Paraqitje

Për shkak se parimi i “Besimit te ahireti ose te ringjallja dhe jeta e pasme” që është një shtyllë ose element i rëndësishëm i Islamit, është kundërshtuar dhe hedhur poshtë nga pikëpamja materialiste që ka disa shekuj që po e mban nën trysninë e vet tërë botën, ashtu si te të gjithë njerëzit, për fat të keq është dobësuar edhe në zemrat e muslimanëve. Kjo gjendje, jo vetëm që na e ka prishur qetësinë e brendshme, por e ka asgjësuar edhe besimin dhe sigurinë mes njerëzve dhe e ka bërë botën të pajetueshme. Megjithëse një e treta e Kur’anit flet për ahiretin ose ringjalljen dhe jetën e pasme, fakti që edhe muslimanët madje, janë përballur me privimin nga ky burim qetësie, të vë në mendime!

Dikur, meqë besimi ishte i përgjithshëm dhe i përgjithësuar, në trupin e një shoqërie të shëndoshë, mohimi ose herezia vlerësoheshin si një sëmundje e neveritshme, sepse masa e madhe e njerëzve që përbënte shumicën dhe që e kishte të paprishur qashtërsinë, lidhej me zemër pas parimeve të përcjella (të Kur’anit dhe haditheve) ngaqë nuk e kishte turbulluar mendjen me filozofinë e asaj kohe të ngatërruar me deviacionin dhe herezinë! Madje edhe një gjeni si Ibni Sina (Avicena) i cili njihej si filozof islam, nën ndikimin e pikëpamjeve filozofike që u përkiste, mundej të thoshte për ringjalljen dhe jetën e pasme: “mendja nuk përparon dot në këtë rrugë”!

Kurse tani, të gjitha llojet e botëkuptimit mohues, heretik dhe ateist, të vënë sup më sup, janë tendosur dhe i kanë tronditur parimet e besimit me anë të dyshimeve dhe lëkundjeve! Përtej kësaj, shumë pikëpamje materialiste si evolucioni, për vite të tëra, në të gjithë botën, nëpër shkolla, u është sugjeruar dhe ngulur në mendje brezave të rinj. Prandaj është sheshit se ndodhemi në një pikë shumë serioze. Dhe si zgjidhje, është e domosdoshme që kjo e vërtetë, domethënë e vërteta e ahiretit ose ringjalljes dhe jetës së pasme, t’u provohet njerëzve me një metodë kur’anore dhe racionale, domethënë t’u hapet një horizont i ri njerëzve të cilëve s’ua nxë dot mendja këtë të vërtetë.

Në fakt, meqë “Grumbullimi i Madh”[1] realizohet me anë të shfaqjes së “Emrit të Madh”[2], duke i parë dhe duke i treguar aktet e mëdha që janë të dukshme me anë të shfaqjes në shkallën më të lartë të Emrit të Madh të Zotit dhe të çdo emri të Tij, Grumbullimi i Madh provohet lehtë si pranvera, kuptohet në mënyrë të prerë dhe besohet logjikisht. Prandaj shohim se në këtë vepër të shkruar duke marrë pjesë nga bisedat dhe predikimet, duke u trajtuar emrat e Allahut, si Rrahim, Hakim, Hafidh,[3] etj., është ekspozuar një metodë krejt e re vërtetimi. Veçanërisht duke trajtuar ndikimet e mira të këtij besimi mbi njerëzit e shtresave të ndryshme të shoqërisë, janë shpjeguar edhe dobitë praktike të tij. Shpresoj që ky studim që frymëzon gëzimin dhe kënaqësinë e botës së përtejme në botën tonë të brendshme, do t’u përftojë përmasa të reja vështrimeve dhe botëkuptimit tonë!


[1] Në origjinal: Hashr-i Adham, grumbullimi i madh i njerëzve pas ringjalljes në sheshin e grumbullimit për të dhënë llogari para Zotit.
[2] Në origjinal: Ism-i Adham, emri i madh i Zotit.
[3] Respektivisht: Mëshirues, i Urtë, Ruajtës.