E Fshehta dhe Mbajtja e të Fshehtës

E fshehta është si një burim force e papërballueshme e si një ushtri e pamposhtshme...

***

E fshehta është nder; ai që e mbron të fshehtën, qoftë ajo e vetja, qoftë e dikujt tjetër, ka mbrojtur nderin. Kurse ai që e nxjerr në shesh, do të thotë se i ka lënë zbuluar nderin dhe dinjitetin duke mos treguar konsideratën e duhur për ta!..

***

Ka punë të tilla ku e fshehta i përngjet Hizrit:[1] ka vlerë kur mbetet e padukshme...

***

Edhe heshtja është urtësi, por të urtët e saj janë të paktë a mund të thuhet s'ka...

***

Personi të cilit dikush do t'ia besojë, do t'ia lejë amanet të fshehtën, duhet të jetë i besueshëm e i sigurtë sa për t'ia lënë amanet edhe nderin dhe në mbrojtjen e të fshehtës duhet të jetë aq pedant sa në mbrojtjen e nderit të vet. Amaneti nuk i duhet besuar atij që s'është i besueshëm e i sigurtë, po ashtu edhe e fshehta nuk i duhet dhënë atij që s'njeh të fshehtë e nder!..

***

Kush e burgos gjuhën, shpëton nga robëria e fjalëve të veta...

***

Mbajtja e të fshehtës dhe respektimi i të fshehtës së të tjerëve është një virtyt njerëzor i lidhur krejtësisht me vullnetin dhe njohjen. Ashtu siç nuk pritet që njerëzit e pavullnetshëm ta mbajnë të fshehtën, po ashtu nuk mund të mendohet që njerëzit naivë, të tillë që të mos jenë në gjendje ta parashikojnë përfundimin e punëve që bëjnë dhe fjalëve që flasin, të jenë gojëmbyllur...

***

Fakti që një njeri i beson sërish një të fshehtë dikujt që gjer atë ditë ia ka nxjerrë në shesh disa herë të fshehtën e besuar, tregon tek ai mungesë vullneti dhe paaftësi për të zgjedhur shok. Një njeri që, në saje të besimit, i janë hapur sytë dhe zemra i ka zënë vend, nuk duhet të gënjehet kaq shumë në jetë, nuk duhet të mashtrohet kaq shumë!..

***

Njeriu duhet të ruhet jashtëzakonisht nga përhapja e të fshehtave të veta andej-këtej, sidomos nëse këto do të jenë gjëra të shëmtuara, të padëshiruara e, si rezultat, të padobishme... Ndërsa do t'i turpërojë miqtë, kjo mund të bëhet shkak për lindjen e situatave të pakëndshme që do t'i gëzonin armiqtë...

***

Gjokset janë krijuar si nga një arkë e vogël për të fshehtat. Mendja është dryni i tyre, kurse vullneti, çelësi. Për sa kohë që në këtë dry dhe çelës të mos ketë prishje, askush s'ka mundësi të zbulojë se ç'fshihet në arkë...

***

Ai që bart të fshehtat e tjetrit për tek ti, mund t'i bartë edhe të fshehtat e tua për tek tjetri. Prandaj kurrsesi nuk duhet t'u japim rast njerëzve të tillë të njohin qoftë edhe gjërat tona personale më të parëndësishme!..

***

Zemra e kokëtrashit është në majë të gjuhës, kurse gjuha e të mençurit, në skajin më të fshehtë të zemrës...

***

Duhet ruajtur nga shoqërimi me kokëtrashët. Më e keqja është se, jo vetëm mund të kenë qëllime të këqia, por, edhe në s'paçin të tilla, mund të të bëjnë keq pa qëllim...

***

Ka të fshehta që kanë të bëjnë me individin, ka të fshehta që kanë të bëjnë me familjen, por ka edhe të fshehta që kanë të bëjnë dhe prekin një shoqëri e një komb të tërë... Me zbulimin e të fshehtës së individit, i jepet rast vënies në lojë të dinjitetit të individit, me zbulimin e të fshehtës që i përket familjes, vënies në lojë të dinjitetit të familjes, kurse me nxjerrjen në shesh të të fshehtës që i intereson shoqërisë e kombit, vihet në lojë dinjiteti i shoqërisë e i kombit, sepse, ndërsa e fshehta është një forcë për sa kohë mbetet e tillë dhe në dorë të atij që i përket, kur zbulohet, kthehet në një armë të rrezikshme që mund të përdoret kundër të zot. Prandaj dhe të parët tanë kanë thënë: "E fshehta është robi yt, por, po e zbulove, ti bëhesh robi i saj!"

***

Eshtë një parim që shumë punë me vlerë të madhe kërkojnë mbajtjen e të fshehtës; kur ka ndodhur që ata që i kanë pasur në dorë këto punë, nuk e kanë mbajtur të fshehtën, nuk ka qenë e mundur të hidhet qoftë edhe një hap përpara, madje, iniciativat janë rrezikuar seriozisht. Kjo gjë merr rëndësi dhe përmasa krejt të veçanta kur është fjala për çështje delikate që kanë lidhje me jetën dhe të ardhmen e një kombi!..

***

Nëse një shtet u ka lëshuar të fshehtat e shtetit armiqve, nëse një ushtri ia ka zbuluar strategjinë e lëvizjes forcave armike, nëse një afarist është zbuluar nga konkurrentët, s'ka më mundësi që ai shtet ta rimbledhë veten, që ajo ushtri të fitojë dhe që ai afarist të dalë me sukses...


[1] Hizri: engjëlli apo simboli i ndihmës dhe mirësisë.