Orientimi ku Merret Parasysh Vullneti i Njeriut

Duke dërguar pretekste të ndryshme, Allahu (xh.xh.) i orienton njerëzit e i fut në rrugë të drejtë. Si profetët që bëhen shkak për orientimin e njerëzve, ashtu dhe librat hyjnorë të dërguar bëhen shkak për orientimin e njerëzve dhe hyrjen e tyre në rrugë të drejtë. Edhe veprimtaritë kumtuese dhe orientuese të njerëzve që kryejnë kumtim (fetar), mund të pranohen në këtë kuptim si shkaqe dhe mjete për orientimin e njerëzve dhe hyrjen e tyre në rrugë të drejtë. Ndërkaq, këtu është një pikë që s'duhet harruar: Zoti dërgon shkaqe të tilla të ndryshme, por askënd nuk detyron t'i pranojë ato dhe mjetet në fjalë. Në këto kushte ndodh që edhe një njeri që jeton në shtëpinë e profetit, madje, të mos orientohet, të mos ta gjejë dot rrugën e drejtë. Ose ndodh e kundërta: një besimtar të rritet në pallatin e faraonit! Natyrisht që në këtë lloj orientimi hyn në veprim gjithmonë vullneti i njeriut. Allahu (xh.xh.) i krijon të gjitha shkaqet që çojnë në orientim, por orientimin e vë në vartësi të vullnetit të njeriut. Vullneti i njeriut, kjo qenie relative me përbërje dhe cilësi të panjohur, edhe këtu është një kusht elementar.

Ky lloj orientimi trajtohet në shumë ajete të Kur'anit. Ne këtu do të përmendim dy prej tyre.

a) "Ne i patëm treguar popullit Themud rrugën e drejtë, por ata zgjodhën në vend të saj, verbërinë. Atëherë ata i goditi rrufeja e një ndëshkimi poshtërues!"[1]

Kjo do të thotë se, në fakt, popullit Themud i pati shkuar shkaku orientues. Ky shkak ishte profeti Salih (a.s.). Por, me vullnetin dhe zgjedhjen e tyre të lirë, ata zgjodhën verbërinë dhe ranë në greminë.

b) Allahu (xh.xh.) ka dërguar shumë e shumë profetë që të bëhen shkaqe për orientim në mënyrë që ata që shmangen me vullnetin e vet, të mos paraqesin asnjë justifikim:

"… dhe dërguam profetë përgëzues e frikësues që njerëzit të mos kenë ndonjë argument para Allahut. Allahu është Aziz (i shenjtë) dhe Hakim (i urtë)!"[2]

Njerëzit nuk janë në gjendje të paraqesin asnjë përligjje për shmangiet dhe mëkatet e tyre, sepse profetët e ardhur njëri pas tjetrit ua kanë treguar atyre të vërtetat në tërë lakuriqësinë e tyre.

Ata ua kanë treguar njerëzve një për një pasojat e rënda të të këqijave dhe se në ç'maja mund ta ngrenë njeriun të mirat.

"Ne të dërguam ty përgëzues me të vërtetën dhe edhe si paralajmërues. Edhe mes popujve të kaluar është ndodhur patjetër një paralajmërues!"[3]

Po, nuk ka asnjë popull apo bashkësi shoqërore mes të cilëve të mos ketë dalë një profet. Nisur nga kjo, çdo bashkësie i ka ardhur patjetër një profet i cili, si përgëzues e paralajmërues, u ka kumtuar atyre të vërtetat dhe pas kësaj, Allahu (xh.xh.) ka krijuar orientimin për ata që i kanë ndjekur profetët me vullnetin e tyre të lirë. Kurse ata që kanë parapëlqyer mbrapshtinë dhe mëkatin, pra, rrugën e shtrembër, kanë mbetur në atë rrugë, gjë që do të thotë se Zoti ka dëshiruar për ta çorientimin. "Ne s'ndëshkojmë askënd pa i dërguar profet!"[4]

Allahu dërgoi profetë për t'ia prerë zërin çdokujt dhe për të mos lënë asnjë hapësirë për kundërshtim. Edhe profetët, si pishtarë të së vërtetës, u bënë udhërrëfyes mes popujve të tyre. Kurse neve na ra si pjesë jo një pishtar, por dielli i orientimit dhe i rrugës së drejtë, sepse ai që na erdhi neve, qe Hz. Muhammedi (a.s.), Mbreti i Profetëve!

As për ne nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë justifikim çfarëdo, sepse jo vetëm që dëgjuam e ndjemë zërin dhe frymëmarrjen e Profetit tonë, por atë ditë e sot, shprehjet magjepsëse të Kur'anit vazhdojnë çdo çast të na e ledhatojnë botën tonë të brendshme!

Krahas kësaj, në mënyrë të posaçme, në krye të çdo shekulli, Zoti dërgoi nga bujaria e tij e lartë nga një novator të veçantë,[5] na i pastroi zemrat nga tymrat dhe pluhurat që na e patën mbështjellë botën tonë të brendshme. Me ndërmjetësinë e tyre, njeriu i çdo shekulli i solli përsëpari jetës besimore e fetare një gjallëri të re. Por ndërsa ndodhnin të gjitha këto, vullneti i njeriut nuk u la pas dore. E thënë ndryshe, duke krijuar shkaqet dhe mjetet që çonin në orientim, krijimin e orientimit e vuri në vartësi të dëshirës volitive të njeriut.

Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një orientim të determinuar ose të paradeterminuar.

Kurse disa herë Allahu (xh.xh.), duke marrë parasysh denjësinë e njeriut, i krijon orientimin dhe çorientimin drejtpërdrejt.

Allahu dërgon Profetin e vet[6]. Profeti ia kumton fenë Hz. Ebu Bekrit. Edhe ai, pa ngurruar aspak, e pranon mesazhin e kumtuar atij dhe, para të vërtetës, dorëzohet pa një pa dy sikur të ishte shkrirë! Me anë të orientimit, zemra i mbushet me dritë dhe ndërkaq ngjitet në majën e besnikërisë[7]!

Allahu (xh.xh.) e dërgon prapë Profetin e vet dhe para tij këtë radhë del dikush si Ebu Xhehli. Duke e ditur me dijen e Tij të përjetshme se Ebu Xhehli nuk do të jetë i denjë për orientim, Allahu (xh.xh.) krijon për të çorientimin. Edhe Ebu Xhehli vetë e vërteton me aktet, pra, me sjelljet dhe veprimet e veta, këtë përfundim dhe vendim të dhënë për të nga Zoti! Çdo ditë që shkon, ai e shton edhe ca mohimin dhe herezinë e vet. Ai ecën teposhtë. Më në fund, e mbyll jetën në luftën e Bedrit duke luftuar kundër Profetit, ku rrokulliset përjetësisht në gropë![8]

c) Në ajetin në vijim, Kur'ani i ka përmbledhur të dy llojet e orientimit duke tërhequr vëmendjen për to:

"Allahu bën thirrje për shpëtim dhe atë që dëshiron, e vë në rrugë të drejtë!"[9]

Duke përdorur shkaqe të ndryshme, Zoti i fton njerëzit në orientim, në rrugën e drejtë[10]. Por kur vjen puna për hyrjen në rrugë të drejtë, e kushtëzon këtë me dëshirën e vullnetshme të vet: kë të dojë, e vë në rrugë të drejtë, kë të dojë, e lë në rrugë të shtrembër!

Ndërkaq, një aspekt i vogël i çështjes i përket njeriut. Po qe se njeriu i përgjigjet pozitivisht ftesës së Allahut dhe përpiqet të përfitojë nga shkaqet e orientimit, Allahu shfaqet me dëshirën volitive të Tij dhe e fut atë në rrugë të drejtë.

Kur'ani është burim orientimi dhe rruge të drejtë. Nga ai mund të përfitojnë vetëm ata që dëshiron Allahu dhe Kur'ani bëhet shkak orientimi dhe rruge të drejtë vetëm për ta. Në Kur'an për të thuhet se "është burim orientimi për të bindurit"[11]. Nga mënyra e të shprehurit të ajetit kuptojmë se njeriu në fillim do të përpiqet të bëhet i bindur dhe do të tregojë se është i denjë për të përfituar nga Kur'ani. Ky është aspekti që i përket njeriut. Kurse aspekti që i përket dëshirës së vullnetshme të Zotit, tregohet disa ajete më poshtë ku thuhet kështu:

"Ja pra, ata janë në rrugë të drejtë prej Zotit të tyre!"[12]

Janë ata që i kanë besuar së fshehtës, që kanë falur namaz, që kanë mbajtur agjërim, që kanë dhënë zeqat, që i kanë besuar librit të dërguar atyre vetë si dhe librave të dërguara paraardhësve të tyre dhe e kanë vërtetuar ringjalljen e jetën tjetër. Ky qëndrim i ka nxjerrë ata në nivelin e të qenit të bindur dhe Allahu (xh.xh.) ka dëshiruar për ta orientim dhe ka krijuar për ta orientim.

d) "(O i Dërguar!) Ja, edhe ty të dërguam Xhebrailin me urdhrin tonë. Ti nuk e dije ç'ishte libri, ç'ishte besimi. Por Ne e bëmë atë dritë me të cilën i vëmë në rrugë të drejtë ata nga robtë tanë që dëshirojmë. Pa dyshim, edhe ti po u tregon njerëzve rrugën e Allahut, Zotit të qiejve dhe tokës, rrugën e drejtë. Dijeni mirë se, në fund, punët kthehen te Allahu!"[13]

Ja, siç tregohet edhe në këtë ajet, në orientim dallojmë dy shkallë. Në shkallën e parë ka vetëm shkak dhe ndërmjetësim, të cilat Kur'ani disa herë i cilëson si vënie në rrugë të drejtë. Në fakt, ky lloj orientimi ose kjo lloj vënie në rrugë të drejtë nuk shkon më tej se ndërmjetësimi. Kurse shkalla e dytë e orientimit është krijimi nga Zoti i orientimit në zemrën e njeriut. Këtë krijim Zoti e bën si me anë të shkaqeve, ashtu dhe drejtpërdrejt. Ndërkaq, ky lloj orientimi apo vënieje në rrugë të drejtë nga Zoti drejtpërdrejt është thjesht një favor i Tij. Të mëdhenjtë tanë i kanë thënë kësaj "favor i detyruar" ose "favor me shtrëngim". Lutja jonë për Zotin tonë është të na vërë në rrugë të drejtë me një favor të tillë të detyruar!

Edhe orientimi, edhe çorientimi marrin formë drejtpërdrejt me anë të aktit krijues të Zotit. Ky hadith profetik që e shpreh këtë ide, e ndriçon plotësisht këtë të vërtetë:

"Unë u dërgova si kumtues dhe ftues. Unë s'kam asnjë kompetencë apo ndërhyrje në çështjen e orientimit dhe vënies së njerëzve në rrugë të drejtë. Edhe djalli është dërguar për t'jua treguar juve të shtrembrën të stolisur dhe për t'ju nxitur në teprim. As ai s'ka kompetencë dhe gjë për të thënë në çështjen e orientimit!"[14]

Me vullnetin e tij njeriu kërkon. Pastaj Zoti e krijon atë që ka kërkuar njeriu. Ndërkaq, njeriu, ndërsa ka pak fuqi për të bërë mirë, ka një fuqi të dukshme për të bërë mëkat dhe të keqe, sepse të këqijat dhe mëkatet janë të llojit shkatërrues. Ashtu siç mund të djegë një shtëpi me një fije shkrepse, njeriu mund të bëjë mëkat dhe të keqe me një vullnet të vogël. Ndërkaq, të gjitha mbarësitë dhe mirësitë që i vijnë atij, janë prej Zotit. Ajo që i takon të bëjë njeriut është të tregojë vendosmëri në portën e mbarësive dhe mirësive. Për sa kohë që synimi dhe vendosmëria e njeriut të jenë mirësia e mbarësia, Allahu (xh.xh.) do t'ia mundësojë atij mbarësinë dhe mirësinë dhe do t'ia lehtësojë të gjitha rrugët e mbarësisë dhe mirësisë. Po qe se orientimi shihet nga ky këndvështrim, është i nevojshëm për çdokënd dhe në çdo vend e kohë!


[1] Fussilet, 41/17.
[2] Nisa, 4/165.
[3] Fatir, 35/24.
[4] Isra, 17/15.
[5] Ebu Davud, Melahim, 1.
[6] Eshtë fjala për profetin Muhammed.
[7] Hz. Ebu Bekrit i qe dhënë titulli "Besnik".
[8] Ibni Kethir, el-Bidaje, III, 350.
[9] Junus, 10/25.
[10] Në origjinal: sirati mustakim.
[11] Bakara, 2/2.
[12] Bakara, 2/2.
[13] Shura, 42/52-53.
[14] Kenzu'l-Ummal, I, 546.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.