Vlerësimi i kapaciteteve

I Dërguari i Allahut i ka përdorur njerëzit që e kanë ndjekur në mënyrë shumë të qëlluar dhe në vendin e duhur. Veprimtaria e tij ka treguar se personi që ai e pati ngarkuar me një detyrë, pati qenë absolutisht më i afti dhe më i denji ndër gjithë kandidatët e tjerë për atë detyrë, dhe se zgjedhja e Profetit pati qenë tejet e qëlluar. Edhe sikur të mos ekzistonte asnjë argument dhe provë për profetësinë e tij, vetëm zbulimi i aftësive dhe mundësive të njerëzve dhe vendosja e tyre me detyrën përkatëse, përfitimi i plotë nga energjitë e individëve, duke mos gabuar kurrë në këtë drejtim, fakti që, me përjashtim të disa personave të mbajtur përkohësisht në detyrë, për shkak të ndjenjave të tyre, çdo person i caktuar prej tij në një detyrë apo pozitë, pati mbetur aty gjer në fund; të gjitha këto janë argumenti dhe prova më e madhe e profetësisë së të Dërguarit të Allahut dhe na bën të themi se Muhamedi është i Dërguari i Allahut!

Periudha e parë e Islamit pati kaluar ngarkuar me vuajtje dhe ankth. Brenda 5-6 vjetësh, numri i besimtarëve pati arritur vetëm gjer te dyzeta! Në atë periudhë ishte e pamundur t’i tregoje dikujt për diçka, pa marrë parasysh vdekjen!

Edhe një person si Ebu Bekri (r.a.) madje, që ishte një njeri i respektuar në Mekë, qe rrahur disa herë, aq sa iu deshën shumë ditë për t’u shëruar![1]

Hz. Omeri (r.a.) ishte një burrë që matej me devetë! Edhe ai nuk pati shpëtuar nga rrahja dhe rropasja me këmbë, disa herë me radhë![2]

Gjersa dhuna dhe tortura pati arritur edhe te njerëz të këtij niveli, mendoni vetë, tani, vuajtjet dhe mundimet që patën hequr besimtarët e tjerë!

Ja pra, në këtë arenë vdekjeje, marrëdhënia e Profetit me çdo njeri ishte diçka krejt e veçantë! Për shembull, ai s’i pati dhënë urdhër hixhreti as Hz. Ebu Bekrit (r.a.), as Hz. Omerit (r.a.). As ata që asokohe ishin në moshë që mund të quhej fëminore, si Aliu e Zubejri, nuk qenë dërguar në Etiopi. Sepse të gjithë këta ishin njerëz që kishin mundësi t’i duronin gjërat që ndodhnin në Mekë!

Hz. Osmani (r.a.) ishte njeri me natyrë të butë e delikate. Ai e kishte shumë të vështirë ta duronte atmosferën tejet të ashpër të Mekës së asaj dite, ndërkaq që ishte i vetmi ndër muslimanët që mund të kujdesej e t’i mbronte më mirë se kushdo muslimanët që shkonin për në Etiopi. Prandaj i Dërguari i Allahut e pati ngarkuar Hz. Osmanin (r.a.) me këtë detyrë dhe e pati dërguar në Etiopi.[3]

1. Ebu Dher el-Gifari (r.a.)

Për shembull, kalon njëfarë kohe dhe Hz. Ebu Dheri vjen dhe bëhet musliman. Meqë qëndrimi i këtij njeriu emocional në atë periudhë në Mekë do të shkaktonte dëme edhe për atë vetë, edhe për të tjerët, i Dërguari i Allahut e ktheu prapë për në fisin e vet, duke e ngarkuar me detyrën e përhapjes së fesë atje, e duke i dhënë këtë porosi: “Kur ta marrësh vesh se kemi dalë fitimtarë, atëherë eja!” Ebu Dheri (r.a.) shkoi te Profeti pas fitores së Hajberit dhe u bashkua me të. Kurse ai qe bërë musliman qysh në vitet e para të periudhës së Mekës![4] Ebu Dheri ishte abid (adhurues shembullor), ishte zahid (i përkushtuar shembullor)![5] Ebu Dheri ishte përkrahës i drejtësisë shoqërore, i tillë që do t’ua merrte mendtë sociologëve të sotëm, madje, sipas autorëve socialistë, është i pari që ka parashtruar idenë e socializmit! Ky mendim le të mbetet i tyri, por është fakt që Ebu Dheri është heroi i parë që ka bërë pyetjet: “Ç’do të thotë varfëri?” “Si bëhet lufta kundër varfërisë?” Në të njëjtën kohë, ai është njëri ndër personat që e ka dëshiruar xheneti.[6] Pavarësisht nga të gjitha këto, Ebu Dheri shkoi një ditë te i Dërguari i Allahut dhe i tha kështu: “Më jep dhe mua një post, o i Dërguari i Allahut!” Me këtë, ai donte t’i thoshte të Dërguarit të Allahut ta caktonte komandant në krye të një ushtrie ose vali (guvernator) në krye të një vilajeti (guverne). I Dërguari i Allahut i dha këtë përgjigje: “Ti je i dobët, o Ebu Dher, kurse këto punë janë shumë të rënda! Mos e kërko një detyrë të tillë! Kjo detyrë nuk i jepet atij që e kërkon!”[7]

Ndërsa i thoshte kështu Ebu Dherit, i Dërguari i Allahut nuk u thoshte po këto gjëra Ebu Bekrit dhe Omerit! Përkundrazi! Me vlerën e aludimit për pozitën e tyre, e kapte me dorën e djathtë Hz. Ebu Bekrin, me të majtën, Hz. Omerin, dhe thoshte kështu: “Unë kam dy vezirë në qiell dhe dy vezirë në tokë. Në qiell janë Xhebraili dhe Mikaili, kurse në tokë, Ebu Bekri dhe Omeri!”[8]

Nga ana tjetër, me syrin e njohësit të së vërtetës, Profeti i pati parë ngjarjet e së ardhmes dhe pati bërë aludime mbi katër kalifët e parë. Sa për Hz. Osmanin (r.a.), pati shtuar se kalifati i tij do të ishte me shumë sprova[9] dhe, me të vërtetë, kalifati i Hz. Osmanit pati kaluar pak me shqetësime.

Ja, kështu, njerëzit e kuadrit të tij ai i njihte më mirë se ç’e njihnin ata vetë veten e tyre! Ai kurrë nuk gaboi kur i ngarkoi njerëzit me detyrë. Ebu Dheri (r.a.) mund të kërkojë post, mund ta shohë veten të aftë për ta përballuar detyrën që kërkon, por i Dërguari i Allahut e njeh Ebu Dherin më mirë se Ebu Dheri! Prandaj i thotë se “është i dobët, kurse ato punë janë shumë të rënda” dhe nuk i jep detyrë komanduese dhe qeverisëse.

Dhe, tani, në lidhje me këtë specifikë, le të parashtrojmë nja dy shembuj.

2. Amr b. Abese (r.a.)

Ahmed b. Hanbel na përcjell: “Amr. b. Abese erdhi te i Dërguari i Allahut dhe e pyeti në mënyrë mjaft të rëndomtë e të ashpër, krejt si beduin: “Ç’je ti?” Kurse i Dërguari i Allahut, me një pamje dhe sjellje mjaft të qetë iu përgjigj: “Unë jam profeti i Allahut!” Kjo butësi ndaj ashpërsisë së vet e kishte vrarë Amr b. Abesenë! Ai u përgjunj menjëherë para Profetit dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Këtej e tutje mua më ke pas!” Kjo ngjarje ndodh në Mekë... Numri i besimtarëve, i njerëzve që kishte Profeti pas, ishte i vogël. Në një kohë të tillë, për t’u dukur i fuqishëm, njeriu të paktën ka nevojë për njerëz. Megjithëkëtë, i Dërguari i Allahut nuk e mbajti Amr b. Abesenë në Mekë. Ai e dinte se ku duhej vënë secili dhe në këtë çështje nuk bënte asnjë lëshim. Ashtu siç kishte vepruar me Ebu Dherin, i Dërguari i Allahut i tha Amr b. Abese-së: “Ti je i dobët. Ti s’ke fuqi për të qëndruar tani këtu. Kthehu te fisi yt dhe kryeje detyrën e orientimit të njerëzve në rrugën e drejtë. Kur të dëgjosh se kam dalë fitimtar, atëhere eja dhe bashkohu me mua!”

Amri shkoi. Kishin kaluar vite. Pastaj fitoret e njëpasnjëshme të të Dërguarit të Allahut nisën të dëgjoheshin në të katër anët dhe Amr b. Abese e kuptoi se kishte ardhur koha që kishte pritur. Ai doli në rrugë dhe arriti në Medinë, ku ndodhej tashmë Profeti. I Dërguari i Allahut po rrinte në faltore. Amr b. Abese hyn në faltore dhe afrohet pranë të Dërguarit të Allahut që po bisedonte. Kur e mbaroi fjalën, Amr b. Abese gjeti rast dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, a më njohe?”

Pa ngurruar aspak, zotëria i dy botëve iu përgjigj: “A nuk je ti, filani, që pate ardhur te unë kur ndodhesha në Mekë?”

Dhe i Dërguari i Allahut vazhdon sikur ngjarja me të të kishte ndodhur dje: “Unë të pata kthyer prapë duke të porositur kështu e kështu!” Amr b. Abese ia vërteton fjalët i habitur.[10]

Fakti që Amr b. Asi nuk e kishte harruar ngjarjen, nuk ka aspak rëndësi, sepse ajo ishte kujtimi më i paharruar i jetës së tij. Por për Profetin, puna ndryshon krejtësisht. Gjatë kësaj kohe ai pati përjetuar shumë ngjarje si kjo. Gjithashtu, shqetësimet e rënda dhe vuajtjet që pati kaluar gjatë shumë viteve, qenë të tilla që do ta bënin të harronte jo më njeriun që e pati takuar dikur vetëm për pesë minuta dhe e pati kthyer prapë, por edhe miqtë më të afërt! Por, siç u pa, i Dërguari i Allahut nuk ka harruar asnjeri me të cilin është takuar dhe lidhur. Ishte krejt e mundur që, po të mos i shkonin vetë Amri ose Ebu Dheri, pas fitores së Mekës ai do të dërgonte njeri për t’i kërkuar dhe ftuar, sepse fitorja e plotë pati ndodhur pas fitores së Mekës.

Po, ai i njihte personalisht të gjithë ndjekësit e tij më mirë se ç’i njohim ne bijtë tanë, sepse çdo njeri që i ndodhej përreth kishte një vend të veçantë në zemrën e të Dërguarit të Allahut! Në mënyrë të veçantë, kjo njohje kishte shumë rëndësi për t’i caktuar çdo dhuntie dhe talenti detyrën përkatëse sipas kapaciteteve të veta!

A mund të tregohet, vallë, në historinë e njerëzimit një lider i dytë që t’i njohë nga kaq afër ndjekësit e tij? Nuk pandeh! Sepse i Dërguari i Allahut nuk ishte vetëm një lider; në të njëjtën kohë, ai ishte një profet. Në fakt, pika fokusale e fjalës sonë është çështja e profetësisë së tij!

3. Xhulejbib (r.a.)

Për Xhulejbibin kemi folur edhe më parë. Thuhet se ky i ri 15-16-vjeçar nuk e përmbante dot veten pa iu vardisur femrave. I Dërguari i Allahut, me atë shprehjen e tij prej eliksiri, e bindi të riun të hiqte dorë nga ajo sjellje dhe pastaj iu lut Allahut për të.[11]

Tashmë Xhulejbibi është shndërruar e bërë ndër njerëzit më të ndershëm e më të virtytshëm të Medinës. Një ditë, i Dërguari i Allahut e dërgon atë në një familje që kishte vajzë për martesë. Familja ishte e ndershme dhe fisnike. Ata prisnin çdo çast kërkesë për dorën e vajzës së tyre.

Xhulejbibi troket, hyn brenda dhe u jep atyre të falat e të Dërguarit të Allahut. Familja emocionohet. Pastaj, pa e zgjatur, ua paraqet propozimin me fjalët e të Dërguarit të Allahut. Ai i kishte thënë: “Jepu të falat e mia dhe thuaju të ta japin vajzën!”

Burrë e grua shohin njëri-tjetrin dhe, me shikimet e tyre, duket sikur po bëjnë që të dy të njëjtën pyetje: “Xhulejbibit?” Mirëpo urdhrin e ka dhënë i Dërguari i Allahut dhe çështja nuk mban! Ndërsa ata, sidoqoftë lëkunden, vajza që e ndjek bisedimin pas perdes, u bën zë prindërve që aty ku ndodhet: “Pse lëkundeni para njeriut që po çon në vend fjalën e të Dërguarit të Allahut?”[12]

Xhulejbibi është martuar. Katër-pesë javë pas martesës merr pjesë në një luftë dhe bie dëshmor. Pas përfundimit të betejës, njerëzit kërkojnë të afërmit e vrarë. I Dërguari i Allahut i pyet: “A keni humbje?” “Jo” - i thonë disa. “Por unë kam!” - ia kthen i Dërguari i Allahut dhe, si një baba i dëshpëruar që e ka humbur të birin, zemërplagosur, e kërkon Xhulejbibin. E kërkon, e kërkon dhe e gjen diku. E gjen mes shtatë mohuesve, me shumë plagë, të përgjakur nga koka te këmbët, por me shpatën në dorë! I Dërguari i Allahut dekreton: “Vrau shtatë vetë dhe u bë gazi, fitimtar! Pastaj ra dëshmor!” I Dërguari i Allahut vë kokën te gjuri dhe thotë: “Allahu im! Ky është një prej të mijve dhe unë jam një prej të tijve!” Ja, pra, se si u dilte për zot i Dërguari i Allahut shokëve![13]

4. Ali b. Ebi Talib (r.a.)

Hajberi duhej të fitohej. Rrethimi për ditë të tëra nuk kishte dhënë rezultat, kalaja nuk ishte mposhtur dot. Një ditë, i Dërguari i Allahut tha: “Nesër këtë flamur do t’ia jap njërit që e do Allahun dhe Allahu e do atë!” Të nesërmen, kur ushtria u rreshtua për të rinisur sulmin, secili pothuaj bënte garë me të tjerët për të zënë vend në radhën e parë. I Dërguari i Allahut drejtoi faljen e namazit dhe pastaj u kthye nga ushtria. Sytë e secilit ishin ngulur në sytë e të Dërguarit të Allahut. Kurse sytë e tij kërkonin dikë që s’ndodhej aty.

Sahabet me kujdesin e njeriut që nuk do ta trembë zogun që i ka qëndruar mbi kokë, prisnin fjalët që do të derdheshin nga çasti në çast nga buzët e të Dërguarit të Allahut dhe, secili dëshironte që nderi t’i takonte atij vetë. E kush nuk dëshironte të dëgjonte për vete se ishte njeri i dashur prej Allahut (xh.xh.)? Njeriu mund ta sakrifikojë xhenetin për shokun dhe të thotë: “Në vend tim, le të hyjë ai vëllai im!” Por në këtë rast, nuk mund të bëhej fjalë për sakrificë!

I Dërguari i Allahut po përgatitej të fliste. Më në fund, ai pyeti: “Ku është Aliu?”

Hz. Aliut i dhimbnin sytë shumë rëndë. Prandaj, duke mos menduar aspak se mund t’i jepej atij vetë flamuri, kishte mbetur në radhët e pasme. Shokët u përgjigjën: “I dhembin sytë, o i Dërguari i Allahut!”

Profeti e thirri pranë. Ia fërkoi sytë me pështymën e vet të bekuar. Hz. Aliu betohet: “Kurrë më nuk më dhembën sytë!”

Pastaj ia dorëzoi flamurin. Mirëpo, mes sahabeve, atë ditë aty ndodheshin njerëz të tillë si Hz. Ebu Bekri, si Hz. Omeri, si Hz. Mikdadi... Por flamuri do t’i dorëzohej të riut Ali![14]

Dhe Hajberi ra! Triumfi i tij e tregoi aty për aty vendimin e qëlluar të të Dërguarit të Allahut. Në fakt, kështu kishte ndodhur gjithmonë: ai kishte bërë gjithmonë zgjedhje të qëlluar dhe kishte dhënë detyrë të qëlluar! Edhe ky fakt është argument dhe provë e profetësisë së tij. I Dërguari i Allahut zotëronte zgjuarsinë e lartë!

Kushdo që qe ngarkuar me një detyrë nga i Dërguari i Allahut, qe shquar në atë detyrë!

Për shembull, ai i pati thënë Halidit (r.a.), “Sejfullah”, “Shpata e Allahut”![15] Halidi qe bërë kudo shpata e Allahut dhe nga asnjë fushë beteje s’qe larguar i mundur! Vite më pas, me shumë të drejtë, Hz. Omeri (r.a.) do të thoshte: “Nëna s’ka lindur Halid të dytë!”[16] Në këtë shprehje të Hz. Omerit është edhe pohimi dhe miratimi i vendimit të qëlluar të të Dërguarit të Allahut!

I Dërguari i Allahut edhe Ka’ka-së (r.a.) i pati dhënë detyra të rëndësishme. Edhe Ka’ka pati arritur të njëjtin sukses dhe e pati bërë Hz. Ebu Bekrin të thoshte për të: “Ushtria ku ndodhet Ka’ka kurrë nuk del e mundur!..”[17]

Po kështu, Usamen 17-18-vjeçar, i Dërguari i Allahut e pati caktuar komandant në krye të një ushtrie dhe e pati dërguar në anët e Mu’te-s. Pastaj, sa qe gjallë, Usame e pati treguar se kishte qenë i denjë për një pozitë të tillë![18]

5. Bashkëshortet profetike (r.a.)

Edhe saktësia e zgjedhjes që pati bërë Profeti në bashkëshortet mes qindra kandidateve është një nga specifikat që ia vlen të shënohet. I Dërguari i Allahut pati zgjedhur gratë që do të bëheshin nëna për besimtarët dhe që do ta përballonin siç duhej këtë barrë të rëndë, dhe pati bërë zgjedhjen më të qëlluar. Të gjitha ato patën dalë ar i kulluar. Sidomos në veprimtarinë për orientimin e njerëzve në rrugën e drejtë, të gjitha ato qenë përgatitur si mësuese dhe prijëse shpirtërore dhe, pastaj, me njerëzit e mëdhenj që patën përgatitur në dyert e tyre, i patën bërë Islamit shërbimin më të madh! Shumë e shumë njerëz gjeni e të përkushtuar, si Mesruk, Tavus b. Kejsan, Ata b. Ebi Rabah, etj., patën qenë që të gjithë nxënës të rretheve mësimore të nënave të besimtarëve.

Siç u pa, i Dërguari i Allahut zgjidhte gratë që do të bëheshin në të ardhmen prijëse të mëdha, u përgatiste në banesën e tij të lumtur mundësi për t’u përgatitur vetë e për të përgatitur të tjerët dhe këto kapacitete të mëdha i shndërronte në trashëgimtare të kauzës profetike. Mes atyre grave të bekuara nuk kishte asnjë që të mos i shërbente qëllimit dhe synimit bazë të të Dërguarit të Allahut. Ashtu siç pati ndodhur në fillimet e profetësisë, kur gruaja e parë, Hz. Hatixheja, e pati shpenzuar tërë pasurinë e saj në rrugën e tij, edhe gratë e tjera të tij patën treguar të njëjtën bujari për përhapjen e diturisë dhe Islamit. Edhe nga kjo kuptohet se, duke filluar që me zgjedhjen e Hz. Hatixhes, kur Profeti Muhamed s’ishte dërguar si profet, megjithëse shenjat ishin, të gjitha gratë ai i pati zgjedhur me dritën dhe parashikimin profetik. Fundja një saktësi të tillë zgjedhjeje është e pamundur ta shpjegojmë ndryshe!


[1] shih. Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/40, 41.
[2] shih. Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/102, 103; Ibni Hisham, Sire, 1/234.
[3] Ibni Hisham, Sire, 1/344; Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/84.
[4] Muslim, Fedail, 132-133; Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/45-47.
[5] Ibni Haxher, Isabe, 4/62.
[6] Mexhmau’z-Zevaid, 9/330.
[7] Muslim, Imare, 16, 17.
[8] Kenzu’l-Ummal, 11/563, 13/15.
[9] Buhari, Fedailu’l-As’hab, 5-7; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 29.
[10] Muslim, Musafirin, 294; Musned, 4/112.
[11] Musned, 5/256, 257.
[12] Musned, 4/422.
[13] Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 131.
[14] Buhari, Fedailu’l-As’hab, 9; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 34.
[15] Buhari, Fedailu’l-As’hab, 25.
[16] Halid M. Halid, Rixhalun Haule’r-Resul, f. 386.
[17] Ibni Haxher, Isabe, 3/240.
[18] Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 63; Ibni Haxher, Isabe, 1/31.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.