Kurani dhe ne

Kurani dhe ne

Pyetje: Kur vështrojmë jetën e sahabëve të nderuar, vërejmë se ata gëzonin në çdo ngjarje udhërrëfimin e Kuranit të Shenjtë dhe e jetonin jetën e tyre tërësisht sipas inkurajimeve dhe paralajmërimeve të Kuranit. Cilat janë hollësitë në të cilat besimtarët e ditëve tona duhet të bëjnë kujdes për ta jetuar jetën e tyre në të njëjtën linjë?

Përgjigje: Në një hadith, gjendja e Kuranit në ditët e fundit të kësaj bote shprehet kështu: “Ndër njerëzit do të mbërrijë një kohë e tillë, që Kurani do të jetë në një luginë dhe ata në një tjetër luginë.” [244] Siç shprehet në këtë hadith, ka shekuj në të cilët Kurani gjendet në një luginë, ndërsa ne gjendemi në një tjetër luginë. Po. Ne, në një kohë të caktuar, e lamë pas dore Kuranin, veçanërisht për sa i përket urdhëresave të tij fizike; ua mbyllëm e ua zumë atyre dyert. Madje duke ulur edhe grilat, ua premë rrugën për në botën tonë rrezeve të ngrohta të klimës së tij ndriçuese. Ndërkohë që ai libër i madhërishëm ishte sqaruesi i urdhëresave fizike, provuesi e argumentuesi i tyre. Sikurse gjithësia është një libër i mbështetur në një program të dijes që buron prej fuqisë e vullnetit të Allahut, edhe Kurani, me programin e tij të dijes, është një libër i veçantë që vjen prej atributit të të folurit të Allahut. Por ne, në mendësinë e në botën tonë të mendimit, i ndamë këto dy të vërteta prej njëra-tjetrës. Nëse mund të shprehemi kështu, jo me ndarjen e të triave, apo ndarja e tri fushave të dijes, por duke kapërcyer prej treshit te nënta, me ndarja e të nëntave, ne ndamë zemrën prej mendjes, ndamë urdhëresat natyrore prej urdhëresave ligjore (teshrije). Krahas kësaj, në jetën islame të zemrës e të shpirtit, ne rrëshqitëm në një gjendje prej të huaji. Ndaj edhe mund të themi se për një periudhë që mund ta cilësojmë si tranzicion relativ, bashkësia e Kuranit jetoi pa e pasur idenë e Tij.

Historia ka qenë dëshmitare e çuarjes edhe më larg të kësaj ndarjeje. Ka pasur një ditë, në të cilën edhe shqiptimi i fjalës “Kuran” u ndalua. Kurani mund të lexohej e të mësohej vetëm në disa mjedise të ngushta. Edhe në periudhën kur unë i varfri mësova Kuranin, ekzistonin ndalime të tilla. Në atë kohë, kur tre-katër njerëz mblidheshin fshatrave me dëshirën për të mësuar fjalën e Allahut, përballeshin me ndërhyrjen e dhunshme të xhandarmërisë, që nxirrte jashtë fëmijët nën kërcënimin e grykave të armëve. Po, po. As kaq nuk e toleronin të mësuarit e Kuranit.

Përzemërsia ndaj Kuranit

Pasi u larguam kaq shumë prej Kuranit dhe pasi u bëmë kaq të huaj me të, tani thellimi i sërishëm në të, zbatimi i mesazheve të tij të ndritura në jetën tonë vetjake, familjare, shoqërore, ekonomike, psikologjike, pedagogjike e kulturore nuk është një punë që bëhet në çast. E veçanërisht nëse disa njerëz depërtojnë në institucionet tona të bukura e të spikatura dhe vazhdojnë shkatërrimin e tyre, pra, nëse Kurani ende vihet nën hetim në mënyra të ndryshme, nëse shqiptohen tallje kundrejt haditheve të fisme të atij Mbartësi të Kuranit, të Dërguarit të Përnderuar (alejhis'salatu ues'selam), nëse ende sulmohen ashpër mrekullitë e tij dhe ende çështjet që i përkasin Kuranit trajtohen me gjykimin e historicitetit, vështirësia e çështjes kuptohet edhe më mirë. Veç kësaj, as edhe tani nuk mund të thuhet se ne i jemi drejtuar siç duhet e me zemër Kuranit. Qoftë për nga gjuha, qoftë për nga terminologjia dhe qoftë për nga jeta e zemrës, jemi tjetërsuar e jemi bërë aq të huaj me Kuranin, saqë kapërcimi i gjithë këtij tjetërsimi dhe hyrja sërish në kontakt me Kuranin është e lidhur ngushtë me një përpjekje shumë serioze. Duhet që njerëzit të besojnë edhe një herë nga zemra në drejtësinë e fesë dhe në vërtetësinë e profetësisë së të Dërguarit të Nderuar, Mbartësit të Kuranit. Ashtu që të mund të themi: “O Allahu im, nëse mesazhin e sjellë prej Atij nuk do ta jetësoj dot në jetën time, atëherë të jetuarit nuk ka kuptim. Nëse nuk do ta ngre dot në këmbë përmendoren e shpirtit tonë, nëse nuk do t’i bëj dot sërish shpirtrat që ta ndiejnë shpirtin e fesë, atëherë ia vlen të ma marrësh shpirtin në çast me një thirrje të vetme.”

Po, po. Çështja e vërtetë është që ta ndiejmë Allahun në zemër dhe që njohjen e Tij ta pranojmë si qëllimin thelbësor të ekzistencës sonë. Sepse sipas Kuranit të Shenjtë, qëllimi për të cilin ne jemi krijuar është besimi tek Allahu, njohja e Allahut, dashuria për Allahun, është ajo këndellje shpirtërore që Zoti i Madhëruar ka pasur mirësinë t’ia falë e shpërfaqë njeriut në nivele të ndryshme. [245] Nëse Allahu e ka shprehur këtë si qëllimin e krijimit dhe nëse ne e kemi ndryshuar këtë, atëherë më së pari duhet të bëjmë llogaritë me vetveten dhe t’i rivlerësojmë edhe një herë ato çka kemi shpërfillur. Atë rrënim që është bërë në shekuj duhet ta mbajmë parasysh dhe të përpiqemi të riparojmë gjithçka që është e nevojshme të riparohet. Por nuk duhet harruar se çështja e rikthimit dhe e zbatimit në trajtën e në formën e duhur të këtyre shformimeve të frikshme, në brendi të të cilave jetojmë, nuk është punë që bëhet menjëherë. Bediuzamani bën fjalë për përpjekjet që bëhen për të restauruar një kështjellë të rrënuar prej shekujsh. [246] Mund të shihni që nga çështja e tronditjes së besimit e deri te mungesa e respektit për prindërit, te braktisja e prindërve nëpër azile, te prishja e rregullit dhe e harmonisë së përgjithshme brenda familjes e te plot vlera të tjera që i kemi shkelur me këmbë. Ndreqja e gjithë këtyre kërkon ndoshta një shekull. Mund të ndodhë që Zoti i Madhëruar të ketë mirësinë e ta mundësojë këtë përfundim brenda një periudhe më të shkurtër. Kjo mund të jetë një e mirë më tepër që na vjen prej Tij. Ne e presim prej gjerësisë së mëshirës së Tij një mirësi të tillë. Por në planin e realitetit, nuk duhet harruar se natyrshmëria e kësaj pune lidhet me një kohëzgjatje të tillë.

Të kuptosh Kuranin me një valë të re thellimi në të

Pra, para së gjithash, duhet të dimë se mangësia dhe shkarja në këtë çështje buron prej zikzakeve tona, se këto mangësi, që prej periudhës së Imam Gazaliut apo të Fatihut e gjer më sot, me kalimin e kohës, janë mbledhur e grumbulluar. Pra, me kalimin e kohës, ne jemi kthyer në përfaqësues të njerëzve me mendime të mangëta, me emocione e jetë shpirtërore të mangët. Nga ky këndvështrim, me një dallgë që ngrihet prej thellësisë, me emrin e Allahut, duhet t’i vihemi sërish punës. Ashtu sikurse për fëmijën zbatohet një program i ushqimit sipas moshës, edhe në jetën tonë të zemrës e të shpirtit duhet të formësojmë një mënyrë e strategji të tillë të ushqyeri. Secili duhet të përpiqet sipas mundësive të veta për ta realizuar këtë. Vetëm pas kësaj, do të lindë mundësia për ta kuptuar drejt Kuranin.

Në epokën kur shpallej Zbulesa Hyjnore, kishte aq shumë lëndë për të shtjelluar në kuadrin e gjykimit të lirë, të sqarimit e të interpretimit, saqë duke i mbështetur gjykimet e interpretimet e sotme mbi to, mund ta ndriçojmë aktualitetin tonë dhe të paraqesim zgjidhje të larmishme për problemet e njeriut të ditëve të sotme. Por më së pari, te ne duhet të gjallojë një emocion i fuqishëm dhe të formësohet ndjenja e të bërit të besimit qëllim të jetës sonë. Vetëm pas kësaj, njerëzit njerëzit do ta lexojnë çdo ajet të Kuranit sikur ai t’u drejtohet atyre vetë. Për shembull, në suren “Nur”, ajeti i shenjtë që vijon, trajton shpifjen e shëmtuar, që është bërë ndaj Nënës sonë, Aishes (r.a.): “Ata që e nxorën shpifjen janë, një grup prej jush. Këtë ngjarje mos e mendoni të keqe për ju; mbase për ju, ajo është e mirë. Prej tyre, secili ka marrë mëkat.” [247] Por duke qenë se retorika e mrekullueshme e Kuranit u drejtohet të gjithë njerëzve gjer në Ditën e Gjykimit, ne mund t’i bëjmë vetes këto pyetje: “Kundrejt një shpifjeje të tillë, të bërë ndaj dritës së syve tanë, të shtrenjtës sonë, më të madhes edukatore të botës së grave në familjen e lume e njëkohësisht burimit të fesë, vallë, çfarë na mëson neve sjellja e përgjithshme e Zotërisë sonë, të Dërguarit të Nderuar? Vallë, cilat janë mësimet që duhet të nxjerrim prej atij qëndrimi të drejtë ndaj kësaj çështjeje, sikurse ndaj çdo çështjeje tjetër, të Zotërisë sonë, Ebu Bekrit të nderuar (r.a.)? [248] Çfarë mesazhi na përcjell qëndrimi i Nënës sonë të nderuar [249] kundrejt kësaj çështjeje? Shkurt, çfarë na shpreh, çfarë na tregon neve ky ajet?” E pra, duke nisur me emrin e Allahut, duhet ta lexojmë e të përpiqemi ta kuptojmë Kuranin nga fillimi gjer në fund në këtë këndvështrim.

Sërish në kuadrin e një shembulli, mund t’ju paraqes edhe këtë: në suren “Bekare”, Zoti i Madhëruar urdhëron e thotë: “Elif, Lam, Mîm. Ja (tek është) Libri, në të Cilin nuk ka kurrfarë dyshimi (se është zbritur nga Allahu, plot mrekulli nga nisja gjer në përfundim). Ai, për të përkushtuarit, është një udhërrëfyes.” [250] Në këtë ajet të shenjtë, pra, pohohet se Kurani Fisnik është burim udhëzimi për të përkushtuarit. Dijetarët e morfologjisë dhe të sintaksës thonë se udhëzimi këtu mbart kuptim të rrënjës semantike. Prandaj edhe ajo çka duhet kuptuar këtu është që Kurani është një burim i mundshëm udhëzimi. Ndërsa kthimi në një situatë praktike i kësaj çështjeje, që mund ta cilësojmë si synimin e përdorimit të kësaj rrënje, shpjegohet në ajetet që pasojnë. Kështu, ajeti vijues urdhëron e thotë: “Për ata të përkushtuar që besojnë në botën e padukshme (gajb)” [251] Në këtë mënyrë, ai ndalet tek të besuarit në Atë Qenie të Mirësishme që njihet përmes të vërtetave të fshehura, pra, të emrave të Tij, stolisur prej atributeve të Tij (sifat), që me Qenësinë e Vet ekzsiton dhe që në Thelbin e Vet mbetet një Ekzistencë e Panjohshme; në të njohurit e Tij përmes cilësive të Tij të madhërishme; në të lartësuarit e në të çmuarit e Tij përmes emrave të Tij hyjnorë. Në vijim të Ajetit fisnik, urdhërohet e thuhet: “Dhe që bëjnë ikame namazin.” [252] Këtu nuk thuhet falin namaz, por përdoret fjala “ikame”, në përputhje me thelbin e vërtetë të namazit. Me këtë, shprehet se përmendorja e namazit duhet ngritur e bërë “ikame” në një formë që përshtatet me kushtet dhe ruknet e namazit dhe njëkohësisht në nënshtrim e përvuajtje, njeriu duhet të ikë prej vetes e të përjetojë vetëdijen e pranisë së lartësuar hyjnore në një ndjenjë përqendrimi të thellë ndaj Allahut.

Ndërsa më pas, urdhërohet e thuhet: “Dhe ata që prej të mirave që u kemi dhuruar, shpenzojnë në të mirë.” [253] Sipas kësaj, të mirave që Allahu na ka mundësuar prej mirësisë së Vet, u duhet dhënë haku. Nëse Zoti i Madhëruar, prej mirësisë së Vet, na ka dhuruar pasuri, ahere prej saj u duhet dhënë haku nevojtarëve. Nëse na ka dhuruar dije, edhe kjo mirësi duhet të shpenzohet në rrugë të dijes. Nëse na ka dhuruar aftësi të mendimit e të gjykimit, ahere duhet vuajtur dhimbja e të menduarit dhe duke lodhur mendjen, t’i jepet haku edhe mendimit. Nëse na ka dhuruar ndjenjën e dhembshurisë, ahere për të fituar njerëzimin, asaj i duhet dhënë haku gjer në gradën e fundit.

Pas gjithë kësaj, urdhëron e thotë kështu: “Dhe ata që i pohojnë e i besojnë edhe librin që të është zbritur ty, edhe librat që janë zbritur para teje.” [254] Pra, flet për ata që besojnë në barasvlefshmërinë e zbulesës hyjnore të kohës që ata përfaqësojnë, me zbulesën hyjnore të mëhershme, të përfaqësuar në mënyrë të plotë nga njerëzit apo bashkësitë përkatëse të mëparshme. Një tjetër cilësi e të përkushtuarve shprehet kështu: “Dhe ata që i besojnë me siguri jetës tjetër.” [255] Këtu nuk thuhet Besojnë. Besojnë, por “Besojnë me siguri të plotë.” [256] , çka tregon se të përkushtuarit duhe të zotërojnë një siguri të plotë në çështjen e jetës së amshuar. Të gjitha këto që i paraqita në mënyrë të përmbledhur, janë hollësi që na parashtrohen në Islamin teorik për të përmbushur në praktikë udhëzimin apo udhëzimin e mundshëm.

Zoti i Madhëruar, pasi i sqaron në këtë mënyrë cilësitë e të përkushtuarve, urdhëron e thotë: "Ata" Ja pra, o i Dashuri im! Këto fytyra e çehre të ndritura, këto fizionomi të jashtëzakonshme, këta personalitete monumentale, këta njerëz të mëdhenj që janë lartësuar përmes imanit dhe Islamit, “E pra, këta,”:“janë në një rrugë të drejtë prej Zotit të tyre.” [257] Këta, të vërtetat e shprehura në mënyrë teorike, i kanë përforcuar e thelluar përmes përkushtimit dhe i kanë kthyer ato në një pjesë të pandarë të jetës së tyre. Vërtetësia e besimit tek ata është shndërruar në praktikë: “E mu ata janë të shpëtuarit.” [258]

Në kontekstin e një interpretimi të ngushtë, jam përpjekur të paraqes thjesht dhe shkurt kuptimin e ajeteve të mësipërme dhe arsyeja e kësaj përpjekjeje është kjo: Duke zbritur e depërtuar në shtresat kuptimore të Kuranit, që nga “Lavdia i përket veç Allahut, Zotit të botëve.” [259] e deri te “(Qofshin ata) prej xhinëve a prej njerëzve.” [260] , duke menduar thellë mbi to, me një dallgë të re që prej thellësisë, duhet të diskutojmë e të meditojmë rreth tyre nga fillimi gjer në fund. Kështu, duhet të ushqejmë mendimin: “O Allahu im, përpiqemi të lidhemi pas librit Tënd të jashtëzakonshëm, të përsosur e me kuptime të gjerësishme; bëjmë mundime e përpjekje në këtë drejtim dhe teksa e bëjmë këtë, kërkojmë mbrojtjen Tënde prej djajve ndër njerëzit e xhinët.” Me këtë mendim, duhet të shtjellojmë prej fillimit gjer në fund se çfarë i përbëjnë parimet themelore që na urdhëron feja.

Drejt horizonteve të reja në klimën e ndritur të Kuranit

Said Nursi bën fjalë për nevojën e të lexuarit të Kuranit sikur të jemi duke e dëgjuar prej Allahut apo prej Xhibril Eminit apo prej Profetit të Dashur e Besnik. [261] Nëjse një njeri ndihet sikur të jetë duke e dëgjuar Kuranin prej Folësit të Pafillim, atëherë kjo është një çështje shumë serioze. Një njeri që e lexon Kuranin kësodore, kur ndien një fjalë të tij, e shtjellon atë dhjetë herë në mendje, më pas atë fjalë ia lë amanet të gjitha neuroneve. I thotë konteksit: “Ti prit pak, se do të të drejtohem prapë.” Sikur të jetë duke rrëmuar e kërkuar në një dosje, e kalon edhe një herë atë prej fillimit gjer në fund. Kur e shihni Kuranin me këtë sy, është e mundur që të dalloni brenda tij problemet tuaja në lidhje me të gjitha fushat e jetës vetjake, familjare, shoqërore e kulturore, si dhe rrugët e zgjidhjes së tyre.

Të parët tanë të mirë -Allahu qoftë në përjetësi i kënaqur prej tyre– i kanë vlerësuar shumë mirë shkencat ekzistuese dhe dijet e natyrës në kohën e tyre dhe janë munduar ta kuptojnë Kuranin në masën që ua lejonin rrethanat e kohës. Në ato ditë nuk kishte as teleskop, as mikroskop e as rreze X. Por sot, Zoti i Madhëruar na i ka falur neve mundësi të tilla. Krahas kësaj, në mënyrë që ato çështje që ju ndieni e ushqeni për së brendshmi të mund t’i bëni bëni të dëgjohen e të ndihen në të katër anët e botës, Ai ka pasur mirësinë të na dhurojë mundësi kaq të mëdha si televizioni apo interneti. Për mendimin tim, duke i vlerësuar siç duhet të gjitha këto mundësi, duhet punuar me mish e me shpirt që të arrihen sahabët. Ata, në vitin '40 të Hixhrit, mbërritën në Sindabad, ndërsa në vitin '80 u vunë në zotërim të Horasanit. Hordhitë mongole, që u shpartalluan përballë Ahnef ibni Kajsit, thoshin: “Me këta nuk luftohet!”

Natyrisht që sot, ne nuk mund të luftojmë me shpatë e kamë, me heshtë e hark; me rregullat e smeraldta të Kuranit, me vlerat tona njerëzore, të përvetësuara në karakterin tonë, me fuqinë tonë të pareshtur të përfaqësimit, me sjelljet e qëndrimet tona të drejta, që gjithmonë shpërfaqin të ecurit në të njëjtin drejtim, duhet të përpiqemi për të arritur një nivel të tillë dhe bukuritë e Kuranit duhet të mundohemi që t’ua përçojmë ndjesive të mbarë botës. Por përpara gjithë kësaj, në drejtim të kuptimit e të përmbajtjes, duhet ta shtjellojmë e ta zgjidhim çështjen në mesin tonë. Përndryshe, vetëm duke qëndruar në xhami e duke recituar atje ngandonjë mukabele të rastit, nuk e arrijmë dot një qëllim të tillë. Me këto shprehje të miat, nuk kam ndërmend ta nënvlerësoj të lexuarit e mukabelesë në xhami. Kjo është një traditë shumë e bukur. Por unë jam i mendimit se më e rëndësishmja është që të pyesim: “Cili është vullneti i Zotit dhe qëllimi hyjnor në këto ajete?” Dhe duke shtruar këtë pyejte, t’i kushtojmë rëndësinë e duhur thelbit, kuptimit dhe përmbajtjes.

E pra, të gjitha këto duhen shtjelluar në kuvende e biseda, duhen analizuar e parashtruar gjykimit të përbashkët. Nëse kjo do të mund të bëhet, atëherë horizonte të reja do të çelen dhe do të mund ta vëmë në vend atë përgjegjësi historike që na ngarkon koha.


[244] El-Hakim Et-Tirmidhi, Nevadiru’l-usul 4/98.

[245] Shih: Dharijat, 51/56.

[246] Shih: Bediuzaman, Rrezatimet f. 166-167 (Rrezatimi i shtatë, Porta e dytë).

[247] Nur, 24/11.

[248] Shih: Buhari, Shehadat 15, Megazi 34, Tefsiru sure (24) 6; Muslim, Teube 56.

[249] Shih: Buhari, Shehadat 15, Megazi 34, Tefsiru sure (24) 6; Muslim, Teube 56.

[250] Bekare, 2/1-2.

[251] “Për ata të përkushtuar që besojnë në botën e padukshme (gajb)” (Bekare, 2/3)

[252] Bekare, 2/3.

[253] Bekare, 2/3.

[254] Bekare, 2/4.

[255] Bekare, 2/4.

[256] Bekare, 2/4

[257] Bekare, 2/5.

[258] Bekare, 2/5.

[259] “Lavdia i përket veç Allahut, Zotit të botëve.” (Fâtiha, 1/2)

[260] Nas, 114/6

[261] Shih: Bediuzaman, Letrat f. 451 (Letra e Njëzetenëntë, Pjesa e gjashtë).