Xhihadi i Vogel dhe i Madh

Ç'është xhihadi?

I rrjedhur nga rrënja xh-h-d, fjala xhihad do të thotë shkrirje e të gjithë forcave si edhe lëvizja drejt një objektivi me të gjitha aftësitë dhe fuqitë dhe qëndresa ndaj çdo vështirësie. Ky përkufizim i fundit për xhihadin është i afërt me kuptimin fetar.

Xhihadi fiton një cilësi të veçantë me ardhjen në Islam: luftë në udhën e Zotit. Ky është kuptimi që përgjithësisht vjen në mendje sot. Xhihadi gjendet në dy fronte: në frontin e brendshëm, domethënë, në vetveten e njeriut, dhe në frontin e jashtëm. Lufta e brendshme (xhihadi i madh) është procesi i mundësimit të dikujt për të arritur esencën e tij ose të saj. I pari është bazuar në kapërcimin e pengesave ndërmjet vetvetes dhe esencës së saj, dhe arritjen e njohurive të shpirtit dhe, në fund të fundit, të njohurive hyjnore, dashurisë hyjnore dhe lumturisë shpirtërore. I dyti është bazuar në zhdukjen e pengesave midis njerëzve dhe besimit me qëllim që njerëzit të mund të zgjedhin lirisht ndërmjet besimit dhe mosbesimit. Në një vlerësim, xhihadi është qëllimi për krijimin tonë dhe detyra jonë më e rëndësishme. Në të kundërt, Zoti nuk do të kishte dërguar profetë me këtë detyrë.

Eshtë një hendek ndërmjet atyre që qëndrojnë prapa me një shfajësim të vlefshëm dhe atyre që vazhdimisht janë në xhihad:

Nuk janë të barabartë prej besimtarëve ata që ndejtën (nuk luftuan) dhe ata që me pasurinë dhe me jetën e tyre luftuan në rrugën e Allahut, me përjashtim të atyre që ishin penguar pa vullnetin e vet. Ata që luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre, Allahu i gradoi në një shkallë më të lartë mbi ata që ndejtën (me arsye). Por të gjithëve Allahu u premtoi shpërblim, ndërsa mbi ata që ndejtën (pa arsye) Allahu gradoi luftëtarët me një shpërblim të madh. (en-Nisa, 4:95)

Profeti thotë:

Qëndrimi në roje një ditë për të mbrojtur kufirin për hir të Zotit është mbi gjithçka në këtë botë dhe çdo gjë në të. Vendi i vogël që ju mbani (në rrugën e Zotit) në qiell është mbi gjithçka në këtë botë dhe çdo gjë në të. Një mbrëmje ose një mëngjes patrullim në udhën e Zotit është mbi gjithçka në këtë botë dhe çdo gjë në të.[1]

Llojet e xhihadit

Xhihadi i vogël nuk është kufizuar në frontin e luftës, sepse për këtë arsye horizonti i tij do të ishte shumë i ngushtë. Në fakt, xhihadi i vogël ka një kuptim dhe aplikim të tillë të gjerë që nganjëherë një fjalë apo heshtje, një buzëqeshje apo qëndrim i vrenjtur, largimi apo hyrja në tubim - më shkurt, gjithçka bëhet për hir të Zotit - dhe disiplinimi i dashurisë dhe zemërimit në përputhje me aprovimin e Tij është përfshirë në të. Në këtë mënyrë, të gjitha përpjekjet për të reformuar shoqërinë dhe njerëzit janë pjesë e xhihadit, siç është çdo përpjekje për familjen, të afërmit, fqinjët dhe fenë tuaj.

Nga një pikëpamje, xhihadi i vogël është material. Xhihadi i madh, ndonëse, është drejtuar në frontin shpirtëror, është lufta jonë me botën tonë të brendshme dhe me frymën trupore (nefs, ego). Kur të dy xhihadet janë zbatuar me sukses, është vënë ekuilibri i dëshiruar. Nëse mungon njëri prej tyre, balanca është prishur.

Besimtarët gjejnë paqe dhe vitalitet në një xhihad të tillë të ekuilibruar. Ata e dinë që do të vdesin në momentin e mbarimit të xhihadit të tyre. Besimtarët, si pemët, mund të jetojnë vetëm për sa kohë ata japin fryte. Në fakt, kur një pemë nuk prodhon më fruta, ajo thahet. Vëzhgoni pesimistët dhe do të vini re që ata nuk përpiqen për të luftuar apo shpjeguar të Vërtetën për të tjerët. Prandaj Zoti e ndërpret bekimin e Tij për ta, duke i lënë në të ftohtin dhe errësirën e tyre të brendshme. Por ata që vazhdojnë xhihadin, janë gjithmonë të rrethuar nga dashuria dhe entuziazmi. Botët e tyre të brendshme janë plot dritë, ndjenjat e tyre janë të pastra dhe ata janë në rrugën e përparimit. Çdo luftë stimulon mendimin edhe për një tjetër dhe kështu krijohet një rreth i ligjshëm. Siç ndodh që çdo vepër e mirë bëhet një mbartëse për një vepër të mirë të re, njerëzit e tillë notojnë në mes veprave të mira. Zemrat tona janë vënë në dijeni për këtë të vërtetë:

E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t'i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se Allahu është në krahun e bamirësve. (el-Ankebut, 29:69)

Siç janë shumë rrugë për te Zoti, ashtu janë edhe krijesat. Zoti i drejton ata që luftuan për hir të Tij, të shpëtojnë në një apo më shumë prej këtyre rrugëve. Ai i hap çdokujt rrugët e mirësisë dhe e mbron atë nga rrugët e së keqes. Gjithsecili që gjen rrugën e Tij, Udhën e Drejtë, ka gjetur rrugën e mesme. Po ashtu siç këta njerëz ndjekin një rrugë të mesme në lidhje me zemërimin, inteligjencën dhe lakminë, gjithashtu ata ndjekin një rrugë të mesme në lidhje me xhihadin dhe adhurimin. Kjo do të thotë që Zoti e ka drejtuar njerëzimin në rrugën e shpëtimit.

Xhihadi i vogël është përmbushja jonë aktive e porosive dhe detyrave të Islamit. Xhihadi i madh është shpallja e luftës kundër egos sonë destruktive, emocioneve dhe mendimeve negative (shpirtligësisë, urrejtjes, zilisë, egoizmit, mburrjes, arrogancës dhe pompozitetit), të cilat na pengojnë për të arritur përsosmërinë. Ky xhihad shumë i vështirë dhe i mundimshëm është thirrje për xhihadin e madh.

Përgjatë Epokës së Lumtur, njerëzit luftonin si luanë në fushën e betejës dhe, kur binte nata, humbnin vetveten në devocionin për Zotin përmes adhurimit dhe dhikrit (përmendja dhe lutjet për Zotin). Këta luftëtarë trima i kaluan jetët e tyre në një qoshe, në adhurim dhe vetmi. Ata e mësuan këtë prej udhërrëfyesit të tyre, Profetit, një njeri me zemër të madhe që ishte i pari në xhihadin material dhe shpirtëror. Ai i inkurajoi ndjekësit e tij të kërkonin pëlqimin e Zotit, dhe ishte gjithmonë i pari që e bënte këtë.

Ata që kanë sukses në xhihadin e madh do të kenë sukses në xhihadin e vogël. Ata që dështuan në xhihadin e madh do të dështojnë në xhihadin e vogël. Edhe nëse njerëzit e tillë kanë sukses deri në një farë shkalle, ata nuk mund të arrijnë suksesin e plotë.  

Aishja tregon:

Një natë i Dërguari i Zotit më pyeti: "Aishe, a mundem ta kaloj këtë natë me Zotin tim?" (Ai ishte aq xhentil sa të kërkonte leje edhe për një gjë të tillë. Fisnikëria dhe përsosja ishin aspektet më të rëndësishme të thellësisë së tij). Unë u përgjigja: "O i Dërguari i Zotit, unë dëshiroj të jem me ty, por nuk e di çfarë të pëlqen më tepër!" Profeti mori abdes dhe filloi lutjen. Ai recitoi: Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt (Al-i Imran, 3:190). Pas këtij ajeti, ai derdhi lot deri në mëngjes!

Nganjëherë, me qëllim që të mos zgjonte gruan e tij, Profeti ngrihej pa e lajmëruar atë. Aishja tregon përsëri:

Një natë, kur u zgjova, nuk e gjeta të Dërguarin e Zotit. Kur fillova të ngrihem në errësirë, duart e mia prekën këmbët e tij. Ai ishte përkulur në sexhde dhe recitonte diçka. Unë e dëgjova lutjen e tij. Ai thoshte: "Zoti im, unë gjej mbrojtje në mëshirën Tënde nga zemërimi dhe mëria Jote. Unë gjej mbrojtje në faljen Tënde nga ndëshkimi Yt. Zoti im, unë gjej mbrojtje tek Ti nga Ti (mbrojtje në bekimet e Tua nga zemërimi Yt, mbrojtje në hijeshinë Tënde nga madhështia Jote, mbrojtje në mëshirën dhe dhembshurinë Tënde nga sundimi Yt). Unë nuk jam i aftë për lavdërimin Tënd (të meritur). Ti je siç e ke lartësuar Vetveten!"[2]

Kjo ngjarje shpreh qartë thellësinë e brendshme dhe gjerësinë e xhihadit të madh tek Profeti. Në një tjetër hadith, Profeti i përmend të dy xhihadet:

Aty janë dy llojet e syve që kurrë nuk do të shohin zjarrin e ferrit: ushtarët që u sollën si mbrojtës në fushën e betejës dhe ata që qajnë sepse kanë frikë Zotin. [3]

Xhihadi i atyre që e braktisën gjumin dhe vepruan si roje në kohët më të vështira, është xhihadi material. Sytë e tyre nuk do të jenë subjekt i zjarrit të ferrit. Si dhe ata që bënë xhihadin e madh shpirtëror dhe qajnë nga frika e Zotit, gjithashtu nuk do të shohin torturat e ferrit. Në vend të përsëritjes për çfarë kanë bërë të tjerët, njerëzit duhet të kenë qëllime të mira dhe të ngulisin në zemrat dhe mendjet e tyre vetëdijen për të qenë të sinqertë.

Xhihadi është një balancë për mposhtjen e pengesave të brendshme dhe të jashtme. Arritja e përsosmërisë shpirtërore dhe ndihma për të tjerët, për të ardhur në të njëjtin nivel, kanë një rëndësi shumë të madhe. Arritja e përsosmërisë së brendshme është xhihadi i madh, kurse ndihma për të tjerët për ta arritur atë, është xhihadi i vogël. Kur ju i veçoni nga njëri-tjetri, xhihadi nuk është më xhihad. Plogështia lind nga njëra dhe anarkia nga tjetra. Prandaj, shpirti Muhammedan është rruga e vetme e kthjellimit. Dhe gjithmonë kjo është e mundur vetëm nga ndjekja dhe bindja për të Dërguarin e Zotit. Sa të lumtur janë ata që kërkojnë një rrugë për të shpëtuar të tjerët aq sa ç'kërkojnë për veten e vet! Dhe sa të lumtur janë ata që kujtohen për të shpëtuar veten ndërsa shpëtojnë të tjerët!


* Ky artikull mbështetet në veprat e autorit, Cihad veya I'la-yi Kelimetullah, Izmir, Nil, 1998; Asrin Getirdigi Tereddütler, Izmir, T.Ö.V., 1997, 3:186-219.

[1] Buhari, Xhihad, 142; Tirmidhi, Fedai'u'l-Xhihad, 25.

[2] Muslim, Salat, 22; Hajtemi, Mexhmu'l-Zevaid, 10:124; Tirmidhi, Davaat, 81.

[3] Tirmidhi, Fedaiu'l-Xhihad, 12.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.