Atmosfera e lutjes së profetit

Lutja është adhurim. Lutja është bërthama, ajka e përkushtimit. Lutja është emri i kthimit e drejtimit total nga Zoti. Kur flitet për adhurim, është e pamundur të mos përdoret lutja. A nuk urdhëron Allahu: “Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj” (Furkan 25/77), a nuk na thotë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” (Gafir, 40/60) Lutja është një relacion i fortë mes robit e Zotit. Me të tjera fjalë, lutja është mënyra e shfaqjes së botës së mendimit e apasionatave të robit, para Zotit. Gjithë çka njeriu kërkon e që nuk arrin ta plotësojë me mundësitë e fuqitë e veta, ia kërkon të Gjithëpushtetshmit Absolut me anë të lutjes. Lutja është një sonatë e ëmbël që nis te zemra e besimtarit e lartësohet e lartësohet drejt Zotit, deri në kupë të qiellit. Ajo lutje, që sot është përmbledhur e ngushtuar vetëm në pesë vaktet e namazit, ose në fund të disa adhurimeve të tjera, në të vërtetë është nevoja e domosdoshmëria më e madhe e kësaj jete dhe e të përtejshmes. Jeta nuk mund të mendohet pa lutjen, sepse jeta vetë është një lutje, nga lindja në vdekje. Lutja është kodi i Aprovimit Hyjnor dhe çelësi i vendit të parajsës. Sërish, lutja është simboli i të qenit “abd” që i paraqitet Zotit dhe simboli i mëshirës që zbret nga Zoti. Ose me fjalë të tjera, është vatra e marrëdhënies mes Zotit e robit. Nga njëra anë, lutja është adhurim; nga ana tjetër, është një miraxh vetjak, që bashkon botën materiale me atë shpirtëroren, të dëshmuarën me të padëshmuarën ende; një miraxh i lumturuar, që shkallë-shkallë, lartëson njeriun drejt së Vërtetës Sublime. Në sajë të lutjes, dora e mëshirës qëndron mbi ne dhe na mbron e na ledhaton, aq sa thuajse e ndjejmë vërtet. Njëkohësisht, lutja është një rrufepritës i ndëshkimit. Lutja është një formë efikase e adhurimit, që thith mëshirën e aprovimin hyjnor e shtyn e largon ndëshkimin e hidhërimin. Shpeshherë, aty ku fuqia njerëzore bllokohet e nuk ka më ndikim, ndërgjegjja njerëzore, me apo pa vetëdije, thërret në skenë lutjen. (Ah, sikur të ndodhte kështu që në momentin e parë!)

Në strukturën e brendshme të lutjes është e pamundur të përcaktohet kur ajo nis e kur ajo mbaron, madje ndoshta nuk ekziston aspak një përkufizim i tillë përsa i përket lutjes. Sepse nuk ekziston edhe ndonjë moment i tillë, gjatë të cilit njeriu nuk ia ndjen nevojën lutjes. Ndaj edhe njeriu, që për asnjë çast nuk ndodhet jashtë ndikimit të Pushtetit Hyjnor, nuk duhet të ndahet asnjëherë nga lutja kundrejt këtij Pushteti. Sepse në derën e Zotit mund të arrihet veç me anë të lutjes. Në atë derë mund të hysh me lutje dhe lutja është ajo që tërheq mëshirën mbi ne.

Nga aspekti ynë, lutja është kërkesë. Çdo nevojë morale e materiale, ne e kërkojmë prej Zotit. Kjo lutje mund të jetë me fjalë, mund të jetë me gjendje, mund të jetë edhe thjesht me zemër. Po ja që shpeshherë nuk e dimë se çfarë kërkojmë, nuk dimë si ta kërkojmë, nuk dimë, ndaj dhe kur kërkojmë, mund të shkelim edukatën e normat përkatëse ndaj Paracaktimit të të Gjithëpushtetshmes Hyjnore. Dhe këmbëngulim duke kërkuar atë që dëshirojmë dhe jo atë që Vullneti Absolut ka përcaktuar. Ndaj dhe kërkojmë pa treguar durim, duke dëshiruar plotësimin e çdo kërkese tonën, madje edhe në mënyrë imediate; dhe sa herë që kjo nuk plotësohet siç kërkojmë ne, duke menduar se lutja e kërkesa jonë është refuzuar, biem në pesimizëm.

Me një tjetër shprehje, kërkojmë gjithmonë që ta marrim Vullnetin Absolut nën timonin e vullnetit tonë të pjesshëm individual. Ja, të gjitha këto janë në kundërshtim me shpirtin, normat e terminologjinë e lutjes. Lutjet e kryera në këtë mënyrë janë larg të qenit lidhje mes robit e Zotit. Kurse zbatimi i normave dhe përshtatja me shpirtin e lutjes janë kushtet më të rëndësishme, ndoshta primare, që lutja të gjejë përgjigje. Shpeshherë lutja del nga zemra drejtpërdrejt, vetëm si një ndjenjë, në formën e një dëshire të zjarrtë a të një pasioni. Në këtë rast njeriu nuk përdor asnjë fjalë. Ndoshta as buzët nuk i lëviz, po ai është aq i ndërgjegjshëm se i Gjithëdijshmi i të Hapurës e të Fshehtës e di gjendjen e tij dhe atë që do zemra e tij më së miri, sa pa thënë asgjë, lë gjithçka në dorë të Tij, kështu dhe i gjen përmbushje për kërkesat e lutjet që ka. Krejt sikur profeti Ibrahim kur po e hidhnin në zjarr. Në çastin kur çdo shkak hesht, çdo mundësi është e pamundur, urdhri hyjnor i bëhet atij burim shpëtimi në një formë të tillë, që askush nuk e priste: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” (Enbija 21/69).

Përcjellja me gjuhë e me fjalë e ndjenjave të zemrës drejt Zotit, është një tjetër formë e lutjes. Në këtë formë, robi paraqet veç gjendjen e tij, nuk kërkon diçka specifike. Ndonjëherë, ai mund të shprehë edhe gjendjen në të cilën ndodhet, edhe atë çfarë kërkon. Në Kur’an jepet shembulli i të dy formave të kësaj lutjeje, si lutje profetësh. Si shembull i formës së parë, janë lutja e profetit Ejjub (a.s.): “Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!” (Enbija 21/83) dhe lutja e profetit Junus (a.s.): “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (Enbija 21/87).

Kurse shembull i formës së dytë është lutja e profetit Zekerija (a.s.), i cili i lutet Zotit kështu: “Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!” (Ali Imran, 3/38).

Përveç këtyre, në Kur’an lutja është një prej temave që theksohet më tepër dhe lutjet që duhen bërë, i mësohen direkt Profetit. Kjo gjë, tregon më së miri rëndësinë e kësaj teme. Po të mos ishte e rëndësishme, pse do të theksohej lutja në Kur’an në qindra ajete? Përveç atyre ajeteve, në qindra e qindra hadithe të shenjta, të përcjella nga profeti, theksohet rëndësia e lutjeve dhe paraqiten qindra lutje që u këshillohet besimtarëve t’i bëjnë në çdo etapë të jetës. Njeriu kërkon që të shprehë një për një gjithë ndjenjat e dëshirat e veta, në mënyrën më të saktë e më koncize. Atëherë ndihmësi i tij primar për këtë, është Kur’ani Famëlartë. Dhe pas Kur’anit, lutjet që na mësohen në hadithet e shenjta.

Kështu duhet të jetë, sepse Ai që na ka krijuar bashkë me dëshirën për të kërkuar, Ai na mëson edhe si të kërkojmë me anë të atyre lutjeve. Padyshim që lutjet më të bukura e më të ndjeshme, Allahu ia ka mësuar profetit të Vet. Dhe profeti e njeh më mirë se kushdo tjetër Atë, të cilit i shkohet në derë me lutje. Profeti është njeriu i vendosmërisë në rrugë të drejtë, sepse adhurimi do vendosmëri. Duke thënë: “Më adhuroni Mua, kjo është rruga e drejtë!”(Jasin 36/31) Allahu jep një shenjë drejt kësaj të vërtete. Në çdo veprim të profetit dallohet kriteri dhe ekuilibri; edhe kur dërgonte ushtritë për të triumfuar andej-këtej nëpër botë, Ai ruante gjithnjë parimin të mos dëmtonte as edhe një milingonë. Gjithmonë ai është lidhur me shkaqet konkrete, po asnjëherë nuk e ka lënë lutjen pas dore. Kush dëshiron të shohë një jetë të kaluar natë e ditë me lutje e përgjërime, le të shohë jetën e profetit. Le ta shohë, që njerëzimi të kuptojë se ç’është lutja, si duhet performanca e saj, cilat janë normat e saj dhe cilat janë përfitimet morale e materiale që i sjell ajo njeriut. Le ta shohë e të marrë mend! Qindra njerëz kanë mbledhur lutjet e Profetit e kanë përgatitur vëllime të ndryshme me ta. Zoti i Gjithëmëshirshëm nuk ia kurseu një mirësi të tillë as autorit të këtyre rreshtave, Ai është Bujari që nuk kursehet, kështu u përgatit një libër me lutjet e profetit nën titullin “Libri i Lutjeve”. Brenda mundësive, kjo përmbledhje është përgatitur në përmasa të vogla, por edhe ata që shfletojnë këtë mini-përmbledhje, kanë rastin të kuptojnë se edhe në botën e lutjes, profeti është i paarritshëm. Thua se ai e ka kaluar çdo çast të jetës duke u lutur. Edhe sikur një njeri të mos merret me asgjë tjetër, po vetëm të lutet gjatë gjithë jetës së tij, ato lutje do të jenë më pak se lutjet e përcjella nga Profeti. Ai i ka shpërndarë lutjet në brendësi të jetës së vet dhe çdo hap e ka hedhur nëpërmjet këtyre kristaleve drite të gjithanshme. Lutja është një fjalë që përsëritet e përsëritet e nuk ndahet nga buza e tij, përgjërimi e thirrja e shpirtit të tij, që nuk reshtte asnjë çast. As edhe një moment ai nuk e kishte lëshuar nga dora këtë kupë me ujë parajse, që i lagte buzën, as edhe një çast nuk e kishte përjetuar pa lutje! Ai ishte njeriu i aksionit, njeriu i gjykimit, po edhe njeriu që nuk kishte shok në lutje e adhurim. Edhe pasuesit ishin një grupim adhurimi, po sa herë që viheshin të ecnin me një hap me të në rrugën e adhurimit, mbeteshin prapa. U qoftë falë shpirti im, atyre që mbetën në rrugë! Kurse ai veç ecte, pa ditur ç’është lodhja, pa ditur ç’është ndalesa. Sepse Zoti e kishte krijuar veç të ecte para, veç të printe. Në Miraxh, edhe Xhebraili kishte dalë në udhëtim me të, por pas njëfarë vendi, edhe ai kishte ndaluar. Kishte ndaluar e i ishte kthyer profetit: “Ec, o Dërguari i Zotit! Rruga është jotja!” Sepse ai i tillë ishte, thua se ishte në maratonë edhe me engjëjt. Ai ndodhej në kulmin e vetëdijes së adhurimit, në majë të yllësisë së lutjes, vështronte madhështinë e lartësinë e Zotit që nga më i larti i horizonteve dhe i mbushej shpirti me përkushtim. Me një dëshirë të sinqertë, ai thoshte: “Nuk të njohëm dot si e meriton dija Jote Sublime, o i Gjithëdijshëm!” Kështu thoshte, i dëshpëruar që nuk arrinte ta njihte si duhet Zotin e vet. Ja, kjo e tija, është njohja e vërtetë. Siç thotë Ebu Bekri: “Të kuptosh se nuk je i zoti ta kuptosh, ky është konceptimi i kuptimit e i njohjes.” Dhe i dëshpëruar në horizontin e vet të shenjtë, thoshte: “A nuk ka më?”

Një buqetë lutjesh

Ne nuk do të trajtojmë e analizojmë këtu të gjitha lutjet e tij. Aq më tepër që e çikëm këtë temë veç për të dhënë një ide rreth konceptit të pamatë të lutjes së profetit. Ndërsa tani, dua ta mbyll këtë temë duke përmendur veç disa nga mijëra lutjet e tij.

a) Para gjumit

Gjumi është vëllai i vogël i vdekjes. Ndaj dhe njeriu duhet të bjerë në gjumë me këtë mendim, sepse ajo mbyllje e syve mund të jetë dhe e fundit për të në këtë botë. Kështu që nuk duhet të hyjmë në shtrat të hutuar e të shastisur, po të ndërgjegjshëm e të kujdesshëm. Para se të flinte, profeti lexonte këto: fillimin dhe tre ajetet e fundit të sures Bekare, ajetin Kursi, suren Jasin, suren Sexhde, suren Mulk, pastaj lexonte nga tre herë suret Ihlas, Felek e Nas dhe një herë suren Kafirun, bashkonte duart, frynte në shuplaka dhe fërkonte pastaj gjithë trupin. Pastaj lexonte edhe gjithë ato lutje të tjera, të cilat, po t’i përmendim këtu, do të zgjatemi shumë, ndaj dhe e drejtojmë lexuesin që kërkon hollësi të mëtejshme në përmbledhjen e lartpërmendur ose në përmbledhjet e tjera të lutjeve. Kush dëshiron, mund t’i gjejë ato lutje në këto përmbledhje dhe mund të ndriçojë jetën e vet me to.

b) Kur hynte në shtrat

Kur hynte në shtrat, profeti lexonte 33 herë Subhanallah, 33 Elhamdulil’lah dhe 33 (sipas një transmetuesi tjetër 34) Allahu Ekber, pastaj lexonte të tjera lutje të ndryshme. Njëra prej këtyre lutjeve është kjo:

“O Zoti im, ta dorëzoj veten time Ty, kthehem nga Ti dhe çdo gjë timen e lë në dorën Tënde. Mbështetem te Ti edhe duke u druajtur, edhe duke shpresuar. Nuk ka mbrojtje tjetër prej Teje, veç Teje. Ti je i vetmi mbrojtës. O Zot, i besoj librit që ke zbritur dhe profetit që ke dërguar (është kusht që profeti të pohojë edhe profetësinë e vet). O Zot, më ruaj nga ndëshkimi Yt, ditën kur të ringjallësh gjithë njerëzit. Unë, me emrin Tënd vdes, me emrin Tënd ringjallem. Pastaj vinte dorën e djathtë nën kokë, mblidhte paksa gjunjët dhe shtrihej në anë të djathtë. Kjo ishte një shtrirje e shkurtër, sepse do të ngrihej më pas. Ai çdo natë përjetonte emocionin e faljes së Tehexhudit – namazit të natës.

ç) Kur ngrihej për Tehexhud

Namazin e natës ai e zbukuronte me këtë lutje që e thoshte kur ngrihej: “O Zoti im, për Ty janë gjithë falënderimet. Ti je “Kajjum”, që mban në këmbë qiejt, tokën e gjithë ç’ka në to. Të gjitha falënderimet janë për Ty. Ti je “Melik”, pronar e sundues i plotfuqishëm, i vërtetë i qiejve, tokës e gjithë ç’ka në ta. Të gjitha falënderimet janë për Ty, Ti je Drita e qiejve, e tokës e gjithë ç’ka në ta. Leximi i kësaj lutjeje në mes të natës është shumë domethënës. Madhështia marramendëse e qiejve natën duket më së miri, ndërsa yjet vështrojnë drejt tokës, njeriut i lindin në shpirt ndjenja të pashpjegueshme. Po ashtu, edhe toka është një sonatë e kësaj simfonie. Dhe kjo lutje falënderon Allahun, i cili i mban në këmbë me gjithë mrekullinë, madhështinë e ekuilibrin e tyre. Shumë mendojnë se atributi “Kajjum” që përmendet këtu, është nga Emrat e Mëdhenj (Ismi Adham). Shpeshherë, Profeti përdor këtë emër, kuptimet e shfaqjet e tij, në lutjet që i drejtohet Allahut. Edhe pasuria, edhe pushteti janë të Allahut, ndaj Ai është i vetmi “Melik” - i Gjithëpushtetshëm, i vetmi “Malik”, pronar e sundues absolut. Çfarë besnikërie! Çfarë lidhje me besën ka ky profet! Dy-tre orë para, ai rinovoi premtimin e ra në gjumë, duke u zgjuar sërish, më së pari rinovon besën e fjalën e dhënë. Sepse ai është kthyer në botën e dëshmuar, nga ato botëra që ka shëtitur në gjumë dhe më së pari i duhet të rinovojë dëshminë e besën e tij. Pastaj vazhdon lutjen me këto fjalë: “Për Ty janë të gjithë falënderimet, Ti je e Drejta, e Drejtë është fjala e besa Jote! I drejtë, i vërtetë është takimi me Ty, e vërtetë është fjala Jote, të vërteta janë ferri e parajsa! Të vërtetë janë profetët e profeti Muhamed! E vërtetë është Dita e Kijametit! Zoti im, t’u dorëzova Ty, të besova Ty, t’u drejtova Ty, u solla nga Ti. Vetëm me mirësinë Tënde u përpoqa, vetëm vendimin Tënd kërkova! Më fal të gjithë mëkatet e të kaluarës e të së ardhmes, (mos më lejo të hyj në mëkat dhe mbylli portat e mëkatit për mua). Falmë edhe veprat që i bëra haptas edhe ato që i bëra fshehtas. Dhe përtej këtyre, falmë edhe ata mëkate që Ti i di shumë më mirë sesa unë. (Unë mund të di atë që kam në zemër, po mund të mos e di të fshehtën, misterin e ato që kam në botën e padëshmuar. Nëse në bazë të këtyre ndjenjave kam pësuar ndonjë shkëputje pa e ditur, Ti më fal edhe për këtë!) Ti je Ai që të vë para, ti je Ai që të lë mbrapa. Nuk ka zot tjetër veç Teje. Forca, pushteti i përkasin vetëm Allahut”[1]. Kur thuhet “I Drejtë- i Vërtetë- Hakk”, në bazë të parimit “përmendja absolute tregon sublimen e atributit”, i pari që na vjen ndërmend është Allahu (xh.xh.). Ndaj dhe profeti, me këtë lutje, shpall e brohoret se çdo gjë që vjen nga Allahu, është e drejtë, e vërtetë. Akoma pa u shtrirë, ai i paraqet dorëzimin e tij Allahut, tani, akoma pa u ngritur, shpall sërish dorëzimin e besimin e tij… e shpall dhe rinis jetën me ndërgjegjen e një besimi e të një dorëzimi të shprehur. Dhe këtë lutje e përfundon duke thënë: “Nuk ka asnjë pushtet tjetër veç Allahut”. Sepse njeriu, po të mos strehohet nën forcën e pushtetin e Allahut, nuk mund ta përballojë dot peshën e ngarkesës që ka mbi shpatulla; besimi, dorëzimi te Allahu, përkushtimi, që të gjitha i mundëson vullneti i Zotit. Nëse Ai nuk do, nëse Ai nuk ndihmon, askush nuk mund ta gjejë Atë, askush nuk mund të strehohet te Ai. Ndaj dhe çdokush, në raport me nivelin e pozitën e vet, është i detyruar të strehohet nën pushtetin e forcën e Zotit. Pasi krijon një të tillë atmosferë shpirtërore, i mbushur me këto ndjenja e mendime, profeti nis të falet dhe krelat e zeza të natës bëhen qull prej lotëve të tij. Sidomos gjatë namazeve nafile, të cilat i falte i vetëm, ai lutej shumë dhe e zgjaste faljen sa mundte. Kur niste faljen, para se të lexonte Fatihan, lexonte rregullisht këtë lutje, së cilës shpesh i shtonte edhe fragmente të tjera:

“O Zoti im! Askush nuk mund ta pengojë mirësinë Tënde dhe askush nuk mund të mundësojë atë që Ti pengon. Askush nuk mundet ta ndryshojë e as ta refuzojë vendimin Tënd. Përballë Teje, asnjëfarë pushteti nuk i vlen askujt”[2]. Pas kësaj lutjeje, shpesh vazhdonte me këtë:

“O Zot, më largo nga mëkatet, siç ke larguar lindjen nga perëndimi!”

“O Zot, më pastro nga mëkatet, sikur pastrohet rroba e bardhë prej papastërtisë!”[3]

Pas këtyre, lexon “Subhaneke” dhe më pas gjithë këtyre lutjeve e përmendjeve, nis Fatihan. Në të vërtetë, profeti ka lexuar edhe lutje të tjera gjatë kësaj kohe, duke e drejtuar sërish lexuesin nga përmbledhjet e lutjeve, ku do t’i gjejnë më të detajuara gjithë ato fjalë të arta të profetit.

d) Kur zgjohej në mëngjes

Sa hapte sytë në mëngjes, buzët e tij njomeshin me këtë lutje: “O Zoti im, u gdhiva duke pohuar se: Ti je Allahu, nuk ka zot tjetër veç Teje dhe se Muhamedi është robi Yt e Profeti Yt dhe për këtë të mbaj Ty dëshmitar dhe mbaj dëshmitarë të gjithë banorët e gjithësisë, gjithë engjëjt e gjithë krijesat”[4].

I mbaj dëshmitarë dhe dëgjoj ç’thonë. Fëshfërimat e pemëve, pëshpërimat e gjetheve, shushurimën e ujit, gurgullimën e tij e bashkoj me dëshminë time dhe si një simfoni që ushton anë e mbanë, e sjell këtë te Ti.

Kjo shfaqje e profetit është në raport me marrëdhënien e tij hyjnore, me thellësinë e paanësinë e ndjenjave, ndërgjegjes dhe konceptit të tij. Edhe nëse shprehet me të njëjtat fjalë, një tjetër person e ka të pamundur të arrijë të ndjejë e të konceptojë si ai, me të njëjtat veçori, në të njëjtën thellësi…

Profeti mban dëshmitar gjithë ekzistencën, engjëjt, që veçanërisht janë pranë Allahut dhe banorët e qiejve, që sodisin që andej gjithësinë… dhe falënderimit që i paraqet Allahut, i shton gjithë atmosferën e frymën e tyre, pastaj ashtu e shpalos para Zotit. Profeti përfshin veçanërisht atmosferën e engjëjve në lutjen e tij. Këtu kuptojmë se kur trokasim në dyert e të mëdhenjve, është me vend të kemi pranë edhe një dorë që prek dorezën. Ndaj dhe ai njeri i madh, Omeri, njëherë kur thatësira kishte pllakosur Medinën, merr Abasin për dore dhe me të bashkë, ngjitet në një majë. Pastaj i merr duart e Abasit dhe i ngre lart, duke u lutur me këta fjalë: “O Zoti im, këto duar të ngjitura drejt Teje, janë duart e xhaxhait të njeriut Tënd më të dashur. Për hatër të këtyre duarve, na jep shi, o Zot!” dhe ende pa u ulur duart, shiu kishte nisur të binte pikë-pikë.

Ja, intuita dhe zgjuarsia e Omerit, i cili mësimet i kishte marrë nga profeti dhe sikur ai përfshinte engjëjt në lutje, edhe ai kishte përfshirë dikë, që e njihte për më të afërt.

Në mes të lutjeve që bënte Profeti ditë e natë, ishte edhe kjo: “O Krijuesi i qiejve dhe i tokës! Ai që di botën e dëshmuar e të panjohur! I Gjithëpushtetshmi, Bujari, Zoti im! Të shpall tani lidhjen time me Ty në jetën e kësaj bote dhe të mbaj Ty dëshmitar për këtë! Dëshmia Jote më mjafton”[5].

Në këtë lutje përdoret emri Fatir - Krijues. Kjo fjalë ka edhe sinonimet e saj: Bari, Halik, Xhail, po me Fatir nënkuptohen edhe këto mendime:

Ti ke krijuar qiellin e tokën sipas ligjeve e sipas karakteristikave të tyre. Në këto ligje, ku përfshihen ligjet e mjekësisë, fizikës, kimisë, astrofizikës, astronomisë dhe këto ligje sikur hyjnë në fuqi edhe njëherë. Çdo mëngjes, sikur rinovohen e i dhurohen sërish njerëzimit. Këtë rregull, përpikmëri, sistematikë e pastërti ia dhe Ti atyre, Zoti im!”

e) Kur bëhet darkë

Profeti, që zbukuron atmosferën e ditës që lind me lutjet e tij të mahnitshme, vazhdon të lexojë lutjet e veta edhe kur perëndon dielli e bie errësira. Lexon e thua se e risjell diellin sërish me lutjet e tij. Ndal dhe netët e profetit ishin të njëllojta me ditën. Lutjet ishin fenerë të shndritshëm që ndriçonin qiejt e netëve të tij, ndaj dhe ai nuk neglizhonte asnjëherë t’i ndizte këta fenerë.

“O Zoti im! U ngrysa duke dëshmuar e duke mbajtur dëshmitarë të gjithë ata që mbajnë kupën e qiejve, engjëjt e gjithë krijesat, se nuk ka zot tjetër veç teje, se nuk ke shok e as ortak dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari Yt”[6].

Secila etapë e namazit të tij, është si një shkallë drite, që ngjitet drejt kupës së qiellit. Secila këmbë e kësaj shkalle, është atmosfera e larmishme në fazën e përgatitjes për namaz, është e lidhur fort me ndriçimin e dritës brenda namazit. Edhe në banjë, ai hyn duke u lutur, del duke u lutur. Nis abdesin me një lutje dhe e vazhdon me nga një lutje për secilën pjesë të trupit që lan. Përfundon abdesin dhe sërish lutet. Lexon një lutje pas ezanit, hyn në xhami me lutje, nis namazin me tjetër lutje. Lutet rrugës për në faltore, lutet në faltore, lutet duke dalë nga faltorja dhe secila prej këtyre lutjeve, është e posaçme për rastin përkatës. Nis namazin dhe menjëherë pas tekbirit fillestar, lutet. Në ruku’, sexhde e kijam, mes dy sexhdeve, kur rri ulur, kur jep selam… Ai lutej… Dhe profeti nuk neglizhonte pothuajse asnjëherë t’i lexonte të gjitha këto lutje.

f) Gjatë namazit

Pas tekbirit fillestar: “E drejtova fytyrën nga Ai që ka krijuar qiejt e tokën, duke i kthyer shpinën gjithçkaje, veç Tij dhe duke u dorëzuar te Ai. Unë kurrë nuk jam nga mushrikët. Padyshim që namazi im, adhurimi im, jeta e vdekja ime, janë për Zotin e botërave, Allahun. Ai nuk ka ortakë. Mua, kjo më është urdhëruar dhe unë jam prej myslimanëve. Zoti im, Ti je i gjithëpushtetshmi “Melik”! Nuk ka zot tjetër veç Teje. Ti je Zoti im dhe unë jam robi yt. Unë i bëra keq vetes, i pohoj mëkatet e mia, veç Ti m’i fal të gjitha mëkatet, se s’ka tjetër veç Teje që të mund të falë”[7].

Një nga lutjet që lexohen në ruku: “O Zoti im, para Teje u përkula në ruku’, Ty të besova, Ty t’u dorëzova. Veshi im, syri im, palca e kockat e mia, sistemi im nervor e gjithë ç’mbajnë këmbët e mia, janë përkulur e i janë bindur Zotit të botërave, Allahut!”[8]

Kur drejtohet nga rukuja: “O Zoti im! Të gjitha falënderimet të përkasin vetëm Ty, për Ty janë lavdërimet e falënderimet sa përfshijnë qiejt, tokën e gjithçka mes tyre. Për Ty janë falënderimet, aq sa do të dëshirosh e krijosh paskëtaj”[9].

Në sexhde: “O Zoti im! Për Ty rashë në sexhde, Ty të besova, Ty t’u dorëzova. Fytyra ime ra në sexhde para Atij që e krijoi, i dha formë, i dha sy e veshë. Sa i lartë është Allahu, Ai që ka krijuar gjithçka në vlerën optimale! O Zoti im, fali të gjithë mëkatet e mia, të vogla, të mëdha, të hershme, të vona, të hapura e të fshehta!”[10]

Çfarë tjetër bën njeriu në jetë, përveç adhurimit? Ha e pi, shtrihet e ngrihet, qesh e qan, gëzohet e hidhërohet, martohet, bëhet me fëmijë… vesh rroba të reja, niset për udhëtim ose kthehet nga udhëtimi, lufton, përpiqet, kthehet nga beteja, merr një lajm të mirë a të hidhur… takon një mik të dashur, sëmuret, shërohet… fle, shikon një ëndërr të bukur ose një ëndërr të frikshme, bashkë me këto bën edhe qindra gjëra të tjera, gjendet edhe në sa e sa situata të tjera. Ja, profeti, në të gjitha këto situata, gjatë gjithë këtyre veprimeve, thotë nga një lutje të posaçme për atë situatë, duke lartësuar qenien e tij njerëzore dhe duke e bërë thuajse një me engjëj. Përveç këtyre, ka edhe plot ngjarje që përjetohen jashtë njeriut, që i interesojnë atij në mënyrë indirekte. Për shembull thatësira, eklipset, zjarri, përmbytjet, stuhitë e fatkeqësitë e tjera natyrore, të cilat edhe nëse nuk e dëmtojnë njeriun drejtpërsëdrejti, në një farë mënyre e ndikojnë atë. Edhe në këto raste, profeti lexon lutjet e posaçme, që edhe të formohet shpirti i përbashkët i shoqërisë, edhe njerëzit t’i drejtohen Zotit në çdo situatë. Përveç këtyre, është Xhevsheni. Po, Xhevsheni, i cili përcjellë nga imamët e ehli bejtit, ndaj ndoshta për këtë arsye nuk ka marrë shumë famë mes dijetarëve suni, po që ka qenë gjithmonë një lutje e praktikuar pa ndërprerje e pa u lënë pas dore nga të mëdhenjtë. Një njeri që shfleton Xhevshenin, mund të konceptojë aty më së miri thellësinë e profetit e të lutjes së tij. Shumë herë e theksuam edhe në krye të fjalës, se nuk ishte qëllimi ynë këtu të përcillnim lutjet e profetit. Ne kërkuam të tregonim se edhe në lutje, ai nuk ka shok, është i paarritshëm dhe se lutja është shoqëruese në çdo moment të jetës së tij. Natyrisht që ky përfundim nuk mund të arrihet e nuk mund të konceptohet drejt, pa i parë të gjithë ato lutje. Ne thjesht u munduam të jepnim një ide të përciptë, duke paraqitur këtu disa prej tyre. Kjo puna e jonë mund të krahasohet me atë që tregon një rrëke uji, për të faktuar një ujëvarë të tërë. Po, ne e pohojmë, e besojmë dhe e vërtetojmë se ai nuk ka shok, as të ngjashëm, në çdo aspekt të virtytit. Ai është një kulm në kulmin e të gjithë mirësive, ndaj dhe ne, në krye të kësaj vepre, gjer këtu i përpoqëm të rinovonim ë te provonim besimin që kemi për këtë. Nëse ka ndonjë të metë, ajo rrjedh nga mangësia jonë e të konceptuarit, ose e të shpjeguarit, sepse Ai është larg të metave, i pastër nga gabimet, Ai është i përzgjedhuri Muhamed (s.a.s.). Në gjithë jetën e këtij personi, që çdo çast të Tijin e ka ndriçuar duke parë nga Zoti, është e pamundur të gjendet qoftë edhe një çast i vetëm errësire a zymtësie. E gjithë jeta e tij është lutje, përgjërim. Që ditën që ka lindur, ka thënë: “Ummeti, ummeti!” Edhe ditën e ringjalljes, ashtu do të thotë! Po, i gjithë halli i tij ishte populli i vet. Nuk më bën zemra ta mbyll këtë temë në lidhje me profetin. Ndërsa flisja për të, isha në një të tillë atmosferë, sa më duket se ndodhesha bashkë me të, ndaj dhe nuk më bëhet ta lë një mjedis të tillë të bekuar. Tani, erdhëm e prekën fundin. Tani jam i detyruar të lidh nyjën e heshtjes. Ndaj dhe dua ta mbyll fjalën me këto shprehje të mbushura me dritë e me kuptim të një Sulltani të Fjalës, me qëllim që të përfundojë bukur e të kundërmojë bukur.

“Po, po… Shikoni personin shpirtëror të Atij simboli hyjnor. Gjithë bota është mesxhid, Meka një mihrab, Medina një minber, Ai, profeti ynë (a.s), që është argumenti i Zotit të Tij dhe tregon Zotin e Tij, është udhëheqës i të gjithë besimtarëve, ligjërues përballë gjithë njerëzve, prijës i gjithë profetëve, zotëri i gjithë miqve të Zotit dhe kreu i përmendësve të gjithë hallkave të përmendjes e të falënderimit, të formuar nga profetët e të zgjedhurit. Aq pemë e ndritshme që është Ai, sa profetët janë rrënjët e saj, që e mbushin me jetë; të përzgjedhurit janë frutat e saj të freskëta. Të gjithë të dërguarit, me kauzat e tyre të mbështetura në mrekulli profetike dhe të gjithë të përzgjedhurit, me misionet e tyre të ndihmuara me keramet - mrekulli të dhuruara nga bujaria hyjnore - hedhin firmën e tyre nën dëshminë e tij dhe e vërtetojnë atë. Sepse ai thotë “la ilahe il’lallah!”, brohoret… E majta dhe e djathta, domethënë ata përmendës të ndritshëm që rreshtohen në të shkuarën e në të ardhmen e tij, të gjithë së bashku pohojnë me shpirt: “Fole saktë, the të drejtën!” E kush është ai që guxonndërhyjë në një thirrje të tillë, në një kauzë të vërtetuar e të dëshmuar me gjithë këto firma të panumërta?

Ai fakt i ndritshëm i tevhidit (besimit në një Zot të vetëm), ashtu sikur përforcohet e vërtetohet unanimisht nga dy anët, ashtu vërtetohet e faktohet edhe nga qindra shenja treguese që zënë vend në librat hyjnorë, si Ungjilli e Tevrati, nga gjithë ata njerëz e ngjarje para profetësisë, nga dëshmi e parathënie të panumërta, të thëna nga parathënësit e orakujt, e nga mrekullitë që mund të shprehen veç me mijëra…Bashkë me këtë është edhe drejtësia e vërtetësia e fesë që ai solli, e cila e vërteton atë. Përveç tyre, morali optimal i tij, që meriton t’i thuren lavde, karakteri e natyra e tij e përsosur, në përshtatje me misionin e tij dhe të gjitha këto bashkë me besimin e tij të patundur, dëshirën e përpjekjet e tij për të ftuar këdo në besim, ruajtjen e largimin e tij nga çdo lloj mëkati, që paraqet besnikërinë e sigurinë e tij; adhurimi e përkushtimi i tij i paparë, serioziteti i tij i pashok, qëndrueshmëria e vendosmëria e tij e rrallë, tregojnë më së miri besnikërinë e tij ndaj kauzës së vet dhe e qartësojnë atë si dritë dielli. Po deshe, eja shkojmë në gadishullin arabik, në periudhën e Shekullit të Lumturisë. Le të imagjinojmë sikur e vizitojmë në krye të misionit të tij. Ja, shiko! Do të shohësh një person të zgjedhur, në kulmin e bukurisë fizike e shpirtërore, me një mënyrë jetese të përkryer, i cili në dorë ka një libër të mrekullueshëm, në gjuhë një ligjëratë që tregon të vërtetat dhe është duke i kumtuar gjithë njerëzimit, ndoshta edhe xhindeve, engjëjve e të tjerëve, ndoshta gjithë ekzistencës, një kumtesë pa kufi kohe… Ai hap e zbulon enigmën që fsheh misterin e krijimit të botës, hap magjinë e sofistikuar të sekretit të gjithësisë, e zbërthen atë dhe u jep përgjigje të pranueshme atyre pyetjeve që i janë bërë gjithkujt dhe kanë pushtuar çdo mendje, duke e bërë të mahnitet: Çfarë je? Nga vjen? Ku shkon?

Ja, shih! Gjithë ato tribu të ndryshme e inatçore, të egra e fanatike në traditën e tyre. Për shumë pak kohë, Ai shkuli nga bota e tyre traditat e këqija, karakteret e egra, i pajisi ato me gjithçka në emër të moralit të pastër e të virtytit dhe i bëri mësues e mjeshtra për kombet e qytetëruara e për gjithë botën. Shiko, nuk është thjesht një entuziazëm i përkohshëm e ndikim sipërfaqësor! Ai ndikon, pushton e triumfon mendjet, zemrat e egot e tyre. Ai u bë i dashuri i zemrave, mësuesi i mendjeve, mbreti i shpirtrave dhe udhëzuesi i arsyeve”.

O mbret i shpirtrave tanë! Ti u bëre mbret në shpirtrat tanë, e shpirti ynë të qoftë falë! Na ndero, e pranoje…!


[1] Buhari, Tehexhud, 1. Tevhid, 8, 35
[2] Buhari, Davaat, 18
[3] Buhari, Ezan, 89
[4] Ebu Davud, Edep, 101; Tirmidhi, Davaat, 79
[5] Musned, 1/412
[6] Ebu Davud, Edeb, 101.
[7] Muslim, Musafirin, 201; Tirmidhi, Davaat, 32
[8] Muslim, Musafirin, 201
[9] Muslim, Salat, 202-203
[10] Muslim, Musafirin, 201

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.