Njeriu i intuitës së lartë me dimensione revelative

Që një lider të pëlqehet dhe pranohet me të gjitha aspektet e tij nga bashkësia e vet dhe njerëzit që e ndjekin pas, si dhe që ai të bëhet një njeri i besueshëm dhe të cilit i binden, duhet që ai të jetë në gjendje t’i zgjidhë të gjitha problemet që i përkasin shoqërisë apo grupit shoqëror përkatës: individuale, familjare, shoqërore, ekonomike, politike, etj. Një lider, në atë masë që t’i zgjidhë problemet individuale, familjare e shoqërore të njerëzve që ka pas, pranohet dhe duhet prej tyre, merret në supe, bëhet flamur dhe mbrohet gjer në përjetësi. Ja pra, Profeti Muhamed (s.a.s.) ishte për njerëzimin një lider i tillë që i zgjidhte të gjitha problemet!

Në zgjidhjen e problemeve, si alternativë, mund të përdorni format e ndryshme të shtypjes, mund të jepni ndëshkime të ndryshme, mund të dërgoni në internim, mund të hiqni të drejtën e qytetarisë, mund të shtypni, mund t’i hapni dyert e burgjeve kat më kat, mund të zbatoni të gjitha llojet e torturave, mund t’u vini njerëzve spiunët nga pas, mund t’i mbani disa njerëz nën presion me anë të frikës dhe terrorit shtetëror, por me këto nuk mundet të zgjidhni me rrënjë asnjë problem! Jo vetëm që s’mund t’i zgjidhni, por mund të bëheni shkak për ndërlikime të ndryshme dhe për depresione në përmasa shoqërore. Për rrjedhojë, kjo nuk është rrugëzgjidhje. Edhe pse disa njerëz mund ta quajnë këtë rrugë zgjidhjeje, kjo është e tillë që bën të lindin probleme të reja. Madje është një rreth vicioz. Ju gëzoheni se zgjidhët diçka, por as që po i bini më të se jeni duke u përballur me një sërë koklavitjesh. Sapo të formohet një rreth vicioz dhe të hyni në të, çdo veprim i ri i juaji për ta thyer, për të dalë prej tij, ju fundos edhe më keq të! Kurse Profeti Muhamed (s.a.s.) i pati zgjidhur të gjitha problemet me lehtësinë e heqjes së një qimeje prej gjalpit, pa hyrë në rreth vicioz, pa u prirur ndaj shtypjes dhe terrorit, pa u mbështetur në frikësimin dhe tmerrimin, pa iu drejtuar burgjeve, duke respektuar vullnetin e lirë të njerëzve dhe duke ditur se si duhet të jesh i respektueshëm ndaj tyre. Pa parë gjendjet e tjera mrekullore, pa marrë parasysh mrekullitë e tij, vetëm nëse do të mundeni ta shihni me vëmendje në këtë aspekt të tij, edhe ju do të thoni: “Muhammedu’r-Resulullah”, “Muhamedi është i Dërguari i Allahut”! Po, Profeti Muhamedi (s.a.s.) s’është tjetërkush, veçse i Dërguari i Allahut! Po të mos ishte profet, si do t’i zgjidhte të gjitha këto probleme? Kurse ai doli nga mesi i një shoqërie që prodhonte probleme pa pushim, që shkaktonte grindje në çështjen më të vogël, të hapur ndaj intrigës, ku njerëzit i kundërviheshin njëri-tjetrit për pesë para, i një shoqërie të mbytur në egërsi, perversitet, tërbim, errësirë, dhe Allahu (xh.xh.) ia ngarkoi në supet e bekuara detyrën e rëndë për ta sjellë në rrugë të mbarë këtë shoqëri! Siç shprehet edhe ajeti, “sikur ta zbrisnim këtë Kur’an mbi një mal, do ta shihje se si do të strukej e çahej...” (Hashr, 59/21), Profeti Muhamed (s.a.s.) erdhi me një përgjegjësi të tillë që, po t’u ngarkohej maleve, do të thërrmoheshin e bëheshin pluhur; po, kaq e rëndë ishte përgjegjësia e tij! Sepse Allahu e kishte ngarkuar me detyrën e orientimit të një shoqërie tejet të egër, tejet beduine, tejet të zvetënuar! Edhe ai, i kapi një për një të gjitha problemet për shkak të të cilave vuante ajo shoqëri, i zgjidhi e u dha fund dhe shoqëria arriti qetësinë dhe kënaqësinë!

Shoqëria e qetë dhe e kënaqur që formoi Profeti Muhamed (s.a.s.) ishte e tillë që të tjerët vetëm e kishin lexuar të përshkruar në veprat utopike. Ja “Republika” e Platonit, ja “Utopia” e Tomas Morit, ja dhe “Qyteti i Diellit” i Kampanelës. Duket sikur që të gjithë janë marrë me dëshirën për të kërkuar dhe gjetur atë shoqëri ëndrrash të përgatitur nga i Dërguari i Allahut. Le të vazhdojnë ata me fantazitë dhe iluzionet e tyre! Shumë shekuj para tyre, duke kapërcyer edhe aspektet e gjymta të mendimit të tyre, i Dërguari i Allahut e pati përgatitur dhe formuar në praktikë këtë shoqëri dhe ua pati ofruar pasardhësve si një model ekuivalent me yjet në qiell! Kush do të vepronte si ata, kush do të ndiqte shembullin e tyre, do të bëhej njeri i qetë e i lumtur dhe ashtu ndodhi. Ne e shohim këtë të vërtetë lakuriq në ditët e sotme, i besojmë edhe më shumë mundësisë reale të periudhës së sahabeve dhe presim dritra dhe formime të reja!

Po qe se i Dërguari i Allahut nuk do t’i kishte zgjidhur të gjitha problemet e njeriut të asaj dite, a do të mund të dilnin nga brenda asaj egërsie sahabet, ata personalitete të konsideruar si krenari e njerëzimit? Pa asnjë dyshim që jo! Mirë, po a vetëm me mendjen dhe zgjuarsinë e vet i zgjidhi Profeti Muhamed (s.a.s.) të gjitha këto probleme? Edhe për këtë themi një “jo” të vendosur dhe shtojmë: Zoti i pati dhënë atij një zgjuarsi profetike të tillë që, në sajë të kësaj zgjuarsie të ndritshme me dimensione revelative, ai mundej t’i zgjidhte të gjitha problemet me mjaft lehtësi. Fundja, kjo ishte edhe një nga argumentet dhe provat e profetësisë së tij. Ndërkaq, kjo është edhe pikëdalja e temës sonë.

Dhe tani, le të përpiqemi të parashtrojmë disa shembuj për këtë specifikë.

1. Gjyqtarí për Gurin e Zi

Në atë periudhë, çdokush i drejtohej atij për probleme të ndryshme. Një ditë, gjatë meremetimit të Qabes ku pati punuar edhe ai vetë, doli në rend të ditës çështja e vendosjes në vend të Gurit të Zi që bartte embrionet e një katastrofe mes fiseve. Po qe se kjo çështje nuk do të zgjidhej brenda një a dy ditëve, lufta mes tyre bëhej e pashmangshme. Ashtu siç e thamë më lart me rastin e një çështjeje tjetër, mënyra e bukur se si e pati zgjidhur i Dërguari i Allahut vendosjen e Gurit të Zi në vend, e pati parandaluar një zjarr të tillë të frikshëm.

I Dërguari i Allahut shtroi përtokë një beze dhe e vuri Gurin e Zi në mes të saj. Pastaj u propozoi përfaqësuesve të fiseve ta kapnin secili bezen në një skaj dhe ta afronin së bashku te muri ku e kishte vendin. Pastaj i Dërguari i Allahut e mori vetë Gurin e Zi dhe e vendosi në mur.

Kjo ngjarje, në hollësitë e të cilës nuk do të hyjmë tani, tregon hapur se ç’zgjuarsi zotëronte i Dërguari i Allahut edhe para detyrës profetike!

Në këtë rast, kur iu kërkua të gjykonte këtë çështje, ai ishte ende një djalë 20-25 vjeç, pra nuk kishte ardhur ende koha kur ai do të mbështetej në gjykimet dhe veprimet e tij nga detyra profetike, kur do të fitonte thellësi mendimi dhe do të ulej para Rrethit Mësimor të Allahut (xh.xh.). Edhe në këtë periudhë kur ai ishte i mbyllur ndaj zbulesës hyjnore, me vendimet që kishte dhënë me anë të frymëzimeve të shpirtit të entuziazmuar, e kishte bërë të njohur veten te njerëzit, duke ngritur një fron të tillë në zemrat e tyre, saqë kur mohuesit kurejshë e patën parë të hynte brenda, patën bërtitur me gëzim: “Ky është Muhamed Emini, jemi dakord për gjykimin e tij!”[1] Kishte ardhur ai dhe problemi ishte zgjidhur! Po, ai e kishte mbaruar punën pa u menduar aspak, pa pritur, pa marrë laps në dorë, pa u takuar me këtë apo atë për të hetuar rrugë dhe metoda. Kjo ishte shumë e thjeshtë për të, mirëpo edhe të tjerët nuk patën kundërshtuar dhe nuk mund të kundërshtonin sepse e patën zgjedhur vetë gjykatës. Dhe ai kishte gjykuar dhe vendosur pa rrëshqitur dhe në mënyrë që i kishte lënë të kënaqur të gjithë!

Në jetën e tij nuk kishte hap të hedhur pas; nuk kishte, sepse ai zotëronte një zgjuarsi që i jepte mundësi t’i kuptonte shumë mirë gjërat që i vinin nga Allahu (xh.xh.)! Kjo zgjuarsi te ai ishte hapur si një burbuqe trëndafili, duke u hapur kishte marrë vezullime ngjyra-ngjyra dhe ishte reflektuar si buzëqeshje në fytyrën problematike, të pakënaqur e të thartë të njerëzimit. Po qe se thoni se erdhi një ditë që enigmat me dimensionet e njeriut të madh tek ai mbaruan, gaboheni, sepse nuk mbaruan, sepse, siç shprehej poeti Junus Emre, brenda asaj gonxheje kishte shumë e shumë gonxhe të tjera. Po, gjatë gjithë jetës së tij të shquar, atij i qenë drejtuar vazhdimisht dhe ai nuk i pati kthyer prapë të dëshpëruar ata që i kërkuan ndihmë, por ua pati zgjidhur problemet. Ajo shoqëri tejet e hapur para intrigës, prodhonte vazhdimisht probleme, kurse ai, i zgjidhte një e nga një.

Hixhreti ishte një problem më vete. Pastaj problemet e luftës e të paqes, problemet e interesave dhe përfitimeve ekonomike e materiale, problemet e plaçkës së luftës. Po qe se ai nuk do t’i kishte zgjidhur këto me lehtësi, përleshja mes tyre e atyre njerëzve me natyrë të ashpër e grindavece, që ndjenin kënaqësi në grindje dhe luftë, do të bëhej e pashmangshme!

2. Përpjesëtimi i presë së Hunejnit

Plaçkën e luftës të zënë në luftën e Hunejnit, i Dërguari i Allahut e ndau mes disa personave, zemrat e të cilëve kishte dashur t’i ngrohte ndaj Islamit. Ndërkaq, kjo ndarje u bë pretekst thashethemesh mes të rinjve ensarë (medinas). Po, sidomos të rinjtë medinas nuk e kishin honepsur këtë lloj ndarjeje dhe kishin thënë: “Shpatat tona ende kullojnë gjak, kurse plaçka e luftës u jepet atyre!” Ubade b. Samit shkoi te Profeti dhe e lajmëroi për gjendjen ashtu siç ishte. I Dërguari i Allahut e pyeti: “Po ti, ç’thua?” “Edhe unë jam njëri prej tyre!” - iu përgjigj Ubade. Gjendja ishte mjaft kritike. Duhej gjetur menjëherë një zgjidhje! Çështja nuk priste!

Dhe i Dërguari i Allahut, me anë të zgjuarsisë së tij që shpërthente dritë, e zgjidhi edhe këtë çështje mjaft lehtë. Këtë ngjarje e kemi përcjellë edhe më parë dhe patëm kujtuar që është një argument dhe provë për profetësinë e Muhamedit (s.a.s.). Edhe këtu mundemi të themi të njëjtat gjëra!

I Dërguari i Allahut organizoi një mbledhje ku do të merrnin pjesë vetëm ensarët, muslimanët medinas. Askush përveç ensarëve nuk u mor në atë mbledhje. Në mënyrë të veçantë, cilësia e zhvillimit të kësaj mbledhjeje dhe fjalët e thëna aty ushtruan një ndikim të tillë pozitiv mbi ensarët, saqë kur i Dërguari i Allahut u tha atyre, “a s’do të dëshironit që, ndërsa të tjerët të ktheheshin në shtëpi me dhi e me deve, ju të ktheheshit me të Dërguarin e Allahut?”, të gjithë ensarët s’i mbajtën dot lotët dhe qanë![2] Përballimi prej tij me lehtësi i këtyre vështirësive të rënda nuk u duhet lënë disa konsideratave enigmatike, burimeve të forcave të ndryshme. Sepse ai ishte vetëm një profet. Me lejen tuaj, këtu dua të përsëris edhe një herë një specifikë: ai kishte dalë mes një shoqërie të hapur ndaj hipokrizisë dhe intrigës, shoqëria ishte problematike dhe atij i vinin para çdo ditë një sërë problemesh të vështira për t’u zgjidhur. Dhe ai, ashtu siç pranon dhe shprehet Bernard Shou, i zgjidhte të gjitha vështirësitë me lehtësinë e pirjes së një filxhani kafeje këmbë përmbi këmbë! Dhe shihni këto fjalë të matura të një shpirti të pamatur, të thëna për të: “Në këtë periudhë kur problemet janë grumbulluar një mbi një, njerëzimi ka më shumë se kurrë nevojë për Muhamedin!” Me këto shprehje, Bernard Shou tregon se sa është magjepsur nga mënyra se si i Dërguari i Allahut i zgjidhte me lehtësi problemet! Me këto fjalë ai e pohonte dhe e pranonte një të vërtetë. Do të dëshiroja shumë që qoftë edhe ky pohim i vogël t’ia hapte sytë atij; do të dëshiroja, sepse ai ka shprehur ndjenja vlerësimi për profetin tim dhe, meqë të njëjtën gjë kemi menduar edhe për Ebu Talibin, shpresoj se kjo butësi e imja do të shihet e justifikuar!

3. Problemi i hixhretit

Hixhreti është një problem. Si një dukuri, hixhreti ose emigracioni është duke u jetuar edhe në ditët tona. Po e shihni se si po i futen shtetit dy këmbët në një këpucë... Unë këtë shqetësimin tim e kam parashtruar në shumë biseda. Këto janë vënia në skenë e lojërave të planifikuara jashtë. Nesër në Lindje mund të hapet një portë e re hipokrizie, kurse në Perëndim, një portë e re mosmarrëveshjeje; në Jug mund të hapet një portë tjetër eksplozioni, kurse në Veri, një portë tjetër separacioni. Të gjitha këto, sepse në një anë mohuesit dhe mizorët, në anën tjetër hipokritët e Azisë presin të gatshëm dhe me gishtin në këmbëz për të na hapur një mijë e një belara mbi kokë. Edhe më parë na e patën rrokur një pikë të tillë të dobët dhe e shtrinë përtokë Perandorinë Osmane që ishte element ekuilibri në botë! Po qe se populli nuk do ta kishte përdorur, më në fund, në Dardanele, në luftën për pavarësi, vetëdijen e kombit, sot ky popull e ky komb s’do të ishte më. Jo vetëm ky popull, as bota islame s’do të ishte, sepse as që ka patur komb dhe popull të dytë musliman që ta ketë mbajtur në dorë ekuilibrin mes popujve, kombeve dhe shteteve! Po kështu, po të mos ishte ky popull e ky komb, as ne nuk do të kishim shpresë për ekuilibër. Por në Dardanele dhe në luftën për pavarësi, shtabet heroike, vetëmohuesit, të sakrifikuarit, dëshmorët dhe ushtarët e thjeshtë të ushtrisë së të bekuarve të këtij avanposti të famshëm të fundit ditën ta përdorin vetëdijen e kombit, edhe Zoti u fali atyre mundësitë për të ekzistuar dhe një herë tjetër! Ja, tek ekzistojmë, lavdi Zotit mijëra herë! Ekzistojmë dhe me një ekzistencë tjetër! Ekzistojmë me një ekzistencë tjetër që mungon në Sofje dhe Bullgari, në Turkistan dhe Uzbekistan, etj. Për të dëmtuarit, fatkeqët, të burgosurit dhe viktimat tona në këto vende, edhe pse mundemi të organizojmë vetëm ndonjë miting për të thirrur e bërtitur, edhe pse vetëm mundemi të klithim e rënkojmë, prapëseprapë shpërthejmë me të gjitha ndjenjat tona duke u dhënë edhe atyre lehtësi. Në dashtë Zoti, edhe ata një ditë do t’i thyejnë zinxhirët e qafës dhe do t’i lajnë hesapet me armiqtë! Në Kur’an thuhet: “Ne i ndërrojmë ditët mes njerëzve...” (Kur’ani, Al-i Imran, 3/140) Sot e ardhmja i përket atyre, nesër dikujt tjetër... ata që po vuajnë sot, në një të ardhme të afërt do të buzëqeshin!

Po, hixhreti ose emigrimi është një problem më vete, i rëndë e i vështirë. Në sajë të zgjuarsisë së gjerë të të Dërguarit të Allahut, si ata që emigruan në Etiopi, si ata që emigruan në Medine, jo vetëm që i kapërcyen me lehtësi vështirësitë materiale të emigrimit, pa iu nënshtruar asnjë shqetësimi ekonomik, por, krahas kësaj, realizuan arritje të mëdha. Ç’është e vërteta, asnjë emigrim në historinë e njerëzimit nuk është realizuar me aq sukses sa emigrimet e realizuara me dorën e Profetit. Po si i kishte zgjidhur i Dërguari i Allahut këto dy probleme nga më të mëdhatë? Dhe tani, le ta shtjellojmë pak më gjerë këtë temë, por pa kaluar shumë në hollësi.

Medina ishte një vend i vogël, popullsia autoktone merrej me bujqësi, prandaj dhe tregtia dhe tregu kishin kaluar krejt në dorë të çifutëve. Mekasit që kishin emigruar në Medinë e njihnin shumë mirë tregtinë, por me mundësitë tejet të vogla që kishin në dorë, e kishin shumë të vështirë të mbaheshin përballë çifutëve! Ku dhe si do të bënin tregti? Ata kishin ardhur aty, duke lënë krejt mallin dhe pasurinë në Mekë! Ndërkaq, numri i atyre që emigronin nga Meka në Medinë, shtohej çdo ditë, popullsia fryhej pa pushim dhe me shpejtësi. Ku do të vendoseshin dhe me se do të ushqeheshin këta njerëz që arrinin aty çdo ditë? Popullsia vendase e Medinës ishte e varfër për vete! Të gjitha këto ishin probleme të stivuara një mbi një dhe të gjitha prisnin zgjidhje nga i Dërguari i Allahut! Të gjithë shihnin me besim nga ai. Sigurisht që ai do t’i zgjidhte! Dhe ashtu ndodhi! I Dërguari i Allahut i zgjidhi ato probleme me një hop!

Sapo arriti në Medine, i Dërguari i Allahut ngriti vëllazërinë mes ensarëve medinas dhe muhaxhirëve mekas.[3] Ai frymëzoi një vëllazëri të tillë në shpirtrat e tyre, që e kalonte shumë vëllazërinë e gjakut! Aq para shkoi kjo vëllazëri, saqë erdhi një ditë që ensarët t’u propozonin mekasve trashëgimi sikur t’i kishin vëllezër të vërtetë! Në përgjithësi, ensarët e ndanë çdo gjë përgjysmë me muhaxhirët! Kurse pati raste kur kjo ndarje e kaloi ço kufi!

I Dërguari i Allahut i kishte bërë vëllezër Sad b. Rabi me Abdurrahman b. Avf-in. Vëllazëria mes tyre ishte aq e thellë dhe e sinqertë, sa ishte e pamundur të tregohej një rast i dytë i saj!

Një ditë, Sad b. Rabi (r.a.) ia kap dorën të vëllait dhe i thotë kështu: “O vëlla! Ju e latë çdo gjë në Mekë dhe erdhët këtu! Tani ti je beqar, kurse unë kam dy gra. Po të them për hir të Allahut: pëlqeje njërën dhe unë do ta ndaj që ta marrësh ti!”

Me sytë e përlotur, Abdurrahman b. Avfi (r.a.) iu përgjigj kështu: “O vëlla, Allahu t’i bekoftë gratë! Ti vetëm tregomë rrugën e tregut, kjo më mjafton mua!”

Pas një farë kohe, Abdurahman b. Avfi arrin në gjendje ekonomike që të mund të mbajë shtëpi dhe, puna e parë që bën, është të martohet. Në të njëjtën kohë, ky akt ishte edhe shprehje e respektit ndaj ndjenjave të familjes ku hynte e dilte, ishte një delikatesë shpirtërore krejt e veçantë![4]

Nuk kishte asnjë problem që të mos e zgjidhte kjo vëllazëri. Personat vetëmohues të lidhur në këtë mënyrë me njëri-tjetrin ishin, në të njëjtën kohë, kandidatë për ngadhënjimin e botës. Kjo atmosferë vëllazërie që zotëronte në Medine, me kohë do të depërtonte në arteriet e të gjithë botës!..

a) Përplasja e të kënaqurit me pak dhe bujarisë së madhe

I Dërguari i Allahut po rrinte vetëm. Një çast, u hap dera dhe brenda filluan të hyjnë të parët e muhaxhirëve, emigrantëve mekas. Mes tyre nuk ndodhej asnjë ensar, musliman medinas, dhe gjendja ishte e tillë që të tërhiqte vëmendjen. Pse vallë, kishin ardhur vetëm muhaxhirë, kurse nga ensarët nuk kishin thirrur asnjë? Të ardhurit kërkuan leje nga i Dërguari i Allahut dhe ia paraqitën kështu justifikimet e tyre:

“O i Dërguari i Allahut! Ne erdhëm këtu duke emigruar për hir të Allahut. Gjithë mendimi ynë ka qenë të ndodhemi me ty në rrugën e Allahut. Mirëpo vëllezërit ensarë treguan një interesim të tillë për ne, që kemi frikë se mos e mbarojmë këtu shpërblimin e ahiretit! Vëllezërit le të na lejojnë se ne, tashmë, duam t’i plotësojmë vetë nevojat tona, kurse ndihmat dhe pjesën që e patën ndarë për ne, duam t’ua kthejmë prapë. Po mbetemi të detyruar ndaj tyre dhe po turpërohemi!”

Duke folur kështu, ata qanin. Edhe i Dërguari i Allahut nuk i mbajti dot lotët. Kjo pamje ndoshta i kishte përlotur edhe banorët e qiellit! Në një aspekt, kjo ishte përplasje e të kënaqurit me pak dhe bujarisë së madhe. Gjer atë ditë, një grindje e tillë nuk ishte parë mbi tokë!

Kur, pas pak, i Dërguari i Allahut thirri ensarët dhe u tregoi se ç’kishte ngjarë, të gjithë menjëherë kundërshtuan dhe nuk e pranuan këtë thjeshtësi, këtë të kënaqur me pak të muhaxhirëve! Pranimi i një propozimi të tillë, për ta, ishte një lloj sikur të pranonin t’ua prisnin trupin për mesi! Sepse ata ishin njësuar në atë mënyrë me vëllezërit muhaxhirë, që ndarja prej tyre ishte pothuaj vdekje për ta. Kështu, edhe ensarët qanin, edhe muhaxhirët qanin. Të jetonin bashkë në të njëjtën qytezë dhe të paktën pesë herë në ditë të ndodheshin së bashku në faltore dhe të largoheshin tani nga dhomat dhe sofrat që i kishin ndarë së bashku gjer tani, ishte tejet e vështirë sidomos për ensarët! Njëra anë përfaqësonte bujarinë e madhe, kurse ana tjetër, të kënaqurit me pak dhe sakrificën. Muhaxhirët e morën fjalën edhe një herë, tashmë në sy të vëllezërve ensarë, dhe thanë: “O i Dërguari i Allahut! Ne bëmë hixhret, emigruam për hir të Allahut dhe erdhëm në Medinë. Ne nuk menduam gjë tjetër veç lartësimit të fesë, por vëllezërit ensarë na ndihmuan me të tepërt dhe u sollën si burrat, prandaj kemi frikë se do t’i shpaguajmë këtu të gjitha të mirat dhe përfitimet dhe s’do të na mbetet gjë për të marrë në ahiret! O i Dërguari i Allahut, ne s’mundëm t’i bindnim vëllezërit ensarë, prandaj lutuni ju në emër tonë të na lenë të lirë, të kujdesemi vetë për veten tonë, të banojmë veç, të mos na i sjellin prodhimet e veta, të mos gatuajnë e të na e vënë gjellën përpara!..” Të gjithë ishin prekur thellë! Po ashtu edhe i Dërguari i Allahut! Ai u tha kështu ensarëve: “Vëllezërit muhaxhirë thonë se ju kujdeseni shumë për ta, se i bëni me turp me këtë kujdes kaq të madh, se, kështu, ata e humbin pëlqimin e Zotit, pasi s’u mbetet të bëjnë asnjë sakrificë për ta fituar atë!”

Ja, të tillë vëllazëri kishte frymëzuar i Dërguari i Allahut në shpirtin e tyre, kështu i kishte lidhur dhe shkrirë ata me njëri-tjetrin! Në këtë mbledhje historike, palët arritën këtë marrëveshje: muhaxhirët, emigrantët mekas do të punonin me pagesë në arat, kopshtet dhe pemishtet e ensarëve dhe do të banonin në shtëpitë e veta; kështu, ata nuk do të mbeteshin nën detyrimin e mirënjohjes. Natyrisht, duke u dhënë mundësi muhaxhirëve për të punuar dhe fituar, ensarët vazhdonin t’i ndihmonin muhaxhirët dhe, kështu, muhaxhirët mbeteshin muhaxhirë dhe, ensarët, ensarë![5] Me këtë vetëdije vëllazërimi që pati mirësinë të ngrinte në Medinë, i Dërguari i Allahut kishte zgjidhur së pari, në një masë të madhe, çështjen e emigrimit.

Çështja e dytë ishte tregtia. I Dërguari i Allahut pa se në Medinë, në jetën tregtare sundonin çifutët dhe të krishterët. Për ta kapërcyer këtë sundim të tyre, i Dërguari i Allahut urdhëroi, që në një vend të veçantë, të ngrihej tregu i muslimanëve.[6] Aty e tutje, muslimanët do ta bënin tregtinë e tyre, do të shisnin e blinin në tregun e tyre! Kjo do të siguronte edhe hyrjen e muslimanëve në tregti dhe fuqizimin e tyre, edhe ngritjen e tregut të tyre. Në këtë mes, do t’i jepte fund edhe sundimit të jomuslimanëve në treg.

Dhe, kështu, u ngrit një treg i ri. Muslimanët filluan të bënin tregti mes tyre. Autorët bio-bibliografë shënojnë këtë: “Shumë shpejt, çifutët arritën të mos bënin më dot tregti në tregun e Medinës!” Po, në tregun e muslimanëve askush nuk konkurronte dot më me muslimanët! Fundja, kjo ishte edhe ajo që synonte i Dërguari i Allahut! Muslimanët nuk do t’i nënshtroheshin kujt, nuk do të vareshin nga të tjerët! Allahu (xh.xh.) nuk do të pajtohej me depersonalizimin e muslimanëve! Besimtari duhet të jetë vetë ai, duhet të qëndrojë mbi këmbët e veta, duhet të ecë me këmbët e veta, duhet të kapë me duart e veta, duhet të shohë me sytë e vet, duhet të flasë me mendimet e veta, duhet të jetojë sipas ideve të veta dhe duhet ta ruajë patjetër identitetin e vet! Ja, këtë realizoi i Dërguari i Allahut në Medine!

b) Kushtetuta e parë

Sapo arriti në Medine, Profeti përhapi një deklaratë.[7] Këtë deklaratë të përgatitur nga i Dërguari i Allahut me të arritur në Medinë, juristët e quajnë Kushtetuta e të Dërguarit të Allahut. Shumica e parimeve që përmbahen në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, përmbahen në këtë marrëveshje ose kontratë sociale të të Dërguarit të Allahut. Me të drejtat që u njohu të krishterëve dhe çifutëve, ai realizoi një afërsi dhe njësim të tillë mes medinasve të të tre besimeve, saqë i tërhoqi ata pas vetes duke i shkëputur nga bizantinët, sasanidët dhe kurejshët. Kështu, për shumë kohë, çifutët jetuan të qetë e të kënaqur nën pushtetin dhe mbrojtjen e muslimanëve. Ngatërrestari i madh i periudhës së Medinës, hipokriti i famshëm Ubej Ibni Selul, ua përshkruan kështu shqetësimet e veta kurejshve: “Për ne, ardhja e tij në Medinë dhe përhapja e fesë së vet nuk përbëjnë rrezik. Rrezik është largimi i të krishterëve dhe çifutëve nga afria me idhujtarët dhe tërheqja pas vetes. Ky është edhe kërcënimi i vërtetë për ju!”

Sistemi dhe kushtetuta të hapura ndaj paqes, për shumë kohë ose, më saktë, gjersa u shkelën prej tyre, u bënë pretekst qetësie edhe për ta, edhe për muslimanët! Për shumë çështje, çifutët i drejtoheshin të Dërguarit të Allahut dhe mbështeteshin në gjykimin e tij.

Me të vërtetë, librat e hadithit tregojnë se ata, në çështjen e vjedhjes, në çështjen e dënimit ekuivalent me fajin (kisas), në çështjen e adulterit, i drejtoheshin të Dërguarit të Allahut. Nga kjo kuptojmë se, po t’u liheshin vetë atyre çështjet e tyre, ata u drejtoheshin gjykimit të muslimanëve, sidomos pse në atë mes ndodhej i Dërguari i Allahut, ngaqë muslimanët i njihnin për më të drejtë e më të aftë në gjykim! Burimi i shenjtë që do të bëhej në të ardhmen instanca qendrore e njerëzimit, qysh ato ditë kishte filluar ta bënte të ndjehej se ishte instanca qendrore e drejtësisë!

Ja, kështu, me një të rënë të dorës, edhe çështja e hixhretit, emigrimit zgjidhej, edhe muslimanët, brenda një jete të qetë, hulumtonin rrugët për t’u hapur në botë!

4. Problemi i luftës

Ishte problemi i sulmeve të armiqve dhe i luftës. Po, problemi i sulmeve, luftërave, fitoreve, paqeve. I Dërguari i Allahut edhe u sulmua, edhe luftoi. Po, në fillim me fisin dhe popullin e vet, pastaj në Medine me çifutët në rrethinat e saj. Më pas u përlesh edhe me perandori të tilla si Bizanti dhe Sasanitët. Ai ishte i rrethuar ngado me armiq të cilët prodhonin probleme çdo çast, kurse ai vazhdonte t’i zgjidhte ato, si gjithmonë, me lehtësinë më të madhe!

a) Taktika e Uhudit

Do të flas jo për fitoren e Bedrit, jo për llogoret në luftën e Hendekut, jo për epikën që shkruan heronjtë e Mu’tes, as për përpjekjen e kalorësve të Jermukut; do të parashtroj çështjet që erdhën së bashku me Uhudin i cili, në një vështrim, mund të konsiderohet disfatë, dhe me dy-tri fjali do të shënoj vëmendjen, mendimin e gjerë dhe vendimet e qëlluara të Profetit. Uhudi është lufta kur për herë të parë u shfaq një e çarë në radhët e Islamit. Unë mbështetem te Allahu nga cilësimi i një muslimani të vërtetë si të mundur. As nuk them që pësoi disfatë. Më së pari, aty kishte një vendim të Allahut, sepse përballë dhe kundër muslimanëve kishte gjeni ushtarakë dhe politikë si Halidi dhe Amr b. Asi. Në të ardhmen këta kishin për të përmbysur sa e sa ushtri armike! Mirëpo për atë ditë ata ndanin së bashku fatkeqësinë për t’u ndodhur në radhët e politeistëve! Megjithëkëtë, ata ishin sahabet e së ardhmes! Ja, kështu, sahabet e së ardhmes dolën fitues mbi sahabet e ditës. Çështja e dytë, shigjetarët nuk vepruan në përputhje me strategjinë dhe taktikën e përcaktuar për ta dhe për detyrën e tyre nga i Dërguari i Allahut. Për më tepër, në botën e tyre të brendshme u shfaq edhe dëshira sado e lehtë për të bërë plaçkë, kurse rezultati i kësaj qe një pësim i kundërt me synimin. Ç’është e vërteta, s’na takon neve të bëjmë kritikën e atyre sahabeve të ndershëm e të famshëm, por ka gjëra që mund t’i thonë të mëdhenjtë. Së pari, ata ishin nderuar me të qenët të afërmit e Zotit. Ndërkaq, për ta kishte një nivel të caktuar marrëdhëniesh. Dua të them se këta njerëz-engjëj trajtoheshin sipas domosdoshmërive të sjelljes që u kishte hije. Sepse as që ka dyshim se mirësitë tona janë sa të këqijat e tyre! Po t’i kishim bërë ne ato që bënë ata atë ditë, duke u nisur nga fakti që ideatimi rrethohet gjithmonë nga klima e mirësisë, mund të kishim fituar mirësi, madje. Por ata njerëz vetëmohues të pashembullt, që i kishin shtrënguar dorën të Dërguarit të Allahut, që ishin betuar ta braktisnin këtë botë dhe vanitetet dhe që i kishin lënë pas engjëjt e afërt të Zotit, meqë brenda përmasave të tyre, kishin lëshuar hije mbi “kurbetin”, iu nënshtruan një fundi me pamje disfate, me hije disfate. Ç’kishte ndodhur? Nga disa qindra vetë, kishin rënë dëshmorë 70 besimtarë që s’ua dimë emrat.[8] Po aq ishin plagosur dhe s’ishin në gjendje të lëviznin. Politeistët mund të jepnin mbi ta një goditje të fundit, por, kur panë se muslimanët ishin strehuar në malin Uhud dhe se po lëshonin britje me zëra të fuqishëm e të kthjellët, për të mos u futur në rrezik, u larguan menjëherë nga fusha e luftës. Se si u dukën muslimanët atë çast, në sajë të bujarisë hyjnore dhe se si arritën të bërtisnin e klithnin me zë të fortë e të kulluar, ndërsa ndodheshin në prag të disfatës së plotë, shpëtuan dhe lëshuan në zemrën e mohuesve një frikë që ua rrëqethte zemrat. Mohuesit menduan: “Tani ata i shtypëm mirë dhe ata kurrë më s’kanë për ta drejtuar mesin! Atëherë, le të shkojmë! S’dihet se ç’ndodh! Po të sulmojmë edhe një herë, mund t’i hapim bela kokës!” Dhe me këtë mendim, u ngritën e ikën! Ndërkaq, dikush që do të bëhej më pas sahabe dhe do të bënte të mira sa ç’pati bërë të këqija dhe për të cilin Kur’ani thotë se “shejtani i ndërseu kurejshët”, u tha kështu mohuesve: “Shkoni dhe sa s’e kanë marrë ende veten, ashtu siç patën bërë romakët me Kartagjenën, shembuani Medinën e bukur mbi kokë ashtu që të mos mbetet edhe një për be prej tyre dhe, kështu, jepuni fund, sepse edhe sikur një të mbetet prej tyre, shtohen dhe në të ardhmen na bëhen mjerim për kokën!” I Dërguari i Allahut mori vesh për këtë dhe menjëherë urdhëroi kështu: “Të gjithë sa janë, të plagosur a të shëndoshë prej atyre që morën pjesë dje në Uhud, nesër të mblidhen në filan vend se do të nisemi për ta ndjekur armikun!”[9] Njerëzit që atë ditë, të mërzitur e të dëshpëruar qenë tërhequr në rrëzë të Uhudit, të nesërmen do të bënin një sulm të ri dhe ky do të ishte sulmi i të plagosurve e i të dëshpëruarve! Ata duhet të tregonin një fuqi shpirtërore të tillë që, të mund të riparoheshin thyerjet që do të përshkruajmë në vijim. E para, ishte thyer fuqia shpirtërore e muslimanëve. E dyta, në të gjitha anët, oreksi i mohuesve kishte filluar të fryhej. E treta, hipokritët bënin zhurmë të madhe duke u përpjekur për ta tronditur fuqinë shpirtërore të besimtarëve. Ashtu siç kishte thënë ai politeisti, mendimi “për t’i sulmuar dhe për t’i shkatërruar përfundimisht muslimanët” kishte filluar të diskutohej djathtas e majtas. Kështu, mbi kokë të muslimanëve ishte hapur një problem aq i frikshëm, saqë po të mos ishte zgjuarsia profetike e Muhamedit (s.a.s.), përballimi i tij do të ishte i pamundur. Po, atë ditë muslimanët ishin derdhur mbi armikun siç u derdhën ushtarët tanë në Dardanele, por edhe ditën të mblidhen dhe, një disfatë të paracaktuar, me bujarinë e Allahut, ta kthenin në fitore!

Sapo i Dërguari i Allahut u dha urdhër që të mblidhen, ata filluan të mblidheshin dhe kaluan në një sulm të ri. Dikujt i ishte këputur krahu, dikujt i ishte këputur këmba, dikush nuk kishte fuqi as për të ecur, por të gjithë dilnin nga çadrat dhe vraponin për tek vendi i mbledhjes. Fryma ringjallëse e të Dërguarit të Allahut sikur u kishte ridhënë jetë atyre dhe të gjithë kishin hyrë në garën se kush do t’i përgjigjej më parë atij. Ashtu siç thotë Busajriu, “po qe se mrekullitë e sjella prej tij do të ishin në përshtatje me vlerën e tyre, po të këndohej emri i tij mbi gurin e varrit, edhe i vdekuri që shtrihej nën të, edhe kockat e kalbura do të ringjalleshin!” Po, do të ringjalleshin! Ja, pra, në Uhud, ata që dëgjonin zërin e tij, ringjalleshin një e nga një!

Tani le ta dëgjojmë ngjarjen nga një sahabe. “Kishim shokë që s’qëndronin dot në këmbë, prandaj i bartnim në supe. Shoku na thoshte: “Merrmëni edhe mua dhe bartmëni se dua të jem atje ku na thërret i Dërguari i Allahut! Dua të ndodhem në front! Edhe në s’luftofsha dot, edhe në s’hedhsha dot shigjetë, do të qëndroj atje me shigjetë në dorë! Merrmëni në shpinë e më çoni gjer ku të më çoni. Po u shemba përtokë, të shembem atje!” Dikush bartte dikë në shpinë dhe dikush binte përtokë dhe humbte ndjenjat. Dikë e bartnin me vig e ditë tjetër në një mënyrë tjetër dhe, kështu, arritën në luginën Hamra-i Esved. Ishte një vend ku kurejshët mund të shihnin tymin e zjarreve të ndezura nga muslimanët. Kur muslimanët arritën atje duke ngritur pluhur e duke bërë një zhurmë të tmerrshme, kurejshët ngrinë kur panë para vetes njerëzit që ata i pandehnin të vdekur dhe, tani, të ngritur nga varret! Dhe Ebu Sufjani u thirri njerëzve të vet: “Ikni, ikni sa më shpejt!” Ai sikur donte t’u thoshte: “Ikni që të mos i hapim punë kokës! Shpëtimi ynë tani është të ikim në Mekë!”[10] Po patët mirësinë të vini re, i Dërguari i Allahut zgjidhi shumë probleme të shkaktuara nga një betejë, me një lëvizje, me një të rënë të dorës, me një frymë dhe pa asnjë ndërlikim! Kur’ani e përshkruan këtë situatë delikate kështu: “Disa njerëz u thanë atyre se armiqtë kishin përgatitur një ushtri, prandaj duhet të kishin frikë. Kurse kjo ua shtoi besimin atyre dhe ata thanë: “Allahu na mjafton, ç’dorëzanës i mirë është Ai!” (Al-i Imran, 3/173)[11]

Po, kurejshët lanë çdo gjë dhe ikën. Muslimanët e kurorëzuar lëkundjen e një dite më parë me fitore dhe me favorin e Allahut, u kthyen nga ndjekja e armikut pa asnjë dëm![12]

Disa autorë bio-bibliografë e shënojnë Uhudin si disfatë për ne. Po, po qe se në Uhud ka një aspekt disfate, ajo u takon atyre sahabeve që në fillim nuk e dëgjuan fjalën e të Dërguarit të Allahut, por pastaj, duke dhënë gjakun në zemër të Uhudit, ranë dëshmorë dhe shkuan në ahiret, në jetën e pasme, krejt të pastër! Në të vërtetë, në Uhud ka një aspekt fitoreje, që, sipas meje, është pikërisht aspekti mbi të cilin duhet qëndruar me vëmendje dhe që i përket Profetit Muhamed (s.a.s.) që dinte si t’i zgjidhte problemet dhe që e kthente disfatën në fitore! Kthimi i disfatën në fitore ishte më e rëndësishmja e Uhudit! Aty ku çdo komb e priste shpresën te mbrojtja, fillonte sulmi i Profetit Muhamed (s.a.s.) dhe sulmi i tij i shthurte të gjitha problemet e grumbulluara një mbi një, shpërndante besim në zemrat e muslimanëve, kurse hipokritët i mbyste sërish në zi! Oreksin e fryrë ua ngecte në fyt oreksfryrëve, zemrat e thyera i ngrinte peshë me shpresë dhe muslimanët ktheheshin edhe një herë tjetër në Medinë fitimtarë! E ç’thoni ju, pesimistë e të tërhequr para vështirësive, për Profetin Muhamed Mustafanë (s.a.s.) që zgjidhte probleme, pasi dëgjoni këto? Sigurisht, Muhammedu’r-Resulullah do të thoni!

b) Këshillimi

Disa nga problemet me të cilat përballej, i Dërguari i Allahut i zgjidhte me anë të këshillimit. Në të vërtetë, me anë të këshillimit ai donte të hidhte themelet e një parimi të rëndësishëm. Ai vetë nuk ishte nevojtar për këshillim, por personat që pas tij, do të përfaqësonin botën islame, do të ndjenin gjithmonë nevojë për këshillim. Ai vetë kishte mbështetjen hyjnore. Zoti nuk e kishte lënë vetëm atë në asnjë çështje. Po t’i dhembte barku, vinte engjëlli dhe i frynte shërim; po t’i dhembte dhëmbi, Xhebraili (a.s.) i gjente shërim menjëherë. Ai jetonte kështu, në marrëdhënie të ngushta me botën engjëllore, megjithëkëtë, i jepte shumë rëndësi këshillimit, gjë që ishte edhe një aspekt i veçantë, një dimension i veçantë i zgjuarsisë së tij profetike.

Shekuj pas tij, “Këshilli” do të bëhej një sistem i pamënjanueshëm në administratën shtetërore. Si rrjedhojë e pranimit dhe përvetësimit të këshillimit si dhe i gatishmërisë për këshillim, administrata islame, me elasticitetin dhe universalitetin e vet që përfshinte shekujt, i kapërceu të gjitha periudhat e ndryshme nga njëra-tjetra dhe arriti gjer në ditët tona.

aa) Një fragment këshillimi

Ja disa shembuj:

1) Ai i drejtohej mendimit të secilit, merrte idenë e secilit dhe kërkonte ta bënte mendimin e këshillimit sundues në jetën e shoqërisë. I Dërguari i Allahut qe këshilluar me Hz. Aliun (r.a.). Në fakt, Hz. Aliu ishte një njeri që thoshte: “Edhe sikur të më hapet perdja e të fshehtës, bindja s’do të më shtohet!” Megjithëkëtë, ishte një fëmijë në rrethin mësimor të të Dërguarit të Allahut! Ja, pra, edhe i Dërguari i Allahut këshillohej me Aliun e kësaj moshe![13]

Hipokritët kishin shpifur për Hz. Aishen (r.anha), ndershmëria dhe pafajësia e të cilës është e fiksuar me ajet. Kjo ngjarje shumanshme ka kaluar në histori si “Ngjarja e Shpifjes”.

Në të vërtetë, i Dërguari i Allahut besonte në mënyrë kategorike se kjo punë do të zgjidhej me anë të vahjit, zbulesës hyjnore, dhe s’kishte as dyshimin më të vogël për Hz. Aishen, megjithatë, e shihte me vlerë dhe interes të këshillohej një për një me sahabet e tij. Sepse këshillimi është gjithmonë me përfitim, asnjëherë me dëm! Dhe ai kishte ardhur për përfitim!

Me këtë rast, tregohet ky hadith me përcjellje të dobët: I Dërguari i Allahut e thërret Hz. Omerin dhe e pyet se ç’mendon për Hz. Aishen (r.anha). Hz. Omeri i përgjigjet kështu: “O i Dërguari i Allahut! Aishja është pa asnjë dyshim, e ndershme dhe e pastër! I kanë hedhur shpifje!” I Dërguari i Allahut e pyet se nga e dinte këtë gjë. Dhe Hz. Omeri i jep këtë përgjigje: “O i Dërguari i Allahut! Një ditë ti po drejtoje namazin. Më vonë e morëm vesh se në anë të nallanes të ishte ngjitur, pa e ditur ti, pak pisllëk. Sapo ishe drejtuar në namaz, të kishte ardhur Xhebraili, të kishte informuar për gjendjen dhe të kishte thënë t’i hiqje nallanet. Dhe, tani, nëse Zoti të lajmëron ty për pak pisllëk të ngjitur në nallane në mënyrë që të pastrohesh prej tij, a mundet të të lërë për grua gruan që, mos qoftë e thënë, ka kryer një mëkat të tillë? Jo, o i Dërguari i Allahut! Me siguri, Xhebraili do të vijë dhe do të të tregojë ty se ç’grua e ndershme është Aishja!”

I Dërguari i Allahut kishte thënë se “kush këshillohet, nuk pendohet” dhe ishte këshilluar me Hz. Omerin. Një këshillim i tillë nuk i sillte ndonjë humbje atij dhe nuk i solli. Jo vetëm nuk i kishte sjellë ndonjë humbje, por i kishte dhënë mundësi ta fitonte edhe një herë tjetër Omerin! Po, i Dërguari i Allahut këshillohej me nxënësit e tij dhe u drejtohej mendimeve të tyre. Natyrisht, fituesi ishin përsëri njerëzit me të cilët këshillohej, sepse, me këtë veprim, ai u jepte atyre edhe një mësim morali. A nuk thoshte vetë se, “kush këshillohet, nuk humbet”?

2) Para se të dilte për në fushatën e Bedrit, i Dërguari i Allahut qe këshilluar veç e veç edhe me ensarët, edhe me muhaxhirët. Sa trimërisht kishte folur atë ditë Mikdadi në emër të muhaxhirëve: “Ti ngaje kalin gjer në breg të Jemenit, ne do të të ndjekim dhe askush nga ne nuk do të mbetet pas!”[14] Por i Dërguari i Allahut donte të mësonte edhe mendimet e ensarëve që s’i kishin derdhur dot gjer atë ditë ndjenjat. Sa’d b. Muadh (r.a.) që kishte parandjenjë të fuqishme, u hodh menjëherë e tha: “O i Dërguari i Allahut! Gjithsesi, ti na mendon dhe pret edhe një përgjigje prej nesh! Përgjigjen e kemi gati. Ja malli ynë, ja dhe jeta jonë! Të gjitha janë fli në rrugën tënde! Merr çfarë të duash, sa të duash dhe shpërndaje. Dhe sa të duash ti jetë rrahin me padurim për të vdekur në rrugën tënde!”[15] I Dërguari i Allahut këshillohej dhe nxirrte në shesh gjendjen shpirtërore të aleancës. Ensarët dhe muhaxhirët ishin marrë vesh në një pikë dhe ishin gati të vdisnin. Kjo ishte ç’duhej bërë në një kohë kur armiku që e kishte humbur arsyen, mprihte armët. I Dërguari i Allahut do të sulmonte mbi armiqtë në emër të mbrojtjes së të Vërtetës, të drejtësisë, të dinjitetit islam, të popullsisë muslimane. Ai këshillohet dhe e përhap mendimin e tij në truallin më të gjerë. Ky ishte edhe këndvështrimi i tij. Allahu (xh.xh.) ia kishte treguar me kohë rrugën. Pavarësisht nga orientimi i Allahut, i Dërguari i Allahut merrte edhe mendimin e atyre që kishte pas dhe e diskutonte këtë çështje në emër të ndarjes me ata që do të ndodhej në të njëjtën vijë, të njëjtin mendim dhe të njëjtën ndjenjë! Në të vërtetë, ata do ta mbështesnin çdo propozim të tij, sepse i kishin dhënë fjalën dhe ajo fjalë donte të thoshte besim. Një ditë ai do ta kapte për jake Ka’b ibni Malikun, do ta tundte ëmbël dhe do t’i thoshte kështu: “A nuk më dhe ti fjalën në Akabe? A nuk më dhe fjalën se do të më ndodheshe pranë në të ëmbël e në të hidhur, se nuk do të ndaheshe prej meje edhe sikur netët të na ndiqnin pas, edhe sikur para të kishim vetëm ditë?”[16] Ata i dhanë fjalën dhe u hodhën drejt vdekjes. Ishte mendimi i tyre. Erdhën me mendimin e vet për të bërë një larje hesapesh të tillë dhe do ta bënin!

Me anë të këshillimit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ia ngarkonte mbi supe botës një kauzë me rëndësi. Çdokush vraponte për ta bartur atë, sikur të bartte një tabut dhe, me sa të kishte fuqi, ia vinte supet atij thesari! Po, çdokush i dilte për zot atij, bartjen e tij e njihte si qëllim të jetës dhe thoshte: “Rënia dëshmor në këtë rrugë është për ne ideali më i ëmbël!”

bb) Pamje këshillimesh të njëpasnjëshme

1) I Dërguari i Allahut u ndal në çështjen e vendit të luftës. Ai e pati bërë me kohë zbulimin e vendit dhe e pati vënë në sy kryet e oazeve. Me kohë kishte vendosur se cilën kodër apo majë do të zinte, ku do ta priste dhe thyente armikun që do të vinte kundër tyre me hov dhe egërsi. Megjithatë, çështjen e shtroi për diskutim.

Sahabiu jo fort i njohur, Hz. Hubab b. Munzir (r.a.) u ngrit në këmbë dhe tha kështu: “O i Dërguari i Allahut! A me anë të vahjit po vendosesh këtu, apo ky është mendimi yt? Po qe se po vendosesh me anë të vahjit, ne nuk mund të hedhim asnjë hap as para, as pas!”

I Dërguari i Allahut iu përgjigj: “Ky është mendimi im!” Dhe Hubab b. Munzir (r.a.) e vazhdoi fjalën kështu: “O i Dërguari i Allahut! Ne të zëmë vendin ku ndodhen oazet duke mos lënë asnjë të lirë. Ta lëmë armikun pa ujë! Kurse ti ngrije shtabin në krye të një oazi që të ndodhesh mes nesh!”[17]

2) Selmani (r.a.) ishte një skllav iranian. Një skllav në fillim zoroastrian, pastaj i krishterë dhe, më në fund, musliman. Kur u bë musliman, s’kishte askënd dhe asgjë. Ai ia detyronte çdo gjë të qenit musliman dhe qe vetë që e tregoi këtë në mënyrën më të mirë. Një ditë e pyetën: “Kush je ti?” “Selman b. Islam!” - u përgjigj ai. Ai e kishte gjetur prejardhjen e tij të vërtetë: “Selmani, i biri i Islamit!”

Në prag të luftës së Hendekut, i Dërguari i Allahut u këshillua përsëri me shokët. Secili tha diçka dhe, më në fund, i erdhi radha Selmanit të thotë mendimin e tij. Ai u shpreh kështu: “O i Dërguari i Allahut! Në vendin tim kishte një zakon. Po qe se pritej të na sulmonte armiku, ne mbroheshim duke gërmuar hendek përreth qytetit. Po qe se është e përshtatshme, le të hapim një hendek rreth Medinës dhe ta pengojmë sulmin e armikut!”

Ideja e Selmanit pranohet nga i Dërguari i Allahut. Jo vetëm kaq. I Dërguari i Allahut merr pjesë vetë për hapjen e hendekut duke u dhënë zemër e duke i entuziazmuar gërmuesit.[18]

3) Ai këshillohej jo vetëm me burrat, por edhe me gratë. Kështu, në Hudejbije ai qe këshilluar me gruan dhe s’e kishte quajtur aspak gabim të bënte siç e kishte këshilluar ajo![19]

Ai kështu qe sjellë gjithmonë në jetën e vet dhe, me anë të këshillimeve, kishte kapërcyer problemet që dukeshin si të pakapërcyeshme. Ndërkaq, ne vetëm tani po mundemi ta kuptojmë se ç’rëndësi ka fituar këshillimi në jetën e shtetit. Qeveritarët despotë që nuk janë këshilluar me askënd, janë larguar duke lënë pas me mijëra dështime. Kurse Profeti pati sugjeruar respektin më të madh ndaj idesë dhe mendimit. Mendja ka një urtësi reale, për rrjedhojë, edhe gjykimi, edhe ekzistenca e mendimit njerëzor ka një urtësi. Personave që ushqehen me anë të vahjit, zbulesës hyjnore, u kërkohet mendim edhe në çështjet institucionale të vahjit dhe ata kryejnë detyra të ndryshme për interpretimin e tij. Kështu, në fenë tonë është pranuar si parim që personi me zhvillim mendor jonormal (që s’e ka në rregull mendjen dhe gjykimin) nuk bëhet person përgjegjës, nuk ngarkohet me përgjegjësi fetare e juridike.

c) Propozime dhe zbatime

Një thellësi e veçantë e posaçme për Profetin është edhe uniteti i shikimit dhe veprimit. Ku t’i shkonte syri, ku t’i arrinte vështrimi, aty arrinte ta shkelte këmbën dhe mendimet që i kishte parashtruar, aty i zbatonte menjëherë. Prandaj, ndjekësit e të Dërguarit të Allahut gjithmonë patën mundur t’i zbatonin thëniet e tij, nuk patën rënë në lëkundje, në habi dhe turbulli!

aa) Njeriu i planit

Në ditët tona, plani është shndërruar në një prej çështjeve më me rëndësi. Duke e pranuar planin si një parim të rëndësishëm për zhvillimin, popujt dhe shtetet, për çdo gjë thonë “plan”. Për këtë është ngritur edhe tek ne Komisioni i Planit të Shtetit. Ndryshe, as rritje bëhet, as zhvillim i ekuilibruar. Pulsi i shoqërisë rreh në planet e bëra. Me një aspekt tjetër, plani është edhe si parakusht për ta mbajtur trupin e shoqërisë nën kontroll. Kurse i Dërguari i Allahut nuk kishte as komision, institut ose organ planifikimi, as kompjuter. Ai merrte vendime në çast dhe pastaj vepronte për zbatimin e tyre. Dhe ai merrte vendime në çështje të tilla që ishin njëqindvjeçare, dyqindvjeçare, treqindvjeçare, katërqindvjeçare, njëmijekatërqindvjeçare, dymijëvjeçare, dhe duke mos lënë pas në asnjërën prej tyre ndonjë problem. E thënë ndryshe, askush nuk pati thënë ndonjë gjë në kundërshtim me thënien e tij dhe nuk pati thënë dot! Kurse siç e parashtrova më parë nga një këndvështrim tjetër, ai kishte një çështje të tijën që i thoshin kumtim. Dhe në këtë çështje ai duhej të hidhte një hap të tillë që të mos lëvizte më as një milimetër para, as një milimetër prapa. Dhe ja jeta e tij në shërbim të kauzës së kumtimit të fesë: Në Mekë, pritje me një durim merimange, pritje e vazhdueshme me durim dhe ankth koralesh, pritje në krye të punës, të detyrës, qëndrimi brenda një pamjeje që mund t’i themi “aksion i pazë”, si nemitja e thellë e ujërave! Në këtë periudhë, urdhri për emigrim djathtas e majtas është, krahas futjes ndoshta në sera për t’i mbrojtur të dobëtit dhe të paqëndrueshmit, shpërndarjes së pamjes ndërsyese në një periudhë kur mungonte ekuilibri i forcave, çaktivizimi i thellësive që do t’u jepnin hapësirë rreziqeve dhe një veprim zbrazjeje ajri për të mos shkaktuar zëra dhe zhurmë! Kurse në Medinë u ndoq një rrugë shumë më e ndryshme duke marrë parasysh formën e shërbimit, domosdoshmëritë dhe nevojat e detyrës, fuqia jonë dhe fuqia e anës kundërshtare. Në të vërtetë, ndryshimi strategjik me të cilin përballemi në periudhën Mekë-Medinë, si dhe në periudhat e mëpastajme, ka qenë domosdoshmëri e natyrës së procesit të rritjes, të pësimit të ndryshimeve strukturore. Në Mekë duhej vepruar ashtu se ashtu e donin kushtet, kurse në Medinë, kështu... Po qe se i Dërguari i Allahut do të vepronte në Mekë siç veproi në Medinë, ky do të ishte një minus i madh për të. O Zot! Por Zoti e kishte dërguar atë jo për të bërë gabime e minuse, por për të dhënë vendime të qëlluara e për ta shpëtuar njerëzimin nga hutimi!

bb) Ai nuk hodhi hap pas

Po, në Medinë, i Dërguari i Allahut zuri një rrugë tjetër dhe ashtu vazhdoi. Sepse ashtu duhej! Dhe çdo hap që hodhi, ishte premisa e hapit tjetër dhe, natyrisht, hapi tjetër, rezultati i tij. Kurrë në jetën e tij ai nuk hodhi hap pas! Sigurisht, si mund të hedhë hap pas Profeti Muhamed Mustafai (s.a.s.) që pati nxjerrë fitore nga disfata e Uhudit? Nuk pati hedhur dhe, me gjurmët e tij pati shkruar gjithmonë: Muhammedu’r-Resulullah! Qëndrimi dhe sjellja e tij në çështjen e hixhretit është shembulli i gjallë i kësaj. Edhe hixhreti i Etiopisë, edhe hixhreti i Medinës u bënë porta enigmatike të një epoke orientimi në Islam, të një periudhe triumfi të Islamit!


[1] Ibn Hisham, Sire, 1/209.
[2] Muslim, Zekat, 132-135; Ibn Hisham, Sire, 4/141-142.
[3] Ensar: ndihmës, ndihmëtar; muhaxhir: njeri që bën hixhret, emigrant.
[4] Buhari, Menakibu’l-Ensar, 3; Ibn Hisham, Sire, 2/50; Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/279.
[5] Buhari, Hibe, 35; Muslim, Xhihad, 70; Musned, 3/200; Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/279-280.
[6] Ibn Maxhe, Tixharat, 40.
[7] Ibn Hisham, Sire, 2/147.
[8] Buhari, Megazi, 26.
[9] Ibn Hisham, Sire, 3/128.
[10] Buhari, Megazi, 25; Ibni Hisham, Sire, 3/99-111; Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/56-60; Ibn Sa’d, Tabakat, 2/42-49.
[11] Ibni Hisham, Sire, 3/128.
[12] Buhari, Megazi, 25; Ibni Hisham, Sire, 3/99; Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/56-60; Ibn Sa’d, Tabakat, 2/42-49.
[13] Buhari, Megazi, 34; Ibni Hisham, Sire, 3/313.
[14] Mexhmau’z-Zevaid, 2/280.
[15] Muslim, Xhihad, 83; Ibni Hisham, Sire, 2/266-267; Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/332.
[16] Muslim, Tevbe, 53.
[17] Ibni Hisham, Sire, 2/272.
[18] Ibni Hisham, Sire, 3/235; Ibn Sa’d, Tabakat, 2/66; Ibni Kethir, el-Bidaje, 4/109.
[19] Shih. Buhari, Shurut, 15.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.