëror nga blasfemia dhe mëkatet, atëherë sigurisht që, në të njëjtën mënyrë, besimi e mbjell farën shpirtërore për pemën e parajsës, po ashtu blasfemia e ruan farën shpirtërore për ferrin."[3]

Në fakt, nëse një shpirt i ka fituar flatrat me anë të besimit, nuk do të vonohet në ndonjë hyrje tjetër dhe as do të përkulet aq poshtë sa të kërkojë lëmoshë nga ndonjë tjetër. Një person me një shpirt të tillë nuk do të përkulet para asnjeriu tjetër. Ata do të sillen me trimëri ndaj gjithçkaje, në atë shkallë sa ç'është i fortë besimi i tyre. Në të vërtetë, besimi është dritë dhe forcë. Ata që kanë arritur besimin e vërtetë, mund të sfidojnë universin, dhe në përpjestim me forcën e besimit të tyre, të jenë lehtësuar nga presioni i rrethanave.[4] Kjo është arsyeja pse besimi çon në dëshmimin e veçantisë së Zotit, kjo dëshmi çon në nënshtrim, nënshtrimi çon në vënien e vetes në duart e Zotit, dhe kjo çon në lumturinë, këtu dhe në botën e përtejme. Monumentet e tilla të besimit i trajtojnë zemrat e tyre si shkallët spirale që të çojnë në botët përtej qiejve dhe kështu ata rrahin krahët në drejtim të lartësive engjëllore ku takohen engjëjt me shpirtrat.[5] Gjatë kësaj kohe, engjëjt dhe shpirtrat pëshpërisin në vesh për këta njerëz dhe, në të njëjtën kohë, ata i njohin shpirtrat me tufat e luleve të mirëkuptimit dhe kështu bëhen njerëz të shquar në këtë botë. Dhe nëse njerëzit e tillë kanë qenë të aftë për të thelluar besimin e tyre me anë të njohurive të cilat i kanë zbukuruar me shembuj shpirtërorë, atëherë, sigurisht, ata do të fluturojnë në horizontet për të cilat edhe engjëjt dëshirohen. Ata janë gjithmonë në kërkim të vendmbërritjeve që Zoti do të aprovojë për ta duke kaluar kohën e tyre me të merituarit në qiell dhe ëndërrojnë për qiellin më të lartë. Për të pasur një vlerësim të lartë është e mjaftueshme të jesh ngjitur në qiellin më të lartë me dritën e besimit dhe të arrish një vlerësim të hijshëm qiellor, është fat për ata që kanë besim, kurse të përkulesh poshtë në nivelin e mohimit të errët dhe të bëhesh një prej banorëve të ferrit, ky është fundi i pafat për blasfeminë. E mëvonshmja është një çështje më vete, por duhen shumë më tepër fletë për ta bërë këtë analizë këtu.

Ata që mund t'i shohin njerëzit me besim me thellësitë e tyre të veçanta, kujtojnë Zotin përmes tyre. Ata që ndjejnë frymën e tyre të fitojë jetë si të jenë vizituar nga Mesiu dhe ata që dëgjojnë zërat të vijnë nga zemrat e tyre, dehen me verën e botërave si të kenë arritur shoqërinë e Mbretit të Elokuencës. Në të vërtetë, një shpirt i cili e ka kompletuar garderobën e tij me besim dhe me gjithçka besimi i ka premtuar, nuk ka nevojë për asgjë tjetër. Duke qenë i lartësuar drejt Zotit, një person i tillë është akoma i fuqishëm në dobësinë e dëshirave për Zotin, pasurohet përmes Atij në varfërinë e tij dhe pavarësisht të qënit i vogël, është një nga më të mëdhenjtë. Kjo ndodh për faktin se këta njerëz mbështeten në dëshirat e përjetshme për Zotin, kur fuqitë dhe vendosmëria e tyre nuk është e mjaftueshme. Ata besojnë në dëshirën e Zotit për çështjet që tejkalojnë aftësitë e tyre. Kur tronditen në kalvarin e kësaj jete, ata gjejnë mbrojtje në kopshtet e jetës së amshueshme. Kur frika e vdekjes pushton horizontin e tyre, ata e lëshojnë veten në atmosferën e ngrohtë të jetës së amshuar. Përballë çështjeve që nuk mund t'u japin përgjigje me inteligjencën dhe mirëkuptimin e tyre, ata mbështeten në klimën e shëndetshme të Kur'anit, i cili finalizon zgjidhjen. Ata kurrë nuk provojnë dëshpërimin dhe as ndjejnë zbrazësirë, ata kurrë nuk vihen ballë për ballë me errësirën e përhershme. Përjetimet dhe jeta e tyre është si një këngë e gëzuar dhe ata kthehen nga Krijuesi me mirënjohje, tamam si kallinjtë e mbushur me grurë.

Njerëzit e përsosur me besim nuk janë të kushtëzuar vetëm nga logjika e tyre apo nga qëndrimi personal, të pajisur me një vendosmëri profetike, ata janë të hapur ndaj gjithsecilit, duke shtrënguar krahët me të gjithë dhe duke bashkuar me ta jetën dhe lumturitë tokësore, do të shpërfillin vetveten dhe do të jetojnë si një shok i Profetit, duke ndriçuar gjithçka përreth tyre me dritën e brendshme që është si një qiri, mbajnë një drejtim që mund të jetë i kundërt me përfitimet personale. Sigurisht, njerëzit e tillë gjithmonë vështrojnë vendet e errëta si nata. Ata luftojnë me shtypjen dhe errësirën, gjithmonë digjen dhe, si digjen, ata ndjejnë dhimbje brenda vetes, dhe ndërsa kokat e tyre mund të jenë përulur, as nuk vazhdojnë të përflaken dhe as frymëmarrja nuk u përshpejtohet nga zjarri i ndezur për të ndriçuar të tjerët.

Të devotshmit e besimit që kanë mbajtur të ngritur flamujt e tyre në hyrje së rrugës të besimit, i bien përqark botës mbarë me një hap të vetëm. Ata arrijnë qiejt, kuvendojnë me yjet, janë në kontakt me diellin, zënë miqësi me hënën dhe ecin pa pushim në hapësirë drejt "Bashkëpunëtorit të Përkryer." Ndërsa ata ecin, vështrimi i tyre është gjithmonë përdhe në thjeshtësi dhe frymën e kanë të përvuajtur. Në të vërtetë, sikur të jenë zbukuruar me flatrat e engjëjve, ata fluturojnë në lartësi të pabesueshme, por as fluturimi në këto lartësi, dhe as fakti që janë të barabartë me një qenie shpirtërore, nuk e turbullon mendimin dhe vështrimin e tyre që është më i qartë se ç'ka qenë. Kokat e tyre janë gjithmonë të anuara nga kraharori, me ndjenjat për profetin Adam (Adem), me një pafundësi psherëtimash dhe shpresë në buzë, ata janë si një trëndafil thellësisht i kuq. Dhe shkëlqejnë me ngjyra ylberi kur kthehen drejt të Vetmit, sikur të jenë me pamje kundrejt diellit. Kur ata ndjejnë madhështinë e Tij, djersijnë si vesa në mëngjes. Eshtë sikur të kenë dëgjuar tingujt e Surit, fanfarës në ditën e gjykimit.

Ata që i kanë vëzhguar këta njerëz, kanë gjetur një dritare përmes së cilës të vështrojnë të Gjithmëshirshmin në të gjithë veprimtarinë e Tij, të kthehen në drejtim të amshimit dhe të transformojnë botët e tyre në çerdhe dashurie. Ata shpalosin një larmi ngjyrash në natën e errët, në netët ku dikush është në pritje të agimit, dhe në kopshtet ku lulet janë vyshkur nga vjeshta. Ata u dhurojnë tufa me lule dhe trëndafila atyre përreth që janë bërë kruspull nga emocionet.

Njerëzit e tillë, herë pas here, i shprehin ndjenjat e tyre me madhështi dhe dashamirësi, dhe nganjëherë freskojnë gjokset e përcëlluara me lotët e tyre. Lotët u rrjedhin si të jenë duke bërë udhën më të mirëpritur për dëshirat dhe pritjet e tyre dhe ata e shfaqin lumturinë e afërt me shpresë dhe besim që aspiratat do të vijnë me të vërtetë shumë shpejt. Ata janë gjithmonë gati për të shkuar përtej largësive, në përputhje me paanësinë e besimit të tyre. Kohën e mbajnë me ritmin e zemrave të tyre, krahët e arsyes i zbukurojnë me stoli nga flatrat e zemrës. Ata kapërcejnë me një hap pengesat, në dukje të pakapërcyeshme, në të cilat gjykimi dhe mirëkuptimi tokësor janë ngatërruar, dhe arrijnë në kulmin e domethënies së botës.

Ithtarët e besimit janë gjithmonë në paqe, edhe kur janë të rrethuar nga motivet e dhimbjes dhe të pikëllimit. Ata nuk vuajnë gjatë nga brenga ose janë familjarizuar me hidhërimet pa mbarim. Me lidhjen e tyre me Zotin dhe me intimitetin me Atë, ata janë në gjendje ta largojnë dhimbjen me lehtësi, hidhërimin e mbysin që në rrënjën e tij dhe, nëse e kanë të vështirë, i zbukurojnë ato me "kthjelltësi hyjnore" dhe i ruajnë ngjyrat e kuqe të bukurisë shpirtërore pa u rraskapitur, bashkojnë ankthin me kënaqësinë dhe lëndohen me lumturinë që është premtuar nga vështirësitë. Ata janë në gjendje të shndërrojnë rënkimet e vuajtjeve në psherëtima të gëzuara dhe, edhe në momentet më pikëlluese janë në gjendje të recitojnë poemat e lumturisë për ata përreth me gjuhën e zemrave të tyre. Kur ata e pushtojnë esencën e kësaj udhe dhe kështu shenjtërojnë frymën e parë të tyre, me frymën e dytë bashkojnë zemrën me mendjen, duke e bërë intelektin të flasë me gjuhën e zemrës dhe duke i bërë zërat që të dëgjohen madje në yjet më të largët dhe akoma më tej dhe kështu, duke i bërë të gjithë ata që janë shpirtërorë, të dëgjojnë thirrjet për lutje, një këngë e padëgjuar më parë. Edhe besimtarët mund ta dëgjojnë dhe ta shijojnë atë për sa kohë që e mbajnë të pastër horizontin e tyre nga njollat e mëkatit.


[1] Tevfik Fikret (1867-1915), poet i rrymës së Letërsisë së Re (Edebiyat-› Cedide) në fillim të shek. XIX.

[2] Mehmet Akif Ersoj.

[3] Parafrazim nga Bediuzzamani.

[4] Nga Nursi, Bediuzzaman Said, Sözler, Fjala e 23-të.

[5] Martirët dhe të tjerët që besojnë në jetën në një dimension tjetër.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.