Hyrje

Përshkrimi i personalitetit të lartë e të zgjedhur të Hz. Muhammedit (s.a.v.) dhe, më tepër se përshkrimi, prezantimi i tij si faktor për shpëtimin e njerëzimit dhe mundësia për ta bërë të njohur jetën e tij të lartë në formë të përshtatshme ndaj asaj Pozite Eprore, ashtu si edhe për shumicën, ka qenë për mua një nga subjektet më të rëndësishme që ma ka vënë nën ndikimin e vet botën time mendore e ndjesore duke u kthyer në një kërkesë dhe dëshirë të papërmbajtur...

Ai është krenaria e njerëzimit. Që prej katërmbëdhjetë shekujsh, gjenitë më të mëdhenj dhe filozofët gjigantë me përmasa botërore si dhe shumë e shumë teoricienë e mendimtarë -yje të qiellit tonë të mendimit- kanë ndenjur të përulur nën hijen e tij duke i thënë: "Ti je njeriu për të cilin ne krenohemi se i përkasim"!..

Madhështisë së tij i mjafton qoftë edhe kaq që ne, në kohën tonë, pas kaq e kaq lëngatash, dëgjojmë ende sot tek përhapet nga minaretë thirrja "Eshhedu enne Muhammede'r-Resulullah, Dëshmoj se Muhammedi është i dërguari i Allahut", sodisim tek shpalos krahët Shpirti i Gjallë Muhammedian e merr fluturim dhe entuziazmohemi së bashku me shpirtrat e shenjtë pesë herë në ditë. Përsëri, në emër të personalitetit të tij të lartë mund të themi se, pavarësisht nga zelli dhe përpjekjet intriguese të shumë armiqve të brendshëm e të jashtëm, brezat e tij, shumë e shumë të rinj që ende s'u ka dirsur qimja, duke kuptuar siç duhet Të vërtetën Muhammediane gjithashtu pavarësisht se konceptet e saj janë shumë të vështira, këta të rinj, pra, vrapojnë pas Hz. Muhammedit (s.a.v.) ashtu si fluturat pas dritës, gjë që përbën një dukuri të pashembullt në botë. Koha nuk mundi ta zbehte tek ne, në ndjesitë tona, asnjërën nga të vërtetat që i përkasin atij. Po, ai vazhdon të jetë po aq i gjallë e i freskët! Ashtu siç edhe u kam thënë shpesh miqve, sa herë që të shkoj në Medinën e Ndritshme, fryma e tij më mbështjell në atë mënyrë, saqë më duket se një hap më tej do të takohem vetë me të dhe do të dëgjoj nga një zë i gjallë përshëndetjen: "Mirë se erdhët, qofshi shëndoshë e gëzuar"!(i) Ja, pra, kaq i freskët është ai në shpirtin tonë e, me kalimin e kohës, bëhet edhe më i freskët!

Po, koha plaket e thinjet, disa mendime vjetrohen e humbasin vlerë, kurse Hz. Muhammedi (s.a.v.) në zemrat e besimtarëve, si një gonxhe që çel nga pak e më shumë çdo ditë, ripërtërihet e bëhet çdo ditë edhe më i freskët...

Me ç'pandeh unë, po qe se do të mund të tregonim për të ashtu siç tregojmë për gjëra të tjera, gjë që s'kemi mundur ta bëjmë, po qe se do të jepej mundësia për të treguar për të ashtu siç është dhënë mundësia për të treguar për tjetërkënd dhe po qe se institucionet shoqërore-artistike do të mund të bashkëpunonin plotësisht për të treguar për të, në zemrat e brezave të sotëm vetëm ai do të ngrinte fron dhe në ndjesi vetëm ai do të gjendej. Megjithatë, pavarësisht nga çdo gjë, në lindje e në perëndim të njerëzimit, nga dita në ditë, çdo njeri, me shtambën në dorë vrapon kah ai burimi më i pastër i të pastërve e më i kulluar i të kulluarve e përpiqet të arrijë te çadra e Mbretit që kurorëzon diejt.

Po, sot, duke filluar me Amerikën, Anglinë, Francën dhe Gjermaninë, pothuajse e gjithë bota po vëren një ringjallje për llogari të tij, muslimanët e çdo vendi po qëndisin mendimet e tij të ndritshme dhe Islami pothuajse po jeton frymën e një "Epoke të Lumtur" të re. Edhe në botën islame gjendja nuk është e ndryshme. Sot, në vend të njerëzve që nja dy shekuj më parë patën ndjerë interesim ndaj Islamit dhe ndaj muslimanëve të thjeshtë e naivë, ka njerëz të mësuar që zhvillojnë shkencën e çështjeve islame e që, nën rrezet ndriçuese të dijes, mendojnë e veprojnë në përputhje me Hz. Muhammedin. Ata që deri tani e kanë shfrytëzuar vazhdimisht pjesën e mësuar të popullsisë, që i kanë përdorur universitetet, institutet dhe shkollat e tjera për llogari të ca "izma"-ve dhe ata që janë përpjekur t'i vënë në punë institucionet kombëtare për llogari të mohimit dhe herezisë, po shpërbëhen, më në fund, një e nga një krejt si ajzbergët dhe po rrëshqasin me shpejtësi drejt tij. Po shohim se atyre që prej vitesh kanë ndërruar vend me mijëra herë, atyre që, duke ndërruar vend, kanë kërkuar një degë për t'u kapur, atyre që kanë vrapuar nga sistemi në sistem e nga kjo shkollëzë në shkollëzën tjetër, të gjitha këto bredhje u kanë përfunduar me fiasko; ata vrapojnë te shkolla e Hz. Muhammedit që s'ka pësuar kurrë gjer më sot fiasko. Ja, M. Bucaille, R. Garaudy e sa e sa të tjerë që u janë dëgjuar emrat...

Vetëm diçka: a mundëm ta njohim, vallë, në masën e duhur ne Mbretin e Zemrave që u ka mësuar atyre mbretërve mbretërimin? E pse t'ju përziej juve në këtë pyetje? Unë që po flas, a munda ta prezantoj atë plotësisht ose a munda t'jua komunikoj juve ashtu siç duhet ato që di? Dhe, duke e futur edhe veten mes atyre që janë në pozitën e mësuesit, i pyes edhe ata, edhe veten: a mundëm të tregojmë, vallë, në përmasat e vlerës së vet, për zotërinë e zotërinjve që u jep gjallëri zemrave gjer në entuziazëm?

Jo! Po qe se njerëzimi do ta kishte njohur, do të bëhej mexhnun, i pasionuar për të dhe do të vihej udhëve për ta kërkuar; pastaj, kur t'ia mbështillte shpirtin kujtimi i bukurisë së tij, do t'i mbusheshin sytë me lot, do t'i mbusheshin dhe do të dridhej nga padurimi për të hyrë në mjedisin e tij të dëlirë, në botën e profetësisë, në klimën e tij të pastër, do t'i dilte përballë erës për t'i dhënë jetë hirit të zemrës së djegur me zjarrin e dashurisë për të dhe vazhdimisht ashtu do të shtyhej përpara...

Njeriu ka ardhur gjer në ditët e sotme gjithmonë duke dashur atë që di, me aq sa di, dhe si armik i asaj që nuk di. Eshtë për këtë arsye që pika ku fokusohen specifikat për të cilat janë përpjekur një jetë të tërë armiqtë tanë, është nxitja për të harruar famën e tij të shkëlqyer dhe përgatitja e brezave të rinj si armiq të Profetit të të dy botëve. Por ç'ngushëllim favorizues është fakti që megjithëse armiqtë tanë kanë dashur ta shkulin nga zemrat emrin e tij e ta hedhin tej, sot janë kapërcyer të gjitha pengesat dhe barrierat për të arritur tek ai dhe veçanërisht rinia e ka hedhur veten në prehrin e tij me gëzimin e njeriut që, pasi ka bredhur ditë të tëra në vapën përvëluese të shkretëtirës e është përleshur me vdekjen i urët e i etur, i del para një burim uji... Sigurisht, ajo zemër e mbushur plot dhembshuri do t'i marrë në gjoks ata që vrapojnë për tek ai me kaq dëshirë e s'do t'i lërë vetëm!

Nuk e di, a i keni vënë re me kujdes ata që mbushin cep më cep xhamitë ditën e premte? Po qe se po, keni parë që shumica dërrmuese e tyre janë të rinj. Cila është ajo forcë që, përkundër thithjes së të rinjve prej dhunës dhe perversitetit me anë të atij vakumit të tyre të frikshëm në tërë veprimtarinë e tyre sistematike, i bën këta të rinj që në borën e dimrit të marrin abdest duke u dridhur nga të ftohtët e të vrapojnë për në xhami? Po deshët, po jua them unë: Eshtë tërheqja e shenjtë e Hz. Muhammedit (s.a.v.)!

Na e rrokin apo s'na e rrokin mendjet, zemrat vërtiten si flutura rreth atij Qiriri, rreth atij Dielli... Në një të ardhme shumë të afërt, mendjet endacake e të hallakatura që s'kanë mundur gjer tani të vrapojnë për tek ai duke ngecur, kështu, në rrugë si miza dimri të vetmuara, do të pendohen për atë që kanë ngecur në rrugë dhe, duke rrahur pëllëmbët pas gjunjëve, do të thonë: "Pse s'u bëmë flutura e të vraponim për tek ai!" Por, ndoshta, për shumë prej tyre atë kohë çdo gjë do të ketë mbaruar.

Njerëzimi do të vrapojë pas tij, katedrat shkencore do të bëjnë kërkime rreth tij dhe zemrat e hapura ndaj klimës së mendimit do të bien pas tij; një pjesë e madhe e armiqve, të kthyer në miq, do të mblidhen rreth tij dhe po mblidhen. Më në fund, sot, Hz. Muhammedi po peshon rëndë edhe në të gjitha "peshoret" e frontit përballë dhe madhështia e tij po pohohet edhe nga bota armike. Në një hadith, porosi profetike, me gojën e Profetit thuhet: "U peshova me dhjetë vetë nga të ummetit, bashkësisë sime, dhe erdha më rëndë. Pastaj me njëqind, me një mijë vetë dhe prapë erdha më rëndë. Pastaj erdhën dy engjëj të ngarkuar me detyrë e thanë: "Lëreni. Edhe sikur me të gjithë ummetin e tij të matet, prapë më rëndë do të peshojë!"(1) Më në fund, edhe kjo ishte realizuar! Profeti e tregon kështu një ëndërr tjetër që kish parë: "Më vunë mua në njërën anë të peshores dhe ummetin në anën tjetër dhe unë erdha më rëndë!"(2)

Po, sikur të vihen në njërën anë të peshores të gjithë sahabet, pasuesit e tij, bashkëkohësit e pasuesve dhe ndjekësit e tyre, të gjithë mistikët e sofitët që njohin shpirtrat njerëzorë, të urtët e shenjtorët dhe të gjithë njerëzit e mëdhenj që kanë ardhur e do të vijnë gjer në kiamet, në katastrofën e kësaj bote, përsëri ai Sovrani i Zemrave dhe drita e syve tanë do të peshojë më rëndë. Sepse e gjithë qenia është krijuar për respekt ndaj virtyteve të tij. Ai përbën për gjithësinë "qëllim krijimi" dhe është karakterizuar kështu me pak fjalë që janë bërë të famshme si hadith: "Po të mos ishe ti, nuk do ta kisha krijuar gjithësinë!"(3) Sigurisht, shkrimi i një libri që nuk i merret vesh kuptimi, është një punë e kotë. Kurse Allahu është i pastër nga kotësitë. Për rrjedhojë, ai kërkon një ciceron zëkthjellët si Zotëria i Kohës e i Hapësirës që të tregojë për kuptimin e gjithësisë. Gjithashtu duhet të jetë një lajmëtar e një interpretues si ai që të lajmërojë e të interpretojë se nga vjen, ku shkon e përse duhet njeriu nën urdhrin e të cilit janë vënë ky qiell i pacak, dielli, hëna e yjet në të dhe e gjithë qenia si dhe t'ua komunikojë shpirtrave se ç'ka "pas kuintave" të kësaj gjithësie që shohim me sy... E, nëse është kështu, po qe se s'do të ekzistonte ai, edhe njeriu, edhe gjithësia s'do të kishin kuptim.

Hz. Muhammedi (s.a.v.) është njeriu që u përfton vlerë gjërave. Për ne ai është më i dashuri i të dashurve. Këtu, bashkë me pohimin se e shoh veten si më mëkatari i besimtarëve, nuk do të mund të kaloj pa treguar për një ndjenjën time. Dhe, me këtë, kam për qëllim të them se, kur edhe unë, një mëkatar i tillë, arrij ta dua gjer në këtë shkallë të Dërguarin e Allahut, kush e di se në ç'masë flakëron ai në zemrat e larta e të afta për të ndjerë!.. Ja, pra, edhe konstitucioni im shpirtëror(ii) nga ky kënd duhet vle-rësuar. Ndryshe, më vjen turp të sjell këtu, para jush, një çështje që më përket mua. Kur Providenca Hyjnore ma pati mundësuar të përkëdhelja ato dhera të bekuara me këtë fytyrën time mëkatare, aq e përndritshme, aq e përndritshme më qe dukur toka e të Dërguarit të Allahut dhe një të tillë ngazëllim shpirtëror pata ndjerë nga të ndodhurit atje, saqë, po të supozonim se atë kohë do të ftohesha nga të gjitha portat e xhennetit, parajsës, më besoni se te asnjëra s'do të drejtohesha, por do të parapëlqeja të mbetesha atje ku isha. Në të vërtetë, xhenneti është dëshira e ne të gjithëve e as që mund të mendohet ndonjë musliman që të mos dojë të hyjë atje. A nuk i drejtohemi Zotit në lutjet tona çdo mëngjes e mbrëmje që të na ruajë nga xhehennemi, skëterra, e të na marrë në parajsën e Tij? Duke i pranuar të gjitha këto, prapëseprapë them që, po qe se do të thirresha, pra, atë çast, për t'u favorizuar me atë dhuratë të lartë, sipas të gjitha gjasave, do të kërkoja leje nga Imzot për të mbetur aty, pranë varrit të të Dërguarit të Tij!(iii) Kujdes, të mos pandehet se me këtë dua të them se jam i denjë për ato lloj konsideratash; desha të shpreh vetëm miqësinë dhe dashurinë që ndjej për të Dërguarin e Allahut. E kundërta, jam i tillë që një jetë të tërë po lutem për të pasur nderin të jem më i vogli ndër pasuesit e Profetit, skllav i tij me kularin në qafë... Dhe lutja e mëposhtme më është sa e sa herë refren i buzëve të mia: "Zoti mos na largoftë për asnjë çast nga mendimi për të fërkuar fytyrën tonë në pluhurin e këmbëve të pasuesve të Profetit!"

Të njëjtat ndjenja pata përjetuar edhe në Shtëpinë e Allahut.(iv) Këto ndjenja janë, ndoshta, ndjenjat e përbashkëta të të gjithë neve. Atëherë mbetet të themi se nuk jam vetëm unë ose vetëm disa vetë që jetojnë të mbushur plot me ndjenja të tilla. Ka të tillë të pasionuar pas të Dërguarit të Allahut, të cilëve, ky konstitucion, kjo gjendje shpirtërore që përshkova, do t'u duket shumë vulgare e naive.

Meqë erdhi këtu fjala, po ju tregoj edhe për një kujtim tjetër.

Ato ditë patëm qenë bashkë me deputetin Arif Hikmet Beun në haxh. Para se të nisej, ai i kishte pasë dhënë fjalën vetes se, po të shkonte në Medinë, do të shtrihej drejt e në tokë e do të rrokullisej në ato dhera. Pastaj, sapo pati shkelur këmbën në Medinë, pati vepruar ashtu siç pati pasë premtuar. Sa herë dhe kudo që ta kujtoj atë tablo, më mbushen sytë me lot!

I Dërguari i Allahut është një profet. Por është një profet, ardhja e të cilit është lajmëruar si sihariq nga kulla e profetësisë së të gjithë profetëve të ardhur para tij. Allahu na tregon kështu në Kur'an për fjalën që ka marrë nga të gjithë profetët se do t'i besojnë e do ta ndihmojnë këtë profetin e lajmëruar prej tyre: "Kujtoni kur Allahu mori zotimin e pejgamberëve: "Meqë ju dhashë libër e urtësi, ju pa tjetër do ta besoni dhe ndihmoni pejgamberin që vjen pas jush e që vërteton çka keni me vete. A e pranuat, a e morët përsipër këtë detyrë të madhe?" "Po, -thanë ata.- E pranuam!" Atëherë Allahu tha: "Dëshmoni, pra, edhe Unë po dëshmoj bashkë me ju!" (Kur'ani, Al-i Imran: 81).

Ja, pra, edhe profetët jetuan duke i ndenjur besnikë fjalës së dhënë Zotit dhe, në të gjitha veprimet, u përpoqën të mbanin atë orientim. Dhe, kur Profeti u ngjit në Miraxh, ata u falën pas tij shpirtërisht.(4) Po, me Hz. Ibrahimin, Hz. Nuhun, Hz. Musanë e Hz. Isanë në krye, pothuaj të gjithë profetët deshën të bëheshin muezinët e tij. Hz. Mesihu, në ungjill, duke thënë "Unë po shkoj që të vijë i zoti i kohës" (Ungjilli i Shën Joanit: 16/8), e vinte atë profet të lartë në qendrën e vëmendjes së njerëzimit. Po, kur ai qe ngjitur në qiell, fundet e qiejve qenë mbushur me xhevahirë, yjet i qenë shtruar nën këmbë si gurë kalldrëmi dhe, kur i qe afruar horizontit të diellit, ky pat rënë në sevda për t'iu bërë përkrenare atij. Të gjithë këta i rrinin përreth profetësisë së tij ashtu si fluturat rreth dritës...

Ai pati edhe veçori njerëzore të cilat i përfaqësoi në shkallën më të lartë dhe me të cilat na u bë udhëzues neve. Për shembull, ai qe një kryetar familjeje i shkëlqyer. Në një periudhë të caktuar të jetës ai qe ndodhur me nëntë gra të kurorëzuara, por nuk pati dhënë shkas e nuk pati lënë asnjë hapësirë për replika dhe grindje midis tyre. Në atë shtëpi ku pikonte eliksiri profetik pika-pika, po qe se secili prej fëmijëve që pati rritur, do t'i takonte një shekulli të caktuar, do të bëhej një prijës shpirtëror e një novator që do ta ndriçonte atë shekull. S'e di, sa vetë kanë pasur mundësi ta njohin atë në këtë aspekt?

Prapë, ai pati qenë një udhëheqës ushtarak i shkëlqyer, një mjeshtër i luftës. Me një grusht njerëzish që i bënin dritë përreth, ai pati rrafshuar përtokë fronet e mbretërve që i patën shpallur luftë botës dhe sa e sa sundimtarë i pati kthyer në skllevër që s'pranojnë lirim të portës së tij. Ai pati qenë një komandant ushtarak megjithëse s'pati pasë mësuar prej askujt shkencën dhe teknikën luftarake në planin teorik.

Prapë, ai qe njeriu-kyç ku patën arritur dhe qenë mbështetur dituritë. Sikur t'i shihte në një ekran ngjarjet që do të ndodhnin gjer në kiamet, i lexonte ato nga një tabelë e fshehtë dhe i numëronte një e nga një.(5) Sot, pas shumë shekujsh nga dita kur u dha urdhri hyjnor që ai të ndërronte jetë, në pikën e arritur në përfundim të kërkimeve në sajë të mundësive të mrekullueshme të teknikës e teknologjisë, çdo njeri sheh flamurin e ngulur nga Profeti Muhammed (s.a.v.) katërmbëdhjetë shekuj më parë dhe personat të cilët Allahu dëshiroi t'i orientonte e t'i aftësonte për të parë drejt, duke shqiptuar Fjalën e Dëshmisë, kthehen e bëhen edhe një hallkë tjetër më shumë në zinxhirin e përndritshëm të trashëgimit Islam. Ja një prej mijëra evenimenteve të tilla, kanadezi Keith Moore, profesor i anatomisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Torontos, një pediatër specialist, ky, në fushën e vet, të cilin e kam parë në një videokasetë.

Pasi dëgjon nëpërmjet ajeteve-argumente të Kur'anit periudhat e zhvillimit të fetusit në mitër, gjë që ka mundur të zbulohet vetëm me mundësitë e sotme teknike, shpreh bindjen dhe nënshtrimin e vet ndaj Zotit duke thënë: "Eshhedu en la ilahe il'lallah ve eshhedu enne Muhammeden Resulullah", "Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është i dërguari i Tij!" Një rast tjetër, një shkencëtar fiziolog japonez, pasi njihet me ajetet-argumente të Kur'anit që kishin lidhje me fushën e vet, megjithëse duke e shqiptuar me vështirësi, thotë: "Eshhedu en la ilahe il'lallah" dhe nuk lëkundet aspak që të hyjë në Islam. Ja, pra, siç u pa, atje ku ngecin shkencat, Kur'ani hap shteg dhe pika e fundit ku kanë arritur shkencat, takohet me pikënisjen e të Dërguarit të Allahut. Mirë, po kush ia pati mësuar atij këto gjëra? Mësimet ai i pati marrë nga Allahu që është "Alim", "i Ditur" dhe "Habir", "i Informuar". Pas tij qëndronte "Mësuesi i Madh"! Eshtë për këtë arsye që intuita e tij me kalimin e kohës nuk u vjetërua, në të kundërt, me kalimin e ditëve, u rinua dhe ky rinim do të vazhdojë për sa kohë do të ekzistojë bota!

Gjithashtu, ai pat qenë njeriu që qe dashur nga shokët e tij në përmasa që nuk do t'i mundësohen e nuk do t'i takojnë asnjë njeriu. Për shembull, në mbarim të luftës "Ma-u Rexh", kur Hubejb b. Adiji qe vënë në tryezën e ekzekutimit prej heretikëve të çmendur të ndezur me zjarrin e urrejtjes e të hakmarrjes, qe vënë para një alternative të tillë: "A do të deshe që në këtë çast, në vendin tënd, të ekzekutohej Muhammedi?" Dhe përgjigjja e tij pati qenë e prerë, e qartë dhe e pakthyeshme: "Jo, vallahi, nuk do të pranoja që, në këmbim të shpëtimit tim, t'i ngulej atij qoftë edhe një gjemb në këmbë!" Pastaj, pasi pati treguar këtë shembull guximi në tryezën e ekzekutimit, Hubejbi pati ngritur duart drejt qiellit duke thënë: "Imzot, duke ardhur këtu, nuk munda t'i lija lamtumirën Mikut Tënd, pra, çoja, atje ku ndodhet, përshëndetjen time!" Pikërisht ato çaste kur Profeti qe ulur e po bisedonte me pasuesit e tij, menjëherë drejton trupin dhe thotë: "Përshëndetje ty, o Hubejb!" Kur të pranishmit, të habitur, e pyesin, ai përgjigjet e thotë mes lotëve: "Hubejbin e ekzekutuan politeistët! Hubejbi ra dëshmor! Në çastin e fundit më dërgoi një përshëndetje!"(6)

Dhe ja një tablo tjetër kënaqësindjellëse për zemrën e çdo njeriu që ende beson, megjithëse nga ngjarja në fjalë kanë kaluar shekuj. Ishte lufta e Uhudit. Zonja Sumejra dëgjon se i Dërguari i Allahut ka rënë dëshmor, e ndalon vrapin në rrëzë të malit Uhud dhe, ndërsa nuk interesohet aspak tek i tregojnë kufomat e të atit, burrit e djemve të rënë dëshmorë, vazhdon ta kërkojë në çdo vend Profetin duke mërmëritur "Ç'u bë i Dërguari i Allahut?" Pastaj, në një çast, kur i tregojnë se ku ndodhet, shkon, i bie para këmbëve dhe i thotë: "Pasi që ti je gjallë, të gjitha fatkeqësitë më lehtësohen,o i Dërguari i Allahut!"(7) Ja, të tillë vend pati zënë ai ndër zemra!

Dhe një shembull tjetër. Njeriu-horizont pati marrë ftesë prej përtej qiejsh dhe do të largohej, më në fund, prej miqve me të cilët pati ndarë të njëjtin fat për 23 vjet me radhë. Prandaj, në ditët e veta të fundit, pati dalë pranë pasuesve pak i mërzitur e i hidhëruar. Ajo gjendje duhet t'i kishte prekur shumë pasuesit që, kur i Dërguari i Allahut hynte në shtëpi, në çdo zemër fillonin të frynin erëra brenge. Muaz b. Xhebeli shkonte e vinte nga Jemeni ku ishte ngarkuar me punë nga i Dërguari i Allahut. Kur shkonte, çonte mesazhe e, kur kthehej, sillte çështje e probleme gati për zgjidhje. Para se të dilte për udhëtimin e fundit, pati shkuar pranë Profetit për t'i marrë bekimin. Profeti i dy botëve i thotë: "Shko, o Muaz! Kur të kthehesh, ka shumë mundësi të vizitosh vetëm faltoren dhe varrin tim!" Sikur ta kishin goditur në kokë, Muazit i këputen krahët, i mbushen sytë me lot dhe mbetet ashtu, i shembur aty ku ndodhet. Jo për të shkuar në Jemen, por s'i mbetet më fuqi as për t'u ngritur në këmbë!(8)

Ai ishte një njeri që i zgjidhte të gjitha problemet e jetës shoqërore me lehtësinë e heqjes së një qimeje prej gjalpit(v) Bernard Shou që ka jetuar 13 shekuj pas Profetit, me fjalët e mëposhtme është vetëm njëri prej qindra kundërshtarëve të tij që e pranojnë këtë të vërtetë: "Sa nevojë ka njerëzimi në shekullin tonë të grumbullimit të problemeve njëri përmbi tjetrin për Muhammedin që i zgjidhte të gjitha vështirësitë me lehtësinë e pirjes së një kafeje!"

Po, kur njerëzimi t'i kthehet atij, atëherë do t'ia arrijë prehjes, sigurisë dhe horizonteve të ndriçuara, do të shpëtojë së bredhuri pa drejtim e së qeni lodër në duart e kohës, do të shpëtojë nga mjerimi i ndëshkimit në të dy botët e do të ngjitet në qiellin e të qenit njeri. Në të vërtetë, me gjithë pengesat e forcave armiqësore, kjo ringjallje e dytë porsa ka filluar. Ja ç'thotë Kur'ani: "Me gjuhët e tyre ata kërkojnë të shuajnë dritën e Allahut, por Allahu po e plotëson dritën e Vet edhe pse s'u pëlqen mohuesve; Ai e dërgoi përfaqësuesin e Vet me orientim të drejtë e me fenë e së vërtetës për ta bërë këtë mbizotëruese ndaj të gjitha feve, edhe pse idhujtarët nuk e presin mirë një gjë të tillë!" (Kur'ani, Saff: 8)

Sigurisht, Allahu do ta nxjerrë në dritë fenë e Vet, zemrat e dëshiruara do të vrapojnë për tek Ai, tek Ai do t'ia arrijnë prehjes e sigurisë dhe, duke qenë ende në këtë botë, do të bëhen sikur kanë hyrë në parajsë. Edhe po të mos duan heretikët dhe mizorët europianë, hipokritët aziatikë që shfrytëzojnë popullsitë e Azisë dhe indiferentët që kemi midis nesh, Mbreti i Profetëve, i pranuar si i tillë nga profetët, i cili mban në dorë myhyrin dhe vë vulën, Mbreti i Mbretërve, namin e madhështisë së të cilit e lajmërojmë pesë herë në ditë, me siguri që një ditë do të hyjë në të gjitha zemrat dhe do të bëhet i zgjedhuri, i dashuri e i adhuruari i çdokujt!

Në të njëjtën kohë, ai qe edhe njeriu i paqes e i qetësisë. Ne e dimë dhe e besojmë kategorikisht se mesazhi që solli ai, gjithashtu qe një burim paqeje e qetësie dhe historia është dëshmitarja më e madhe e kësaj. Ja, pra,e vetmja zgjidhje për ta bërë njerëzimin që ta shijojë përsëpari këtë paqe e qetësi, është që t'ua bëjmë të njohur njerëzve Atë dhe dritën që solli Ai. Sepse, në raport me sa do të njihet ai, do të duhet dhe, në sajë të asaj dashurie, do të ndërrojë fytyra e shoqërisë.(9)

Brenda kuadrit të një hyrjeje, duke u mbështetur në bujarinë dhe favorin e Providencës Hyjnore, u përpoqa të prezantoj shkurt disa gjëra për Profetin e të dy botëve, të cilin kam planifikuar ta përshkruaj në shumë aspekte të Personalitetit e të Veprës së tij.

Ç'është e vërteta, çdo fjalë që flet për të, është e bukur; diçka që s'është e bukur, duhet t'i lihet shprehjes dhe stilit. Në pastë të meta të shprehjes e të stilit, ato më përkasin tërësisht mua. Kurse ato që i përkasin Zotërisë së Gjithësisë, janë vetëm e vetëm të bukura!
AUTORI



(i) Në origjinal: Merhaben, ehlen ve sehlen!
(1) Kadi Ijaz, Shifa, 1/173.
(2) Mysned, 2/76.
(3) el-Axhluni, Keshfu'l-Hafa, 2/232.
(ii) Në origjinal: Halet-i ruhijje; frengj.: etat d'ame
(iii) Në origjinal: Ravza-i Tahire, Kopshti i Gjelbëruar.
(iv) Në origjinal:Bejtullah, tempulli i Qabes në Mekë.
(4) Muhammed b. Xherir et-Taberi, Xhamiu'l-Bejan an Te'vili Aj'il-Kur'an, 15/5; Ibni Kethir, el-Bidaje ve'n-Nihaje, 3/139.
(5) Myslim, Fiten, 22-25; Mysned, I/4.
(6) Ibni Kethir, el-Bidaje, 4/76.
(7) Nureddin Ali Ebi Bekr el-Hejsemi, Mexhmau'z-Zevaid ve Menbau'l-Fevaid, 6/115; Ibni Kethir, el-Bidaje, 4/54.
(8) Mysned, 5/235.
(v) Frazeologji turke: Tereyağndan kıl çeker gibi.
(9) Tirmidhi, Menakib, 8.
Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.