Çeshtja e Perdorimit dhe Mosperdorimit te Organeve dhe Pershtatja

Duhet ta bëjmë të ditur se edhe pretendimi se organet që s'përdoren, me kalimin e kohës atrofizohen, si dhe pretendimi i Lamarkut se, te llojet e gjallesave, cilësitë e fituara me kalimin e kohës u kalojnë brezave pasardhës me anë të rrugës së trashëgimisë, nuk kanë asnjë vlerë. Ç'është e vërteta, te njerëzit vëmë re se disa organe që përdoren më shumë, sidomos muskujt, zhvillohen. Kështu vihet re një zhvillim i madh muskujsh te ngritësit e peshave.

Mirëpo i biri i ngritësit të peshave nuk lind aspak me muskuj të zhvilluar ose, më saktë, gjatë rritjes, tek ai nuk vihet re ndonjë përjashtim në zhvillimin e muskujve në krahasim me bashkëmoshatarët që kanë lindur nga prindër me një zhvillim muskulor të zakonshëm. Që edhe i biri i ngritësit të peshave të bëhet si i ati, duhet të stërvitet si ai! Po kështu, hebrenjtë kanë rreth 4000 vjet që bëhen synet, megjithëkëtë, nuk është vënë re që fëmija i ndonjë hebreu të lindë i bërë synet! Edhe qindra milionë muslimanë kanë 14 shekuj që bëhen synet, por as mes muslimanësh nuk është dëgjuar të lindë ndonjë fëmijë i bërë synet! Për rrjedhojë, pranimi i përcjelljes te brezat pasardhës me anë të trashëgimisë i një cilësie të fituar nga një brez me kalimin e kohës, për më tepër, pranimi i kësaj si një tezë e padiskutueshme, është diçka që nuk përputhet me shkencën dhe dinjitetin shkencor.

Po si kjo, edhe pretendimi se organet që s'përdoren, me kohë atrofizohen dhe u përcillen në të njëjtën gjendje brezave pasardhës, kurse organet që përdoren, zhvillohen, është një legjendë dhe bestytni. Lamarku pretendon se "gjirafës i është zgjatur qafa në mënyrë anormale pasi ka pasur nevojë të arrijë degët e larta"! (?) E cila është ajo kafshë bimëngrënëse që nuk kërkon të hajë gjethet e degëve më të larta? Pse, vallë, vetëm qafa e gjirafës është zgjatur, kurse e kafshëve të tjera, jo? Edhe dhitë ushqehen vazhdimisht me degë dhe gjethe pemësh dhe kjo mënyrë ushqyerjeje është aq karakteristike për to, saqë dhitë konsiderohen armiq të pyjeve! Mirëpo, ja që qafa nuk u është zgjatur, prandaj janë të detyruara të kacaviren për të arritur degët e larta! A nuk do të deshte gjarpëri të ecte mbi këmbë në vend që të zvarrisej për tokë? Darvini ka një pikëpamje, sipas të cilës "këmbët e gjarpërit janë atrofizuar me kalimin e kohës". Kontradikta këtu është aq e hapur sa mund ta vërë re kushdo. Po qe se në botën e kafshëve ka vepruar dhe vepron evolucioni, do të duhej që, nëse gjarpëri ka qenë në krye të herës zvarranik, me kohë t'i qenë formuar këmbët, kurse, nëse ka qenë me këmbë, s'ka pasë pse të mos i përdorte. Ç'e ka shtyrë gjarpërin me këmbë të mos i përdorë ato, të kthehet në zvarranik dhe, pastaj, duke u hequr zvarrë, ta përdorë qafën për ta zgjatur? Nga njëra anë, i ka këmbët, por nuk i përdor dhe, nga një kafshë më e lartë, në vend që të evoluojë më tej, kthehet mbrapsht në një kafshë më të ulët! A nuk ka kontradiktë këtu?

Përsëri, sipas pretendimit të Darvinit, "krahët e zogjve kanë ardhur në këtë gjendje nga nevoja për të fluturuar". Edhe në këtë pretendim ka një kontradiktë të hapur. Sigurisht, në krye të herës, zogjtë nuk kanë pasur krahë për të fluturuar. Atëherë, pse dhe si ka lindur te zogjtë nevoja për të fluturuar? Si u krye zhvillimi gradual i krahëve te zogjtë? Mos vallë duke bërë ushtrime fluturimi për miliona vjet me radhë? Dhe pse? Përse? Sipas teorisë së Darvinit, del se, në krye të herës, zogjtë ecnin mbi tokë së bashku me kafshët e tjera. Siç duket, ata ishin të pajisur paraprakisht me fillesën e krahëve që e ruajtën dhe e zhvilluan duke e përdorur gjersa e prunë në gjendjen e sotme! As Darvini vetë, as dhe ata që kapen fort pas teorisë së tij si të ishte e vërtetë, pra, që kapen pas saj si pas një dogme, nuk munden t'u japin as edhe një përgjigje bindëse pyetjeve dhe çështjeve të panumërta si më sipër që s'ke si u shmangesh dot!

Ata që ngulin këmbë te evolucioni, sjellin, kinse si argument për atrofizimin e organeve të papërdorura, zorrën qorre dhe bajamet tek njeriu. Duke tërhequr vëmendjen mbi faktin se zorra qorre ndodhet mes zorrëve të holla dhe zorrës së trashë, ata thonë se ajo ka mbetur nga etërit tanë barëngrënës, është atrofizuar me kohë nga mospërdorimi dhe është kthyer në një apendiks, në një organ pa funksion, të padobishëm. Po kështu edhe bajamet i shohin si të padobishme. Por sot shkenca tregon se bajamet funksionojnë si një pritë, si një barrierë ndaj mikrobeve që mund të futen të trup përmes grykës. Edhe zorra qorre, në disa punime shkencore, quhet si një "stomak i dytë". Fakti që në zorrën qorre ka një rrjet shumë të dendur kapilarësh gjaku dhe limfe, tregon për rëndësinë e tij.

Darvini bën fjalë edhe për atrofizimin e qimeve te njeriu dhe thotë: "Njeriu ka ardhur në gjendjen e sotme nga etërit e tij leshtorë duke i rënë qimet (leshrat)". Kurse për ta shpjeguar faktin që tek femra nuk është e njëjta gjendje e qimeve, përdor një arsyetim që s'përputhet aspak me idenë e evolucionit sipas tij: "Kështu është dashur të jetë që femra të jetë tërheqëse"! (?) Ky është një arsyetim që mbështetet në urtësinë hyjnore të krijimit dhe, po të bëhet nga ky këndvështrim, qëndron. Por fakti që një teori që mbështetet në spontaneitetin dhe rastësinë e verbër bën një arsyetim të tillë për të justifikuar dallimin mes mashkullit dhe femrës në gjendjen e qimeve, është krejt kontradiktore, është një shmangie nga konsekuenca e vet ose, më saktë, pamundësi për t'iu shmangur së vërtetës! Darvini përpiqet ta justifikojë edhe faktin se pse nuk kanë rënë qimet e kokës, duke thënë se "ashtu duhej meqë koka ka qenë pjesa më e ekspozuar e trupit ndaj goditjeve". Po balli, hunda, gjunjët, më pak të ekspozuara kanë qenë? (!)

Në lidhje me përshtatjen e gjallesave ndaj mjedisit të jashtëm, neodarvinistët mbrojnë këtë pikëpamje:

Në zonat industriale të Europës, në vendet me dendësi të madhe pluhurash dhe tymrash, ndodh dukuria e melanozës industriale.[1] Në këto kushte, meqë fluturat e tenjës ose molës[2] me ngjyrë të errët mbrohen më mirë nga armiqtë e tyre në sfondin e përhirosur të mureve apo sipërfaqeve të tjera, skartohen më pak, domethënë shumohen më tepër se fluturat me ngjyrë të çelët, kemi të bëjmë me një proces ndryshimi që do të çojë, një ditë, në eliminimin e plotë të fluturave me ngjyrë të çelët.

Eshtë e qartë se ky shembull nuk mund të shërbejë si argument për evolucionin, sepse qoftë e bardhë apo e zezë, si tenja e zhdukur, si tenja që ka mbijetuar, mbetet tenjë. Në këtë rast nuk kemi jo vetëm kalim në një lloj tjetër, por as ndryshim brenda llojit. Këtu bëhet fjalë vetëm për një cilësi të tenjës, aftësinë për t'iu përshtatur ndryshimit të kushteve të mjedisit, konkretisht me anë të ndryshimit të ngjyrës. E gjitha vetëm kaq!

Pretendimi se mes gjallesave të të njëjtit lloj ndodhin ndryshime (dallime) si rezultat qoftë i një dukurie të natyrshme, qoftë i një izolimi artificial, domethënë i një detyrimi për të jetuar në kushte të caktuara, paraqitet dhe mbrohet si një argument i evolucionit, në themel të të cilit qëndron përshtatja. Ndryshime dhe dallime të tilla mund të ndodhin dhe duken në çdo kohë, por gjithmonë janë sipërfaqësorë dhe zhvillohen brenda të të njëjtit lloj. Nuk mund të pretendohet që një ndryshim i tillë brenda llojit të nxjerrë në shesh lloje të reja me anë të metamorfozave në zinxhirin evolucionar. Edhe nëse pretendohet, ky pretendim nuk bart asnjë vlerë shkencore!

Evolucioni dhe etapat që kalon fetusi në mitër

Një pretendim tjetër që parashtrohet në lidhje me këtë çështje, është edhe ngjashmëria mes etapave të para që kalon në mitër fetusi njerëzor dhe të të njëjtave etapa që kalojnë vertebrorët e tjerë.

Studimet shkencore përkatëse tregojnë se ende nuk njihen plotësisht dhe hollësisht veçoritë e zhvillimit të një veze vertebrorësh të fekonduar dhe akoma më pak analogjitë e së njëjtës dukuri mes vertebrorëve. Disa vezë ose embrione zhvillohen më ngadalë, disa, më shpejt ose shumë më shpejt. Edhe nëse ka një ngjashmëri morfologjike në dukje, çdo gjallesë (në rastin tonë konkret, çdo vertebror) ndjek një ecuri të posaçme në vartësi të veçorive individuale, të geneve, kromozomeve dhe kushteve materiale ku ndodhet.

Në lidhje me etapat që kalon fetusi njerëzor në mitër, Kur'ani jep të dhëna të qarta dhe të tilla që shkencat e natyrës i arritën vetëm katërmbëdhjetë shekuj pas tij!

"Pa dyshim, Ne e marrim njeriun nga balta duke e kthyer në një esencë. Pastaj atë, në formën e spermës (embrionit të fekonduar nga spermatoidi) e vendosim në një vend të sigurtë. Pastaj embrionin e kthejmë në një lëndë ngjitëse (si gjak i mpiksur) dhe, më pas, në një si copë mishi të përtypur. Më vonë, këtë copë mishi të përtypur e kthejmë në eshtra dhe eshtrat i veshim me mish dhe e bëjmë atë një krijesë të re (të veçantë). Shihni se sa mrekullisht krijon Allahu dhe mendoni!" (Kur'ani, Mu'minun, 23/12-15).

Në fillim, Kur'ani bën fjalë për faktin që prejardhja e njeriut është nga toka, domethënë, elementët përbërës të njeriut janë po ata që gjenden në tokë e në gjithësi dhe përmbahen, në mënyrë të koncentruar, në elementët ngjizës njerëzorë: vezën dhe spermatozoidin. Veza e fekonduar që shumohet me shpejtësi, kthehet në një lëndë ngjitëse që në Kur'an quhet alak,[3] e cila ngjitet pas mureve të mitrës për t'u ushqyer. Ndërkaq, duhet theksuar se Kur'ani ia dedikon këto realitete dhe zhvillime Allahut, Zotit. Sepse as spermatozoidi, as veza, as embrioni dhe format e tij të zhvilluara më tej janë të aftë për të kryer ndonjë veprim sado të vogël në sajë të vetëdijes apo vullnetit të vet. Eshtë Zoti që i drejton të gjitha këto procese. Mënyra se si shprehemi ne duke i përshkruar të gjitha këto sikur të zhvilloheshin vetvetiu, është e figurshme. Kurse evolucioni dhe shkenca që e mbron atë, duke i shpjeguar me anë të vetvetishmërisë, spontaneitetit dhe rastësisë, ekspozon një injorancë dhe mohim të paparë në histori! Pandeh se prandaj ngul këmbë kaq shumë materializmi mbi evolucionin!

Lënda ngjitëse që ngjitet në muret e mitrës duke formuar një lidhje shumë të ngushtë me nënën, duke u shumëzuar dhe rritur pandërprerë, kthehet në një lëndë si një copë mishi e përtypur dhe pa formë të përcaktuar ose, më saktë, në një grumbull qelizash. Pastaj, një grup prej atyre qelizave fillon të shndërrohet në krye në kërc, pastaj në eshtër. Pas kësaj formohen qelizat e indeve muskulore dhe fibrore dhe formohet mishi që vesh eshtrat. Të gjitha këto që Kur'ani i përshkruante hollësisht dhe qartë qysh para katërmbëdhjetë shekujsh, embriologjia moderne i mësoi pasi i vëzhgoi me anë të rrezeve rontgen. Mirë, po pse u muar me çështje të tilla shkencore Kur'ani, synimet kryesore të të cilit janë krejt të tjera? Siç duket, për t'i dokumentuar qysh më parë të vërtetat kundër të cilave do të dilnin më vonë teoritë e gabuara të orientuara për ta mohuar krijimin!

Pas veshjes së eshtrave me mish, Kur'ani, duke përdorur për krijimin e njeriut shprehjen "halkan ahar", thekson se Zoti e krijoi njeriun si një gjallesë specifike. Ja, ky është momenti kur njeriu fillon të pajiset me një krijim të posaçëm vetëm për të!

Gjatë pesë etapave të para, domethënë, si embrion i fekonduar, si lëndë ngjitëse, copë mishi, eshtër dhe eshtër e veshur me mish,[4] të gjithë fetuset e vertebrorëve duken si identikë. Në këto etapa, nuk dallohet nëse qenia që po zhvillohet është zog, peshk apo njeri. Mirëpo ky ngjasim që duket si identik, është sipërfaqësor, vetëm në dukje. Së pari, ashtu siç u tha edhe më lart, procesi te disa është shumë i shkurtër, te disa, i gjatë. Së dyti, çdo fetus i një gjallese të caktuar ka veçori të posaçme vetëm për të që s'do të mund t'i dallonim edhe sikur të futeshim në mitër (!), dhe zhvillohet në përputhje me to. Dhe jo vetëm kaq. Edhe mes individëve të të njëjtit lloj ka veçori të posaçme dhe dallime që i japin procesit të zhvillimit individualitet. Për shembull, çdo individ njerëzor që në këto etapa duket sikur nuk dallohet nga të tjerët, zhvillohet në një mënyrë të posaçme për të që do të nxjerrë, si përfundim, në shesh, një njeri me flokë, sy, hundë, buzë, gjatësi shtati, peshë, vija të gishtave, DNA, pamje, karakter, dhunti dhe aftësi origjinale, disa prej të cilave, të papërsëritshme te asnjë individ tjetër. Mes fetuseve njerëzorë mund të bëhet fjalë vetëm për pika të përbashkëta që varen nga lloji. Për shembull, meqë fetusi njerëzor ka për t'u bërë një krijesë e përkryer që do të dallohet mes krijesave të tjera për arsye, vetëdije dhe vullnet, dhe që, pasi të vijë në botë, do të ketë aftësinë për të mësuar, për të besuar dhe adhuruar, çdo fetus njerëzor është i pajisur me mjetet e duhura për ta arritur këtë synim. Ndërkaq, siç u tha më sipër, çdo fetus ka veçori të posaçme për vete si mjete për realizimin e dallimeve individuale. Programi DNA që e dallon atë gjallesë nga të gjitha gjallesat e tjera, është i shkruar në formë genesh në kromozomet. Ndërsa puna qëndron kështu, meqë në pesë etapat e para të fetuseve vertebrorë këto veçori nuk mund të shihen nga jashtë, mund të mendohet sikur të gjithë janë e njëjta e njëri-tjetrit. Atëherë, mbetet të themi se, edhe sikur fetuset e vertebrorëve si zogu, peshku dhe njeriu të jenë identikë me njëri-tjetrin gjer në përfundim të etapës së pestë, si mund ta shpjegojnë shkencëtarët dhe evolucionistët ndryshimin e menjëhershëm që ndodh në këtë moment? Hadithet, porositë profetike, thonë se në këtë moment njeriut i fryhet shpirt dhe i shkruhet kaderi, e ardhmja, në ballë. Meqë shkenca materialiste dhe evolucioniste nuk i pranojnë as shpirtin, as kaderin, të ardhmen e paracaktuar, si do ta shpjegojnë në këtë etapë diferencimin e menjëhershëm dhe prirjen e çdo individi njerëzor për t'u bërë ai që është, i ndryshëm nga të gjithë të tjerët? Po qe se ky diferencim buron nga shpirti dhe kaderi që i japin çdo njeriu individualitetin e vet të vërtetë, domethënë, nga veçoritë që e bëjnë atë një

individualitet më vete dhe po qe se kjo gjë është një dukuri krejtësisht jomateriale, a nuk do t'i shtyjë shkencëtarët materialistë dhe evolucionistë të ulen për ta menduar çdo çështje nga fillimi? Kurse ne, në kundërshtim me pretendimet e evolucionistëve, mendojmë se në fetusin e çdo lloji shtazor ka dallime që janë të posaçme vetëm për të, dhe se në fetusin e çdo individi njerëzor ka dallime që do ta pranonin shpirtin dhe kaderin të posaçëm për të.

Pas etapës së pestë, fetusi njerëzor fillon të marrë pamje njeriu dhe të priret për t'u bërë individi që bart veçori të caktuara. Ky është procesi gjatë të cilit ai do të bëhet krijesë e përkryer. Ja, pra, në krijimin e njeriut, veçanërisht në këtë etapë të fundit të krijimit të njeriut, Allahu e përfundon ajetin-argument që shpreh shkallën më të lartë e më gjithëpërfshirëse të atributit të Tij krijues ose, e thënë ndryshe, aftësinë krijuese të shkallës më të lartë e më gjithëpërfshirëse, duke thënë: "Shih, pra, dhe mendo se ç'krijues i përsosur është Allahu!" Kështu, meqë atributi "krijues" i Allahut shfaqet tek njeriu në shkallën më të lartë, njeriu është një qenie tejet e veçantë dhe e zgjedhur, e merituar e cilësimit krijesë e përkryer,[5] e pajisur me madhështinë e atributeve hyjnore!

Si përfundim, fetuset e vertebrorëve shtazorë dhe njerëzorë, në etapat e para të zhvillimit i ngjasin njëri-tjetrit. Kjo ngjashmëri është vetëm në dukje, prandaj kurrë nuk mund të bëhet argument për evolucionin!

Astrofizikani i shquar anglez i shek. XX, Sër Xhejms Xhins,[6] i konsideruar si Ajnshtajn i dytë, thotë se "njerëzit shkrihen me shkencat me të cilat merren". Ata dëgjojnë me veshin e asaj shkence, shohin me syrin e saj, flasin për llogari të saj dhe jetojnë me emocionet e saj. Madje ai e shtrin këtë dukuri edhe te mjeshtëritë dhe artet. Ai thotë se një pjanist profesionist, i cili është mësuar të dëgjojë, bie fjala, tinguj të caktuar në tastat 5 dhe 8 gjer në shprehi, edhe kur zbret apo ngjit shkallët, në shkallaret e pesë e të tetë dëgjon të njëjtit tinguj!

Disa që janë marrë me gjeometri, duke menduar se në planete të tjerë mund të ketë qenie si njeriu që mendon me figura gjeometrike, kanë ndezur në Afrikë, Gadishullin Arabik dhe në shkretëtirën e Saharasë zjarre gjigandë në formë trekëndëshe e katërkëndëshe për t'u dhënë atyre krijesave të supozuara mesazhe gjeometrike. Ata që merren seriozisht me matematikë, pretendojnë se Artisti që ka krijuar gjithësinë, e ka krijuar sipas përmasave matematike. Edhe këta, ashtu si të parët që s'mendojnë më dot tjetër gjë veç gjeometrisë, e mendojnë çdo gjë vetëm në mënyrë matematike. Kurse Darvini është marrë gjithë jetën me kafshë dhe fosile kafshësh. Për rrjedhojë, meqë nuk ka dalë dot jashtë fushës me të cilën është marrë, e ka parë çdo gjë nga dritarja e kafshëve dhe fosileve, prandaj dhe ka bërë interpretime të papranueshme për arsyen dhe shkencën. Në të njëjtën pozitë vazhdojnë të jenë edhe ata që, duke e pranuar me kokëfortësi dhe në mënyrë dogmatike teorinë e tij, vazhdojnë të përpiqen për ta provuar. Me mendimin e tij si më sipër, Xhejms Xhins tërheq vëmendjen mbi faktin se, megjithë dobitë e mëdha, specializimi sjell me vete edhe rreziqe!



[1] Melanoza është sëmundja e pigmentimit të zi të lëkurës. Këtu bëhet fjalë për mela­nozën industriale ose përhirosjen e sipërfaqeve të ekspozuara të mureve, etj. me shkaktarë pluhurat dhe tymrat industriale ose, në përgjithësi, me atë që quhet smogu industrial.
[2] Lat. Tine pellionella.
[3] Në arabishte, fjala alak do të thotë edhe shushunjë. Embrioni ngjitet pas mureve të mitrës krejt si shushunjë dhe thith prej aty lëndët ushqimore. Fjala alak do të thotë edhe lidhje, marrëdhënie, interesim, afërsi, dashuri. Në fakt, i gjithë ky realitet është shprehja e parë dhe imediate e dashurisë dhe mëshirës amësore për fëmijën. Le të përqëndrohet vëmendja mbi faktin se këtë realitet shkencor dhe ndjesor që përbën një specialitet tejet të ngushtë që shkencat e natyrës e patën njohur vetëm në shek. XX, Kur'ani e për­shkruante në mënyrë të hollësishme dhe shterruese qysh katërmbëdhjetë shekuj më parë!
[4] Në origjinal, me radhë: nutfe, lëng seminal; alaka, shushunjë, ventuzë; mudga, copë mishi e përtypur; izam, eshtër; lahm, veshje e eshtrave.
[5] Në origjinal: ahsen-i takvim.
[6] James Jeans (1877-1946): The Univers Around Us (Gjithësia rreth nesh), 1937.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.