Në vend të kushtimit

Ardhja a mosardhja në jetë, mbërritja apo mosmbërritja e ekzistencës me identitet njerëzor nuk janë në dorën tonë; por vlerësimi dhe shtënia në dorë e këtyre mirësive, si dhe e lumturisë së të dyja jetëve, është një dhuratë hyjnore që i është falur vullnetit tonë.

Ndërsa njeriu, për ta vlerësuar këtë dhuratë hyjnore në mënyrën më të bukur, para së gjithash duhet t’i caktojë vetes qëllime të larta, të ndjekë ideale të shquara e madhore, të rendë pas pikësynimesh të mëdha në vend që të jepet pas qëllimesh vogëlime. Në rastin e idealit për të jetësuar, që është njëri prej këtyre qëllimeve të larta, ai përbën më madhorin dhe më të lartin e idealeve që mishërohen në udhë të përfitimit të kënaqësisë së të Vërtetit Zot, sepse jeta e vërtetë është ajo që planifikohet duke menduar për njerëzit e të sotmes e të së ardhmes, e cila arrin idealizimin përmes qëllimit të të jetuarit për ta.

Sot, krejt faqja e dheut, nga njëri skaj në tjetrin, po trandet nën lloj lloj mundimesh, krizash e depresionesh nga më të ndryshmet. Shoqëritë janë të kapluara prej hutesës në një rrjetë ecejakesh dërrmuese e të pashpresa, ndër shqetësime të njëpasnjëshme morale, administrative, ekonomike.... Ndërsa vatrat e së keqes, që kanë në zotërim pushtet e fuqi, me zjarret e trazimit që ndezin në sa e sa forma, në sa e sa vende të ndryshme, bashkë me të sotmen, kërcënojnë edhe të ardhmen tonë. Po, po! Në botën e këtyre ditëve tona individët janë të sëmurë e të tronditur, çerdhja është e rrënuar dhe e trazuar, masat janë në kllapi e huti, përfaqësuesit e forcës e të dhunës janë mizorë e të pamëshirë; kurrkush nuk e di se kah po shkohet e ç’fat e pret njerëzimin. E pra, në këto kushte, që njerëzimi ta mbërrijë edhe një herë bregun e shpëtimit, nuk mund të bëhet tjetër veçse të vihet në jetë një ideal i lartë si ideali për të jetësuar. Një ideal që të jetuarit e sheh të lidhur ngushtë me të dhënit jetë, duke e gjetur çlirimin vetjak në çlirimin e të tjerëve...

Për këtë arsye, sot ne, të gjithë së bashku, si qenie njerëzore, nuk kemi nevojë për asgjë më shumë sesa për breza të përsosur që të ushqejnë ideale kaq të larta. Në saje të këtyre zemrave bujare, që cilësdo race e ngjyre që t’i përkasin e në cilindo truall e gjeografi që të gjenden, ia dalin ta shohin krejt njerëzimin me ndjesinë e dhembshurisë, të shtrojnë porsi dheu nën këmbët e veta të ardhmen e vet në emër të lumturisë së të tjerëve, të trazohen porsi ajri e të qarkullojnë porsi gjaku në venat e në trupat e gjithkujt; të gurgullojnë porsi ujërat mbi përmallimet e ndezullitë, duke flladitur kraharorët e frymuar jetë anekënd, ne besojmë se depresionet shekullore do të marrin fund, vuajtjet do të shuhen, dhe fytyra e krejt njerëzimit do të qeshë sërish.

Ndër këta njerëz idealë, të cilët janë burimi i shpresës sonë në emër të së ardhmes, cilësitë parësore janë besimi dhe ndjenja e dashurisë që u buron prej atij besimi. Po, po! Ata e duan Allahun marrëzisht dhe nën krahët e kësaj dashurie të paanë ndiejnë një lidhje të thellë kundrejt të gjitha qenieve: fëmijët, si farëzat e së ardhmes, i ndiejnë e i përkëdhelin... Të rinjve u japin kurajë për të qenë edhe ata njerëz idealë duke u treguar veç qëllime të larta... Të moshuarit i nderojnë me respektin e vlerësimin më të thellë.

Ata, po ashtu, janë një shembull i përgjegjshmërisë më të plotë kundrejt shoqërisë në të cilën jetojnë. Për ta vënë në vend këtë përgjegjshmëri, flijojnë gjithçka që Allahu u ka falur, madje pa iu dridhur qerpiku i syrit... Ashtu sikurse nuk tremben e nuk tërhiqen prej kurrgjëje, nuk ia falin zemrën asgjëje përveç Atij... Në sytë e tyre nuk ka as pasion të lumturisë, as frikë të trishtimit. Ata, në mënyrë që njerëzimi të fitojë lumturinë e përjetshme, janë të gatshëm edhe të digjen flakëve të ferrit. Po, po! Ata, për hir të idealeve të tyre, zemrat dhe gjithë ç’u do zemra, mallin e pasurinë e tyre, bijtë e pasardhësit e tyre, të sotmen e të nesërmen e tyre dinë t’i flijojnë me lehtësinë më të madhe dhe kundrejt përfitimeve e interesave të vogla janë kurdoherë të gatshëm të bëjnë zgjedhjet e veta për të arritur idealet më të larta.

Ata janë kalorës të përjetësisë. Por mbi kuajt e tyre ata nuk janë të vetëm. Sepse gjithsecili prej tyre është një kalorës që, përtej dashurisë, emocionit e pasionit të vet, merr edhe të tjerët në shalë të kalit për t’i mbartur drejt pafundësisë. Në këtë rrugë ku ata rendin, janë aq të lidhur pas kënaqësisë së Zotit të Vërtetë e në dobinë e njerëzimit, saqë furtunat e pasionit që vijnë e u përplasen në fytyrë vetëm sa ua forcojnë edhe më tej ndjenjën e përkushtimit ndaj së Vërtetës që ushqejnë; stuhitë e zemërimit e të urrejtjes vetëm sa ua bëjnë t’u gufojnë edhe më gurrat e dashurisë e të dhembshurisë, që u gurgullojnë në shpirt; gufojnë e për hir të gjithë kësaj sa e sa të mira i kapërcejnë e i lënë pas, e sa e sa vështirësive u dalin përballë.

Në ditët e sotme, këta heronj të idealit, zotërues të karakterit më të lartë, i kanë shkelur syrin një të ardhmeje të lume që ka nisur të lulëzojë si një farë e mirë në të katër anët e botës, e të ndrijë kudo rreth e rrotull si një pishtar shprese në të mirë të mbarë njerëzimit. Mirëpo “kjo rrugë është e gjatë, tatëpjeta ka mjaft, rrugëdalje nuk ka, por ujëra të thella.” Po, në këtë rrugë ka sa e sa rrugë të largëta për të përshkuar, sa e sa lumenj për të kaluar, sa e sa maja për të kapërcyer. Në këtë rrugëtim të mundimshëm fizik e shpirtëror, që është më i vështirë se çdo lloj vështirësie, për të mos ngecur në kurrfarë pengese, për të mos rënë në rrjetën e bukurive mashtruese e joshëse të botës, për të mos përjetuar lodhje gjatë udhëtimit e për të mos e ulur ritmin, për të rendur vazhdimisht e pa u ndalur porsi kuajt e garës, dashuria për të jetësuar duhet mbajtur kurdoherë e gjallë në zemra e plot jetë. E pra, sipas këndvështrimit tonë, kjo vepër e vyer me titullin “Ideali për të jetësuar”, që po mbani në duart tuaja, do të jetë një nxitje e burim shumë i rëndësishëm frymëzimi për shpirtrat që rendin në të katër anët e botës në të mirë të njerëzimit, që i janë kushtuar përpjekjes për të vepruar dhe dëshirës për të shërbyer. Për shembull, këto radhë që zënë vend që në artikullin e parë të këtij libri, njeriut tonë që gjendet i rrethuar ngado prej materies, interesit, famës, sipas mendimit tonë, e thërrasin drejt një horizonti të lartë e krejt të veçantë:

“Një njeri që dashurohet pas një ideali të lartë, që mundohet në njëfarë mënyre ta rindërtojë botën e vet të mendimit sipas këtij ideali dhe kësodore, përpiqet pa prâ t’i mundësojë mbarë njerëzimit e më së pari kombit të vet një ringjallje, jo vetëm që nuk bëhet/nuk duhet të bëhet pjesë e kurrfarë pritshmërie tokësore, por shpesh ndoshta nuk duhet të bjerë as në shqetësime për pritshmëri shpirtërore prej mirësive të Zotit të Madhëruar, si hyrja në Xhenet dhe të shmangurit prej Xhehenemit...

Zoti i Madhëruar, njëherë e një kohë më pati mundësuar që të isha në vendin tim bashkë me disa shpirtra tejet të devotshëm. Qeshë dëshmitar i plot sakrificave, të cilat në vende të ndryshme të atdheut mund të shërbejnë si shembull... Për shembull, shokë të moshuar që ndoshta kanë hyrë në të tetëdhjetat kanë ardhur kush e di sa herë këtu e më kanë thënë: “Të lutem, a nuk ka mundësi që, ashtu sikurse i keni drejtuar nga hixhreti këta të rinj, a ka mundësi që t’i udhëzoni edhe biznesmenët drejt largimit në vende të tjera? Kësisoj, siç jemi lartësuar me fisnikërinë e dorëdhënies, i Madhi Zot të na nderonte edhe me hixhret.” Ja pra, këto janë dinamika të tilla të cilat është e pamundur që t’i vlerësojmë brenda përmasave lëndore, dhe për më tepër që janë kthyer pothuajse në një ftesë për t’i kundruar më nga afër hijeshinë dhe mirësinë e Zotit të Madhëruar.”

Duke ju lënë dorë për dore me këtë libër, për të cilin besojmë të jetë për ju plot mendime të larta e qëllime të mëdha, dëshirojmë që, me këtë rast, të përmendim me nderim të gjithë muhaxhirët e idealit, që i kanë vendosur vetes për qëllim ta kthejnë çdo anë të botës në një kopsht trëndafilash, dhe t’i paraqesim miradijen tonë më të përzemërt Autorit të Nderuar, i cili ka ushqyer në shpirtrat e tyre lënien mënjanë të dëshirës për të jetuar, duke frymëzuar pasionin për të jetësuar, që me vepra si kjo, ka ndezur në zemrat e tyre dashurinë për t’u dhënë jetë të tjerëve. Duke shprehur lutjet dhe dëshirën që Autori i Nderuar të gëzojë jetë e shëndet sa më të plotë për të na mundësuar leximin edhe të të tjera veprave të vyera si kjo, ju urojmë lexim të mbarë...

Shtëpia Botuese “Nil”