Roli i Kaderit

Ne nuk e shohim vullnetin e njeriut me vështrimin e sotëm. Kjo është pikëpamja e sunnitëve që ne u themi Ehli Sunnet vel Xhemaat dhe që në çështjet e besimit përfaqësojnë shumicën e muslimanëve.

Duke i numëruar një e nga një të gjitha organet që formojnë qenien tonë, pranojmë se ato ekzistojnë dhe se janë të krijuara nga ana e Allahut. Për shembull, unë kam një kokë, koka ime ekziston dhe është e krijuar nga ana e Allahut. Unë kam një hundë dhe ajo është e krijuar nga Allahu. Unë kam këmbë, kam krahë, kam sy dhe të gjitha këto janë të krijuara nga ana e Allahut. Por për vullnetin nuk mundemi ta përsërisim të njëjtën fjali. Ne kemi vullnet, por, meqë vullneti nuk ka një trup të dukshëm, të jashtëm, nuk është i krijuar. Prandaj nuk mundemi ne ta shohim vullnetin tonë me vështrimin e sotëm.

Gjërat e papranishme janë gjëra të pakrijuara, por këto dihen nga Allahu, domethënë, edhe ato e kanë një trup në planin informativ. Por vetëm kaq. Vullneti dhe fuqia hyjnore nuk kanë hyrë në lidhje me to. Po të ndodhte ndryshe, pra, po qe se edhe vullneti ynë do të ishte krijuar dhe do të ekzistonte me një trup të jashtëm si organet tona, atëherë do të hynte në mes shtrëngimi, determinimi!

Zoti na krijoi ne pa na pyetur ne, pra, me detyrim. Po të na ish krijuar edhe vullneti kështu, nuk do të mund të bëhej fjalë për përgjegjësinë tonë për asnjë nga veprimet tona.

Ndërkaq, natyrisht që edhe askush nuk do të mund të kërkonte shpërblim për të mirat që kishte bërë ose do të bënte. Sepse si ai që do të bënte mirë, si ai që do të bënte keq, nuk do të kishte mundësi të vepronte ndryshe. Kurse me vullnetin tonë puna qëndron ndryshe. Vullneti i njeriut nuk është krijuar si ekzistent në vetvete. Ndoshta vullnetit i është dhënë një trup konvencional. Si vijat konvencionale dhe të dyshimta në gjeometri, edhe vullneti dhe zgjedhshmëria e pjesshme kanë një trup konvencional dhe i dyshimtë. Prandaj është e pamundur që një qenie dhe një trup i tillë të vlerësohet me peshore dhe njësi matjeje.

Ja pra, vullneti ynë ka një trup të tillë krahasues që s'ka asnjë peshë. Ndërkaq, vullneti ynë është kusht elementar për veprimtarinë dhe aktin krijues të Zotit (në lidhje me ne). E thënë ndryshe, kur vullneti ynë e bën atë që i takon – gjë që është prirje[1] ose akt prirjeje – Zoti e krijon aktin që dëshiron ai. E gjitha kjo do të thotë se, megjithëqë, qoftë prirja, qoftë akti i prirjes, nuk kanë në vetvete një trup të jashtëm, akti i krijimit është vënë në vartësi të prirjes apo aktit të prirjes, prandaj dhe vullneti fiton një vlerë krejt të veçantë.

Po deshët, le ta konkretizojmë këtë me një shembull të thjeshtëzuar. Plani apo projekti i një ndërtese që keni dhe vetëm e mbani në duar, nuk ushtron asnjë ndikim dhe ndërhyrje në bërjen e ndërtesës.

Po deshët, këtë plan apo projekt mbajeni çdo ditë me vete dhe mos ia ndani sytë fare, nuk do të bëni dot as një milimetër përparim në ndërtimin e ndërtesës. Me këtë aspekt, plani apo projekti nuk ka asnjë vlerë. Por në atë çast që të filloni nga ndërtimi, ky plan apo projekt do të fitojë një vlerë të veçantë, sepse atëherë, pa këtë plan apo projekt e keni të pamundur ta bëni ndërtesën. Edhe vullneti i njeriut është si ky plan apo projekt. Edhe ai përbëhet nga vija konvencionale dhe të dyshimta. Ndërkaq, është akti krijues i Zotit që do ta sendërtojë kuptimin që shpreh plani apo projekti që ne i themi zgjedhshmëri e pjesshme ose vullnet i pjesshëm. Pra, të vihet re me kujdes se akti krijues i Allahut është sipas këtij plani, prandaj dhe burimi i përgjegjësisë së njeriut është te ky funksion i vullnetit.

Edhe pse vullneti ynë është diçka që në vetvete nuk ka ndonjë peshë ose vlerë, meqë Allahu ka për t'i krijuar punët tona sipas këtij plani, ne bëhemi shkak për krijimin e tyre. Po qe se akti ose puna për krijimin e së cilës bëhemi shkaktarë, është gjë e mirë, ne fitojmë shpërblim, kurse po të jetë e keqe, dënohemi me ndëshkim. Shihet se përfundime të mëdha dhe shumë të rëndësishme vërtiten gjithmonë rreth këtij vullneti që është i dyshmitë, teorik dhe kusht elementar. Atëherë, themi se nuk ka determinizëm (përcaktim) absolut, por determinizëm të kushtëzuar, ka. Ai që krijon, është Allahu, por Allahu e ka bërë vullnetin e njeriut kusht elementar për aktin e vet krijues. Në këtë pikë, njeriu duhet të mendohet mirë dhe duhet ta ruajë ekuilibrin mes kaderit dhe vullnetit. Në fakt, hymë në njërën prej çështjeve më komplekse të temës së kaderit. Prandaj, le të përpiqemi ta parashtrojmë këtë temë me disa shembuj.

Ju prekni butonin e një mekanizme të madhe elektrike. Mirëpo është tjetërkush që e ka përgatitur këtë mekanizmë të madhe. Ai ka ngritur një sistem të tillë që ju, sapo ta shtypni butonin, e mbytni në dritë pothuajse tërë botën! Mes këtij veprimi të vogël që bëtë ju dhe përfundimit të madh të dalë në shesh me të, nuk duket ndonjë lidhje e arsyeshme. Mes shkakut dhe përfundimit nuk ka asnjë përshtatshmëri dhe përputhje! Kjo, në një aspekt, si mrekullitë e profetëve…

Nga ana tjetër, këtë mund ta krahasojmë edhe me punët lidhur me botën tonë fizike. Ja për ju aventura e një kafshate që hëngrët: Ju thoni: "hëngrëm bukë". Kurse unë them "jo, nuk hëngrëm bukë; Allahu na bëri të hamë"! Ndoshta ju në fillim do ta pranoni këtë fjalën timen si shprehje respekti. Por kur ta bëni analizën e çështjes, do të shihni se, në fakt, e drejtë paska qenë ajo që thashë unë. Si? Ja, shihni:

Ne e çojmë kafshatën në gojë. Kush na e dha atë kafshatë? Në ç'etapa kaloi ajo kafshatë gjersa erdhi në atë gjendje? Si e ngrohu dielli? Në ç'kushte e rriti toka atë? Me ujin e kujt e ujitët dhe me ajrin e kujt ia dhatë për frymëmarrje?

Atë kafshatë që e futët pastaj në gojë, e merr në ngarkim një mekanizëm tjetër. Pastaj as dini gjë se ç'po ndodh me të, as mund të ndërhyni. Po të përpiqeshit ta bënit me vullnetin tuaj ngrënien e ushqimit dhe tretjen e ushqimit të ngrënë, disa herë do ta kafshonit gjuhën, disa herë do të harronit ta vinit në punë stomakun dhe, disa herë, do të mërziteshit nga vënia në punë e stomakut dhe zorrëve do t'u dërgonit gjëra të pabluara. Kurse në çastin kur kafshata na hyn në gojë, madje vetëm duke e parë ushqimin, goja fillon të na lëngëzojë. Sipas llojit të kafshatës që futëm në gojë, sekretohen një sërë acidesh. Sasia e acidit të sekretuar ndryshon sipas gjendjes së kafshatës që kemi në gojë. Po qe se do të sekretoheshin të njëjtat acide, pavarësisht nga lloji dhe sasia e ushqimit, asnjëherë nuk do të merrej përfundimi i kërkuar. Kjo do të thotë se duke filluar të vihen në veprim, gjëndrrat e sekretimit kryejnë një funksion sipas lehtësisë apo vështirësisë së tretjes së kafshatës që kemi futur në gojë.

Veprimtaria e stomakut është shumë më komplekse. Edhe stomaku e kryen detyrën e vet gjer në imtësitë më të vogla. Pastaj kryejnë detyrat e tyre zorra dymbëdhjetëgishtëshe dhe mëlçia e zezë. Mëlçia e zezë kryen gjer më treqind punë. Kurse askush prej nesh nuk di asgjë për këtë fabrikë që punon shumë mirë brenda nesh. Atje çdo gjë është në qetësinë më të madhe të mundshme. Pastaj kalojnë në veprim zorrët. Ndër detyrat e zorrëve është që t'i thithin lëndët ushqyese me anë të qimeve thithëse për t'i kaluar në damarë. Në veshkat ndodh kullim. Lëndët helmuese nuk lejohen të bllokojnë rrugët e urinës.

Duke zhvilluar funksionin e vet, mëlçia vë në punë vetëm gjysmën e elementëve funksionalë, kurse gjysmën tjetër i lë në rezervë. Që nga çasti kur e futëm kafshatën në gojë e gjer kur përfundon i gjithë procesi i tretjes dhe i përvetësimit të lëndëve ushqimore dhe i eliminimit të mbetjeve, ne as marrim pjesë, as mund të ndërhyjmë në këtë varg procesesh. Eshtë Allahu që i krijon drejtpërdrejt këto veprimtari.

Atëherë, le ta përsërisim edhe një herë tjetër çështjen. A është e drejtë të themi "hëngra bukë" apo "Allahu na bëri të hamë bukë"? Kurse ne zgjedhim një rrugë shprehjeje të figurshme dhe themi "hëngrëm bukë". Por po të duhej ta përdornim fjalën në kuptimin e saj të vërtetë, duhej të thoshim "Allahu na bëri të hamë"!

Ja pra, kur ta shohim çështjen nga kjo pikë, vërejmë se edhe në punët që i bëjmë me vullnetin tonë, gjendja nuk është shumë e ndryshme nga kjo. Prandaj e përngjasuam çështjen me mrekullinë.

Ngjashmëria e përbashkët këtu është mungesa në të dy rastet e parimit të përputhshmërisë së shkaqeve. Kjo është kështu: Mendoni një pallat dhe një milingonë që qëndron pranë tij. Po qe se ngrihet dikush dhe thotë se pallatin e ka bërë milingona që ka qëndruar pranë tij, kjo s'do të ishte e besueshme në bazë të parimit të përputhshmërisë së shkaqeve. Kështu janë edhe mrekullitë e treguara nga profetët.

Ato janë argumente dhe prova të profetësisë së tyre. Pra, meqë ne e shohim të pamundur që të dalë diçka e tillë e jashtëzakonshme nga dora e një njeriu të zakonshëm, mbetemi të detyruar të themi – në fakt ashtu është - se mrekullitë u jepen profetëve nga ana e Allahut. Ja pra, mbështetur mbi këto specifika, e njëjta gjendje është edhe te aktet e atribuara vullnetit tonë të pjesshëm që është identitet i një vije hipotetike.

Për shembull, Profeti ynë bën shenjë me dorë dhe hëna bëhet dypjesëshe.[2] Një radhë tjetër, gishtat e të njëjtës dorë kthehen në një çezmë me dhjetë currila.[3] Ashtu siç është e pamundur t'ia atribuosh këta përfundime materies që formalisht duket si shkak, është e pamundur edhe që të gjitha aktet që i caktohen vullnetit tonë, t'ia atribuojmë vetes. Eshtë Allahu që i krijon të dyja: "Allahu ju krijon edhe ju, edhe bëmat tuaja!"[4] Ky ajet na e kujton neve këtë të vërtetë. Pranimi i kësaj çështjeje është domosdoshmëri fetare.

Profeti ynë e ka nënvizuar këtë domosdoshmëri dhe ata që bien në mendime deviatore, i ka cilësuar si zoroastrianët e këtij ummeti (bashkësie). Ai ka thënë: "Çdo ummet ka zoroastrianët e vet, kurse zoroastrianët e këtij ummeti janë ata që thonë se "nuk ka kader"![5] Sepse ata ia lënë të mirën dhe të keqen Allahut dhe e pranojnë njeriun krijuesin

e aktit të vet. Në fillim, emri "kaderitë" u qe dhënë deterministëve. Por më vonë, në përputhje me kuptimin e hadithit, ky emër iu dha mohuesve të kaderit dhe kështu, ky emër gjeti të zotin e vërtetë.

Në ditët tona "kaderitë" quhen përsëri mutezilitët, të cilët e ruajnë, me pak ndryshime, qenien e tyre të vjetër.

Edhe mendimi se në punët që kryen, njeriu nuk ka asnjë lloj funksioni, u përket xhebritëve. Por, siç e theksuam me këmbëngulje edhe më lart, as kjo pikëpamje nuk është e drejtë. Kurse sunnitët, me të vërtetën e marrë prej të dyve, përfaqësojnë rrugën e mesme. Kjo është rruga e mbrojtur nga ekstremizmi i djathtë e i majtë. Ai që e krijon aktin tonë, është Allahu, kurse ai që e kërkon, jemi ne. Atëherë, përgjegjësia bie mbi ne. Kjo është pikëpamja sunnite!


[1] Në origjinal, mejelan: inklinacion, prirje.
[2] Muslim, Munafikun, 43-47; Buhari, Menakib, 27.
[3] Buhari, Vudu, 46, 32; Menakib, 25, Eshribe, 31; Muslim, Zuhd, 74, Fedail, 4-6.
[4] Saffat, 37/96.
[5] Ibni Maxhe, Mukaddime, 10; Musned, II/86, 125, V/407.