Drejtpeshimi Mes Trupit dhe Zemrës

Jeta e vërtetë është jeta e bërë në nivelin ndiesor. Njeriu që ekziston me botën e tij ndiesore, duke i parë të shkuarën e të ardhmen si dy fytyra të një të vetmeje, kthehet e bëhet një qenie mbikohore. Një shpirt i tillë nuk ndrydhet as me dhimbjet e së shkuarës, as me frikërat e së ardhmes. Sa për ata që nuk kanë mundur ta gjejnë dot veten në botën e vet ndiesore, e jetojnë jetën e vet mëngjarashe të kredhur në pesimizëm. Në shikimin e të tillëve, e shkuara është një varrezë e frikshme, kurse e ardhmja, një humnerë që s'i duket fundi. Keq të vdesin e keq të rrojnë...

***

Lidhja e njeriut me një të shkuar të gjatë dhe me një të ardhme që s'di të mbarojë, varet vetëm nga njohja e gradës jetësore të shpirtit e zemrës. Shpirtrat fatbardhë që çojnë një jetë në këtë nivel e që e kuptojnë atë, të shkuarën e shohin në formën e çadrave e të froneve të etërve tanë, kurse të ardhmen, në formën e rrugëve që zgjaten për në bahçet parajsore dhe ikin të lumtur nga vendbanimi i kësaj bote që e lidhën me botën e vet ndiesore. Kurse fatkeqët që nuk munden ta përjetojnë jetën në këto përmasa, jeta që jetojnë u është më e keqe se vdekja, po ashtu edhe vdekja, krejt një skëterrë errësirë mbi errësirë...

***

Mes jetës së brendshme dhe sjelljeve e veprimeve të individit ekziston një marrëdhënie reciproke mbështetëse, rregulluese e maturuese. Këtë, si kundërvënie ndaj rrethit vicioz, mund ta emërtojmë "rreth i hapur". Sipas kësaj, ashtu siç do të ndodhë që sjelljet e njeriut si vendosmëria, këmbëngulja, qëndresa, duke u reflektuar në botën e brendshme të tij, ta ndriçojnë atë, do të ndodhë edhe që ndriçimi i ndërgjegjes, duke ia nxitur vendosmërinë dhe vullnetin, t'i tregojë atij horizonte edhe më të larta...

***

Fatmirët të cilët, me sjelljet e tyre, ndodhen nën urdhrin e shpirtit, marrin udhë gjithmonë drejt pëlqimit të Krijuesit, drejt virtytit dhe njerëzores; busullat e tyre shënojnë gjithmonë të njëjtën pikë orientuese, po ashtu edhe kahjet e lëvizjeve të tyre. Edhe nëse rrallë u ndodh ndonjë shmangie, me një pendesë të sinqertë e me një rënkim të thellë i tretin në shpirt mëkatet që ua rrethojnë zemrën dhe vazhdojnë në rrugën e vet...

***

Të lumturit, të cilët i çojnë në vend me një korrektesë të jashtëzakonshme e gjer në hollësitë më të imta të gjitha detyrimet e tyre, krahas rregullit, harmonisë dhe dashurisë për detyrën në botën e tyre të jashtme, e jetojnë edhe botën e tyre të brendshme dhe, duke marrë flatra disa herë në ditë, arrijnë në botën e engjëjve...

***

Një botëkuptim i cili duke u zjerë dhe ngjizur me shekuj me idenë e pafundësisë, na pati tharmuar në zemra ashkun për pavdekësinë, me kohë ia la vendin prirjes për formula të pashpirt dhe një botëkuptimi mistik68 që sillte me vete drogimin e mendjeve. Dje e sot, këto mendime të mbrapshta që i njëvlerësojnë rrezet ndriçuese të zbulesës hyjnore me frymëzimet e tyre sa xixat e xixëllonjave, duke fryrë mjegull e tym në rrugën tonë të ndriçuar, janë kah e errësojnë qiellin e njeriut tonë!

***

Pas të gjitha këtyre, njeriun e së vërtetës mund ta kornizojmë, sipas nesh, kështu: Për nga aspekti material, ai është një trup i bërë çelik saqë t'i vërë gjoksin çdo lloj fatkeqësie; për nga aspekti ideor, është një kokë konstruktive që e zien dhe e përzien deklaratën hyjnore me botëkuptimin e arritur nga shekulli dhe, ashtu si një kimist mjeshtër, arrin çdo çast në sinteza të reja; për nga aftësitë shpirtërore dhe ndiesore, është një shpirt i fërguar, i pjekur e i formësuar prej shekujsh në potën e Mevlanave e të Junusëve;[1] më në fund, është një zemër e formuar që i beson filozofisë, "të jesh një njeri mes njerëzish" dhe një sakrifikant i cili, për hir të lumturisë së të tjerëve, ka harruar kënaqësitë e veta!..


[1] Eshtë fjala për poetët e mëdhenj Xhelaledin Rumi (1207-1273) dhe Junus Emre (vd. 1321).