Seleksioni Natyror Ose Perzgjedhja Natyrore

Njëra prej teorive të sajuara nga evolucionistët për të mbështetur teorinë e tyre evolucioniste është seleksioni natyror ose shqip, përzgjedhja natyrore. Sipas tyre, fatkeqësitë e ndryshme, përmbytjet, shembjet, karakteri persekutues dhe shkatërrues i dukurive dhe ngjarjeve i marrin me vete qeniet pa qëndresë dhe pas mbeten qeniet e fuqishme e të qëndrueshme.

Para së gjithash, nuk e di se sa është e mundur të ngrihet lidhje mes kësaj dhe evolucionit, sepse nuk ka ndonjë shenjë se gjallesat e mbetura në këmbë pas këtyre lloj fatkeqësive kanë ndërruar lloj. Edhe nëse thuhet se, me kohë, disa lloje kafshësh janë asgjësuar, nuk mund të thuhet as se fosilet e tyre kanë dalë në shesh si lloje të reja, as se llojet që kanë mbetur pas ose individët e fuqishëm të mbetur gjallë pas ndonjë fatkeqësie janë hedhur në një lloj tjetër më të lartë. E dyta, brenda çdo lloji gjallesash ka edhe të fuqishëm, edhe të dobët që rrojnë së bashku, ndërkaq që pas këtij fakti fshihen urtësi të jashtëzakonshme të Zotit. Ushqimi me mish i disa llojeve formon në natyrë një zinxhir ushqimor, në sajë të të cilit realizohet dhe vazhdon sistemi ekologjik. Po të mos ishte dhe ndodhte kështu, pra, po qe se të gjithë individët e të gjitha llojeve të kafshëve mishngrënëse do të ishin të fuqishëm sa të mos binin pre e njëri-tjetrit, kafshët mishngrënëse do të asgjësoheshin, kurse kafshët e tjera do të shtoheshin në mënyrë të jashtëzakonshme duke e tronditur nga rrënjët ekuilibrin ekologjik. Kjo dukuri e vërejtur në botën e kafshëve është një faktor i rëndësishëm që u jep mundësi llojeve që kanë për ushqim individët e dobët të llojeve të tjera ta vazhdojnë ekzistencën e tyre.

Këtu duhet shënuar edhe se asgjësimi i individëve të dobët të një lloji nuk bën që brezat e ardhshëm të atij lloji të dalin vetëm me individë të fuqishëm ose përgjithësisht më të fuqishëm. Në çdo brez do të ketë gjithmonë të fuqishëm e të dobët dhe, përsëri, individët e dobët, të plakur dhe ata që nuk mund ta përballojnë jetesën e tufës, bëhen ushqim për kafshët mishngrënëse e të egra, kurse lloji do të vazhdojë në rrugën e vet të jetës.

Duke u nisur nga kjo, themi se duke e konsideruar jetën si identitet të luftës për ekzistencë dhe duke e përgjithësuar një ngjarje të vetme për jetën e të gjitha gjallesave (kafshëve), evolucionistët dhe natyralistët kanë kryer një krim të madh. Sipas tyre, qëllimi i vetëm i jetës është mbetja gjallë, prandaj dhe përbëhet nga gjetja dhe sigurimi i ushqimit. Evolucionistët, natyralistët dhe materialistët që e kanë vlerësuar po kështu edhe jetën e njeriut, e kanë parë pothuaj si një të drejtë të natyrshme mbetjen gjallë të të fuqishmëve në dëm të të dobtëve, qëllimin final të jetës së njeriut e kanë kuptuar si ushqyerje dhe riprodhim, për rrjedhojë, edhe e kanë legjitimuar shfrytëzimin mes njerëzve dhe kombeve duke ia prerë rrugën ndihmës reciproke, edhe njeriun, duke e zhveshur prej të gjitha vlerave të larta që bart, e kanë zbritur në një nivel të ulët, madje nën kafshët. Mirëpo në jetë lufta është aksidentale, kurse ndihma reciproke, esenciale. Bota qëndron në këmbë në saje të ndihmës reciproke mes të gjitha qenieve. Ajo që i bie njeriut për detyrë, është ta bëjë tokën jo arenë lufte, përleshjeje e grindjeje, por djep ndihme reciproke dhe vëllazërie. Kurse evolucionistët e paraqesin çështjen krejt ndryshe, pra dhe s'mund të thuhet se s'janë fajtorë për fatkeqësitë mbarëbotërore të 1-2 shekujve të fundit, si luftërat dhe revolucionet; ata i shohin si "të natyrshme" tragjeditë, kolonializmin ndërkombëtar, tregtinë e skllevërve, dallimin racor dhe sundimin e forcës mbi të drejtën që njihen në histori, pra dhe nuk mund të thuhet se s'i legjitimojnë këto. Me të vërtetë, themeluesi i komunizmit, Karl Marksi, që e ka ngritur dhe mbështetur teorinë e vet historike mbi këtë themel, i detyrohet shumë Darvinit dhe nuk është e rastit që komunistët janë, ndër materialistët, apologjetët më të pasionuar të evolucionit. Sepse evolucioni është edhe një nga mbështetjet themelore të ateizmit. Fundja, në një masë të madhe si rrjedhojë e këtyre faktorëve evolucioni mbahet me këmbëngulje në rend të ditës në mjediset shkencore dhe dëftohet si dogmë, si ideologji. Por sa e çuditshme dhe kontradiktore është që të njëjtat mjedise, shpesh ose përgjithësisht, e paraqesin veten si kampionë të mbrojtjes së të drejtave të njerëzve, të të shtypurve, të lirive themelore e, veçanërisht, të lirisë së mendimit, të paqes së përgjithshme duke mos i lëshuar vend askujt tjetër!

Në kundërshtim me pretendimet e evolucionistëve mbi seleksionin natyror, fatkeqësitë e mëdha e të papërmbajtshme, si përmbytjet, tërmetet, shembjet, etj., marrin me vete, krahas të dobtëve, edhe të fuqishmit. Nga ana tjetër, në kuadrin e artit, ligjshmërisë dhe veprimtarisë ekzekutive të Allahut, ka miliona vite që të dobëtit jetojnë pranë e pranë me të fuqishmit dhe që, për rrjedhojë, ka miliona vjet që ekuilibri ekologjik, harmonia dhe përsosmëria në natyrë vazhdojnë të ekzistojnë dhe veprojnë pa marrë asnjë plagë.

Sot, paleontologjia, në kundërshtim me mendimin evolucionist, thotë se qysh në krye të herës kanë jetuar së bashku njëqelizorët të konsideruar si qenie primitive me bretkosat, zvarranikët, zogjtë dhe gjitarët si qenie mjaft komplekse.

Për shembull, fosilet bimore si Neoplina që pretendohet të jetë fshirë nga ekzistenca me anë të përzgjedhjes natyrore 300-400 milion vjet më parë, Coelacanth që pranohet të ketë jetuar 70 milion vjet më parë, Crinoid që thuhet se ka jetuar 565 milion vjet më parë, Limulus që konkludohet të ketë jetuar 225 milion vjet më parë dhe Gunt-Flinti 2 miliard vjeçar e qindra të tjerë që jetojnë ende sot, janë dëshmitarë të faktit se evolucioni nuk ka vend as në tokë e as në qiell. Duke e pohuar këtë, një sërë evolucionistësh të moderuar nuk ngurrojnë të thonë se grupe të mëdha kafshësh të larta si peshqit, zvarranikët dhe gjitarët janë shfaqur në tokë përnjëherësh.

Shkurt, edhe përzgjedhja natyrore që përdoret shpesh si argument në evolucion, s'është gjë tjetër veç një hipotezë e dobët, e paqëndrueshme dhe e errët. Vëzhgimet shkencore nuk kanë vërtetuar as fshirjen e të dobtëve prej llojit për shkak të rrethanave dhe as zotërimin e të fuqishmëve mbi jetën duke sjellë përmirësimin e të dobtëve, siç pandeh mendimi evolucionist. Për rrjedhojë, ajo çka dëgjohet në gjoksin e qenies nuk janë vetëm qeshjet e të fuqishmëve dhe rënkimet e vdekjes së të dobtëve. Edhe nëse në historinë e njeriut hasen herë pas here pamje të tilla, e përgjithshmja karakterizohet nga sundimi i të drejtës, dhembshuria dhe mëshira e të pasurve për të varfërit dhe të dobëtit, ndjenja e falenderimit të të varfërve dhe të të dobtëve për të pasurit dhe të fuqishmit. Kjo ka përbërë vijën historike të njerëzimit dhe në këtë vijë ka ardhur historia e njerëzimit gjer në ditët e sotme.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.