Kazaja dhe Kaderi nga Këndvështrimi i Parashkrimit

Nga këndvështrimi i dijes hyjnore, caktimi dhe vlerësimi në të kaluarën i ngjarjeve që kanë për të ndodhur në të ardhmen dhe, pastaj, kryerja e tyre kur u vjen koha, janë një fiksim hyjnor i kazasë dhe kaderit, kurse shënimi i materies dhe i ngjarjeve në çastin e realizimit është parashkrim i llogarisë së punëve për njeriun. Të gjitha ngjarjet dhe aventura e jetës sonë shënohen çdo çast e pa pushim. Këtë ne e quajmë "caktimi dhe vlerësimi i përditshëm". Eshtë edhe një caktim dhe vlerësim tjetër i bërë nga engjëjt, për të cilët në Kur'an thuhet: "... engjëjt bujarë që i dinë bëmat tuaja...".[1] Caktimin dhe vlerësimin tjetër na e tregon ajeti Kur'anor:

"Bëmat e çdo njeriu ia varim në qafë. Këtë libër që njeriu do ta gjejë të hapur, do t'ia nxjerrim para ditën e kiametit."[2] Sipas këtij dekretimi, trajtimi i njeriut në jetën e përtejshme do të zhvillohet sipas këtij parashkrimi.

Pra, më parë është një parashkrim informativ pa trup të jashtëm ose jomaterial që ne i themi Levhi Mahfudh (Tabela e Kujtesës). Pastaj është edhe libri i shkruar më pas nga engjëjt dhe që ka trup të jashtëm ose material ku janë shënuar dhe fiksuar bëmat e njerëzve. Në të vërtetë, po të ballafaqohen këta dy libra, do të vërehet se mes tyre nuk ka ndonjë ndryshim as sa një shkronjë. Pra, njeriu ka bërë gjithmonë dhe vetëm atë që ka qenë caktuar, vlerësuar dhe fiksuar për të që më parë. Ndërkaq, është vullneti ynë shkaktari që libri jomaterial ka marrë formë materiale, sepse parashkrimi i dytë bëhet duke marrë parasysh vullnetin tonë.

Vendimi në Gjykatën e Lartë do të jepet sipas ballafaqimit të këtyre dy librave. Në këtë ballafaqim, engjëlli do të thotë "unë kam shkruar këto", kurse Zoti do të tregojë një libër dhe do të thotë: "Edhe unë, po këto kam shkruar, meqë i kam ditur të gjitha ato që kishte për të bërë ai!" Dhe aty do të shihet se të dy librat janë identikë të njëri-tjetrit. Njërin nga librat e mban në dorë Allahu (xh.xh.), kurse tjetrin engjëlli. Emri i këtij është caktuar nga Zoti si "engjëll shkrues". Engjëjt shkrues janë engjëj famëlartë që s'kanë të bëjnë me cilësi të ulta. Shënimet e këtyre, në mjedisin engjëllor të të cilëve nuk mund të futet e keqja, janë aspekti i dytë i kazasë dhe kaderit.

Allahu (xh.xh.) së pari përvijon planin e të gjitha ngjarjeve duke u dhënë atyre një trup informativ. Pastaj, duke ushtruar mbi këtë trup informativ fuqinë dhe vullnetin e vet, u jep ngjarjeve trup të jashtëm, material. Pra, së pari çdo gjë shkruhet sipas gjendjes së vet në trupin informativ. Pastaj njeriu sillet dhe vepron krejtësisht në përshtatje dhe përputhje me ato shkrime. Dhe sjelljet e veprimet e tij i shkruajnë engjëjt.

Dhe tani le të përpiqemi ta shpjegojmë këtë çështje nën dritën e një ajeti:

"Pas Dhikrit, Ne shkruam në Zebur kështu: "Me të vërtetë, tokën do ta trashëgojnë robtë e mi të mirë!"[3]

"Dhikr" ose do të thotë "këshillë", ose, këtu, ka kuptimin "Teurat". Ose, me një kuptim të përgjithshëm, do të thotë "Levhi Mahfudh". Në këto kushte, ajetin mund ta kuptojmë kështu: "Pasi shkruam në Levhi Mahfudh, Ne, edhe në librat e dërguara profetëve të tjerë, duke cituar nga Levhi Mahfudhi, shkruam se robtë tanë të mirë do të bëhen trashëgimtarë të botës!"

Zotëruesi i vërtetë dhe në periudhë të gjatë i tokës janë vetëm njerëzit e mirë, kurse zotërimi i të tjerëve është kalimtar si shkreptima dhe shuarja e një rrufeje. Me anë të një procesi të vazhdueshëm ripërtëritjeje, vetëm njerëzit e mirë si dhe kombet dhe shoqëritë e mira të përbërë nga njerëz të mirë do të jenë ata që do të zotërojnë dhe sundojnë në tokë në mënyrë të vazhdueshme. Kjo është fiksuar më parë si ligj në Levhi Mahfudh, pastaj, duke u cituar prej atje, është shënuar në Zebur. Po një ligj i tillë hyjnor ekziston në Zeburin e pakorrigjuar, të dhënë në dorë të Hz. Dautit.

Në lindje dhe perëndim të botës, sistemet e dala jashtë dëshirës së Zotit, faraonët dhe njerëzit e këqinj që hedhin shtat në çdo vend, mund të urdhërojnë dhe sundojnë për një periudhë kohore të caktuar dhe kalimtare. Kjo dukuri nuk bie në kundërshtim me ligjin e shkruar në Levhi Mahfudh dhe Zebur, të shënuar dhe të lajmëruar në Kur'an. Sepse trashëgimi për të cilin po flitet, është zotërimi dhe sundimi i vazhdueshëm dhe për një kohë të gjatë. Kurse fitorja dhe sundimi i përkohshëm i të tjerëve mbështetet vetëm në urtësinë e përshpejtimit të procesit të riorganizimit të muslimanëve. Ky është një ligj hyjnor dhe askush nuk do të ketë fuqi ta ndryshojë!

Nga ata që jetojnë në një periudhë të caktuar, kush të ketë moral të mirë ose kush të ketë moral më të mirë në krahasim me të tjerët, do të jenë zotëruesit dhe sunduesit e botës. Ndërkaq, pikëvështrimi ynë në këtë çështje është ky: Po qe se moralin e mirë e kuptoni vetëm si vajtje-ardhje e herëpashershme në faltore (xhami), gënjeheni. Morali i mirë është formimi gjatë gjithë jetës me një moral si të profetëve. Pjesë e këtij morali janë kuptimi i gjërave dhe ngjarjeve, rrokja e marrëdhënies mes njeriut dhe gjithësisë. Gjithashtu, pjesë e këtij morali janë mundësia dhe aftësia për t'i ruajtur në të njëjtën masë thellësinë e botës së brendshme me meditimin e jashtëm. Njeriu që ka mundur ta rrokë përjetësinë në këtë mënyrë, është edhe ai që e ka arritur mirësinë në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Ata që shkaktojnë anarki, që i përgjigjen krimit me krim, që me anë të çështjeve politike i mashtrojnë njerëzit, veçanërisht të rinjtë, që prodhojnë pa pushim parrulla për ta prirur opinionin publik në kahjen e vet, që e lënë këshillimin dhe u besojnë mendjeve të veta, kurrë s'kanë për ta ngritur dot zotërimin dhe sundimin e tyre në kuptimin e vërtetë të saj. Një ditë, bashkë me lindjen e diellit, edhe ata me siguri do ta kuptojnë se në ç'errësirë përpiqen të ecin dhe do t'i pohojnë gabimet. Po, njeriu është krijuar si qenie e përkryer dhe një ditë do ta gjejë patjetër vijën e vet. Në të kundërt, do të thotë që ligji hyjnor nuk është i drejtë. Mirëpo Allahu (xh.xh.) thotë:

"Pa e ndryshuar një popull gjendjen e vet, Allahu s'ka për ta ndryshuar!"[4]

Kjo specifikë ka marrë formë përfundimtare me anë të një ligji tjetër hyjnor:

"Në aktin krijues të Allahut nuk ka ndryshim!"[5]

Nëse një popull ose një komb është i çmuar dhe i lartë, Allahu nuk e poshtëron. Nëse një popull ose një komb është kurorë për të tjerët, Allahu nuk e lëshon nën këmbët e të tjerëve. Por nëse një popull ose një komb bën ndryshime në thelbin e vet, edhe Allahu i ndryshon. Kjo është kështu edhe në kuptim pozitiv, edhe në kuptim negativ. Atëherë, para së gjithash, "ruajeni vetveten"! Thellohuni në vetvete. Përpiquni të ngadhnjeni në vetvete. Po qe se dëshironi të bëheni ngadhnjyes, fillojani duke ngadhnjyer kalanë e vetvetes. Ai që s'është ngadhnjimtar në botën e vet të brendshme, s'mund të bëjë asgjë jashtë!

Allahu është me ata që druhen dhe që e kanë rrokur sekretin e mirësisë.[6] Ata që e kanë rrokur këtë të fshehtë, do të thotë se kanë hyrë në shoqërinë hyjnore. Ç'është sekreti i mirësisë? Eshtë vetëdija e adhurimit sikur ta shihje Zotin. Eshtë ndriçimi i brendshëm dhe thellimi i ndjenjave. Eshtë fitimi nga individi i aftësisë për ta zotëruar botën e vet të brendshme pasi të ketë shpëtuar nga robëria e egoizmit. Eshtë fillimi i ngadhnjimit të jashtëm nga brenda dhe ruajtja e kësaj cilësie në çdo etapë të ngadhnjimit. Në një kuptim tjetër, është arritja e plotë e paqes.

Në këtë temë të gjatë patëm kaluar nga parashkrimi. Çështja jonë thelbësore është fakti që këtë dhe disa ligje të tjera të ngjashme Zoti i ka fiksuar me një shkrim të pandryshueshëm në Levhi Mahfudh. Por, për shkak të rëndësisë së kësaj çështjeje, nuk do të kaloj dot pa cituar edhe këtë ajet lidhur me temën, me kusht që të mos e kapërcej kornizën e marrëdhënies me kaderin. Në këtë ajet, Zoti urdhëron:

"Atyre ndër ju që kanë besuar dhe bëjnë punë të mira, Allahu u ka dhënë fjalën se, ashtu siç i patë bërë zëvendës paraardhësit e tyre, do t'i bëjë edhe ata, se fenë që ka zgjedhur për ta, do ta bëjë krejtësisht të praktikueshme e të jetueshme dhe se frikërat do t'ua kthejë në siguri. Sepse ata e adhurojnë Atë dhe nuk i bëjnë asgjë shok Atij. Personat që do të mohojnë pas kësaj, janë vetë mëkatarët!"[7]

Allahu (xh.xh.) u premton atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira. Ky është premtimi i Allahut që është krejtësisht e pamundur të kthejë nga fjala. Ai është i aftë për ta sjellë në vend fjalën e dhënë. Dhe Ai është sunduesi i vetëm i çdo gjëje. Atëherë, Allahu (xh.xh.) që premton se ata që besojnë dhe bëjnë punë të mira, do t'i bëjë zëvendës të Tij mbi tokë, patjetër do ta çojë në vend këtë premtim!

Atëherë, frerët e jetës shoqërore do të kalojnë në dorën tuaj, jeta ekonomike do të marrë formë përsëpari me anë të rregullimeve që do të bëni ju, edukata individuale e shoqërore do të hyjë përsëri në rregullin e përgjithshëm dhe pikërisht atëherë njerëzimin do ta drejtoni dhe administroni ju! Fjala e fundit do t'ju takojë juve! Ata që e përpjesëtojnë botën përreth tryezave të rrumbullakta, pas kësaj, kur të jenë duke marrë vendim, do t'ju shohin ju në fytyrë dhe, sipas urdhrit tuaj, gjeografia shoqërore do të japë forma të reja, ata do të përpiqen të kapin kuptime nga shikimet, nga gjestet dhe mimika juaj dhe ju përsëri, siç ka ndodhur në historinë tuaj, do të kurorëzoni dhe çkurorëzoni. Mbretërit do ta quajnë shpërblimin më të çmuar të jetës të trajtohen si roje të portës suaj dhe çdo fjalë, të dalë nga goja juaj do ta kuptojnë si urdhër. Po të thoni ju "po" për një punë, ajo do të bëhet; po të thoni "jo", ajo do të hiqet nga propozimi dhe fuqia. Sepse atë ditë ju do të jeni mbreti i caktuar nga Zoti!

Këtë mos e merrni si një shpresë utopike, sepse të gjithë ata që e patën arritur në të kaluarën mirësinë dhe paqen, patën arritur në këto maja, sepse ky ligj hyjnor është i vlefshëm dhe në fuqi për të gjitha kohët dhe vendet. Atë ditë kur ju ta keni arritur mirësinë dhe paqen, të njëjtat rezultate dhe përfundime do të jenë edhe tuajat në mënyrë absolute e të pamënjanueshme!

Pra, bëhet fjalë për dy parashkrime veç e veç. Parashkrimi i parë përbëhet prej shënimeve në Levhi Mahfudh ku çdo gjë është e regjistruar me trupin e vet informativ. Parashkrimi i dytë është shënimi i ngjarjeve që ndodhin një e nga një. Këtu, gjërat dhe ngjarjet shfaqen me trupin e tyre të jashtëm. Ndër këto, përgjegjësia e akteve të vullnetshme i përket plotësisht vetë vullnetit.

Ajeti në vijim i përmend të dy parashkrimet bashkë dhe, në një vështrim, nënvizon thelbin e atyre që po thuhen:

"Pa dyshim, Ne jemi që i ringjallim të vdekurit dhe që i shkruajmë ç'kanë bërë e ç'kanë lënë pas. Çdo gjë e kemi shënuar në një libër krejt të qartë!"[8]

Të gjitha aktet e kryera nga njeriu dhe sadakatë me veprim të përhershëm që lë pas, shkruhen një e nga një. Ja, ky është shkrimi i dytë. Por çdo gjë është parashkruar që më parë me trupin e vet informativ. Ja, për këtë na flet ajeti: "Çdo gjë e kemi shënuar në një libër krejt të qartë!"

Në ajetin më poshtë është shpjeguar mjaft hapur e qartë se çdo gjë është e shënuar në Levhi Mahfudh pa nënvleftësuar asgjë:

"Edhe kafshët që ecin në tokë dhe zogjtë që fluturojnë me flatra janë popullata si ju. Ne s'kemi lënë asgjë mangut në Libër. Ata do të mblidhen pastaj te Zoti i tyre!"[9]

Edhe pse një pjesë specialistësh të tefsirit e kanë kuptuar fjalën Libër për Kur'an, shumica e tyre i kanë dhënë Librit kuptimin e Levhi Mahfudhit.

"Ekzistonte vetëm Allahu dhe asgjë tjetër. Meqë s'kishte përfytyrim dhe mendim, s'kishte as mendim për mosekzistencën. Arshi qëndronte mbi mâ (eter). Dhe Allahu e shkroi dhe e fiksoi çdo gjë në Dhikr. Pastaj, sipas atij plani, krijoi gjithësinë!"[10]

Këtë parashkrimin e parë, në aktet e vullnetshme e ndjek një parashkrim tjetër, i dytë, i cili formon pamjen e dytë të kaderit.


[1] Infitar, 82/11-12.
[2] Isra, 17/13.
[3] Enbija, 21/105.
[4] Ra'd, 13/11.
[5] Rum, 30/30.
[6] Këtu autori përdor termin mistik "ihsan" dhe bën fjalë mbi këtë koncept duke e zbërthyer domethënien e tij.
[7] Nur, 24/55.
[8] Jasin, 36/12.
[9] En'am, 6/38.
[10] Buhari, Bed'ul-Hak, 1; Tirmidhi, Tefsiri i sures (5) 3.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.