Maturia

Maturia është një qëndrim me rëndësi përballë mundësive të dëmtimit në një punë ose hap, një qëndrim me vlerë për të mos rënë në qarje e rënkime në fatkeqësi. Ka sa e sa iniciatorë që, për shkak të mospërgatitjeve paraprake të duhura, në fund ose përplasin pëllëmbët pas gjunjëve, ose i hedhin gurë fatit. Kështu, ata bëjnë dy gabime: e para se nuk marrin masat e duhura, e dyta, se, pastaj, kritikojnë fatin!

***

Sa i madh të jetë rezultati i vënë si synim në një iniciativë apo hap, po aq i rëndësishëm është edhe respektimi i masave që duken të domosdoshme për atë qëllim. Për rrjedhojë, po qe se një person nuk e rregullon punën duke llogaritur edhe fitimet me humbjet në atë masë sa ç'është përgjegjësia që ka marrë përsipër, ai është ose një aventurier, ose një trashaman naiv. Hapi i bërë prej kokëtrashëve të tillë është më i dëmshëm se pasiviteti i tyre!

***

Masat dhe maturia janë një kapital i madh për njeriun në përpjekjet për të arritur atë që shpreson. Kurse plogështia ose nënvleftësimi më i vogël që tregohet në këtë drejtim, është një nga gabimet e mëdha që në përfundim bëhet shkak për fajësime. Njeriu i mençur është ai që pa dalë ende në shesh të metat e mundshme, gjen zgjidhje për t'i mënjanuar ato dhe i vë gjërat nëpër vendet e veta. Të parët tanë kanë thënë: "Duhet ta kapësh hajdutin para se të të kapë ai ty!" Ndryshe, do të rrish e të fajësosh sa hajdutin, sa fatin!..

***

Çdo punë njeriu duhet ta nisë me një plan dhe masa paraprake. Kurse, si përfundim, duhet pa tjetër të ruhet prej gjërave që nuk premtojnë ndonjë vlerë dhe dobi materiale-shpirtërore. Çdo iniciativë e marrë pa i pasur parasysh të gjitha këto, është një kotësi dhe preokupimi me kotësi është provë e papjekurisë mendore dhe fëmijërisë së personit.

***

Forcën dhe vlerën e vet, njeriu e provon dhe e vë në shesh me anë të sukseseve të arritura përmes provash të vështira dhe kushtesh të papërshtatshme. Kurse suksesi në shërbimin e kryer në kushte të rënda varet para së gjithash prej hartimit të një plani dhe, pastaj, veprimit sipas tij. Sipas kësaj, forca dhe vlera e një njeriu është në përpjestim të drejtë me sukseset e tij, kurse sukseset, me vendimet e marra para iniciativave.

***

Ashtu si maturia është krejt e ndryshme prej frikës dhe ngurrimit për të vepruar, ashtu edhe veprimet e pakontrolluara s'kanë asnjë lloj lidhjeje me guximin dhe trimërinë. Ndërkaq, teprimi në maturi mund të sjellë disa dëme, por këto pa diskutim që janë lokale dhe të riparueshme. Kurse veprimet spontane dhe sjelljet donkishoteske të atyre që e quajnë mungesën e maturisë dhe kontrollit trimëri, janë kurdoherë të rrezikshme e të dëmshme në mënyrë të pariparueshme!

***

Ashtu si çdo shprehi e keqe, edhe dalja për gjuetinë e masave po me shpirtin e masës që është thjesht një gënjeshtër e mashtrim, është ndër gjërat që na ka lënë si dhuratë Perëndimi. Edhe nëse sipas atyre që e kanë bërë të vetën këtë ide të çalë e të pafisme, çukitjet mbi lëvozhgën e vezës duken normale, sipas nesh, çdo çështje kombëtare duhet të lëvizë përmes durimit dhe heshtjes së një midhjeje margaritari, nëpër një linjë të përshtatshme me gjendjen e mundimshme por të pazë të midhjeve të margaritarëve të fshehura në skajet më të heshtura të fundit të detit.

***

Vlera e lartë e njeriut para Zotit matet me vlerën e përpjekjeve të tij, kurse shenja më e qartë e vlerës së lartë të përpjekjes është te flijimi i kënaqësive dhe i lumturisë personale në emër të lumturisë dhe kënaqësive të të tjerëve. S'e di, a mund të përfytyrohet për njeriun sakrificë më e madhe se nëpërkëmbja e dinjitetit dhe nderit personal për hir të të mirës së shoqërisë, se aftësia për të duruar duke gëlltitur zemërimin edhe atje ku duhet bërtitur me të madhe dhe se prangimi i dëshirave vetiake gjithkund ku bëhet fjalë për lumturinë personale?

***

Ashtu siç është mungesë mençurie t'i shohësh të gjitha sukseset e ushtrive fitimtare te guximi për të sulmuar dhe të mos u kushtosh rëndësi planeve ushtarake, po ashtu është mendjetrashësi t'i lidhësh të gjitha fitoret me guximin për guxim duke mos u dhënë vlerë masave paraprake.

***

Edhe iniciativat, ashtu si masat, janë nga një ftesë paraqitur favorit hyjnor dhe, në të njëjtën kohë, identitet i dy fytyrave të një të vërtete. E meta e shfaqur në njërën prej këtyre mund t'i japë shkas shpesh ndërprerjes së favorit dhe, për rrjedhojë, mossuksesit. Kurse rruga dhe ecja pa të meta e defekte është e mundur kurdoherë me anë të parashikimit. Lum për ata që e kuptojnë këtë!

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.