Kthimi dhe Qëndresa

Sa ç'është e rëndësishme ta gjesh të vërtetën e t'ia japësh zemrën asaj, po aq e rëndësishme është t'i mbetesh besnik, pastaj, dhe të tregosh qëndresë në rrugën e saj e të gjitha këto janë një çështje mbi të cilën e vlen të qëndrohet. Kështu, nuk mendohet që dikush, shpirti i të cilit është ndriçuar nga e vërteta, të ndërrojë aq lehtë rrugë dhe drejtim! Sa për ata që ndërrojnë altar mëngjes e mbrëmje, pa pushim, janë ca të pafat që nuk kanë mundur ta gjejnë të vërtetën ose ca të pamend që s'kanë mundur ta rrokin vlerën e saj!

***

Fatmirët që i kanë bërë zemrat breg për oqeanin e të vërtetës, i tretin në gjoks dallgët e ardhura nga ai oqean me një dëshirë dhe etje që s'di të shuar dhe thonë: "A ka më"? Këta janë njerëz që kanë mbaruar së kërkuari, që e kanë gjetur altarin e vet dhe që i kanë qetësuar shpirtrat. Sa për ata që lëkunden pa pushim si dallgë sa andej-këtej, ose janë një sërë foshnjarakësh që nuk e njohin mënyrën e kërkimit, ose ca të patru që i ngatërrojnë kërkimin me gjetjen. Gjejnë vetëm ata që kërkojnë, kurse ata që s'kërkojnë, bëjnë vendnumëro. Kurse të hutuarit që kujtojnë se kanë gjetur diçka, vërtiten tërë jetën rreth një gjëje pa mundur të kuptojnë, më në fund, prej saj diçka!

***

Mbrojtja e pozicionit është shkaku më i parë i përmbysjes së armikut dhe i arritjes së objektivit. Kurse ata që e braktisin frontin dhe ndahen, quhet se kanë hyrë në rrugën e humbjes qysh në çastin kur janë ndarë!

***

Çdo dezertor e ka dënuar veten së pari para ndërgjegjes së vet, pastaj para historisë dhe brezave të ardhshëm, për rrjedhojë, quhet se ka ngrënë një pëllëmbë në kundërshtim me qëllimin e vet. Në çdo kauzë të lartë, qëndresa në ruajtjen e frontit është shenjë burrërie. Edhe nëse robërit e papenduar të egos, të cilët kthehen nga fryn era, nuk e kuptojnë dot këtë ose nuk duan ta kuptojnë, njeriu që është njeri, pasi ta ketë kuptuar një herë të vërtetën, interesi nuk mundet ta lidhë me zinxhirë, frika nuk mund t'ia presë udhën e ta pengojë, epshi nuk mund t'i dalë para! Ai i kapërcen të gjitha këto!

***

Në një shërbim, ata që ndërrojnë mendim dhe vend pa pra, jo vetëm që e trondisin ndjenjën e besimit dhe sigurisë karshi vetes, por edhe janë bërë, për shokët e kauzës, gjithmonë zhgënjimtarë. Ashtu siç ndodh që dalja nga rrjeshti e një anëtari të një njësiti që ecën me radhë të shtrënguara e me gëzim, e prish ritmin duke shkaktuar çrregullim, ashtu edhe shkëputja dhe largimi i ndokujt prej kuadrit të lidhur me një qëllim, shkakton ndër shokë e miq lëkundje, thyerje e pesimizëm, kurse ndër armiq, gëzim!

***

Ata që, duke e prishur shpesh betimin, bien në pavendosmëri, vjen dita që, duke e humbur ndjenjën e besimit të të tjerëve ndaj vetes, hyjnë, dalëngadalë, nën ndikimin e një pale tjetër. Këta shpirtra paralitikë që e humbin me kohë tërë personalitetin e vet, kthehen, më në fund, në elementë të dëmshëm si për vete, ashtu dhe për bashkësinë ku marrin pjesë!

***

Ata që sot ndodhen të shtypur nën peshën e llogarive të vogla dhe që janë kapur pas gjërave të tilla si posti, pozita, popullariteti, epshi, etj., nuk e di, ç'kanë për të bërë ato ditë kur interesat do të na e rrethojnë horizontin si ylber, kur frika dhe drojtja do të na i prangojnë vullnetet?..

***

Historia e njerëzimit është e mbushur plot me ngjarje që tregojnë se kalatë dhe qytetet janë marrë me gjakun e mijra trimave e heronjve, kurse, shpesh herë, janë humbur përgjithmonë vetëm nga sjellja laramane e një tradhtari apo burracaku...

***

Ah, ti famë kriminele, ti epsh i pabesë, ti pangopësi burracake!.. Sa e sa shpirtra u zvetënuan vetëm me një takim me ju! Sa e sa zemra u thanë në klimën tuaj si drurët që u bien gjethet në vjeshtë! Dhe sa e sa të tjerë, të hutuar prej gajasjeve tuaja të neveritshme, ikën prej faltores për të rënë pijetoreve!.. Po, trimat e rënë në atmosferën tuaj, u qullosën, kokat e mëdha humbën në botën tuaj të vockël!..

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.