Çeshtja e Mutacionit

Njëra prej të ashtuquajturave baza të pikëpamjes evolucioniste është edhe hipoteza se ndryshimet në kodin gjenetik të gjallesave që pretendohet se ndodhin vetvetiu ose rastësisht ose si rezultat i kushteve të mjedisit, shkaktojnë kalimin nga njëri lloj në tjetrin.

Kromozomet në bërthamën e qelizës, e cila funksionon si qendër informacioni dhe drejtimi, përmbajnë genet. Të gjitha veçoritë specifike të një gjallese janë të regjistruara në genet (DNA). DNA, e cila është pothuaj si një depo gjenetike informacioni, një pasqyrë e përsosur vullneti, e krijuar në atë mënyrë që të mund ta kopjojë edhe veten e vet. Ashtu siç na i nxjerr kompjuteri, me vullnetin tonë, në ekran informacionet e regjistruara më parë në kujtesën e tij, ashtu edhe ky mekanizëm e zbaton pa të metë programin e përmbledhur në përmbajtjen e tij, madje e shifron këtë program pa pushim. Në saje të këtij shifrimi, duke dhënë urdhrat përkatëse, ky program mbron llojin të cilit i përket, domethënë, asnjë ndikim i jashtëm nuk mund t'i kapërcejë barrierat e tij për ta ndryshuar linjën e llojit përkatës me anë të mutacioneve ose mënyrave të tjera.

Dihet se, nën ndikimin e radiacioneve të ndryshme, të lëndëve kimike dhe të kushteve të mjedisit, në kodin dhe programin gjenetik të gjallesave ndodhin disa ndryshime. Por, njëkohësisht, dihet se këto ndryshime të quajtura mutacion, të shkaktuara në kodin gjenetik për një shkak çfarëdo, nuk i hapin udhë kalimit nga një lloj në tjetrin ose krijimit të një lloji të ri. Megjithëkëtë, veçanërisht neodarvinistët pretendojnë se, ndryshimet në sasi, me kohë, kthehen në ndryshime në cilësi, gjë që do të thotë një transformim. Së pari, a i mjafton jeta një individi të gjallë që tek ai të ndodhë një ndryshim i tillë cilësor? Megjithëse s'ka asnjë dyshim se nuk i mjafton, le ta supozojmë të kundërtën dhe, në këtë rast, të bëjmë pyetjen: Ndryshimet cilësore që do të ndodhin, a do të jenë të dobishme, a do t'i përftojnë atij individi veti më të larta? Shkenca e gjenetikës ka vërtetuar se kjo s'është e mundur, se ndryshimet cilësore gjenetike të shkaktuara te një individ i gjallë janë regresive e të dëmshme, se ato sjellin deformime organesh dhe brezi dhe se nuk ka ndodhur e kundërta, domethënë që të jenë progresive e të dobishme.

Edhe kërkimet që bëhen sot, në ditët tona, mbi neoplazmat (kancerin), i japin rëndësi veçanërisht kësaj çështjeje dhe supozohet se ndikimet e jashtme si rrezatimet, papastërtitë e ajrit, etj., prishin qelizën dhe bëhen shkak për shfaqjen e neoplazmave. Ndërkaq, për sa kohë që vazhdojnë të bëhen kërkime jo vetëm në gjallesa të larta, por edhe në mikroorganizma, nuk janë vërtetuar ndryshime të tilla që të çojnë në një lloj të ndërmjetëm ose të ri. Për vite të tëra u bënë prova dhe kërkime mbi mizën Drosophila dhe u prodhuan pasardhës pak të ndryshëm të rreth 400 mizave. Megjithëkëtë, studimet mbi brezin e dytë të këtyre pasardhësve, të krijuar nga kryqëzimet mes tyre, nuk kanë zbuluar ndonjë lloj të ndërmjetëm apo të ri!

Shkurt, provat e bëra mbi mëse 400 miza Drosophila kanë treguar se me mutacione mund të ndodhin ndryshime të parëndësishme, por jo cilësore. Te këto miza kanë ndodhur ndryshime të tilla siç ndodhin tek njerëzit, siç janë errësimi i ngjyrës dhe ngritja e tensionit për shkak të kushteve klimatike, por jo ndryshime lloji dhe as breza të një lloji të ri nga kryqëzimi mes tyre, veçse miza Drosophila të sëmura apo të gjymtuara.

Njeriut i është njohur, në një masë të caktuar, e drejta dhe kompetenca për të ndërhyrë në natyrë dhe në gjërat. Si zëvendës i Zotit mbi tokë, për ta ndryshuar, rregulluar, sistemuar dhe urbanizuar sipërfaqen e tokës, ka qenë e domosdoshme që njeriu të zbulojë shkencat dhe mjetet për t'u bërë i aftë për këtë ndërhyrje. Veçse kjo ndërhyrje nuk vepron mbi kafshët për ndryshimin e llojit të tyre. Ndryshime lloji mund të sillen vetëm tek bimët me anë të shartimit dhe vetëm te disa bimë të caktuara, kurse tek kafshët mund të bëhen vetëm përmirësime racore brenda të njëjtit lloj duke kryqëzuar në mënyrë natyrale ose artificiale raca të ulta me individë të zgjedhur të racave të larta.

Si përjashtim i kësaj, te kafshët, Zoti ka lejuar kryqëzimin, për shembull, të kalit me gomarin, domethënë, i ka krijuar këto kafshë me këtë mundësi kryqëzimi. Ndërkaq, mushka e dalë nga një ndërhyrje që mund të quhet në botën e kafshëve përjashtim, është një kafshë pa mundësi fekondimi. Kjo do të thotë se nga një kryqëzim i tillë i llojeve të ndryshme lind një kafshë shterpë, pra, nuk mund të pritet që prej saj të shfaqet në botë një lloj i ri. Jashtë këtij lloj përjashtimi, nuk ka ndodhur që të krijohet një kafshë e re si përfundim i mutacioneve të njëpasnjëshme të shtrira në një kohë tepër të gjatë. Në disa kafshë mbi të cilat janë bërë kërkime, janë shfaqur ndryshime të tilla si, p.sh. një këmbë më e shkurtër ose ngjyrë tjetër qimeje, por lloji nuk ka ndryshuar, ai ka ruajtur origjinën e vet; ujku ka mbetur ujk e, delja, dele. Ndërhyrjet as ujkun s'e kanë bërë dot dele e, as delen, ujk! Jo në kafshë të tilla komplekse, por edhe te gjallesat më të vogla si bakteriet nuk është vërejtur ndonjë ndryshim për t'u shënuar. Bakteriet të cilat shtohen duke bërë një ndarje në njëzet minuta, edhe pas mutacioneve brenda 60 mijë brezave, mes bakterieve para 500 milion vitesh dhe bakterieve të sotme nuk shihet ndonjë ndryshim. Po kështu, nuk shihet ndonjë ndryshim as mes fosileve të përcaktuara me moshë 1 miliard vjeç dhe kafshëve të të njëjtit lloj që vazhdojnë të jetojnë sot.

Një tjetër çështje është se palenteologët tërheqin vëmendjen që, për ta pranuar evolucionin, duhet të gjenden fosile të ndërmjetme. Mirëpo darvinistët pretendojnë se nuk ka nevojë për fosile të ndërmjetme, se një kafshë mund të kapërcejë menjëherë nga një lloj më i ulët në një lloj më të lartë. Për shembull, sipas tyre, nga veza e një zvarraniku veç kur ka dalë një zog! Përgjigje kësaj i japin gjenetistët, të cilët thonë se asnjë qenie nuk mund të ndryshojë menjëherë 1000 veti. Dr. Lecomte de Nouy thotë se "një kalë mund t'i hedhë pesë thonj (thundra) vetëm në pesë milion vjet". Kështu, pretendimi se në një evolucion të tillë që kërkon miliona vjet, një ndryshim që duhet të ndodhë gradualisht, të ndodhë menjëherë, është thjesht një marrëzi. Po të thuhet se ndryshimi ndodhi dalngadalë (pa u shfaqur) dhe u shfaq, pastaj, menjëherë, themi se është kusht që ndryshimi i dukshëm nuk mund të ndodhë kështu, por shkallë-shkallë; për shembull, gjersa të bëhet njëthundrak, kali duhet të kalojë fazat e ndërmjetme si katërthundrak, trethundrak dhe dythundrak, pra, këta lloj kuajsh duhet të kenë jetuar medoemos. Ndërkaq, ndryshimi në thonjtë (thundrat), gjithsesi, nuk mbetet i kufizuar vetëm në ta, sepse trupi funksionon si një e tërë. Për shembull, kjo mund të vërehet lehtë në përmirësimin dhe mbylljen e një plage. Pra, është e pamundur që të mos vërehet një ndryshim i tillë te kuajt. Shkurt, nga veza e zvarranikut nuk del zog. Një ndryshim me kapacitet sa qindra mutacione mund të rezultojë vetëm me vdekjen e kafshës në çast.

Në qeniet mikroskopike ndodh një ndarje dhe riprodhim shumë i shpejtë. Për shembull, bakteri Escherichia coli fillon të ndahet në minutën e 20 dhe vazhdon kështu në shumë seri. Miza Drosophila riprodhohet 30 herë në vit. Një vit i kësaj mize përkon me 1 milion vite tonat. Ndryshimi që mund të ndodhë në jetën njerëzore në 1 milion vjet, te Drosophila duhet të duket në 1 vit. Po qe se te kjo mizë do të ndodhë një ndryshim në një vit, pranojmë se një ndryshim mund të ndodhë te njeriu në 1 milion vjet. Mirëpo faktet tregojnë krejt të kundërtën. Disa paleontologë bëjnë fjalë për baktere dhe alga blu-jeshile që kanë jetuar në periudhat gjeologjike të Silurit dhe Permit që konsiderohen si periudhat e para gjeologjike. Në disa libra lexojmë se këto baktere ekzistojnë qysh prej 300 milionë vjetësh, kurse, në disa të tjera, qysh prej 50 milionë vjetësh dhe shohim se siç kanë qenë 50 ose 300 milionë vjet më parë, janë edhe sot. Disa, duke pretenduar se algat blu-jeshile kanë një dendësi që e hedh poshtë transformizmin, mund t'i kundërshtojnë këto që themi ne, por, sidoqë të jetë, ne po flasim për bakteriet, për qeniet me aftësi ndryshimi shumë të shpejtë e të dendur, megjithëkëtë, që kanë mbetur siç kanë qenë miliona vite më parë.

Te kafshët që u janë nënshtruar kushteve jetësore të ndryshme në parqet natyrore të ngritura në vende të ndryshme të botës dhe veçanërisht në kopshtet zoologjike, nuk ndodh ndonjë ndryshim i dukshëm me sy. Në laboratore të ndryshme bëhen përpjekje për të realizuar mutacione që do t'i hapnin udhë evolucionit, por s'po merret ndonjë rezultat. Ndërkaq, disa dukuri të pjesshme e të kufizuara që pretendohet se janë dukur ose arritur, burojnë, pa dyshim, nga veçoritë krijimore të llojeve mbi të cilat eksperimentohet, pra, që janë të përshtatshme për dukurinë në fjalë. Kurse një ligj si evolucioni, i cili kërkohet të merret si bazë për shpjegimin e qenies së gjallë dhe jetës, nuk mund të jetë dhe të mbetet i kufizuar në ngjarje të veçuara e përjashtimore, por ta përfshijë gjithë qenien e gjallë. Allahu ka vënë në gjithësi përjashtime për çdo ligj dhe rregull të përgjithshëm në mënyrë që njerëzit të mos kapen krejtësisht pas ligjeve dhe rregullave e të harrojnë Autorin e vërtetë, Krijuesin, Zotin. Megjithëkëtë, nuk mund të thuhet se në punimet laboratorike lidhur me evolucionin është hasur qoftë edhe në një ngjarje përjashtimore në këtë nivel.

Një pretendim tjetër lidhur me këtë çështje është dukuria e nxjerrjes së një hibridi nga bashkimi i dy llojeve të racave të ndryshme të quajtura allopoliploid duke e dyfishuar më parë numrin e kromozomeve të tyre. Për shembull, pasi t'i kemi dyfishuar kromozomet e rrepës dhe lakrës dhe ta kemi shartuar rrepën me lakër, mund të na dalë një varietet tjetër rrepe. Por kjo ndodh në botën e bimëve. Sa më lart të ngjitemi në botën e qenieve, vëmë re se aq më e pamundur bëhet një gjë e tillë. Kështu, kjo dukuri nuk haset te kafshët dhe njerëzit.

Dyfishimi i numrit të kromozomeve bëhet, në kushte normale, për shkak të shterpësisë së qenies së formuar si rezultat i kryqëzimit mes llojeve të ndryshme, siç është rasti i mushkës. Meqë një qenie e tillë nuk mund të bëhet as nënë, as baba, ia dyfishojmë numrin e kromozomeve. Por, siç u tha, edhe nëse kjo është një dukuri që ndodh në botën e bimëve, tek kafshët nuk ndodh kështu. Numri i kromozomeve te njeriu është 46. Janë këto 46 kromozome që përcaktojnë identitetin biologjik të njeriut. Megjithëkëtë, edhe sikur ky numër të ndryshohet, për shembull, të bëhet 45, 44 ose 47, 48, 49, etj., përsëri do të formohet një njeri e jo ndonjë qenie e ndonjë lloji tjetër, vetëm se një njeri me shtrembërime dhe të meta, pra, ndryshimi i numrit të kromozomeve bëhet shkak i anomalive. Prandaj, po qe se do të dyfishohej numri i kromozomeve të njeriut, qenia që do të lindte do të ishte përsëri njeri, vetëm se ky njeri do të lindte i vdekur ose do të vdiste pasi të lindte meqë nuk do të mund të jetonte. Kurse kur ndryshimi i numrit të kromozomeve nuk shkakton vdekjen, shkakton anomali të ndryshme si gjymtime e sëmundje të cilat e bëjnë gjithashtu të vështirë apo të pamundur jetesën. Prandaj, pasoja e lojës me kromozomet në botën e kafshëve dhe njerëzve është vetëm fatkeqësi.

Kështu, pra, meqë mutacioni është në themel një ndërhyrje në sistemin e DNA-së së qenies së gjallë, shfaqet te ajo me ndikime shkatërruese. Për rrjedhojë, nuk mund të bëhet fjalë për një mutacion të dobishëm me pasoja ndryshimesh serioze.

Mëshiruesi i Pafund, ashtu siç e ka vendosur informacionin gjenetik çift, edhe kodin e shumë aminoacideve, për shkak sigurie, e ka krijuar çift. Gjenetika është krejt si një gjuhë; pa u lexuar drejt për t'u përkthyer dhe shndërruar në proteina, nuk vlen për asgjë. Prandaj për jetën dhe shëndetin, sa ç'është i nevojshëm informacioni gjenetik, është e nevojshme që, gjatë gjithë jetës së gjallesës, ky informacion të kthehet në proteina në kohën e duhur, saktë dhe në masën e duhur. Mirë, po ç'është ajo gjë që lejon përdorimin e një pjese të informacionit që përmbajnë kromozomet të cilat janë si vëllime enciklopedike, ndërsa pengon përdorimin e një pjese tjetër të informacionit? Në përfundim të kërkimeve shkencore, është parë se disa proteina kryejnë funksionin e hapjes dhe leximit të informacioneve të caktuara, ndërkaq, funksionin e mbylljes dhe kyçjes së informacioneve të tjera të caktuara. E thënë ndryshe, informacioni gjenetik deshifrohet me anë të një serie molekulash proteinike dhe përdoret në sintezën proteinike, kurse proteinat e sintetizuara përcaktojnë se kur dhe në ç'mënyrë do të lexohet informacioni gjenetik. Nga kush e marrin, vallë, këto, urdhrin e parë që i orienton për veprime të tilla, zbulimin e të cilave njeriu, qenia e vetëdijshme dhe e informuar, e ka konsideruar si suksesin e vet më të madh? Dhe si arrijnë ta kontrollojnë më pas programin gjenetik nga ku e kanë marrë informacionin e duhur për t'u vetëprodhuar?

Urdhrin dhe komandimin me anë të një programi të veçantë misterioz mund ta shohim edhe në ngjarjet e rigjenerimit. Eshtë shumë e habitshme se si te disa kafshë, pasi ndonjë organ u plagoset, dëmtohet apo këputet, nis një proces rigjenerimi që duket si diçka krejt e zakonshme, por që është tejet e jashtëzakonshme dhe e mrekullueshme. Qelizat e vendit të këputur ose të dëmtuar të një organi çfarëdo, gjer në atë çast kanë qenë qeliza normale të trupit, por të specializuara për një vend dhe funksion të posaçëm. Pastaj si ndodh që këto qeliza marrin një funksion të ri, atë të riprodhimit të organit të hequr në një farë mënyre, të riprodhimit të të gjitha llojeve të indeve që e përbëjnë atë organ si dhe organin në tërësi? Përse dhe si vihet në veprim një funksion dhe lëvizje e tillë? Kush e ndjen një nevojë të tillë? Meqë është krejt e pamundur që qelizat të jenë të vetëdijshme për një gjë të tillë dhe meqë në trup dhe në natyrë nuk ekziston ndonjë qendër që t'u japë qelizave një informacion të tillë dhe mekanizmën me anë të së cilës do të kalonin në veprim duke e përdorur atë informacion, do të thotë se është dikush që i di të gjitha nevojat e trupit (për kafshën përkatëse) dhe zotëron mundësitë e duhura për t'i plotësuar ato nevoja, që i kryen këto punë në kohën dhe vendin e duhur!

Pretendimi mbi pemën gjenealogjike dhe pema (gjenealogjike) e qenies

Edhe fati i pemës gjenealogjike mbi të cilën evolucionistët, në emër të teorive të parashtruara prej tyre, qëndrojnë me këmbëngulje, është mjaft i ngatërruar. E para, zbulimet e reja në biologjinë molekulare kanë krijuar probleme të reja të pazgjidhshme dhe gjendje pa rrugëdalje për teorinë e evolucionit, për ç'shkak mund të themi se e kanë shtrënguar atë në qoshe, sepse në "pemët gjenealogjike" të sajuara duke marrë për bazë grupe molekulash të ndryshme, kanë dalë në shesh rezultate krejt të ndryshme duke u bërë krejt e pakuptueshme se cili është prejardhur prej cilit dhe pse është prejardhur. Megjithëkëtë, evolucionistët flasin për pretendimin e tyre, sipas të cilit "mund të vizatojnë pemë gjenealogjike shumë të ndryshme sipas uniteteve molekulare biologjike të ndryshme të marra nga grupe kafshësh të ndryshme e të pranuara si themel". Por, duke vepruar kështu, në të vërtetë, ata, duke e pranuar në fillim evolucionin si një të vërtetë të qëndrueshme dhe, pastaj, duke e radhitur materialin që kanë në dorë mbi këtë bazë, dashje pa dashje pohojnë se vizatojnë një pemë gjenealogjike iluzive. Veçanërisht, edhe pretendimi i evolucionistëve se rrënjët e pemës gjenealogjike të qenies janë tjetër, trungu, tjetër, degët dhe frutat, tjetër, nuk është i drejtë. Krejt e kundërta, kërkimet dhe studimet e bëra kanë treguar se qeniet e quajtura rrënjë, trung, degë e fruta jetojnë së bashku në të njëjtën kohë!

Për shembull, në periudhën e Kembrienit janë shfaqur dhe kanë jetuar së bashku shumë gjallesa që evolucionistët ia përkatësojnë asaj periudhe duke i konsideruar në raporte atësie e birësie ndaj njëri-tjetrit! Po kështu, është evidente se një sërë qeniesh të thjeshta e të ulta kanë jetuar së bashku në të njëjtën periudhë me qenie shumë komplekse. Kjo do të thotë të pranosh se mund të gjenden së bashku në të njëjtin çast, stërnipi me gjyshin e vet të njëqind mijë brezave të mëparshëm, gjallesa komplekse të parashikuara se kanë jetuar në një periudhë me gjallesa të thjeshta e të ulta për të cilat pretendohet se i përkasin një periudhe miliarda vjet më parë. Tjetër, një sërë gjallesash detare që jetojnë sot, nga më të ultat e periudhës së Devonienit gjer te peshkaqeni, janë shfaqur menjëherë dhe së bashku në atë periudhë dhe, pastaj, duke kapërcyer kulmet e kohëve, kanë ardhur gjer në ditët tona, gjë që është krejt e pamundur të shpjegohet me pretendimet e evolucionistëve. Për shembull, fakti se, ndërsa pretendohet se brezi i peshqve të grupit Crossopterigi që janë nga gjallesat e periudhës në fjalë dhe që, sipas mendimit evolucionist, konsiderohen si ati i bretkosave, është konsumuar 70 milion vjet më parë, ato janë dukur në tufa të hapësirat detare të Afrikës së Jugut, fakti se është zbuluar që në periudhën e karbonifereve kanë jetuar së bashku bretkosat me zvarranikët, ç'është e drejta, është e pamundur të kuptohen sipas teorisë evolucioniste dhe secili prej këtyre fakteve janë goditje vdekjeprurëse për mendimin evolucionist që pretendon se zvarranikët kanë ardhur nga brektosat.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.