Kaderi Është Lloj Dijeje

Kaderi është një plan dhe projekt i hartuar në dijen e Zotit për materien. Ndërkaq, ta dish një gjë, nuk do të thotë ta kesh sendërtuar ose do ta sendërtosh pa tjetër atë gjë. Për shembull, edhe sikur ju të bëni planin e një mijë ndërtesave, edhe sikur të projektoni studimin e hollësishëm të qindra fabrikave, asnjëra prej këtyre nuk do të sendërtohet vetëm e vetëm pse u keni dhënë formë të prerë në kokën tuaj. Që të sendërtohen ato, ka nevojë për vullnet dhe fuqi. Në të kundërt, ndërtesat ose fabrikat që i projektuat, do të mbeten gjëra që i dini vetëm ju ose që mund t'i marrin vesh edhe të tjerët nga studimi i projekteve tuaja, por gjithmonë do të mbeten "vepra në letër". Ndërkaq, e veçanta juaj është se në imagjinatë vazhdoni të përsilleni brenda në ndërtesë ose fabrikë, kurse një ndërprerje sado e vogël në imagjinatën tuaj e fshin ndërtesën ose fabrikën e ngritur në imagjinatë dhe që jeni duke e shëtitur. Madje, ngaqë imagjinata jua ndërpret ndihmën, juve ju duket sikur nuk e keni menduar e projektuar fare.

Edhe një herë tjetër ta kujtojmë se kaderi ka karakter informativ, pra është një lloj dijeje. Ndërkaq, dija, njohja, janë gjithmonë të varura nga e dhëna dhe informacioni mbi të. E thënë ndryshe, një gjë dihet (njihet) sipas të dhënave mbi përbërjen e saj. Kurse e dhëna, informacioni, nuk varen nga dija dhe njohja. Kështu, Zoti e di se ç'kemi për të bërë ne, si kemi për ta përdorur vullnetin tonë ne dhe vlerësimin e Tij e bën sipas dijes së Tij. Dija e Tij është e gjerë, përfshirëse, gjithëpërfshirëse. Përdorimi i shprehjes "varet nga dija e Zotit" është jashtë edukate. Ne e përdorim këtë shprehje vetëm për ta përshtatur çështjen ndaj mendjes dhe aftësisë sonë të konceptimit.

Le të mendojmë një tren. Largësia që do të përshkojë ky tren mes dy stacioneve, për sa i përket kohës, është e caktuar. Përfundimi i nxjerrë me anë të llogaritjeve të imta, dihet shumë para se të niset treni dhe, disa herë, kjo e dhënë sillet në diçka të detyrueshme. Ja pra, ky përfundim i njohur është plan dhe projekt. Po qe se këtë çështje do ta përshtatnim me temën tonë, ose do të ngrinim një analogji mes kësaj çështjeje dhe temës sonë, do të thoshim se ky është kaderi. Ndërkaq, informacioni dhe kaderi (plani dhe projekti përfundimtar i lëvizjes së trenit nga njëri stacion në tjetrin) nuk është një fuqi detyruese (përcaktuese, shtrënguese) që e vë trenin në lëvizje. E thënë ndryshe, treni nuk do të shkojë në orën e caktuar në stacionin e caktuar për shkak të këtij plani dhe projekti, por pse treni do të arrijë në një orë të caktuar në stacionin e caktuar, këto shkruhen në kaderin e trenit, domethënë në planin dhe projektin e tij. Sepse dija varet nga të dhënat (informacioni). Dihet siç ka për të ndodhur dhe sipas kësaj bëhet vlerësimi.[1]

Dija e Zotit e sheh të gjithë qenien me ato që kanë ndodhur dhe do të ndodhin nga një pikë vështrimi e lartë (nga pikëvështrimi hyjnor) si një çast dhe pikë të vetme. Në dijen e Tij, shkaku dhe pasoja, fillimi dhe përfundimi janë të ndërthurur dhe të mbledhur në një pikë të vetme. Prandaj për Zotin nuk ka fillim-fund, më parë-më pas. Pra, dija e Zotit e ka përfshirë çdo gjë me të gjitha aspektet e saj.

Me këtë dije Zoti e bën edhe vlerësimin dhe përcaktimin e Tij. Prandaj themi se, në aktet e vullnetshme, ky vlerësim është bërë jo duke e lënë mënjanë ose përjashtuar vullnetin.

Të gjitha bëmat e njeriut janë të regjistruara që më parë në Tabelën e Kujtesës (Levhi Mahfudh). Kaderi i varur në qafën e njeriut më pas është nxjerrë (cituar) nga Levhi Mahfudh. Këtë të vërtetë na e tregon ajeti kur'anor:

"Çdo njeriu ia varëm bëmën e tij në qafë!"[2]

Po, çdo gjë që ka për të bërë njeriu, është shkruar që më parë. Me ato që bën, njeriu vetëm zbaton atë që është shkruar për të. Ndërkaq është ky shkrim, sepse dihet që më parë se ç'ka për të bërë njeriu, nuk është një forcë shtrënguese për të. Kur të vihen pranë e pranë defteri i varur në qafën e njeriut me defterin e bëmave të tij të shkruar nga engjëjt, do të shihet se njeriu s'ka bërë gjë tjetër veçse një nga një ato që kanë qenë shkruar për të qysh më parë. Pastaj Zoti do t'ia lexojë njeriut këtë shkrim dhe njeriu do të japë llogari sipas këtij shkrimi!

Këtu, për rrjedhojë, dua të nënvizoj edhe këtë specifikë: Personat që merren seriozisht me çështjen e shpirtit, thonë se shpirti është, në të njëjtën kohë, dublant i njeriut. Pra, ata tërheqin vëmendjen se, ngjitur me trupin precedent ndodhet një aspekt i dytë i tij ku shkruhen vlerësimet dhe përcaktimet mbi aventurën e jetës së njeriut. Për rrjedhojë, kërkohet se, kur të mësohen përbërja dhe funksionet e caktuara të shpirtit, do të mund të njihen në një raport të caktuar edhe gjërat që i kanë ndodhur njeriut. Fundja, ata që merren me shkencën e fizionomisë, domethënë, me kuptimet që shpreh struktura materiale e njeriut, nga vijat e dorës si shprehje të reflektimit të kaderit në trup, munden të thonë, qoftë edhe pjesërisht, se ç'kanë për t'i ndodhur njeriut. Madje, personat me zgjuarsi dhe aftësi parashikuese të shquar, duke parë në fytyrën e njeriut dhe shprehjen e saj, mund të ndjejnë në të një sërë të dhënash të kaderit. Kjo s'do të thotë njohje e së fshehtës. Sepse sipas tyre, të fshehtat që kanë të bëjnë me kaderin janë të formësuara në trupin e njeriut në formë shenjash. Edhe sikur ato që thuhen, të quhen e fshehtë sipas atyre që nuk i njohin këto shenja, e fshehta në kuptim të vërtetë nuk mund të mbahet e kufizuar me këto lloj njoftimesh. Pra, këto që po themi, nuk bien në kundërshtim me përfundimin se "vetëm Allahu e di të fshehtën"!

Përpjekjet për të lexuar kaderin duke parë në shenjat e vendosura nga Allahu në trupin e njeriut, hasen edhe në kohën e Profetit. Atëherë, atyre që merreshin me këtë lloj shkence, u thuhej "kaif".

Profeti jo vetëm që s'pati dalë kundër veprimtarisë së kaifëve, por një herë edhe vetë pati sjellë në shtëpi një kaif për të parë lidhjen mes Zejd b. Harithesë, libertit të vet, dhe të birit të Zejdit, Usame b. Zejd. Ndërsa Zejdi ishte zezak, i biri ishte lëkurëbardhë. Prandaj, birësia e Usames ndaj Zejdit kritikohej në popull. Një ditë, ndërsa të dy po flinin, Profeti solli një kaif për të dalluar lidhjen mes tyre nga shenjat trupore. Ata po flinin pranë e pranë. Profeti i mbuloi krejt duke ua lënë të zbuluara vetëm këmbët. Kaifi nuk i njihte. Ai ua pa vetëm këmbët dhe tha: "Këto këmbë kanë lidhje me njëra-tjetrën!" I gëzuar, Profeti shkoi te Hz. Aisheja dhe i tha: "O Aishe, Usame është i Zejdit!"[3] Duke sjellë kaifin, Profeti donte që institucionin e kaifit të pranuar nga populli dhe që kishte vendin e vet në jetën shoqërore, ta përdorte si një argument dhe provë të përshtatshme për këndvështrimin e popullit. Mes thënies së kaifit dhe asaj që dinte

Profeti, nuk kishte ndonjë kundërshti. Prandaj Profeti donte që thënia e kaifit të përhapej dhe pranohej në popull.


[1] Në lidhje me analogjinë dhe shembullin e mësipërm, duhet bërë ky sqarim: Grafiku i lëvizjes së trenave në një linjë apo në disa linja të caktuara hartohet në bazë të të dhënave reale, ndër të cilat, kryesore është shpejtësia e lëvizjes së trenit të një modeli të caktuar mbi një linjë të një modeli të caktuar. Për shembull, nga një tren që mund të lëvizë me shpejtësi maksimale 70-80 km./orë, nuk mund të kërkohet të lëvizë me 100 km./orë. Pastaj janë edhe të dhënat e tjera si shkëmbimi i trenave, shpeshtësia e lëvizjes, etj. Pastaj, pasi të hartohet grafiku i lëvizjes, ky kthehet për atë linjë apo ato linja, në diçka të detyrueshme dhe i gjithë sistemi organizativ dhe vullneti i gjithë ekipit drejtues administrativ e teknik do t'i nënshtrohet grafikut të hartuar, pra, grafiku do të kthehet në diçka determinuese, ndryshe do të krijohej një rrëmujë e madhe dhe do të shkaktoheshin aksidente. Madje, dihet se trenistët mbajnë përpara edhe grafikun e shpejtësive që duhet të zbatojnë në pika të ndryshme të linjës dhe mbajnë përgjegjësi penale për zbatimin tejet të përpiktë të grafikut. Prandaj kurrsesi nuk mund të ngrihet një analogji e plotë mes grafikut të lëvizjes së trenave dhe kaderit. Në botën e qytetëruar, veçanërisht shërbimet urbane dhe interurbane zbatohen sipas planeve dhe grafikëve shumë të përpiktë që janë të detyrueshëm për ta. Sigurisht që mund të ndodhin dhe ndodhin edhe shmangie, por ato gjithmonë trajtohen si parregullsi dhe përgjegjësi dhe shpesh pasohen nga aksidente të rënda.

[2] Kur'ani, Isra, 17/13.

[3] Buhari, Fedailu Ashabi'n-Nebi, 17.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.