Thjeshtësia

Njerëzit kokulur arrijnë shpërblime të pasosura si në lartësinë e Zotit, ashtu edhe mes njerëzve. Kurse e kundërta e këtyre, hundëpërpjetët, mëndjemëdhenjtë dhe ata që e shohin çdokënd nga lart poshtë, në çdo kohë janë përzënë nga njerëzit dhe janë goditur nga ndëshkimi i Zotit!

***

Fakti që njeriu e pëlqen vetveten e mbahet më të madh, është provë e çalimit të mendjes dhe trashësisë së shpirtit. Njeriu që ka arritur pjekurinë e mendjes dhe shpirtit, çdo gjë që ka merituar e di prej Zotit dhe, me ndjenjën e falenderimit, përkulet gjithmonë më dysh para Tij!

***

Përballë vlerësimit të Zotit dhe poshtërimit të njerëzve, thjeshtësia i përfton zemrës së njeriut ndjenjën e prehjes dhe qetësisë. Sigurisht, dikush që qysh në krye, duke e ditur se sa vlen, është treguar kokulur, do të thotë se është futur nën blindin më të sigurtë ndaj çdo lloj përbuzjeje e poshtërimi që mund t'i vijë nga njerëzit si dhe ka marrë masën parambrojtëse më të shëndoshë ndaj tyre!

***

Thjeshtësia është tregues i pjekurisë dhe vlerës të individit, kurse mbajtja më të madh, i papjekurisë dhe mangësisë së vlerave te individi. Njerëzit më të formuar janë ata që rrinë më shumë mes njerëzve e bëhen gjithmonë me ta, kurse njerëzit më të mangët në vlera janë ca të pafat me nam të keq të cilët e kanë për turp të rrinë mes njerëzve e t'i ndajnë gëzimet e hidhërimet me ta!

***

Ata të cilëve s'u dihet vlera nga shoqëria mes të cilës jetojnë, herët a vonë, në saje të thjeshtësisë në karakter, lartësohen e arrijnë të fitojnë ndere të mëdha, kurse ata që vuajnë nga kompleksi i të mbajturit më të madh, me kohë, duke u lënë mënjanë nga populli nga pak e përditë, kthehen në elementë të huaj në mjedisin ku jetojnë!

***

Lartësimi i një njeriu në vlerat njerëzore del në dukje me anë të thjeshtësisë tek ai; edhe thjeshtësia vetë del në dukje kur atë nuk munden ta ndryshojnë gjërat që shoqëria u jep vlerë, si posti, detyra, pasuria dhe dituria. Për atë njeri te i cili njëri prej elementëve të sipërpërmendur arrin të shkaktojë ndryshim në mendime e sjellje, nuk mund të bëhet fjalë as për thjeshtësi, as për lartësim në vlerat njerëzore!

***

Thjeshtësia ka vlerën e çelësit të pothuaj gjithë shprehive të mira; kush e shtie në dorë atë, mund të fitojë edhe shprehi të tjera të bukura, kurse kush nuk e ka, për rrjedhojë, mbetet i mangët edhe prej shprehive të tjera. Ndërsa kur profeti Adem (a.s.) rrëshqiti dhe i humbi të gjitha gjërat me vlerë të trajtimit qiellor, i rifitoi ato me anë të thjeshtësisë, djalli i rënë në të njëjtën fatkeqësi, u bë kurbani i krenarisë dhe mendjemadhësisë së vet!

***

Për shkak se madhështia është nga atributet e Individualitetit të Lartë, ata që janë mbajtur më të madh e janë treguar tekanjozë, pothuaj gjithmonë janë përlarë nga dora "Ndëshkuese"[1] e Tij e janë shkatërruar. Kurse ata që e kanë njohur veten se sa vlejnë e janë treguar të thjeshtë, janë lartësuar duke u ngjitur gjer në audiencën e Tij!


[1] Në origjinal: Kahhâr (osm.)

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.