Lojërat e pista dhe burrëria e besimtarit

Lojërat e pista dhe burrëria e besimtarit

Pyetje: Qoftë brenda vendit, qoftë jashtë, vihet re se, me pretekst të ngjarjeve të dhunës e të terrorit, ekziston synimi, që myslimanët, me një qasje kolektive, të vihen në pozitën e të dyshuarit. Si i vlerësoni këto ngjarje dhe cili është qëndrimi që besimtari duhet të mbajë kundrejt tyre?

Përgjigje: Së pari, po e pohoj sakaq, se unë nuk e kam besuar kurrë që këto ngjarje t’i ketë përgatitur, planifikuar e vënë në jetë ndonjë organizatë e përbërë prej myslimanësh. Kam bindjen se çdo njeri me mendje e shëndoshë, që, në njëfarë mënyre, i analizon këto ngjarje në tërësinë e tyre, nga fillimi e gjer në fund, me anën e tyre të dukshme e të padukshme dhe me një gjykim të drejtë, do të jetë i të njëjtit mendim me mua. Sepse nëse shihen figurantët e ngjarjeve të tilla, që ndodhin nga Perëndimi në Lindje, nga Veriu në Jug dhe synohen të tregohen si të lidhura me myslimanët, vërehet se figurantët në fjalë, sado që të mbartin emra myslimanësh, nuk janë veçse vrasës gjakatarë, të marrë me qira për një lojë shahu që luhet nga rrjetet e së keqes, të qendrave të pushtetit e të shërbimeve që duan ta formësojnë botën sipas mendësisë së tyre, ose thjesht shpirtra të robotizuar që ua kanë marrë mendtë me ndonjë bar, që ua kanë hequr nga duart vullnetin e vet dhe që ua kanë paralizuar mendimet.

Islami nuk e ligjëron kurrsesi terrorin

Për të ardhur te lidhja e çështjes me Islamin, duhet ditur mirë se që në krye të punës, parimet themelore të Islamit nuk lejojnë që të shkaktohen të tilla ngjarje. Po, po. Edhe një njeri me njohuri krejt sipërfaqësore, që ka njëfarësoj informacion rreth Islamit, e di se asnjë mysliman, nëse vendi i tij pushtohet apo i merret liria, nuk mund të ngrihet e të shpallë luftë i vetëm, as nuk mundet që, në emër të luftës për liri, të vërë në shënjestër njerëzit e pafajshëm. Një mendësi të tillë, është e pamundur ta shpjegosh me logjikën e një myslimani. Në fenë tonë, lufta mund të bëhet vetëm në përmasat e krejt vendit, me organizimin e gjithë kombit dhe vetëm duke mos cenuar rregulla të caktuara. Kurrkush nuk mund të paraqesë një formë luftimi që bie në kundërshtim me parimet dhe disiplinat e vendosura prej fesë. Nga ky këndvështrim, siç e kam shprehur shumë herë edhe më parë, me lejen tuaj, po e përsëris edhe një herë: Terroristi nuk mund të jetë mysliman dhe po kështu, myslimani nuk mund të jetë terrorist. Për ta shprehur në mënyrën më absolute e më të plotë, duke thënë se “terroristi mysliman e myslimani terrorist nuk mund të jetë”, duam të shpjegojmë se një njeri që është i hapur ndaj shpirtit dhe thelbit të Islamit nuk mund të bëjë kurrë diçka të tillë.

Nëse një njeri, edhe pse thotë të jetë mysliman, bën një punë të tillë, atëherë në të qenët e tij mysliman ka një mangësi e boshllëk, që nuk mund të shpjegohet në thelbin e në perspektivën e Islamit. Për ta shprehur më mirë atë që kam në mendje, po ju sjell një hadith nga Zotëria ynë, Profeti (s.a.s.), në lidhje me një tjetër çështje. Tabloja e Krenarisë Njerëzore (alejhis'salatu ues'selam) urdhëron e thotë: “Ai që bën imoralitet, kur është besimtar, nuk bën imoralitet; ai që pi, kur është besimtar, nuk pi; dhe ai që vjedh, kur është besimtar, nuk vjedh.” [274] Ky hadith shpjegon se një njeri që beson, kur është në vetëdijen e besimit, nuk bën dot imoralitet, nuk vjedh dot, nuk pi dot alkool. Për ta shprehur ndryshe, hadithi tërheq vëmendjen se ai që bën imoralitet, që vjedh e që pi alkool, së paku gjatë kohës që i kryen këto mëkate, nuk është besimtar i vërtetë.

Për ta shpjeguar këtë hadith, vërejmë se janë bërë disa interpretime të rënda. Unë nuk do të hyj në to. Por sipas mendimit tim, çështjen mund ta kuptojmë në këtë formë: Ai që i beson Allahut (xh.xh.) siç i duhet besuar, që beson se në jetën tjetër do t’i japë llogari Allahut për mëkatet e kryera, që pranon ringjalljen, Xhenetin dhe Xhehenemin, për sa kohë që tek ai mbizotërojnë këto ndjenja, nuk mund të mendohet që të bëjë mëkate. E pra, në këtë kuptim, një terrorist, në çastin që ushtron terror, nuk është besimtar. Po, po. Një njeri, për sa khë që është besimtar në kuptimin e pastër e të plotë, kurrsesi nuk përzihet, nuk mund të përzihet me terrorizmin.

Prandaj edhe unë nuk e kam besuar kurrë që aktet e terrorit që ndodhin andej këtej të jenë organizim i myslimanëve të vetëdijshëm. Madje edhe për figurantët e frikshëm të këtyre ngjarjeve, jam i mendimit se ata tani nuk janë në jetë. Sepse edhe disa emra që disa i nxehin e i nxehin dhe na i servirin në pamje e në video nga interneti, as që e dimë nëse tani ekzistojnë apo jo.

Papastërtia e informacionit dhe njerëzit naivë

Nga ana tjetër, si në të djeshmen, ashtu edhe në të sotshmen, rrjetet e së keqes dhe vatrat e errësirës nëpër botë, veçanërisht ata që kanë një qëndrim të qartë kundër Islamit, gjithmonë kanë përdorur të njëjtat armë dhe kanë luajtur të njëjtën lojë. Këta, për të përballuar nevojat e paranojës, në një atmosferë frike e paniku që krijojnë, nxisin tmerr te njerëzit dhe bëjnë që ata të jetojnë me zemër të drithëruar. Le të themi se ata bëjnë atë çka ua kërkon karakteri i tyre, por nga ana tjetër, sa e hidhur është që edhe në vendin tonë ngjarjet nuk i nënshtrohen shqyrtimit të kujdeshëm e të guximshëm dhe ka njerëz që mund t’i quajmë naivë, të cilët i besojnë në çast lajmet dhe fjalët e prodhuara prej vatrave e qendrave të caktuara të pushtetit nëpër botë.

Në të shkuarën, kur ndodhi një ngjarje e tillë, u pata thënë njerëzve që kisha pranë: “Ndërsa ka qindra mundësi në lidhje me autorësinë e ngjarjes, ndërsa ka një perde të thellë mjegulle në lidhje me mënyrën se si është zhvilluar njgjarja, pse ndodh që disa njerëz e besojnë dhe e vlerësojnë atë menjëherë siç është hedhur nëpër faqe internet apo në gazeta dhe gjykojnë sipas kësaj? Për hir të Zotit, pse këta njerëz nuk e çojnë farë nëpër mend se gjërat mund të kenë ndodhur edhe krejt ndryshe?” Sepse në botën e njerëzve mizorë, nuk ka ndonjë standard vlere veç forcës, fuqisë e interesit. Në jetën e tyre të mendimit e të besimit nuk ekziston fare një koncept si gënjeshtra! Përkundrazi, ata i shohin gënjeshtrën dhe mashtrimin si mençuri dhe e jetojnë jetën e tyre sipas kësaj. Ne, si njerëz që besojmë, edhe kur themi në prani të një grupi njerëzish, “ai njeri gënjen”, pra, kur shpjegojmë për gënjeshtrën e tjetërkujt, ndiejmë turp; e nëse jemi të detyruar ta shpjegojmë këtë situatë, themi duke kërkuar ndjesë: “Të më falni që një fjalë të shëmtuar si gënjeshtra e përmenda në praninë tuaj.” Kjo buron prej edukatës që na ka dhënë Islami dhe është nevojë e kulturës që buron prej Islamit. Po, po. Duke qenë se në kulturën tonë është turp që një njeriu që thotë, t’i thuhet drejtpërdrejt “gënjeshtar”, çështja paraqitet duke thënë se ai “dëshmon në kundërshtim me ç’ka ndodhur”. Por – të më ndjeni – përse i besojmë menjëherë asaj që thonë ata të cilët gënjeshtrën dhe mashtrimin i kanë kthyer në stil jetese dhe përse nuk e marrim parasysh që ata mund të na gënjejnë? Për shkak të gënjeshtrave që këta njerëz kanë nxjerrë gjer më tash dhe për shkak të atij karakteri që na kanë treguar gënjeshtrat e tyre, a nuk duhet ta çojmë nëpër mend se gjithçka mund të jetë krejt ndryshe nga ç’pritet? Por fatkeqësisht, fjalëve që thuhen, lajmeve që lexojmë, u besojmë menjëherë dhe çështjet i interpretojmë e i vlerësojmë po sipas kësaj. Nuk e harroj asnjëherë, kur një person që kishte qenë ambasador diku, një a dy orë pas një ngjarjeje tragjike që kishte ndodhur, doli e tha “këtë punë e bëri filani”. Ai person, megjithëse ishte aq i paditur në atë fushë, saqë edhe emrin e njeriut që fajësonte, e shqiptonte gabim, prapëseprapë nuk ngurronte fare që të jepte gjykimin e vet.

E pra, për shkak të papastërtisë së informacionit dhe të kequdhëzimit, për fat të keq, në përfundim të çdo ngjarjeje, imazhi i dëlirë i Islamit është përbaltur, në fytyrën e tij të ndritur është hedhur dhe vazhdohet të hidhet katran. Sipas asaj fjalës që qarkullon ndër njerëzit, “shpif, shpif, se diçka do të mbetet.” Sa e dhimbshme është që në imazhin e myslimanit të ditëve tona është hedhur një baltë e tillë dhe sa keq që gjurma që ka mbetur është e madhe!

Kjo është ajo që ka ndodhur. Përballë asaj që ka ndodhur, ajo çfarë duhet bërë është që pavarësisht të gjitha keqinformimeve dhe shpifjeve, të shpjegohen e të tregohen kudo, me përfaqësim të mirë e të bukur, kuptimi dhe identiteti i vërtetë i Islamit. Duhet të përmendim pa u lodhur se ngjarjet me autorësi të panjohur janë vepër e njerëzve që nuk përfaqësojnë thelbin e Islamit. Duhet të tregojmë se një mysliman i vërtetë ia zgjat dorën gjithkujt, ia hap zemrën gjithkujt. Thirrjen e mëshirës së Islamit, që vjen prej paqes e shpëtimit, duhet t’ia përçojmë mbarë njerëzimit nga Amerika në Evropë, nga Lindja e Largët në Afrikë.

Urat e dialogut dhe largimi i frikës së pabazë

Llogarisni që përcjellja e kësaj të vërtete në të gjitha zemrat nuk është punë që bëhet në çast, por është e lidhur me një proces që zgjat. Ato çka kanë shkarravitur prej vitesh kundër Islamit qoftë një pjesë prej pjesëtarëve të disa feve, qoftë prej orientalistëve, i ka përbaltur aq frikshëm mendjet e gjykimet, saqë nuk mundeni ta fshini e ta pastroni brenda menjëherë. Fundja edhe nëse ju i ekspozoni në çast të gjitha bukuritë e Islamit si në një ekspozitë, njerëzit nuk i asimilojnë dot ato në çast. Duhet t’u njihni atyre mundësinë që, teksa qëndroni mes tyre, ata të mund t’ju njohin e të mësojnë. Pikëpyetjet që kanë në kokë, si për shembull, “tani thonë kështu, por a do të thonë vallë të njëjtat gjëra pasi të forcohen e të kenë në dorë disa gjëra?”, duhet t’ua davarisni me veprat qëndrimet e me sjelljet tuaja konkrete. Për dhjetë vite me radhë le të ndiejnë pulsin tuaj e të shohin se si rreh zemra juaj. Le të kalojnë dhjetë vite e t’jua masin sërish pulsin, të shohin se ai rreh njëlloj. Kështu, dhjetë, njëzet, tridhjetë vite do t’ju vënë në provë. Nëse ju, gjatë këtij procesi, qëndroni në të njëjtin vend, nuk ndryshoni asgjë nga mënyra e të shprehurit tuaj, ata do ta shohin këtë dhe do të krijojnë një gjykim e qëndrim për ju në përputhje me këtë.

Po, po. Nga njëra anë, do të shpjegoni thelbin dhe parimet e vërteta të Islamit; nga ana tjetër, do t’u mundësoni atyre që t’ju dëgjojnë, t’ju shikojnë e t’ju vënë në provë. Ndoshta do të vijnë në shtëpitë tuaja, në institucionet tuaja, në vendet tuaja të punës, do t’ju njohin brenda botës suaj dhe do të krijojnë, në këtë mënyrë, një mendim për ju. Nëse mendoni që të largoni prej mendjeve të njerëzve një imazh që e kanë të ngulitur apo ua kanë ngulitur në kokë, për mendimin tim, rruga që duhet ndjekur është kjo.

Po ju jap një shembull: unë e kam shprehur sa e sa herë që nuk kam vrarë as edhe një milingonë. Po, po. Në jetën tim, as edhe një milingonë nuk kam vrarë. Madje një herë, një shok më fshiu nga rroba një milingonë, me mendimin se ajo po më shqetësonte. Megjithëse kaluan vite, nuk e harrova këtë ngjarje. Pyes veten se si ndodhi që vrau një gjallesë. Në një rast tjetër, një shoku ynë, në një kamp, zuri një gjarpër që po shkonte të pinte ujë dhe pasi e shkundi për bishti, e këputi në mes. Atij s’i fola për dy a tre muaj me radhë. Çfarë të drejte ke ti, që i heq atij të drejtën për të jetuar? Kafsha nuk po vinte të të kafshonte, po shkonte të pinte ujë. Nëse do të hapte gojën dhe do të të drejtohej si një kobër, atëherë do të ishte fjala për vetëmbrojtje. Të mos flasim, pastaj, që unë edhe në një situatë të tillë nuk do të zgjidhja ta vrisja, por të largohesha me vrap. Në fenë tonë, vetëm nëse jemi të detyruar, na është lejuar që të vrasim një gjë të gjallë, por nuk është thënë që kjo është diçka e shpërblyeshme.

Tani, një njeri, zemra e të cilit është e kyçur në të tilla mendime, a është e mundur që t’i bëjë dëm një njeriu tjetër? Të mos keqkuptohemi, nuk po rrekem të flas për veten time këtu, por vetëm po mundohem të bëhem përkthyes i botës tuaj të ndjenjave, i ndjenjave dhe i mendimeve të zemrave që besojnë. Por pavarësisht nga të gjitha këto, nëse disa njerëz ende hyjnë në fantazi të ndryshme lidhru me ju, ajo që duhet bërë përballë kësaj gjendjeje është që të bëhet durim brenda një pritjeje aktive. Karakterin tuaj, ndërtimin tuaj shpirtëror, ndjesitë tuaja, botën tuaj të brendshme, do t’i shfaqni e do t’i ekspozoni porsi a në një “showroom”. Gjithkush do të vijë, do të hyjë, do të shëtisë, do të shohë, do të vështrojë dhe do të çlirohet prej fantazive të këqija për ju. Ju, ndoshta, as që do ta vini re këtë proces. Ata do të vijnë, do t’ju vënë një sheshë dhe më pas, kur të vijnë sërish, do të kontrollojnë nëse e keni apo jo atë shenjë në vendin e vet. Pastaj do të vijnë prapë dhe do të shohin nëse i njëjti dizajn e e njëjta trajtë është ende aty dhe kështu, do ta shohin qenien tuaj myslimane në thellësinë e në gjerësinë e saj.

Si përfundim, largimi i një imazhi të keq që synohet të krijohet për myslimanët e ditëve tona kërkon njëfarë kohe. Çështja duhet lidhur me një kalendar dhe duhet rregulluar shumë mirë, duhen bërë përpjekje që gjërat e pahijshme e të papëlqyeshme, me anë të një procesi vazhdimësie e serioziteti, të largohen një nga një. Nëse zemrat besimtare të ditëve të sotme veprojnë me gjallëri e durim në këtë proces që kërkon një kohë të caktuar, nëse bëjnë mundime e përpjekje në përmasat e seriozitetit të çështjes, do të vijë dita që edhe kundërshtarët e tyre do të thonë për ta atë që thuhej për Tablonë e Krenarisë Njerëzore (alejhis'salatu ues'selam) dhe për sahabët e tij të shquar: “Këta njerëz janë të besës, janë përfaqësues të besimit e të sigurisë.”


[274] Buhari, Mezalim 30, Eshribe 1, Hudud 1, 6, 20; Muslim, Iman 100.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.