Antagonistët

Ti mendon të arrish esencën tënde duke u purifikuar në ndjenjë dhe mendim, të përsosesh duke u dhënë zhvillim aftësive të tua njerëzore; po si mund të bëhen këto pa u zhveshur nga kënaqësitë trupore-materiale, pa ngritur krye ndaj dëshirave shtazore?

***

Ti dëshiron të arrish "njësimin" në jetën tënde ndiesore dhe të zhytesh e të përhumbesh në kënaqësitë shpirtërore; po si do të bëhet kjo kur brenda teje vërtiten një mijë e një të këqia e kur ti, në çdo kthesë, u thua "po" kënaqësive trupore?..

***

Ti përfytyron të marrësh krahë për t'u ngjitur e për të arritur në botët përtejqiellore; po si do të bëhet kjo nëse ti, si një fëmijë që luan me baltë, mbetesh i mbërthyer në baltovinën e kësaj bote?..

***

Ti pret pa prá shfaqjen e agimeve të reja në horizont; po si do t'i shohësh ti agimet e reja pa e pajisur zemrën me ideale të larta, pa u vërsulur e marrë sërish vendin tënd të vjetër e pa u bërë një klithmë mu në zemër të botës?..

***

Ti kërkon t'u japësh zgjidhje problemeve të grumbulluara një mbi një prej shekujsh; po si do të bëhet kjo nëse nuk ke shpresë e qëndresë për të luftuar e pritur në këtë rrugë shekuj të tërë?..

***

Ti bën fjalë për lartësimin e vatanit, për lumturinë e njerëzve tanë; po si do të bëhet kjo pa u dhënë krahë brezave me besim, arsim e kulturë në mënyrë që t'u hidhen sipër e t'i përmbysin të gjithë djajtë?

***

Ti ke mall për të ekzistuar si ta do zemra dhe për të marrë kënaqësi nga jeta sipas botës tënde ndiesore; po si do të bëhet kjo nëse ti nuk ngul këmbë për këtë pa e prishur agjërimin gjer në perëndim të diellit?..

***

Ti dëshiron të jetosh i lirë, i pavarur e krenar në krah të të gjithë popujve të tjerë; po si do të bëhet kjo nëse s'e hedh tutje mediokritetin që të ka mbuluar?..

***

Ti shpreson dhe pret të ndodhesh pa pra në sy të të tjerëve, në zemrat e të tjerëve që të të duartrokasin e të të ngjitin në qiej; po si do të bëhet kjo kur ti njëqind herë në ditë e prish betimin që ke bërë?..

***

Ti e sheh veten të patëmetë dhe kërkon që çdokush kështu të të shohë; po si do të bëhet kjo me gjendjen tënde mes shoqërisë që ngarkon mbi supe çdo ditë një mijë e një mëkate të reja ndërsa ti s'bën dot asgjë?..

Mendimi për të shërbyer Ç'ndryshim ka jeta e jetuar pa pasur si objektiv shërbimin ndaj njeriut tonë, nga jeta e egër ku vërtiten një mijë e një pasione të verbëra?

***

Duartrokitja e çdo lëvizjeje në kahjen e së drejtës e të së vërtetës është shprehje respekti ndaj së vërtetës. Ata që e shohin të vërtetën të posaçme vetëm për vijën e tyre, më besoni se, jo vetëm që, pa shkuar shumë, do të izolohen me duart e veta, por edhe në konceptimin e së vërtetës do të lëkunden vazhdimisht pa arritur dot një konkluzion përfundimtar!

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.