Begatia e plotë dhe kallinjtë që japin njëmijë për një

Begatia e plotë dhe kallinjtë që japin njëmijë për një

Pyetje: Respekti dhe dhembshuria për prindërit u përkasin atyre cilësive të mira që, në një kuptim të përgjithshëm, përmenden si një arsye për bekim e begatim. Një individ që dëshiron t’i shërbejë fesë së vet, në mënyrë që t’i shumëfishojë ato të mira që gëzon, cilave prej këtyre arsyeve të begatimit duhet t’u japë përparësi?

Përgjigje: Në mënyrë që një punë të jetë e begatshme, duhet që individi të jetë në vetëdijen e arsyes se “pse, përse” po e kryen atë punë dhe krahas kësaj të dijë shumë mirë se “si” ta bëjë atë punë, t’i përkushtohet asaj pune dhe të veprojë me mendimin sikur po e sheh Zotin dhe sikur edhe Zoti po e sheh atë; pra, lidhet më të kryerit e kësaj pune me ndërgjegjen e mirësisë. [45] Siç shprehet Bediuzaman Said Nursiu, besimtari duhet të veprojë, të ecë, të ulet, të ngrihet, të hajë, të pijë, të jetojë me mendimin se është gjithmonë në vëzhgim. [46] Siç e dini, Zotëria ynë, Profeti Muhamed (s.a.s.) e përmend këtë çështje me fjalët: “Mirësia është që ta adhurosh Allahun sikur po e sheh Atë; sepse edhe nëse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty.” [47] Po, po! Nëse ju do të jetoni në orbitën e vetëdijes së të qenit nën vështrimin e Allahut, atëherë do të jeni dëshmitarë e do të shihni se si prej vendit të mëshirës do të zbresin mbi ju shira e shira të bollshëm të begatisë.

T’ia njohësh të drejtën e vet vetes dhe familjes

Njeriu ka përgjegjësi e detyrime nga më të ndryshmet. Një hadith i shpreh kësimënyre këto përgjegjësi: “Zoti yt ka të drejta mbi ty, egoja jote ka të drejta mbi ty dhe familja jote ka të drejta mbi ty. Jepi gjithsecilit të drejtën e vet.” [48] Siç shihet, në krye të të gjitha përgjegjësive të njeriut renditen të drejtat e Qenies Hyjnore. Se cilat janë këto të drejta, është shpjeguar në Kuranin Fisnik dhe në Sunetin e Qartë. Këto të drejta, si besimi ( imani), Islami dhe ihsani, janë detyrimet më parësore të njeriut.

Zotëria ynë, Profeti Muhamed (alejhis’salatu ues’selam), pasi na sjell ndërmend se kemi përgjegjësi kundrejt Allahut, urdhëron e thotë se edhe egoja, nefsi ynë, ka të drejta mbi ne. Nefsi ynë, që është krijuar si “ahsen-i takuim” (në më të bukurën trajtë) [49] dhe që është i vyer e i vlefshëm porsi një xhevahir e margaritar, nuk duhet ta shpërdorojmë kot së koti e në punë të padobishme. Në mënyrë që ta vlerësojmë atë në rrugën e drejtë, duhen bërë përpjekje për të arritur pozita të larta si Xheneti Firdeus, fqinjësia me Profetin e Dashur dhe mbi të gjitha, për të fituar kënaqësinë dhe dashamirësinë e Zotit të Madhëruar. Nëse egoja nuk do të ishte potencialisht kandidate për këtë horizont, nëse nuk do të ishte krijuar me mundësinë për t’i arritur këto qëllime të larta, Allahu nuk ua caktonte njerëzve këto objektiva madhore. Po duke qenë se këto pikësynime të madhërishme i janë treguar njeriut, atëherë do të thotë se njeriu është pajisur me atë çka i nevojitet për t’ia mundësuar vetes arritjen e tyre. Atëherë, siç e shtjellon edhe Bediuzaman Said Nursiu në “Fjalën e Trembëdhjetë”, një xhevahir i tillë, pa u shpërdoruar në pazar të bakërxhinjve, duhet vlerësuar e menduar për qëllime shumë më të vlefshme dhe duhet punuar që ato qëllime të arrihen. [50] E pra, vlera e vërtetë e njeriut nuk kuptohet brenda përmasave të kësaj bote ikanake. Nëse kërkoni të fitoni imanin, Islamin e ihsanin dhe të gjitha shtresat e jetës së zemrës e të shpirtit që prej tokës e gjer në yjësi, atëherë jeni duke rendur vërtet pas diçkaje të vyer e të çmuar. Ja, këto janë të gjitha të drejta të egos njerëzore. Prandaj edhe është i mangët konceptimi, sipas të cilit, të drejtat e egos janë vetëm që të mos vrasësh veten, të mos presësh dorën, këmbën, gjuhën, gojën, pra të mos e flijosh veten më kot. Për ta përmbledhur, moscenimi i egos do të thotë të mos ia cenosh asaj të gjitha të drejtat lëndore e shpirtërore që ajo ka.

Po kështu, edhe të drejtat e familjes ndaj teje nuk janë vetëm që të ulesh me ta e të kalosh bukur kohën e lirë, të bësh me ta biseda kafeje e t’u fitosh zemrat. Për ta thënë ndryshe, duke treguar kujdes vetëm për vënien në vend të të drejtave të tyre fizike, të drejtat e tyre nuk janë të përmbushura plotësisht. Krahas kësaj, atyre duhet t’u sigurohet një udhërrëfim për një jetë të zemrës e të shpirtit dhe t’u shërbehet porsi një gjilpërë busulle që u tregon gjithmonë drejtimin e kibles. Pra, ndër të drejtat e familjarëve të tu ndaj teje janë edhe që ti, si një individ besimtar, t’i ndriçosh duke u bërë të njohur të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), dhe t’u mësosh të jetojnë në mënyrë të njerëzishme. Krahas kësaj, e drejta e fëmijëve ndaj teje është që t’i ndjekësh gjithnjë si një kujdestar i vëmendshëm dhe të mos i lësh qoftë edhe një çast të vetëm ballë për ballë me të keqen e me të ligjtë. Natyrisht që këto përgjegjësi nuk mund t’i vësh në vend duke u nxehur, duke bërtitur, duke ushtruar trysni, duke ushqyer ndjenja urrejtjeje ndaj atyre që nuk kanë mendimet e tua, por duke vrarë mendjen, duke qenë pjesë e dhimbjeve të tyre, sipas shprehjes së poetit të madh Nexhip Fazëllit, “duke i nxjerrë mendtë për hundësh”, sipas rregullave të pedagogjisë e të psikologjisë, veçanërisht sipas metodës së udhërrëfimit që na ka lënë trashëgim Zotëria ynë, Udhërrëfyesi i Përkryer (sal‘lallahu alejhi ues’sel‘lem). E pra, të gjitha këto janë të drejtat e fëmijëve tanë mbi ne dhe këto të drejta të tyre duhen vënë plotësisht në vend.

Burimi i vërtetë i zbrazëtisë te fëmijët

Në një rrëfenjë tregohet: fëmija i njërit prej njerëzve të lartë të Allahut, duke dashur të bëjë shaka, u shponte mbajtëset e ujit njerëzve që mbartnin ujë prej një burimi shumë të largët. Në fillim, për hatër të atij njeriu të nderuar, askush nuk bëri zë për këtë punë. Mirëpo me kalimin e kohës gjendja nisi të bëhej e padurueshme, kështu që një a dy vetë shkojnë e ia rrëfejnë çështjen atij njeriu të nderuar. I nderuari nisi menjëherë të bënte një llogari me egon e vet, duke e vrarë mendjen se cili do të ketë qenë gabimi që ai vetë kishte bërë e që kishte sjellë në këtë përfundim. “Vallë ç’të kem shpuar e ç’të kem prishur unë, që im bir ta ketë trashëguar prej meje?” – tha me vete dhe nisi të rishikojë të shkuarën e vet. Duke qenë se të dashurit e Allahut i marrin si mëkate edhe të këqijat që u shkojnë në mend nëpër ëndërrime, do të ketë gjetur ndoshta plot të meta te vetja. Mirëpo në fushën e realitetit nuk i kujtohet asnjë mangësi e kësaj natyre. Atëherë shkoi tek e shoqja për t’ia shpjeguar edhe asaj çështjen duke e këshilluar kështu: “Djali ynë prej shumë kohësh bëkërka diçka të tillë, po njerëzia, për shkak të mirësjelljes e të edukatës së mirë të tyre, nuk na paskëshin thënë kurrgjë. Tani, ne duhet t’ia presim rrugën kësaj sjelljeje të papëlqyeshme. Mendohu një herë edhe ti, dhe rishikoji të gjitha ngjarjet e jetës tënde.” Kaq duhej, dhe gruaja nis të mendojë dhe më pas thotë: “Zotëri! Për Zotin, unë nuk ia gjeta vetes një mangësi të tillë, por kur isha shtatzënë, pata shkuar në shtëpinë e dikujt. Po thurja dhe kisha grepin në dorë. Pashë një thelë portokalli. Me majën e grepit e preka pak dhe e futa në gojë.” Kur e dëgjoi këtë, i nderuari i tha të shoqes që të shkojë menjëherë te fqinji, t’i kërkojë falje për të drejtën që i ka shkelur dhe të ulet e të shprehë pendesë te Zoti.

Nuk kalon shumë, dhe fëmija, teksa shponte mbajtëset e ujit, papritmas tha me vete: “Unë jam i biri i filanit, që e njohin dhe e nderojnë të gjithë. A më shkon për shtat mua, si biri i një njeriu të tillë, të bëj lojëra të tilla të pahijshme? Falmë, o Zot!” Dhe rendi për tek i ati duke i thënë: “Baba! Unë deri tani kam bërë një gabim të tillë.” Kush e di, ndoshta në atë çast i ati, do t’i jetë përgjigjur: “O bir! Atë gabim nuk e bëre ti, por e bëmë ne me kohë.”

Kështu pra, prindërit duhet t’i ndjekin nga afër fëmijët e tyre dhe të mos u japin rastin që ata të shkaktojnë prishjen e ndonjë gjëje. Sepse një mangësi e juaja, në mos te ju, del te fëmija, dhe sërish do të jeni ju ata që do ta vuani prej dhembshurisë prindërore për fëmijën. Faqe Allahut, ju do të turpëroheni e do të ulni kokën kundrejt kësaj gjendjeje të fëmijëve tuaj ju do ta përjetoni hidhërimin dhe vuajtjen. Gjithsesi kjo është një rrëfenjë. Mirëpo në lidhje me rrëfenjat unë i varfri kam një mendim. Them se në rastin e rrëfenjave, nuk duhet parë vërtetësia e thelbit të tyre, por përmbajtja që ato bartin.

Rrugët e largimit të të këqijave

Në hadithin e përmendur pak më parë, duke shkuar më tej mbi këto tri shtylla që tregon Krenaria e Njerëzimit, Profeti ynë (sal‘lallahu alejhi ues’sel‘lem), [51] mund të themi se kombi ynë dhe mbarë njerëzimi kanë disa të drejta kundrejt nesh. Sepse edhe nëse në hadith këto nuk përmenden në mënyrë të drejtpërdrejtë, vërejmë përmes pikësynimesh që na tregohen nga hadithe të tjera, se këto të drejta ekzistojnë. [52] Për këtë arsye, të drejtat e kombit tonë dhe të mbarë njerëzimit ndaj nesh, mund t’i vlerësojmë brenda të njëjtës kategori. Po, po! Është detyrimi ynë që ta drejtojmë e ta lartësojmë sërish përmendoren e myslimanëve dhe që nga sot vënia në vend e këtij detyrimi është një e drejtë e myslimanëve ndaj nesh. Qoftë për nga dinamikat e udhëzimit, qoftë për nga rruga dhe metodat, qoftë për nga të tjera mundësi që na janë krijuar, na është lënë amanet që ta lartësojmë emrin e myslimanëve me vlerat, thelbin dhe shpirtin e vet. Nëse disa e kanë kryer në një mënyrë apo një tjetër këtë detyrëe e më pas na e kanë lënë amanet neve për ta vijuar më tutje, përbën një detyrim për ne që të respektojmë detyrimet e lindura prej kësaj të drejte. Sepse gjer më sot, dertlinjtë e këtij ideali, duke vuajtur sa e sa dhembje burgjeve e qelive dhe duke shkuar një jetë të tërë në syrgjyn, duke hequr njëmijë e një vuajtje e duke iu nënshtruar çdo lloj dhune, e kanë prurë këtë amanet gjer në ditët e sotme dhe na e kanë lënë më pas neve. Prandaj edhe që t’i dalim për zot atij amaneti është e drejta e tyre, dhe njëherazi detyrimi ynë.

Po kështu, për sa u përket njerëzve që shohin shtrembër, që atyre t’u mësohet sistemi i shikimit dhe t’u korrigjohet këndvështrimi, është detyrimi ynë karshi mbarë njerëzimit. A nuk urdhëron e thotë i Dërguari i Allahut (alejhis’salatu ues’selam): “Cilido prej jush që sheh një të keqe, le ta ndryshojë atë me dorën e vet. Në mos pastë fuqi për këtë, ta ndryshojë me gjuhë. Në mos pastë fuqi as për këtë, le të mbajë qëndrim me zemër ndaj saj. Por kjo e fundit është më e ulëta shkallë e besimit.” [53] Pra, nëse i ke mundësitë, nuk do të krijosh hapësirë që njeriu që ke përballë të zhytet në të keqen, por në vend të kësaj do të bëhesh shkak që ai të kridhet në të mira. Do ta zësh për dore, do ta marrësh e do t’i tregosh mihrabin dhe kiblen e vet. Nëse këtë ke mundësi ta bësh me dorën tënde, asisoj do ta bësh. Nëse nuk i ke mundësitë që ta realizosh me duar, atëherë do t’i hysh rrugës së udhërrëfimit me një gjuhë të butë. Nëse as këtë s’e bën dot, atëherë do të vlerësosh mundësi të tjera. Sipas rastit, duke ndërprerë marrëdhënien e përzemërt dhe duke mbajtur një qëndrim, do të përpiqesh ta çosh në vend këtë detyrim duke thënë: “Nuk e prisja këtë nga një njeri me mend në kokë si ti!”

Jo me zemërim, duke skërmitur dhëmbët, duke u ndezur në fytyrë e duke lëshuar shprehje si “Ore i mallkuar!”, por duke shpërfaqur një sjellje të dhembshur prej besimtari, duke iu drejtuar zemrës, duke rikujtuar një kohë kur ai ka shprehur anët më njerëzore, do të përpiqesh t’i tregosh rrugën e drejtë. Në qoftë e nevojshme, duke u ulur e duke pirë me të një filxhan çaj, do të mundësosh që ai të zbutet e të ndryshojë vetveten. Edhe kur bëhet një injeksion, në mënyrë që maja e mprehtë e ages të depërtojë me lehtësi, të sëmurit i thuhet që të mos shtrëngojë muskujt. Prandaj edhe fjala e butë dhe sjellja e mirë, një buzëqeshje e sinqertë, mund të bëjnë të mundur që bashkëbiseduesi të çlirohet prej ashpërsisë dhe zemërimit. Pastaj, në një atmosferë të tillë të butë, mund të rrjedhësh te bashkëbiseduesi si një dritë, si një nur, si një rreze ndriçuese; mund të ulesh e të zësh vend në zemrën e tij dhe t’i heqësh udhë atij në bukuri e mirësi. Ja pra, këto u përkasin sjelljeve që duhen bërë me zemër.

Begatia e plotë dhe pjekuria e sahabit

Sot shpirtrat e përkushtuar duket ta kenë marrë parasysh një detyrë të tillë universale me vendosmëri e këmbëngulje. Kjo nuk duhet marrë lehtë. Po, po! Ai fat i madh që patën sahabët, që nga sot u ka ardhur si një amanet zemrave të përkushtuara të ditëve tona. Mirëpo që kjo çështje të mbartë një kuptim për njerëzimin, që të jetë e qëndrueshme dhe të ketë jetëgjatësi, duhet që ata ta jetojnë jetën e tyre me një pjekuri prej sahabi. Po, po! Pjekuria e sahabit, serioziteti dhe sinqeriteti duhen ruajtur përgjatë gjithë jetës. E pra, shpirtrat e përkushtuar, të gjitha detyrave që u dalin, duhet t’u dalin për zot me një vetëdije të tillë, duhet të veprojnë me mendimin e ihsanit në ruajtjen e ndërgjegjes, duhet të ndalen aty ku duhet ndalur dhe njëkohësisht duhet ta rishikojnë shpesh vendin në të cilin janë ndalur; duhet ta rishohin dhe sipas rastit, duhet të thonë: “Unë nuk duhet të jem këtu, por pesë hapa më tutje. Madje jo pesë, por dhjetë hapa më tutje duhej të ndalesha. Po ç’t’i bëj që s’po ia jap dot hakun kësaj pune!” E kështu, të rendin gjithnjë pas më të mirës. Nëse mundemi ta bëjmë këtë, atëherë Zoti i Madhëruar na mundëson begatim të plotë, ndërsa këto qëndrime e sjellje tonat, porsi farërat gjejnë tokën pjellore, prekin ajrin e ujët, hyjnë në kontakt me diellin dhe ecin drejt kallirit; ecin e shihni se ato farëra, sipas shprehjes së Kuranit, japin shtatë, shtatëqind e më tepër kallinj. Zoti ynë na dhëntë të gjithëve në fushën e shërbimit ndaj fesë të tillë bereqet e të tilla begati të bollshme!


[45] Shih: Buhari, Iman 37, Tefsiru sure (31) 2; Muslim, Iman 1.

[46] Shih: Bediuzaman, Fjalët f. 29 (Fjala e Gjashtë).

[47] Buhari, Iman 37, Tefsiru sure (31) 2; Muslim, Iman 1.

[48] Buhari, Saum 51, Edeb 86; Tirmidhi, Saum 45, Zuhd 64; Ebu Davud, Saum 57.

[49] Shih: Tin, 95/4.

[50] Shih: Bediuzaman, Fjalët f. 331-332 (Fjala e Njëzetetretë, Nënkreu i parë).

[51] Shih: Buhari, Saum 51, Edeb 86; Tirmidhi, Saum 45, Zuhd 64; Ebu Davud, Saum 57.

[52] Shih: Muslim, Fiten 19; Tirmidhi, Fiten 14; Ebu Davud, Fiten 1.

[53] Muslim, Iman 78; Tirmidhi, Fiten 11; Ebu Davud, Salat 239.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.