Kombi

Po qe se individët të cilët kanë vendosur të jenë nga një shtyllë e mirë për kombin e vet, janë të sinqertë në këtë gjë, duhet t'i harrojnë interesat e veta ndërkohë që edhe interesin më të vogël që ka të bëjë me kombin, nuk duhet ta nxjerrin qoftë edhe për një çast nga mendja!

***

Kombi me nivel më të lartë është kombi që, duke i menduar të gjitha punët në unitet, i jep peshë vështrimit të shumicës. Natyrisht, është shumë e rëndësishme që individët e atij kombi, në veçanti të tilla jetësore si feja, gjuha, vetëdija historike, të kenë marrë të njëjtën edukatë!

***

Gjëja që do të na kënaqë më shumë, duhet të jenë kritikat e ardhura nga njerëzit që duam dhe për dashurinë e të cilëve jemi të sigurtë. Në të kundërt, ashtu siç do të ndodhë që, si pasojë e disa të metave tona, të humbim shumë miq, nuk do të dimë edhe t'i rregullojmë shumë prej të metave e dobësive tona!

***

Njëra prej veçantive më të rëndësishme që na ka dobësuar ne, si komb, është naiviteti ynë ndaj hileqarëve me fytyrë miku që na kanë rrethuar gjithandej. Kurse njeriu s'duhet mashtruar nga çdo premtim, s'duhet t'i besojë çdo udhërrëfyesi...

***

Po qe se mes individëve të një kombi vjen puna që dredhia, gënjeshtra dhe mashtrimi të quhen zgjuarësi, do të thotë se atë komb e ka zënë një sëmundje, tashmë, e pashërueshme. Ndërkaq, gjërat që në një trup të tillë duken si shenja përmirësimi, s'janë veçse një vetëmashtrim sikurse pandehja se majmërimi i gungave në një trup që e ka zënë veremi, është shërim...

***

Po qe se mes të gjithë individëve të një kombi ka një lidhje si të ishte familjare, në saje të kësaj lidhjeje fati, pa diskutim, do të spërkatë ujë në rrugën e atij kombi drejt majave. Kurse kombet, individët e të cilëve nuk e duan njëri-tjetrin, të cilët punojnë kundër njëri-tjetrit e, që, për pasojë, nuk ndjejnë besim dhe siguri te njëri-tjetri, jo vetëm që s'janë kombe në kuptimin e vërtetë të fjalës, por dhe as që bëhet fjalë të kenë të ardhme!..